Bisedë me Artistin e Popullit Ndue Shyti

Bisedë me Artistin e Popullit Ndue Shyti

Bisedë me Artistin e Popullit Ndue Shyti
Në praktikën e punës dyvjeçare të saj, QKVF povazhdon të risjellë në kujtesë dhe të promovojë emra, grupe dhe formacione të spikatura të trashëgimisë kulturore shpirtërore, që kanë lënë gjurmë në pasurimin e kësaj trashëgimie.  Diku në "Kënetën" e Durrësit, atje ku dikur ndihej vetëm "kori i bretkosave" tani në vila dy, tre e katërkatëshe banojnë, gëzojnë dhe trashëgojnë një pjesë e njohur e artistëve popullorë, ardhur nga treva të ndryshme të vendit. Kësaj radhe ju drejtuam vilës së Artistit të Popullit Ndue Shyti. Te dera na priti e shoqja, Dava dhe nipi i tij, Redi. Kishim dëgjuar për të që nuk gëzon shëndet të mirë, por Nduja ruante të freskët mbresat e skenës dhe i tregonte ato me dëshirë e nostalgji.

- Tungjatjeta, Ndue Shyti, A je burrë?

- Tugatjeta e mira. T'paça me ner, e mirëse vjen!

-Ta gjetëm vilën, këtu afër plazhit, afër detit, afër mbretit.

- Mreti për mue ishin bjeshkët, freskia e krenaria jonë e mbi të gjitha rinia e shëndeti i mirë, por edhe këtu po kaloj mirë nën kujdesin e gjemëve e nepave e mesave. Faleminerës Zotit.

- Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, duke dashur t'ju nderojë për vlerat tuaja të pakrahasueshme si një muziktar i madh popullor dhe mjeshtër në lojën me çifteli, sharki dhe fyell, ka vendosur t'ju jape Medalje "Mirënjohje".
Në edicionin e pestë të FPT Kombëtar të Rapsodëve dhe Instumentistëve Popullorë në Lezhë, kemi shpallur çmimin "Ndue Shyti".

-ll faleneroj shumë për vlerësimin që më paski ba, E kuptoj shumë merë se po dashki mos me na harrue, jo ne, por artin e popullit tonë.Uroj punë të marë dhe zoti u dhashtë dashuninë e menen me dijtë se prej kah vijmë e ku shkojmë.



Pyetje: Nga kush i keni marrë mësimet e para për të luajtur në instrument?

Përgjigje: Për mësimin e çiftelisë kam ndjekun me shumë vemendje Gjin Shkozën. Ai mahet men si ma i meri në kohën e vet. Por, me thënë të drejtën, mua më ka ndihmuar shumë instrumenti im që ma ka dhanë Gjin Shkoza, pasi ai ishte edhe mjeshtër në bamjen e instrumentave. Atë instrument e kam konsideruar gjithmonë si një kompozitor të dytë.

Pyetje: Me çfarë lloj druri i bënte Gjini instrumentat?

Përgjigje: Me dru mani.

Pyetje: Po për mësimin dhe teknikën e lojës në fyell?

Përgjigje: Puka është vend blegtoral dhe fyelli asht' miku ma i mirë i bariut. Shumë vetë i kanë ra fyellit. Unë përveç fyellit të hershëm, kam synu dhe kam ndërtue bilbila me madhësi të ndryshme. I kam përshtat me çiftelitë e sharkitë sipas melodive që unë kisha krij ue. Në fillim luaja me to vetëm, por filloi të mësojë me kujdes edhe Xhovalin Ndreca e të tjerë.

Pyetje: Ju vetë si mendoni, kush mund ta meritojë sot Çmimin "Ndue Shyti"?

Përgjigje: Në fyll është Ymer Nelaj i Burrelit, ndërsa në çifteli ndoshta e meriton Gjergj Pacani, Marku i Lezhës etj.

Pyetje: Deri me sa vetë e keni ngritur Orkestrën ?

Përgjigje: Më të madhen e kam bërë njëherë me 104 veta.

Pyetje: A i ndanit me reparte atëherë?

Përgjigje: Po, sigurisht, vetëm perkusion * kisha 16 vetë.

Pyetje: Jam kurioz të di se kush ua akordonte instrumentat atyre?

