Rexhep Uka

Rexhep Uka

Rexhep Uka

"Kur mësuesi na la të zhveshur, pasi u lamë në lumë".

 
Emri: Rexhep Uka
Datëlindja: 6 shkurt 1953
Vendlindja: Tiranë
Gjendja Civile: I martuar, me tre fëmijë
Arsimi:
  • Diplomuar në Institutin e Lartë Bujqësor, Tiranë
  • Përgatitja dhe mbrojtja e diplomës për marrjen e titullit
  • "Agronom i Mbrojtjes së Bimëve"
  • Marrja e gradës së dr. shkencave bujqësore (PhD) në fushën e entomologjisë në Universitetin Bujqësor të Athinës, Greqi
  • 1996-1997 Studime pasuniversitare IAM Bari, Itali. Kurs për virusologjinë bujqësore dhe certifikimin e bimëve bujqësore
  • Marrja e titullit prof. asoc. në fushën e entomologjisë bujqësore
  • Kurs trajnimi "Menaxhimi i Integruar i Sëmundjeve dhe Dëmtuesve në Mjediset e Mbrojtura" (Qendra e Trajnimit Internacional PHLO, Ëageningen, Holandë)
  • Kurs trajnimi "Statistical Analysis in Integrated Pest Management" (IPM-CRSP Project, Virginia Tech), Tiranë
  • 2000 Teknologjitë moderne të kultivimit të perimeve dhe mbrojtjes së bimëve në mjedise të mbrojtura dhe marketingu.
  • Projekt i IFDC, Israel, qershor 2000.
  • Studime në fusha të ndryshme të kërkimeve shkencore

Arkitekturë mjedisi. Këtë ai e cilëson si një ndër lojërat e para të fëmijërisë së tij.
Ndërsa veglat e punës ishin lodrat e tij më të dashura dhe më të bukura. Mjaftojnë këto detaje për të kuptuar ëndrrën dhe pasionin e hershëm të politikanit Rexhep Uka. Prej vitesh tashmë si një nga agronomët më në zë në Shqipëri, ai ende vazhdon të kryejë studime e kërkime shkencore në fushën e tij. Deputeti i Partisë Demokratike, Uka, në intervistën dhënë për "Tirana Observer" shfaqet plot surpriza. Duke u rrëfyer për rubrikën "Kur ne politikanët ishim të vegjël", ai veçon një nga aventurat e tij që i ka kushtuar shtrenjtë. Larja në lumë në mes të dimrit dhe dënimi para të gjithë shkollës. Midis momenteve më mbresëlënëse të fëmijërisë së tij, ai rendit çmendurinë e fëmijërisë për aviacionin, që e çoi deri në largime "klandestine" si dhe adhurimi i figurave të lashtësisë.
Kur ka lindur Rexhep Uka?
Më 6 shkurt 1953, ditën e enjte ora 11 në Kamëz, Tiranë.

Ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të vizitoni dhomën apo krevatin e spitalit ku ka qëndruar nëna juaj dhe ju?

Maternitetin e kam mësuar vetëm kur po në të njëjtin vend, krejt rastësisht, ka lindur djali im i parë dhe kjo lloj rastësie më ka ngjallur një ndjesi të veçantë. Vendlindja ime, Kamza, ku edhe kam jetuar 4 vjet, gjithmonë më jep një nostalgji të veçantë dhe të paharrueshme, sepse aty kam kujtime që nuk mund të shlyhen kurrë, madje sot sa vjen dhe më përforcohen më tepër.

Cila është mosha më e vogël që e mbani mend veten tuaj? Po veprimi më i hershëm?




Mosha më vogël që mbaj mend është ajo rreth një vjeç. Më kujtohet, kur i ulur në prehrin e gjyshit (unë kam qenë fëmija i parë në fisin e emigruar nga Puka në vitin 1952), luaja me kutinë e duhanit, duke e derdhur atë disa herë në ditë në dysheme dhe gjyshi e mblidhte duke u argëtuar pa pushim. Ajo ishte një kuti prej bronzi, (aty mendoj se kam marrë dhe vesin e duhanit). Më vonë, kam mësuar se gjyshi trupmadh, duhanin e mbante në zgavrën e klavikulës në qeskë për ta mbajtur të butë, kjo më bën të qesh edhe sot kur e kujtoj.
Mbrojtje më të sigurt se ajo e gjyshit nuk mendoj të kem pasur ndonjëherë në jetë. Askush nuk guxonte të më qortonte, isha nën protektoratin e tij të plotë. Më pas, gjithmonë jam interesuar të di më shumë për të dhe me të vërtetë habitem se sa shumë i ngjaj atij në disa aspekte të temperamentit. Ajo që kam kuptuar, është se edukimi thelbësor i tij ka qenë për të luftuar gjithë jetën për të qenë zot i vetes dhe ndërtimi i lidhjeve burrnore me shoqërinë. "Mos u mbaj për shkume" dhe "gjithmonë duhet të jesh dikush" ishin deviza e tij.

