Gjush Sheldija (1902 - 1976)

Gjush Sheldija (1902 - 1976)

Biografi
Fragment nga Libri:
Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës
dhe Dioqezat Sufragane


Shënime historike rreth dioqezës së Sapës


Dioqeza e Sapës që populli tashti e quen e Zadrimë, ishte e ndamë në dy dioqeze të vogla, si ajo e Sardës dhe ajo e Dejës. Dokumentat e shek.XIV dishmojnë se Car Dushani ia fali kuvendit ortodoks të Prizrenit kishën e vogël buzë kalasë së Dejës, kushtue Shën Mërisë. Mandej kaloi nder duer të Ballshajvet të cilët në Dejë patën një doganë të randësishme. Gjergji Strazimiri Balsha ua lëshoi venedikasvet në vitin 1396, por para se ta shtinte në dorë Venediku e zaptoi Kojë Zakarija "Zotnija i Sapës dhe i Dejës", i cili u kthye në fe katolike së bashku me familjen e vet. Sikurse shifet nga një letër që i dergon me 14 korrik 1414 Papa Gregori XII. Kah viti 1431 del aty një sundimtarë turk. Në vitin 1444 Boza, e bija e Kojës, nana e Lekë Zakarisë ia ktheu Venedikut Dejen së bashku me kështjellën e Shatit (kalaja e Sapës). Në vitin 1447 e merr Skanderbeu e me 1456 kalon ndër duer të Dukagjinasvet, por Lekë Dukagjini në marrëveshje me vëllaznit ia lëshuen Venedikut, në vitin 1458.
Vargu i ipeshkëvijve të Dejës kapet deri në 11.

Nisë nga 1361 deri në vitin 1520. Papa Eugeni IV, mjesa ishte ipeshkëv titullar Pjetër Metija (27 korrik 1428), kishte bashkue në një dioqezet e Sardës, Sapës e të Dejës. Si dioqezë qe fare i vogël e duket se përfshinte edhe Sheldijen, Ganjollën, Gomsiqen, e Gryken e Gjadrit. Deja pati kishen katedrale mbrenda ledhevet të kalasë kushtue Shën Markut, ndertue në rrenojat e një kishe së vogël që asht rindertue mbi mbeturinat e germadhat e së vjetrës. Në derën e anës lindore, ne e djathtë, asht një rrasë me një datë përkujtimore 1455. Poshtë në breg të Drinit qendron në kambë kisha e vogël e stilit gotik, me afreske permbrenda kushtue të Lemit të Zojës. Permendet që më 1198, e i ka qëndrue rrymës së motevet dhe asht i vetmi monument meskohuer në kambë që shofin sot. Bri kësaj, në vitin 1930 Dom Nikollë Sheldija, asokohe famullitar aty, ndertoi një kishë të re të të njajtit stil, veper e Inxh. Kolë Idromenos.

Sikurse del nga Dokumentet, Sarda (Shurdhahi) asht ma e vjetër, ende sot shifen rrenojat sipri krepavet të Leja e Dushit përmbi Dri, përkundruell kishës famullitare të Mazrrekut si edhe gërmadhat e kuvendit të vjetër të benediktinëvet në Shat që i kje kushtue Shën Sofijës.

Si seli ipeshkvnore përmendet përpara gjysmës së parë të shek. V, simbas një letre të Papës Celestinit I që ia dergon ipeshkvijve të Ilirisë me nënshkrimet e tyne në Konçilin e Efezit në vitin 131.

Vargu i ipeshkvijve të Sardës fillon me 1190 e mbaron me 1660. Me 1490 Sarda u aneksue me dioqezan e Sapës. Sigurisht se kah fundi i shek.XII dioqeza i Sardës kapej me kufi me dioqezan e Pultit tue përfshi edhe 7 bajrakët e Pukës. Papa Marini V (1428) bashkoi kishën e Dejës me të Sardës. Kur nuk zgjodhën ma ipeshkëvij të Sardës, administrimi i Dejës iu mbështet ipeshkvisë së Sapës qysh më 1490, Sarda Deja e Sapa, u bashkuen në një.

