ETNOKULTURË

ETNOKULTURË

A është Puka krahinë etnografike?

Fillimisht është me interes që të sqarojmë lexuesit se ç'është krahina etnografike dhe sa përputhet rrethi i sotëm i Pukës me krahinën e vet etnografike. Krahina etnografike është njësia e caktuar gjeografike ku banon një bashkësi ekonomiko-shoqërore njerëzish, me kushte shoqërore të njëjta, me mënyrë të përbashkët jetese dhe me lidhje të ngushta kulturore, të formuara në rrethana të caktuara historike, krahas tipareve të përgjithshme etnike-kombëtare.

Rrethi i Pukës me ndarjen administrative të vitit 1945, u tkurr brenda kufijve krahinorë, duke humbur nga lindja Spasin (Mali i Zi, Shumërinë) që iu dha Kukësit. Ndërsa nga perëndimi i kaluan Shkodrës: Dushi e Karma e Poshtme, Mdhoja dhe tash së fundi Komani. Në të njëjtën kohë iu bashkangjitën Pukës një numër i madh fshatrash mirditas që nga Lumardhi e deri në Rras-Kushnen bashkë me Srriqen, si dhe Korthpulën, Vrrithin, Kaftallën etj.

Tani le t'i kthehemi problemit të shtruar për zgjidhje: A është Puka krahinë etnografike? Përgjithësisht në rrethet shkencore qëndrore mbizotëron mendimi i gabuar se Puka nuk është krahinë unike etnografike, por një përbërje krahinëzash a copërash të shkëputura prej Krahinës së Madhe të Dukagjinit Mesjetar. Ja si e shpreh këtë "Etnografia shqiptare" (II 1962, f. 37 -38): "Berisha, Mërturi, Hasi, Luma etj; vazhduan të zhvillonin më tutje veçoritë kulturore të veçanta që krijuan" (pas pushtimit osman, Xh.M.). As Fjalori Enciklopedik Shqiptar (botim i vitit 1985) nuk mund t'i shpëtojë kësaj pasaktësie, sepse në f. 543 shënon: "Krahina e Dukagjinit u nda në disa krahina të reja, si: Mirdita, Luma, Hasi, Berisha etj': Nga sa thuhet më sipër del pyetja: Si lindi dhe u kristalizua mendimi i gabuar se Puka nuk është krahinë etnografike unike? Sigurisht, ky mendim nuk lindi rastësisht dhe pa një bazë të caktuar të dhënash dhe phmërish. Le t'i analizojmë disa prej tyre.

Në Udhën e Madhe Verilindore, që lidhte Adriatikun me pjesët e brendshme të Ballkanit, dihet se që nga kohët antike e në vazhdim: Puka, Iballa e Spasi (Vaspasi , Malizi) kanë qenë vazhdimisht stacione të fortifikuara me rëndësi në mbrojtje të kësaj udhe. Njëkohësisht shërbenin edhe si qendra të rëndësishme banimi me funksione administrative, politike dhe ekonomike për rrethinat e tyre përkatëse, por të pashkëputura në kuadër krahinor. Megjithatë, duke qenë të ndara nga largësi të mëdha dhe me kufij të dukshëm gjeografik, mjaft studiues të huaj e vendas i morën për qendra krahinash të vogla e të veçuara në tipare etnografike. Kjo dhe për faktin se studiues, si: Hani, Durham etj., duke i parë kalimthi disa fshatra e vise, i kanë trajtuar si fise e rrethina të mbyllura brenda vetvetes.

Edhe sot disa studiues vendas, të mbështetur mbi traditën e shkruar edhe mbi vëzhgime anësore, vazhdojnë ta trajtojnë Pukën si një krahinë gjeografike tranzitore, ndërlidhëse dhe pothuajse pa identitet etnografik. Atëherë me ç'argumenta mund të dëshmojmë të kundërtën?

- Së pari, le t'i drejtohemi Frang Bardhit, historianit, folkloristit, leksikografi t dhe etnografi t tonë të shek.XVII i cili, mbasi ka vizituar disaherë viset e Pukës, shkruante më 1638: "Për veset e virtytet,. zakonet e mira e të këqija, për bestytnitë, për mënyrën se si me kremtue festat me sofra, për gjendjen, pasunin dhe veprimet e këtyne popujve iballas, gjanësisht kam tregue në relacionet e vizitës në Pukë ... dhe aty mund të shihen sepse iballasit janë fqinj dhe në marrëdhënie me ata të Pukës e të Spasit dhe hyjnë në të njëjtën përshkrim': Siç shihet te F.Bardhi, uniteti krahinor etnografik del i qartë.

- Së dyti, në mendësinë e popullit është ruajtur si një fakt real uniteti krahinor etnografik, siç e dëshmojnë emërtimet tradicionale: Dheu i Epër e Tre Bajrakët e Epër (për Iballën): Dheu i Poshtëm e Tre bajrakët e Poshtëm (për Pukën). Spasi është njohur si Dheu i Malitzi a Bajraku i Malitzi. Vetë ndarja: Dheu i Epër e Dheu i Poshtëm flet për pjesë të së njëjtës njësi. Po kështu Shtatë Bajrakët e Pukës (Tre Bajrakët e Epër, Tre Bajrakët e Poshtëm e Bajraku i Malitzi) shprehin shtatë ndarjet e mëvonshme administrative në njësi më të vogla, por pa prishur krahinën; Së treti, uniteti krahinor etnografik i Pukës është i dukshëm edhe sot: në veshjet tradicionale, ndërtimet banesore, në krijimet artistike letrare, gojore e muzikore, në vallet, në doket; në të folmen e përbashkët të Pukës etj.

Si përfundim, Puka është një krahinë etnografike e përbërë prej tri njësish visnore: Pukë, Iballe e Spas me lidhje të ngushta tradicionale.

Nga: XHEMAL MEÇI, ęPërpjekja': 11 prill, 1991.