Meshari dhe Buzuku si udhërrefyes të qytetërimit

Meshari dhe Buzuku si udhërrefyes të qytetërimit

Shenime për librin: "Kronikë e derës së Gjon Buzukut" të autorit Jaho Brahaj
Nga: Blerina Goçe.
 
Të ndërlidhur me jetën e veprën e autorit të librit të parë shqip, këtu është trajtuar kronologjia e derës që trashëgoi Gjonin. Shumë bij të kësaj dere i rrëmbeu aventura luftarake, si e vetmja mënyrë jetese për t'i shpëtuar robërisë së pushtuesit.

Për Arbërinë, vepra e Gjon Buzukut kishte vlerë të dyfishtë. "Meshari" është dëshmia se, Arbëria në atë kohë ecte me të njëjtin hap me vendet e tjera, si dhe dëshmi e shqipes së shkruar. Libri i Jaho Brahajt, "Kronikë e derës së Gjon Buzukut" vë në pah përmes analizës, pikërisht vlerat e kësaj vepre dhe të Buzukut për letrat dhe kulturën shqiptare. Botimi i këtij libri i financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Fondi Shqiptar për Monumentet është një gur më shumë në rradhët e botimeve dhe studimeve të këtij lloji, që "rrëfejnë" për kulturën dhe traditën e vendit tonë në shekuj.



"Gjon Buzuku është i ndërgjegjshëm, se po i len kombit e kulturës së tij një ndërmarrje të fuqishme, të pangritur nga askush para tij", shkruan Brahaj. "Është i vetëdijshëm, se kjo fushë veprimi, atë e lartëson në një shkallë të pazakonshme për kohën, meqenëse gjuhës shqipe i ngriti një monument të pamenduar prej askujt më parë. Si e vë re edhe J. Zamputi, ai kërkon ndjesë për gabimet e të metat e punës së vet, duke ju drejtuar lexuesit dhe dëgjuesit: 'E se për fat në keshë kun mbë ndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, aj qi të jetë ma i ditëshim se u, ata faj e lus ta trajtonjë nde e mirë. Perse nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë ma e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom mbë gluhët tanë'".

Përpjekja dhe puna e Buzukut, është dëshmi e ndërgjegjësimit të shqiptarëve, për të ecur në një hap me qytetërimin ballkanik e europian. "Meshari" është bashkëkohanik i botimeve të shkrimeve të shenjta në gjuhët e popujve të Europës. Për Arbërinë, kjo vepër kishte vlerë të dyfishtë. Ishte edhe Arbëria në hapin e kohës, masat popullore kanë "shkrimin e shejtë" në gjuhën e folur kombëtare dhe, nga ana tjetër, që për ne është shumë e rëndësishme, libri shqip, ishte ndërgjegjësim e armë, për mbrojtjen e identitetit kombëtar në kushtet e pushtimit. Kushtet historike sollën proçesin e zhvillimit kulturor të kombeve dhe si vepër më e dukshme, ishte krijimi i literaturës në gjuhët kombëtare, kryesisht me përkthimin e shkrimeve fetare në gjuhët e popujve. Buzuku me "Meshari-n", e rendit Arbërinë, megjithëse të pushtuar, përkrah këtyre vendeve e kombeve europiane, duke hapur dhe rrugën për pasardhësit, që tashmë i njohim.

 

Në materialet arkivore

Materialet arkivore dhe dokumentet e botuara të shek. XVI-XVII, të ruajtura kryesisht në arkivat e huaja, që kanë lidhje me historinë e popullit tonë, kanë në thelb çështje që i interesojnë ose që kanë lidhje direkt me punët dhe interesat e shtetit, i cili i hartonte apo zyrtarit, i cili i përgadiste shkresat, urdhëresat, raportet dhe informacionet. Fill pas viteve të botimit të "Meshari"-t na rezultojnë edhe disa dokumente të hartuara nga shqiptarët për Lidhjet dhe Kuvendet Shqiptare, të cilat rikrijojnë edhe kancelaritë tona kombëtare.

Edhe Vatikani i interesuar drejtpërdrejt për shqiptarët në shek. XV, në shek. XVI, ka një rrallësi dokumentacioni për popullin tonë, që vjen si rezultat se, ai kishte humbur shpresat e gjallimit të katolicizmit në vendet e pushtuara. Ishte lufta dhe qëndresa e shqiptarëve dhe e popujve ballkanikë, që Vatikani në fundin e shek XVI dhe fillimin e shekullit XVII, filloi të interesohej dhe të pasqyronte me anë të klerikëve informacione mbi Shqipërinë.

Të ndërlidhur me jetën e veprën e autorit të librit të parë shqip, këtu është trajtuar kronologjia e derës që trashëgoi Gjonin. Shumë bij të kësaj dere i rrëmbeu aventura luftarake, si e vetmja mënyrë jetese për t'i shpëtuar robërisë së pushtuesit. Pinjollët e kësaj dere, në dokumentet e kohës në gjuhën latine e italiane i hasim me dy mbiemra: Renësi dhe Buziku dhe kësaj vëllazërie i përket, autori i Mesharit, që shqip mbiemrin e tij e shkruan: Buzuku. Pjestarë të kësaj vëllazërie kishin krijuar një kastë ushtarake, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ata, në gjysmën e dytë të shekullit të XV, e deri në fundin të shekullit të XVII, i gjejmë në Kretë, Peloponez, Korfuz, në Sicili e Kalabri dhe në mbarë brigjet e detit Adriatik. Ata janë në shkallën më të lartë të hierarkisë ushtarake e diplomatike, të Venedikut. Disa herë, pjestarë të kësaj dere, i shohim të revoltohen deri dhe në kryengritje. Disa braktisin shërbimin ndaj Venedikut dhe sapo shohin ndonjë shpresë tek Napoli apo spanjollët ose francezët, për çlirimin e Shqipërisë, ata bashkohen me dëshirën dhe gadishmërinë për t'u sakrifikuar për atdheun.

Gazeta "Metropol", date 14/05/2006.