Vargu i ipeshkvijve të Sardës

Viti Ipeshkvij
1190- N.N.
1192 - Theodori.
1266 - N.N.
1266 - Pjetri Tibertini, françeskan, italian.
1278 - Prometeu i Absburgëvet, jeremi i Shën Ausanit.
1291 (mars) Tanushi, por nuk dihet se si u shugurue ipeshkëv.
1370 (deri) Nuk përmendet ndonjë ipeshkëv.
1370 ( 25.8) Ebymundi (Raimundi) arqipresbiter i kishës së Dioklesë.
1381 - Jaku, agostinian, abat i kishës Shën Sofisë në Zento.
1386 - Peregrini, benediktin.
1386 (i pasigurtë) Antoni I.
1392 - Antoni II.
1392 - Antoni III.
1395 - Marian Genci, reatin.
1402 - Andrea i kishës Shën Sofisë në Zenta.
1412 - Gjon Pëllumbi (Pllumbi) prift i kishës së Sardës.
1428 - Pjeter Matia, kanonik i kishës së Sardës.
1444 - Shtjefën Dukagjini, arkidiakon i kishës së Shkodrës.
1460 - Jaku II.

Vargu i ipeshkvijve të Sapës

Viti Ipeshkvij
1291 - Pjetri I.
Vit i pasigurtë, Pali.
1376 - Benevenuli, françeskan.
1396 - Pjetër Zakaria.
1414 - Nikolla.
1422 (mars) Mëhilli, kanonik i kishës së Sapës.
1425 - Pjetri II, abat i Shirqit, benediktin.
1431 - Pjetri III.
1433 - Mateo, prift i Arbënit me mbiemën de Hernolais, prej së cilës familje dolën 6 ipeshkëvij.
1440 - Gjergji, arqipresbiterian i kishës së Shën Mëhillit në Padovë.
1460 - Emanueli.
1470 - 1472 (rreth) N.N.
1473 - Marin Suma.
1479 - Gabrieli, françeskan.
1489 - Vlashi.
1490 - Prodokimi, për Sapën e Sardën.
1501 - 1507 Pjetri Stebinja.
1508 - Deda Garcia, domenikan.
1512 - Ambrozi Montemini.
1513 - Gjergji III.
1514 - Didaku Fernandez, ase Fernates, domenikan.
1516 - N.N.Thuhet se ka mujtë me qenë Pjetri Tallorsi.
1518 - Gjoni Bonaventura de Valderama, françeskan.
1521 - Alfonsi Kavaçiri, françeskan.
Për 50 vjet këputet vargu i ipeshkvijve dhe nuk dihet arsyeja.
1582 - Tossoli (Theobaldi) Blankus (Bardhi) nga Sapa diku thirret edhe Tosolus.
1583 - Gjergj Palma, kanonik i kishës së Tivarit.
1594 - Nikolla Bardhi nga Sapa.
1620 - Simoni Gjeçi, Jeçi ose Greçi nga Arbëni.
1621-(20.VII.) Pjetri Budi, matian, prift i Arbënit, lindë në Gurë të Bardhë të Matit me 1566, qe nxënës i Kolegjit Ilirik të Loretit. Në korrik 1621 u emnue ipeshkëv i Sapës. Në vjeshtën 1621 përgatiti planet për kryengritjen të përgjithshme kundër Turqisë.Botoi "Doktrina e Krishtenë", "Pasqyra e të Rrëfyemit", "Ritualin Roman". U mbyt në Dri me 1623, tue i shërbye zyres së tij.
1623 - Gjergj Grili Bardhi nga Sapa. Më 1635 u emnue arqipeshkëv i Tivarit.