Përgjigje:Shumica i akordonin vetë. I kisha mësuar ta bënin vetë instrumentistët, pastaj kishte dhe nga ata që ua bëja unë akordimin.

Pyetje: Ju keni pasur edhe një mënyre të veçantë të akordimit të sharkisë ...

Përgjigje: Po, ashtu është. Kam patur një mënyrë të veçantë të akordimit të telave. Akordimi i telave të asaj që ne e quanim sharki ishte ne intevelet e kuartës dhe sekundës.Kjo mënyrë akordimi më jepte mundësi ta shfrytëzoj a tastjerën e saj në dy oktava. Sot me atë lloj akordimi janë të pakët ato që i bijen.

Pyetje: Sa melodi me orkestrinë ke të regjistruara?

Përgjigje: Kam 14 orkestrale

Pyetje: A të është këputur ndonjëherë teli gjatë koncertit?

Përgjigje: Po, më ka ndodhun njëherë në Turqi.

Pyetje: Si e kaluat situatën?

Përgjigje: Luajta pjesë të tjera që mund t'i luaja me një tel dhe askush nuk kuptoi asgja, suksesi qe sërish i madh. Më duket si andërr tani, kur mendoj ato suksese që kam patur, sidomos në Kinë, në një vend kaq larg vendit tonë ...



Pyetje: A mund të na tregoni ndonjë ndodhi interesante gjatë jetës tuaj artistike?

Përgjigje: Po, patjetër. Më ka ngelë në menje një koncert në Kinë, ku kam pas shumë sukses. Në përgjithësi në turnetë që baja me Ansamblin e Shtetit, koncertet i mbyllnin me valle. Më thanë që ta mbyll unë. Dola dhe luajta me çifteli dhe suksesi qe shumë i madh, duartrokitje të pafundme. Në atë kohë pata mësuar edhe një pjesë kineze e quajtur "Malet e arta të Pekinit" dhe e luajta. Nuk mund ta imagjinoni dot entuziazmin e sallës. Pata aq shumë duartrokitje, sa më detyruan të kthehesha dhe ta luaja dhe tri herë të tjera. Unë luaja dhe gjithë salla këndonte pas meje. U bana drejtues i një kori të madh prej gati 20.000 kinezësh. Ky është një kujtim i paharrueshëm për mua.

Pyetje: A ju ka ngelur ndonjë merak?

Përgjigje: Sigurisht më ka ngelur dhe jo një merak, por dy. I pari lidhet me një instrumentale në të cilën luaja unë dhe djali im. Unë bëja me fyell tingullin e bariut, ai me bilbil bënte si zog. Aq shumë kombinonin të dyja, sa të gjithë kanë ngelur të mrekulluem në atë kohë. Meraku im është se nuk kam mundë ta inçizoj. Merakun i dytë ka qanë një pjesë me fyell, e cila ka patur një sukses të jashtëzakonshëm në Kosovë; e kam luajtur në Drenicë, por edhe këtë nuk e kam inçizuar dot.

Pyetje: Mendoni se keni qenë më i zoti në çifteli apo fyell?

Përgjigje: Unë mendoj në çifteli, por duke menduar këto dy pjesë që të përmenda më sipër, dua të them që kanë qenë të paarritshme, më lart se gjithë të tjerat.

Pyetje: A keni kënduar ndonjëherë vetë?

Përgjigje: Po, por jo në skenë. Kam kënduar në mjedise familjare dhe në popull këngën për Bajram Currin etj

Pyetje: Po këngë a keni krijuar? Përgjigje: Po, shumë biles. Pyetje: Kush i ka kënduar ato?

Përgjigje: Dava Gjergji, Zoja Pali, Vitore Rusha. Po dua të them që unë nuk e kam pas forcën te kënga. Forca ime ka qenë te instrumenti. Ai është krenaria ime.

Pyetje: A po të ndjekin fëmija si artist?

Përgjigje: Fëmija po më respektojnë dhe po ndjekin bisneset e veta. Bisneset m' kanë pru këtu në Durrës. Mue çiftelia m'pat lanë n'Pukë.


Faleminderit dhe të pafshim sërish në skenë, duke luajtur me të njëjtin pasion dhe virtuozitet.

Bisedoi: E. Ruka Botuar nw RevistënGjurmë të Shpirtit Shqiptar, Nr.1,2008