Shënime për lavdinë e Gjegjanit dhe të Fushë-Arrëzit

Shënime për lavdinë e Gjegjanit dhe të Fushë-Arrëzit

Marrë nga gazeta "kushtrim Brezash, 18 prill 2008.

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë e në mbarë Mirditën, edhe populli i zonës së Gjegjanit dhe të Fushë – Arrëzit i ka kontribuar drejtpërdrejt luftës për çlirim. Ky kontribut u bë edhe më konkret sidomos pas krijimit të Çetës Partizane Pukë – Mirditë.
Në fshatrat e zonës së Gjegjanit e të Fushë- Arrëzit u krijuan baza të shumta për lëvizjen dhe strehimin e pjesëtarëve të Çetës së Pukë – Mirditës. Në fshatin Fushë - Arrëz bazë kryesore ka qënë shtëpia e Pashko Currit. Në të janë strehuar partizanët Bardhok Biba, Mati Doda, Nuri Llazani, Mark Dodani e të tjerë. Si bazë strehimi në Gjegjan ka qënë shtëpia e Nikoll Frrok Markut dhe e nipit të tij, që u bënë pjesëtarë të Lëvizjes. Në të janë strehuar Bardhok Biba e Mati Doda. Në Gojan bazë strehimi ka qënë shtëpia e Mark Perjakut, ato të Preng Ndue Lleshit e të Pal Gegë Lleshit. Në bjeshkën e Gojanit dhe në Gurrëz janë strehuar partizanët Mati Doda, Nuri Llazani dhe vet ish komandanti i Çetës.

Pushtuesit fashistë i vazhduan pa ndërprerje ndjekjet dhe përsekutimet ndaj aktivistëve, që ua kishin frikën. Kështu, patrioti nacionalist, Pashko Curri arratiset në mal dhe bashkohet me partizanët, të cilin, madje e zgjedhin komandant të Çetës Pukë – Mirditë. Si hakmarrje fashistët i djegin shtëpinë, i internojnë familjen në Burrel, ku i vdes edhe djali nga kushtet e këqija që i krijuan fashistët. Në Gjegjan i djegin shtëpinë Cubë Preng Nikollit. Ky, pas arratistjes nga burgu, bashkohet me partizanët. Në Gojan filluan ndjekjet ndaj Mark Prend Jakut, për të vetmen arsye, se ishte simpatizant i Çetës!

Në vitet 1943-1944 në këto fshatra në radhët e Lëvizjes u përfshin shumë persona, si Mark Preng Ndreca dhe Llesh Frroku nga Gjegjani, Pashko Shiti dhe Mark Prend Jaku nga Gojani, Zef Hila nga Fushë-Arrëzi dhe shumë të tjerë.
Në gusht të vitit 1944 bëhet një zbarkim anglez në Has. Njëri nga anglezët, nën shoqërimin e grupit tonë me në krye ish komandantin e Çetës, Pashko Currin, vjen në zonën e Fushë-Arrëzit dhe vendos kampin në malin e Krrabit, duke qëndruar këtu një javë.

Në malin e Krrabit u grumbulluan shumë persona të ardhur nga fshatrat, ndër të cilët ishte edhe Ali Bytyçi. Aty u orientua që të filloheshn aksionet kundër pushtuesve gjermanë. Anglezi kishte sjellë me vete një sasi minash tokësore, që do të përdoreshin për shkatërrimin e makinave gjermane. Këto mina i kemi vendosur natën, duke filluar nga ura e Bicajve, deri në afërsi të fshatit Rrape. Atë natë autokolonat gjermane do të lëviznin nga Prizren – Kukësi për në drejtim të Pukë – Shkodrës. Minat që kishim vendosur e bënë punën e tyre, duke shkatërruar e dëmtuar disa prej tyre. Gjermanët, të befasuar nga kjo e papritur, u bllokuan për tërë natën. Dhe filluan të qëllojnë me pushkë e mitraloza, shoqëruar edhe me raketa ndriçuese. Një aksion tjetër që duhet përmëndur është ai që ka të bëjë me minimin e një ure në të dalë të fshatit Rrape.

Vlen të përmendet këtu edhe puna e madhe që është bërë nëpër mjaft fshatra për demaskimin e bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë, siç ishin Gjon Marka Gjoni dhe Kol Bib Miraka. Këta i bënin thirrje popullit të këtyre zonave që të dërgonin mercenarë në luftë kundër brigadave partizane që luftonin për çlirimin e Mirditës e të Pukës. Për t’iu kundërvënë kësaj propagande, në fshatin Lumbardhë u bë një mbledhje me përfaqësuesit e të gjitha fshatrave të këtyre zonave. Këtu oli ish komandanti i Çetës mbi nevojën e bashkimit në luftë kundër okupatorit dhe tradhëtarëve. Populli i këtyre zonave nuk i ka përkrahur krerët e reaksionit, duke mos marrë pjesë në radhët e tyre. Kjo tregohet në pritjen krahhapur që iu është bërë partizanëve të Brigadës VI Sulmuese, të Brigadës VII dhe të Brigadës XXII Sulmuese Partizane.

Në tetor të vitit 1944 kemi rënë në kontakt me Brigadën XXII Sulmuese. Në këtë takim ishte ish komandanti i Çetës, Pashko Curri, Llesh Gjin Frroku, Mark Prengë Ndreca, Mark Prend Jaku. Pashko Shiti etj. Së bashku me këto Brigada kemi vazhduar marshimin, duke e shoqëruar natën dhe ditën nëpër fshatrat e zonës së Gjegjanit e të Fushë-Arrëzit, si në Gojan, Kimez, Shkozë, Lumzi, Breg, Fushë-Arrëz, Bicaj, Blenisht, Kabash, Çelezë dhe në të gjitha fshatrat, duke arritur në Iballë, ku u bë takimi i dy brigadave, asaj XXII Sulmuese dhe V e VI.Gjithashtu, në fshatrat e lartëpërmendura është shoqëruar një pjesë e Shtabit të Divizionit II Sulmues Partizan me në krye komisarin e tij, Tuk Jakova.

Si një ish pjesëmarrës aktiv i LANÇ, dëshira do të na e donte që i gjithë ky aktivitet i dëndur luftarak e atdhetar i zhvilluar në këto dy zona, të evidentohej në një historik të vetëm, të panadarë, për tërë Mirditën, sepse zona e Gjegjanit dhe e Fushë Arrëzit janë pjesë e Mirditës. Vetëm në vitin 1949, me ndarjen e re administrative, Fushë – Arrëzi iu aneksua rrethit të Pukës. Besojmë, që ata që shkruajnë për LANÇ të Mirditës, siç janë shokët Ndue Dodbiba e Gjokë Deda, që e kanë pasqyruar drejt e me korrektësi anën historike të Çetës Pukë-Mirditë, do të shkruajnë edhe për ato dy zona, që janë pjesë e pandarë e Mirditës.

LLESH GJIN FRROKU
Mësues në pension, ish pjesëtar i Çetës Partizane Pukë - Mirditë