1635 - Frang Bardhi nga Sapa, gjak me Nikollë Bardhin. Qe nga Sapa, sikur e deshmon vetë në shkrimet e tij; qe nga familja e Bardhajve. Nxanës i Kolegjës së Loretit. Pa krye këndimet u zgjodh ipeshkëv i Sapës. I doli zot shqiptasisë së Skënderbeut me vepren e tij të botueme në Venedik si përgjigje ipeshkvit të Bosnjes Gjon Tomak Maranoviqit, i cili donte me e qitë Skënderbeun me origjinë boshniake. Aktivist i madh, la shumë materiale historike e gjeografike për Shqipninë. Botoi fjalorin "Shqip-italisht".
1644 - Gjergj Grili Bardhi, ardhë me kërkesen e tij, nga arqipeshkvi i Tivarit.
1647 - Simeoni Suma, françeskan. Qëndroi 30 vjet si ipeshkëv.
1675 - Shtjefen Gaspari, famullitar i Durrësit. Vizitator Apostolik në Shqipni. La shenime rreth famullinavet të vendit.
1682 - Martini Jeliq, nga Spica e Tivarit.
1685-1705 - Gjergji Teodori nga Sapa.
1707 (prill) - Egjidi Quinctius de Armento nga Lukania, françeskan.
1719 - Marin Gjini, shkodran.
1720 - Gjoni Gallata, kurbinas.
1738-1744 - Vasili, lindi në Lisna. Qe prift i dioqezat të Pultit.
1746 - Lazri Vladanji, shkodran.
1750 - Gjergj Vladanji, shkodran, vëllai i Lazrit.
25.VIII.1765-1791 - Nikolla, ndoshta i vëllai i Vasilit.
2.IV.1791-21.XII. 1794 - Gjoni Logoreci, shkodran.
1796 - Antoni Radovani, shkodran, mbiquejtë Ejell vëlla apo axhë i Gjergjit, Arqipeshkëv i Tivarit.
1808 - Marku Negri, zadrimuer.
24.XII 1825 - Lekë Suma, ish Vikar Kapitullar i Sapës.
1827-15.II.1830 - Lazri Vladanji, shkodran.
13.II.1836 - Pjetri Borci, shkodran, vëlla apor i aferm me gjak me Frano Borcin, arqipeshkëv i Tivarit.
1844 - Gjergj Labella, nga Arnio Umbria, françeskan. Mbas tre vjetësh dha dorëheqjen e vdiq në Romë me 27.X.1860.
1.II.1845-7.XI.1873 - Pjetri Saverini nga Barba Senegalje. U vorrue në Nenshat Zadrimë.
1890 - Luli Marsili, françeskan, u shugurue në Shkodër me 6.II.1874 në Katedrale nga imzot Karlo Pooten. Ma parë qe prefekt i Misionit apostolik të Kastratit. Më 1875 mori pjesë në Konçilin III.
1890 - Lorenci de Petris Dollamare.
1893-2.II.1900 - Gabriel Nevriani, françeskan, mori pjesë në Konçilin III.
1900 - Joakin Serreqi shkodran, françeskan. U zgjodh, por nuk e pranoi.
1901-1905 - Lazer Mjeda, shkodran.
29.X.1905- 22.IV.1910 - Jak Serreqi.
21.IX. 1911- 2.I. 1928 - Gjergj Koleci, mirditas, shugurue në Shkodër.
25.VII.1928 - 9.X.1935 - Zefi Gjonali, mirditas dha dorëheqje dhe vojt në Torino Itali ku vdiq me 1956.
6.II.1936-15.VIII.1940 - Vinçenci Prennushi, shkodran, françeskan. Qe shugurue në Shkodër me 19.III.1936.
25.V.1940-3.II.1948-Gjergj Volaj nga Shiroka, prift, shugurue në Katedrale të Shkodrës nga delegati Apostolik Leon Nigris.
1950 (qershor) - Gjon Kovaçi, Vikar Kapitullar i Sapës, famullitar në Grash, drejton dioqezën.

