Pukë, krimbi i pishës thanë qindra hektarë me pyje

Pukë, krimbi i pishës thanë qindra hektarë me pyje

PUKE - Qindra hektarë pyje në rrethin e Pukës rrezikojnë të zhduken. Ndërsa këtë vit zjarret nuk shkaktuan dëme si gjatë verës së 2007-ës ku u shënua një kasaphanë e vërtetë, masiveve pyjore në veri të vendit tonë u kanoset një tjetër rrezik potencial e me pasoja të rënda në të ardhmen. Alarmi jepet nga vetë drejtuesit e Shërbimit Pyjor të këtij rrethi. Drejtori i Shërbimit, Gjin Filipi dje ka bërë me dije për "Gazeta Shqiptare", se gjatë muajit nëntor është shfaqur një fenomen i rrallë. Sipas Filipit, procesionarja, apo siç quhet ndryshe, krimbi i pishës, ka "pushtuar" gjithë sipërfaqen e gjelbër në rrethin malor të Pukës. Të ndodhur përballë një fenomeni të tillë, i cili nuk ka qenë kaq masiv asnjë vit më parë, krerët e Shërbimit Pyjor i kanë kërkuar ndihmë Ministrisë së Mjedisit.

Zaptimi i pyjeve nga krimbi i pishës ka vënë në dilemë specialistët. Mësohet se një grup specialistësh nga Austria kanë vëzhguar nga afër disa masive pyjore të prekura nga procesionarja. Të huajt janë shprehur se ndërhyrja për mbrojtjen e pyjeve do jetë shumë e vështirë. Kjo për faktin se, nëse do të bëhet spërkatje me helikopter, kjo do të ndikonte në dëmtimin e bimësisë së masiveve pyjore. E vetmja zgjidhje është spërkatja trung për trung, por kjo kërkon kohë dhe shumë fuqi punëtore. "Ne kemi vënë në dijeni Ministrinë e Mjedisit dhe po shikohet që të gjendet një zgjidhje e shpejtë për mbrojtjen e masiveve pyjore", - thotë drejtori Filipi. Sipas tij, nëse situata vazhdon të jetë e tillë, pa u penguar nga askush, atëherë vetëm në pranverë do të konstatohet dëmi kolosal që do t'i shkaktohet ekonomisë pyjore në rrethin e Pukës.
 
Nga: Armir Mehaj, Gazeta Shqiptar, 02/12/2008.