NË IBALLË TË PUKËS

NË IBALLË TË PUKËS

Nxënës dhe mësues të shkollës 9-vjeçare të Fushë - Arrëzit,
vizitorë në shkollën e Iballës
Nga: Gjovalin Alia

Në vijim të veprimtarive që po zhvillojnë për 100 -vjetorin e Kongresit të Manastirit, të premten e kaluar një grup nxënësish e mësuesish të shkollës 9-vjeçare "Pjetër Arbënori" Fushë Arrëz bën një vizitë në shkollën Iballë me dëshirën e ndërsjellë. Rruga qe e gjatë, e mundimshme, por që gjarpëronte në mjedisin e bukur gjeografik me pyje dhe pisha, me freskinë e bjeshkëve, me ujin kristal dhe mjedisin kreativ. Pse shkuan pikërisht në shkollën Iballë? Menduam të njohim dhe të shfrytëzojmë traditën historike e kulturore që ekziston. Nga historiku i rrethit të Pukës dimë se shkolla në Iballë është hapur në vitin 1903.

Nga të dhënat arkivore dimë se për hapjen e kësaj shkolle ka dhënë një ndihmesë të madhe Ndre Mjeda, pjesëmarrës, më vonë në Kongresin e Manastirit. Mjeda kishte studiuar në shkollat perëndimore dhe zotëronte disa gjuhë të huaja, por që pasioni dhe shpiri i tij rrihte për atdheun, për gjuhën shqipe. Ai i kishte vënë qëllim vetes që të hapte një shkollë shqipe në Shqipëri, në fillim të shekullit XX me vizion perëndimor dhe të aplikonte idetë e tij për gjuhën e shkollës shqipe. Pasi studioi mirë terrenin dhe gjeti mbështetjen e komunitetit arsimdashës e patriotë, vendosi se në Iballë mund të hapej shkollë sh-qipe. Së bashku me patriotët vendës, me shumë sakrifica, I përballur me presionin e qarqeve sunduese turke, ia arritën qëllimit në tetor të vitit 1903 ta hapin shkollën shqipe në Iballë të Pukës, ndër të parat në Shqipëri.

Qeverisja turke nuk e caktoi mësues Ndre Mjedën në Iballë, përkundrazi e përndoqi. Mësuesi i parë u caktua Kol Zezaj, nga Shkodra me origjinë nga Zezaj Pukë. Ai ishte mik i Ndre Mjedës, ishte atdhetar i përkushtuar për arsimin shqip. Mësues Kola zbatoi në procesin mësimor idetë dhe programet, ABC-në, vjershat e Ndre Mjedës. Këto fakte i pamë nga afër në stendat dhe vitrinat e muzeut të shkollës, një muze i bukur, i pasur "me e pasur zili edhe shkolla në qytetet të mëdha". Gjithashtu, për shkollën dëgjuam gjerësisht edhe në shpjegimet që na bëri drejtori i shkollës së mesme Iballë, zoti Palë Vuksaj. Veprimtaria e përbashkët me nxënësit e klasës së nëntë vazhdoi në kabinetet e letërsisë ku nxënësit e mësuesit kishin krijuar një ambient të bukur funksional.



Aty u recituan vjersha për atdheun, për gjuhën shqipe, u kënduan këngë dhe u hodhën valle popullore, u shkëmbyen mendime dhe ide. Mësuesja e letërsisë e shkollës Fushë Arrëz, znj. Liza Voci, njëkohësisht autore e disa librave me poezi, idhuroi librat e saj, gjithashtu ne dhuruam materiale të nxjerra nga interneti, foto etj. Nxënësit e Fushë- Arrëzit u bënë të njohur programin e veprimtarive të planifikuara për 100 –vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku u veçuan krijimet letrare, ekspozita me piktura, spektakël historik e kulturor etj. Informacionin që morën në Iballë do ta përcjellim në klasat tona në orët e lira. Desha t`i kthehem edhe një herë fillimeve të ABC-së të Kongresit të Manastirit, i cili është një ngjarje e rëndësishme kombëtare në harkun kohor përtej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Ishte arsimi, kultura, gjuha shqipe që motivonin ndërgjegjen kombëtare për të marrë veprime për çlirimin e vendit nga pushtuesit turq. Kongresi i Manastirit njësoi alfabetin shqip. Alfabeti shqip që u ideua dhe u eksperimentua në shkollat e para shqipe nga Ndre Mjeda dhe mësues të tjerë patriotë u mbrojt duke e argumentuar dhe e miratuar në Kongres. Pas Kongresit të Manastirit, në dekadat e mëvonshme u happen si kudo në Shqipëri shkolla shqipe edhe në rrethin e Pukës, si në Kabash, Pukë, Gomsiqe, Qerret, Micoj, Kryezi , Fushë – Arrëz etj.



Në të gjitha shkollat tona zhvillohet mësimi sipas vendimeve të Kongresit të Manastirit dhe disa ndryshme të bëra në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, arsim kombëtar i kombinuar më përvoja perëndimore. Sot nxënësit tanë me penë dhe dashuri shkruajnë ABC-në, por njëkohësisht shkruajnë e mësojnë gjuhët e kombeve të tjera dhe, janë të bindur, se kështu, në demokraci do të bëhen të ditur, krijues e konkurrues, do të integrohen me bashkëmoshatarët e tyre në vendet e zhvilluara.