Kuvendi i Arbërit i 14-15 janarit të vitit 1703

Kuvendi i Arbërit i 14-15 janarit të vitit 1703

Nga: Ndue Bacaj


Ka hyrë në histori Kuvendi i Arbërit. Ky kuvend u mbajt në datat 14-15 janar 1703 në Dioqezën e Lezhës, në katundin Merqi. Kuvendi kishte karakter kombëtar dhe fetar, pasi në ato vite feja dhe kombësia regjistroheshin të njëjta. Gjithsesi pushtimi mbi dyshekullor otoman me politikën e tij të dhunës dhe të joshjeve ekonomike e zyrtare kishte arritur të pakësonte si asnjëherë tjetër grigjën themel të shqiptarisë, atë katolike, madje kjo grigjë kristiane ishte thuajse e ngujuar në zonat malore, ku sundonte mjerimi ekonomik i taksave e formave të tjera shtypëse, si dhe operacionet ndëshkimore të herëpashershme të pushtuesit turk.

 Natyrisht, siç na mëson historia, shqiptarët nuk u nënshtruan kurrë, madje ata luftuan dhe mbijetuan, ku dalëngadalë patën edhe përkrahjen e vëllezërve të tyre myslimanë, por me ndërgjegje të lartë kombëtare shqiptare. Gjatë jetës mbi dyshekullore nën pushtuesin aziatik, shqiptarëve që kërkonin të ruanin besimin e të parëve të tyre 1700-vjeçare, u kishin marrë e shkatërruar jo vetëm ekonominë, por mbi të gjitha objektet e kultit, si kisha, manastire apo vende të tjera të shenjta, si dhe ishte penguar maksimalisht shkollimi i klerit katolik dhe aktiviteti i këtij kleri që njihej si simbol i besimit "Fe e Atdhe". Shqip, në komunitetin katolik, tashmë që regjistrohej si komuniteti i vetëm shqiptar, kishte filluar të pllakoste injoranca në jetën shoqërore, private dhe fetare.

Në këtë zgrip që kishte arritur palca e shqiptarisë, mendohej se shumë shpejt Arbëria do të quhej Turqia e vogël e Europës, por falë Zotit kjo nuk ndodhi, pasi si me dorën e krijuesit në krye të Selisë së Shenjtë kishte ardhur Papa Klementi XI, që ishte prej mishi e gjaku shqiptar, madje rridhte nga ato familje që kishin lënë vendin e tyre për të emigruar në Itali nën dhunën e pushtuesit otoman gjatë shekullit XV. Papa Klementi XI, me të ardhur në krye të Kishës Katolike të Botës, urdhëroi klerin e lartë katolik shqiptar që sa më parë të organizohej një kuvend kombëtar, ku të viheshin në vend punët e fesë e të kombësisë. Detyrën e organizimit të Kuvendit të Arbërit apo të Dheut të Arbërit, siç thuhet në disa dokumente, ia besoi Kryeipeshkëvit të Tivarit (atëherë pjesë e Shqipërisë) Vinçenc Zmajevikut, i cili nuk la vend të Arbërisë ku kishte komunitet dhe objekte kulti katolike, pa vizituar e lajmëruar për këtë eveniment historik të urdhëruar nga Ati i Shenjtë.

 Në këtë kuvend morën pjesë dhjetra përfaqësues të klerit katolik nga e gjithë Shqipëria, ndërsa Malësinë e Madhe e përfaqësonte Ipeshkëvi i Pultit, Marin Gjini, i cili është edhe një ndër firmëtarët e betuar të vendimeve të kuvendit. Në këtë kuvend u diskutuan zbatimet e përpikta të riteve fetare që kanë lidhje me jetën morale dhe materiale, e cila kishte filluar të shthurej jo pak edhe në trevat e Malësisë sonë, ku kuvendi i përcakton saktë si në formë dhe vende ku kishin ndodhur, ku në themel qëndronte familja e shëndoshë dhe e shenjtë që duhej ruajtur sipas parimeve kristiane. Rikthimi i meshëve dhe riteve të tjera fetare në gjuhën shqipe, si dhe plotësimi i regjistrave për të gjithë famulltarët.

U diskutua mbajtja e shkollave shqipe pranë famullive që ekzistonin, por edhe rihapja e atyre që ishin mbyllur, gjithashtu u vendos ringritja e kishave të rrënuara, si dhe u vendos që katolikët të kenë bekimin e kishës vetëm atëherë kur jetojnë në bazë të dokeve e zakoneve shqiptare të miratuar e predikuar prej shekujsh nga doktrina kristiane. Të gjitha këto do të bënin të mundur qëndresën e palëkundur nën pushtuesin mizor otoman, që kërkonte të zhdukte pa mëshirë jo vetëm grigjën, por edhe farën katolike të shqiptarisë. Fatmirësisht kuvendi e kreu detyrën. Bota kristiane e njohu dhe e përkrahu Kuvendin e Arbërit të 14 e 15 janarit të vitit 1703.