* * *

Weigandi në veprën e tij Alb. Deutscher St. thotë se në toponomastikën e tanishme nuk ka mbetë gjurmë për emnin Sapë, me përjashtim të kalasë së Capës që naltohej ku tani asht kisha famullitare e Nenshatit. Emni i Sapës del për herë të parë me 11 qershuer 1291 simbas një letre që i dergojnë Papës Nikolla IV, Mëhilli, arqipeshkëv i Tivarit dhe Helena, mbretnesha e Serbisë me të cilën i luten me i dhanë një ipeshkëv popullsisë katolike të një qyteti të rrenuem kaherë thirrë Sapa (Shif. A. Alb. I. 515). Dhe ky ipeshkëv, që u shenue për aty, kje Presbiteri Pjeter. Në vitin 1490 dioqeza i Dejës e Sardës iu mbështetën një herë e përgjithmonë dioqezat të Sapës.

Kohën e Imzot Zmajeviqit, Zadrima kishte 910 shtëpi katolike e 9 myslimane. Fshatrat, simbas tij, ishin: Blinishti, Gjadri, Kodheli, Dajçi, Gramshi, Maba, Shkjezi, Mjeti, Hajmeli, Nenshati, Troshani e Kallmeti. Don Shtjefen Gaspri, shqiptar i lindun në Krujë, nxanës i Kolegjës Ilirike të Loretos e i Kolegjës Urbane, kreu një vizitë të imët e të kujdesshme nëpër Shqipni dhe kje zgjedhë për ipeshkëv i Sapës nga Papa Klementi X. Ky la të shkrueme, me 6 nanduer 1671 për dioqezan e Sapës sa vijon: (Shif. Makushev, Istor. Raznik. Varshavë, 1871, H.Dr. Vj. 223 e vazhdim): "Kufijtë e dioqezës shtriheshin kah veri deri në Iballe e kah jugu deri në Bushat, nga lindja, me malet e Benit e nga perëndimi me lumin Drin.Ky e ndan dioqezën e Sapës dysh; ipeshkëvia e siperme ase e malit dhe ipeshkvia e ultë ose e fushës".

E sipermja përfshinë popujt e Iballës; Apripa me 24 shtëpi e 120 frymë; Arsti me 40 shtëpi e 220 frymë; Alsiçja me 24 shtëpi e 200 frymë; Mataj me 15 shtëpi e 150 frymë; Trueni me kishën e Shën Martinit me 7 shtëpi e 60 frymë; Dardha me 12 shtëpi e 130 frymë.

Famullitari i të gjithë këtyne fshatravet ka ndejë në Gralishtë e cila kje djegë, kur turqit mësyene Iballën dhe e plaçkiten. Ai thotë se të gjithë janë të vorfën.

Puka, dikur qytet bujar e i permendun, asht shndërrue në një fshat; ka kishën kushtue Shën Palit e cila dikur qe Abaci e përmbledhë 19 katunde me 250 shtëpi e 2.000 frymë dhe gjinden 3 kishë; një në Qerret, një në Koman, e një në Dush, por pa asnjë famullitar.

Vjerdha në qytetin e Sardës e me fshatin e Mëdhojes ka 25 shtëpi me 200 frymë.
Fusha: Zadeja, dikur qytet, tani fshat me dy kishë, njenën e ka në Mjet të siperm dhe përmbledhë 5 katunde me 35 shtëpi dhe 400 frymë:Hajmeli me 20 shtëpi me 330 frymë: Mjeda e poshtme me kishën e Shën Kollit ka 10 shtëpi me 60 frymë; e merr me vedi Pistullin 12 shtëpi me 70 frymë, Stajka me 13 shtëpi e 80 frymë, Kosmaçi me 4 shtëpi e 32 frymë, Shkjezi me kishën e Gjon Kryepremit 45 shtëpi e 500 frymë, Baba me kishën e Shën Panteleonit që përfshinë Dragushën, Paçramin, Gradecin e Zojzin 150 shtëpi me 900 frymë, Krythë me kishën e Shën Dhimitrit që së bashku me Dajçin, Kotrrin e Kodhelin 72 shtëpi me 750 frymë, Sapa, ndeja e ipeshkëvit, 30 shtëpi me 350 frymë, Blinishti me kishën e madhe të Shën Shtjefnit 80 shtëpi me 750 frymë, Gjadri 70 shtëpi me 510 frymë, Troshani me 30 shtëpi dhe 224 frymë, Fishta me 15 shtëpi e 150 frymë.
Dioqeza ka 1.075 shtëpi me 9.226 frymë. Si kishë katedrale ka atë kushtue Shën Mëhillit (Shën Ejlli që populli e thrret Shna Ejlli) mbi malin e Capës.