Si ju kanë thënë prindërit, keni qenë fëmijë i urtë apo qaraman?
Unë nuk kam qenë as i urtë dhe as qaraman. Gjithmonë kam qenë tepër i ndjeshëm dhe i dhimbshëm.

Keni qenë një fëmijë trazovaç? Mund të na tregoni ndonjë bëmë?

Trazovaç asnjëherë, por tepër dinamik dhe kureshtar deri në pa përmbajtje. Lojërat e mia kanë qenë gjithmonë imitim në miniaturë i punëve që bëja si ndihmës i përhershëm i babait tim, të cilit dora i bënte gjithçka. Nëse babai do të shartonte ndonjë varietet të ri pemësh, të nesërmen unë menjëherë, me metodat e mia e përsërisja se diçka kisha modifikuar më mirë. Fillimisht këto kanë qenë lojërat e mia, ndërtim shtëpish, kopshtesh, pra, me pak fjalë, arkitekturë mjedisi. Filatelia ka qenë një nga hobet e mia që më lidhi më shumë me djemtë e Tiranës ku shkoja vazhdimisht për të pasuruar koleksionin tim dhe për të marrë adresa të huaja që ende sot i mbaj mend si vjersha.

A ju kujtohet ndonjë aventurë nga fëmijëria të cilën jua kujtojnë edhe sot?
Aventura ime e fëmijërisë ka qenë ajo kur u lamë në lumë në mes të dimrit, ngaqë nuk prisnim dot të vinte vera pasi 6 muaj më parë kishim mësuar notin dhe mendonim se e kishim harruar. E paguam shtrenjtë sepse na lanë zhveshur kur na diktuan. Të nesërmen na nxorën para gjithë shkollës të rreshtuar dhe në mur ishin varur rrobat tona, të cilat na i kishte marrë mësuesi i fizkulturës, Andrea Xhori, dhe ne ia mbathëm vrapit në anën tjetër të lumit, ishim dy shokë. Kjo ka ndodhur aty nga viti 1960. Unë e kujtoj më shumë për pasojat, se hëngra një të ftohur që më kushtoi ca andralla.

Cila ishte loja që pëlqenit më shumë? Përse?
Më vonë kanë filluar dëshirat për lojërat e mirëfillta, ku futbolli ishte kryesori. Shquhesha për disa karakteristika, por asnjëherë nuk kam qenë më i miri, sepse në fshatin tonë kemi pasur futbollistë që unë nuk i konkurroja dot. Megjithatë, ata më pranonin në ekip edhe pse isha me i vogël. Kemi pasur mësues fizkulture figura me të vërtetë të shquara të sportit shqiptar, Kostellon, siç e quanim ne, (lindur dhe rritur ne Rumani) Andrea Xhorin, Fatush Ksenon, një virtuoz i vërtetë i futbollit shqiptar. Përveç basketbollit, deri në moshën 22 vjeç jam marrë me të gjitha sportet më të njohura. Tani kam përfunduar vetëm me ping-pongun.

A keni ndonjë shenjë që ju ka mbetur nga fëmijëria?
Po, kam një çarje në mjekër, në kohën që mësoja gjithë ditën të bëja vertikale në paralele. Duke e provuar në mes të dy tavolinave të klasës pak minuta se të hynte mësuesja (Burbuqe Zgjani), përfundova si thes në çimento, direkt me mjekër. Nuk e harroj kurrë mësuese Burbuqen që qante për mua, isha vrarë me të vërtetë shumë.

Ishit ndër ata fëmijë që mashtronit kur luanit, apo ndër ata që nuk flisnin kurrë?
Në lojë asnjëherë nuk kam qenë mashtrues, kjo është interesante, megjithëse jam i bindur se të jesh sportist dhe të mos bësh pak hile e ke shumë të vështirë suksesin. Më kujtohet njëherë 6 km ecje sportive. Unë nuk e theva asnjëherë rregullin dhe dola i treti në 20-30 veta, kur të tjerët ecnin sa i mbante hapi dhe vrapi…. Gjithmonë protestoja për hilet, madje edhe ashpër, sepse vetë, për çdo faull timin, ndaloja në vend. Këtë lloj sinqeriteti në lojë edhe vetë nuk e kam kuptuar pse më vinte, nuk e kam duruar asnjëherë padrejtësinë. Loja e humb bukurinë nëse atë do ta bësh perfekte, kurse gara është ndryshe, besoj se loja dhe gara e vërtetë ndryshojnë.

A ju kujtohet ndonjë fjalë që e artikulonit gabim. Mund të na e thoni sot atë?
Kur kam qenë i vogël, jam operuar nën gjuhë, sepse nuk e shqiptoja mirë germën "r". Që atëherë nuk kam më probleme në të folur, (juve si ju duket?).

Cila ka qenë lodra juaj e preferuar? A keni ruajtur ndonjërën prej tyre?
Lodrat nuk më kanë munguar ndonjëherë. Në vitet ‘60 më kujtohen disa lodra ruse mjaft të bukura, të cilat nuk ekzistojnë më. Por për mua lodrat më të bukura ose më të dashura, kanë qenë veglat e punës që sajoja vetë. Trashëgimia e punëve të dorës për familjen tonë është një karakteristikë dalluese që shkon deri në mjeshtri, nuk njoh të paktën një pjesëtar të familjes që nuk di të punojë diçka prej druri, hekuri etj.

Mbani mend germat ose vizatimet e para që keni hedhur në letër? A keni ruajtur ndonjërën pre tyre?
Kur kam mbaruar abetaren, e kam kopjuar nga fillimi deri në fund, me një kaligrafi shumë të bukur që e kopjoja nga xhaxhai. Vizatimet i kam pasur me të vlerësuarit dhe për vite me radhë mësuesi i shquar, Myftar Bejleri, ua tregonte ato viteve pasardhëse. Nuk pata fatin të më ktheheshin ndonjëherë, kam tentuar t’i marr, por gjithmonë më thoshte "mos prit kot se nuk kam për të t’i dhënë".

Cila ishte ëndrra që ziente në kokën tuaj si fëmijë në atë kohë?
Ndër të parat fare ka qenë ajo që kam sot, agronom. Kjo është e çuditshme, pasi pas disa kohësh, kjo u zhduk dhe filloi jo ëndrra, por çmenduria e vërtetë për aviacionin. Doja të bëhesha si Niko Hoxha, të fusja siç na thoshin avionin nën urë. Kjo ëndërr më ka sunduar për nja tre-katër vjet dhe më ka munduar shumë. Janë të pafundme historitë, peripecitë, thyerjet e disiplinës kur kishte stërvitje në Rinas, deri në hyrje klandestine barkas brenda zonës së ndaluar ditën e fluturimit, për të parë ngritjen dhe uljen e avionëve luftarakë.

Cili ishte idhulli juaj në fëmijëri?
Idhujt e fëmijërisë kanë qenë shumë, që nga figurat e lashtësisë, si Perikliu i shek.V p.e.s. Habitesha se si ai kishte arritur të ndërtonte në atë kohë një shtet ku, siç kisha lexuar, vendi prosperonte.

Sa shokë keni pasur gjatë periudhës së fëmijërisë? Sa prej tyre i keni ende edhe sot?
Shokë kam pasur gjithmonë shumë dhe të gjithë i kam ende sot. Madje, kohët e fundit më ka rënë rasti të rri shpesh me ta. Shkrihemi së qeshuri kur kujtojmë gjithçka me detaje edhe në prani të fëmijëve tanë, të cilët habiten me ne se si e ruajmë kaq fort shoqërinë, si dhe për llojet e argëtimeve të kohëve tona. Kur rikthehemi në kujtimet tona, na duket sikur kanë kaluar shumë pak ditë nga ajo kohë. Ruajmë të njëjtin humor, por mbi të gjitha vlerësimet dhe konsideratat reciproke janë forcuar ndaj njëri-tjetrit. Për ne nuk kanë asnjë rëndësi vitet që kanë kaluar ose raportet dhe pozicionet që na ka vendosur jeta.