* * *


Vijmë tashti te Konçili I Kombëtar shqiptar mbajtë nën kryesinë e Imzot Vinçenc Zmajeviqit Arqipeshkëv Metropolit i Tivarit në të cilin u caktuen kufijtë ndermjet dioqezeve të Lezhës, Durrësit e Sapës, në prani të të derguemit të propagandes Françesk de Leonardis, Arqipeshkëv i Tru-t. Sapa mori sundim më të drejtë mbi Blinishtin deri te vendi i quejtun Nën Urë, Troshanin me kishën e Shën Kollit të lumit Kallun si dhe katundet e kishët e Vaut të Sapës. Dokumenti qe nënshkrue në selinë ipeshkvnore të Sapës, prej Imzot Benedikt Ursinit ipeshkëv i Lezhës dhe prej Frang Bardhit, ipeshkëv i Sapës, më 20 dhetuer 1638. Në këtë dokument vertetohet se i përkitshin Zadrimës d.m.th. ipeshkëvisë së Sapës, kishët që dalloheshin ndermjet lumit Gosta e të lumit në Va Spas.
Përveç ndonjë shënimi statistikor të Konçilit të Parë Shqiptar, mungojnë dokumentat deri më 20.VIII. 1832, nësa ishte ipeshkëv Imzot Pjetër Borci, shkodran, i cili la këtë statistikë:

Katundi Shtëpi Frymë
Nenshati 85 785
Blinishti 67 563
Dajçi 72 512
Hajmeli 73 470
Pistulli 54 526
Maba 48 519
Shkjezi 75 419
Troshani 53 596
Kodheli 34 264
Gramshi 50 387
Gjadri 57 315
Naraçi 34 118
Gryka e Gjadrit 30 252
Vigu 42 370
Mënela 61 582
Zadeja 40 309
Shllaku 108 724
Mazrreku 36 237
Sarda ase Shurdhashi 34 320
Komani 40 242
Karma 55 385

Me 16.X.1834 statistika e famullinavet të zonës së malit ishte kjo:

Katundi Shtëpi Frymë
Dushi 60         486
Këçira 63        503
Qelëza 218    1227
Fierza 298     1785
Alsiçja 146     1672
Komani e Karma 93 627

Më 1.II.1845 merrte sundimin e dioqezës Imzot Severini, gati 24 famulli të kryesueme nga kleri shekullar nder të cilin ishin Troshani, Gryka e Gjadrit, Zadeja, Mënela, Vigu, Alsiçja, Fierza, Mazrreku, Shllaku, mjesa Shkjezi ishte bosh. Më 12.II. 1856 Troshani iu dha françeskanëvet. Në këtë kohë selia ipeshkvnore zbriti nga Kalaja e Capës ma poshtë, në vendin e quejtun Bardhaj, mbasi ate e kishte rrenue termeti i dt.12.XII. 1853. Me dekretin e dt. 30.IX.1890 famullinat e Mënelës, Vigut dhe Gomsiqes iu mbështeten Abacisë së Mirditës. Kështu shkoi me Mirditë edhe Gryka e Gjadrit. Kohën e Imzot Gabriel Nevianit, tue qenë se brenda 12 vjetëve kishin vdekë 14 meshtarë dhe kishin mbetë 9 famulli pa prift, Berisha, Fira e Iballja iu lëshuen françeskanëvet.

Në vitin 1932 iu mbështeten Shkodrës: Shllaku e Mazreku dhe iu hoq famullia e Stajkës që shkoi me Shkodër.