Si visheshit kur ishit fëmijë, si djalë beu, si leckaman, apo një veshje e zakonshme?
Unë që kur kam filluar të vishem vetë, gjithmonë jam shquar për shije të hollë asnjëherë si djalë beu, por në modë me ka tërhequr më shumë klasikja. Kur isha fëmijë, me xhaxhain tim shkonim shpesh te dyqani i valutës në Tiranë që ende sot e përfytyroj krejtësisht. Atje më bënin përshtypje stofrat e shtrenjta dhe dëshira e madhe qe t’i kisha, por thjesht ishte një ëndërr dhe kaq…!

Si ju thërrisnin shokët? A kishit ndonjë nofkë?
Sinqerisht, nuk më kujtohet që shokët të më thërrisnin me ndonjë nofkë, madje edhe unë rrallë e përdorja për ndonjërin që e kishte tepër të thekur dhe gati i kishim harruar emrin e vërtetë.

A ju kujtohet ndonjë shoqe në veçanti?
Shoqet i kujtoj të gjitha edhe në veçanti ato që ishin të mbajtura dhe binin në sy si qytetare të vërteta, madje ndonjë prej tyre e kishim edhe amon, por fatkeqësisht, kandidatët ishin shumë dhe në këto raste gjithmonë fitonte një jashtë shoqërisë tonë.

A ju kujtohet mësuesja e klasës së parë? Si quhej ajo? A ka votuar ajo për ju?
Mësuesja e klasës parë për mua ishte një simbol i vërtetë, një Nënë Terezë që e kujtoj jo thjesht se ishte mësuesja e parë, por ishte me të vërtetë nëna jonë e dytë dhe na donte si fëmijët e saj. Quhej Meminet Cipi, më donte në veçanti dhe më dukej që si ne dhe ajo mezi priste orën për të ardhur në shkollë e për t’u parë. E kam takuar vetëm një herë pas 20 vjetësh rastësisht në Burrel, ku isha agronom dhe që atëherë se kam parë më.

Endrra e pare

Ëndrra e tij e parë ishte agronomia. Megjithëse pati disa devijime drejt aviacionit për një farë kohë, ‘dashuria’ e parë mbeti më e fortë se të gjitha. "Agronomia erdhi, sepse në Laknas, ku jam rritur, ishte një agronom qe unë e kisha idhull, quhej Adem Beli", shprehet politikani Uka. Sipas tij, ishte pikërisht ky person, i cili i futi në gjak bujqësinë, që u bë pasioni dhe përcaktuesja e jetës së tij në mënyrë përfundimtare. Për deputetin e Partisë Demokratike, lojërat e para të fëmijërisë kanë qenë gjithmonë imitim në miniaturë i punëve që bënte si ndihmës i përhershëm i babait. "Nëse babai do të shartonte ndonjë varietet të ri pemësh, të nesërmen unë menjëherë, me metodat e mia e përsërisja dhe e dija se diçka kisha modifikuar më mirë", thotë ai. Këto ai i quan si lojërat e para që i përkufizon me termat; ndërtim shtëpish, kopshtesh, me pak fjalë, arkitekturë mjedisi. Këtë ëndërr ai e vazhdoi në shkollë të mesme, duke vazhduar më pas në Institutin e Lartë të Bujqësisë. Por nuk ka përfunduar ende, një rrugë e gjatë që vazhdon me doktoratura, specializime dhe një numër të pafund studimesh dhe kërkimesh shkencore në dobi të të gjithë bujqësisë.


Eksperienca pune

  • Pedagog i Entomologjisë në Universitetin Bujqësor, Tiranë
  • Deputet në Kuvendin e Shqipërisë
  • Titullar i lëndës entomologjia bujqësore pranë Departamentit të Hortikulturës dhe mbrojtjes së bimëve
  • 1992-1994 Zv/kryeministër, ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit, ministër i Pushtetit Lokal
  • Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës
  • Kryeagronom i kooperativës bujqësore, Kurdari-Gurrë, rrethi i Matit
  • Anëtar i Shoqatës së Entomologëve, Greqi.