TRASHËGIME PELLAZGE

TRASHËGIME PELLAZGE

Fragmenti i  pare nga libri me te njejtin titull te Shtjefën Gjeçovit

"Bet, besimet dhe doke të tjera mbas së cillash dëshmohet vjetërsija e kombit shqiptar."

   
Shumë fjalë të huaja e emna gjinden në Shkrim të Shejtë, që kanë pasë mbetë pa farë imtimit a të shtjellunit, per arsye, që njerzimi i atyne kavaletave e mirrte vesht shkadomethanjen e tyne.

 Permenden shumë emna zotash e hyjnishë të rrejshem, mënyrat me të cilat bindoheshin aso heret, me një edhe mundimi i Parathanësve në të rrekun per me ju a kthye mendjen e zemrën kahë Perendija e jetës. Me folë shqipt, ligjërimet e Parathansvet që i bajshin atij popullit të zotit, të mos hutoheshin mbas hyjnish e hyjneshash të rrejshme, nuk merret vesht se për ç'hyjni të rrejshme vrasin, e prandaj po i njehim nja disa nder aso hyjnish të gentilve me imtim e shkadomethanien e tyne.

1. Shkaf a njeri, mbi fytyrë të tokës, ai asht i terhequn prej natyret në bindje të një të vetmit Hyjni, e për këtë arsye edhe të gjitha ndjesitë i rrinë varun për një të vetmen e të madhnueshmen Hyjni, e cilla asht mjeti që e ban njeriun të lumtun. Porse, tuj qenë mendja e njeriut si flutur, erdh tuj u mbrapshtue gojë mbas gojet e brez mbas brezit hutoj, e zu me u rrotullue si i lanun sysh, e tuj dredhue pak nga pak, filloi edhe me u shmangë prej rruget nga i rridhte fati i mirë i jetës së tij, tuj u falur e tuj u perkulun herë një sendit, herë një tjetrit, e tuj mbajtun per Hyjni shkafdo kafshë. E prej kësaj fëmija e hutueme edhe e lanun në terr prej etnësh e gjyshash, nuk mbërrinin ma të njifnin të një të vetmit Hyjni. Pernjëmend se njeriu qe marrë mendsh mbas  hyjnish e hyjneshash të rrejshme, asgjamangut, prej drojet, të mos linte ndonjë dyshim në zemër të vetë kahë bindja e nderimi i Hyut të gjyshave, e prejë se i thotë arsyeja se do të ishte nga një Hyjni që sundon qiellin, tokën e gjithsinë, mbërrinë me bindje të veçantë, me trajtue falëtore a ma nda ndonjë vend me shenjë emnit të tij, për me e lutun, me e madhnue me dhanti e flijime të faluna Ati të lumit, tuj i shkrue në ball të falëtoreve ato fjalë: "Hyut të fshehët" ose Hyut që aj s'mbrrinte me e njoftë. 2

- Pos kësaj edhe menyra e të falunit të paganëve na e ban dëshmi, mbasi ata gjithsaherë faleshin a luteshin, pa dyshim do të thonin: " Hyu e ju Hyjnesha sa të jeni" ose: A ti o Hyjni a tin Hyjneshë."3 



  
- Në liber të Jonës Parathanës kallzohet se, kur e panë detarët terbimin e detit, prej drojet se mos i kaperdinte vala, ju porositëte Hyut të vetë sejcili, e pse drojshin të mos ja hupnin bindjen Hyut  të jetës e shtynin edhe  Jonën që t'i lutej Hyut të vetë prapë, e të mund shpëtonin prej vrellave të detit.4

Së vonit gati krejt e pati lanë mendja njeriun e ngratë, e atë grimë shisjet që i pati mbetë, mishi e gjaku ja mbrapshtoi e ja pati terratisë faret, e prandaj nuk mbërrite ma me i hovun ndjesitë e zemrës kahë Drita e pambarueme, kahë Sunduesi i gjithsisë e prej këtij verbimit, sytë e tij i rrinin të ngulun kah toka rreth vedit, e shikonte me mujtë me ndeshë në ndoi send a kafshë, e ti dilte me ja ngjitun një emën hyjnijet per me e lutun e me ju falun si hyut. Me sy të lëshumun kah toka, njeriu e vete  n'oroe se sa të mira ishin prej sajet e tuj kujtue se toka prej fuqijet të vetë i bante kto ndere e i falte fatet e mira të jetës, u rrejtë, e filloj me madhnue e me bindue ato sende e kafshë të kryeme prej Fuqi-plotit, me i mbajtë për hyjni e me u perkulun n'bindje para tyne. Me këtë menyrë u hutuene Gentilët, e besimi i tyne u thadrue nder zemra të tyne në të mbajtun e në të njoftun per Hyjni, çdo gjasend  që u bante nderë, e që u vlersonte kah atifi i gjallnimit.

2. A gjindet kush në këtë jetë që si ka marrë vesht marrinat e Egjiptasvet për kah bindja e hyjnivet të panjehun? porse si thotë Ciceroni, ata egjiptas, të cilët na i linim mbas shpine, bindojshin e me flijime e therore i madhnoishin ato kafshë prej të cilavet e kishin ndonjë nder: b.f. Diellin e Hanen, që nuk i kalon gja në shkelqim e dritë e madhni: zjarmin e tokën, ujët, hapsinën, si edhe tjera sende, të cilat ja sjellin njeriut mbarësinë e kërcnimin e jetës e të fatit të kësaj, e që mundnin me ja ligun orët. Pra, tuj mosqenë kush nder të gjallët, i cili s'din se madhnija e Hyut të jetës, të mirin e veçon me dhanti e nderë, të keqin e ndëshkon simbas punësh të bame, njerzit e hershëm u muaren mendësh, e shkakun e ndereve a të ndeshkimeve, mungesat e dorëdhanjen kujtuan e besuan se u vinin prej kafshëve të permenduna, e për këtë arsye mbërrine me i mbajtë për hyj e fiqinë e Fuqi-plotit ju a shkruan atyne.

- Per posë këtyne dimë edhe, se e thanëmja: "Lum i forti, mjerë i ligu" qe futun në punë porsa u kazmuene prej Parrisit të tokës Adami e Eva, edhe shkoi tuj marrë hov e tuj mbërri n'atë kamë, që të mdhajve të botës u qe rritë mendja, e filluene me madhnue vedin perpara atyne që i kishin nen sundim, e me i ngushtue që t'u binin në gjunjë perpara me fytyrë per dhe ti bindojshin për hyj, e me këto mësime të mbrapshta rriteshin edhe fëmijët e tyne, e kështu varg mbas vargut. Kjo arsye që e zemëroj Dijetarin me thanë se, prej dhimbjes që kishte prindja për fëmij të hequn jetët e prehnit të tyne pej dekës mizore mu në lulet të jetës, banin shembëllesën e tyne - a prj gurit, a prej drunit - per me i pasun para sysh, e dorë mbas doret, tuj i vu detyrë deri rrogtarvet me u  ra permbys e në këtë mënyrë shkuene tuj u hutue popujt, e ky mësim i shëmtuem nguli rranjë nder zemra të tyne.5

Dija e hollimi e madhështija e egjiptasvet në të varrosun të të dekunvet edhe sot e bind boten. Ata si fusnin në dhe të dekunt, por i ndryjshin nder arka mbi dhe tuj ju ndrequn trajti të madhnueshme mbi ato arkë në të cilat pushonin të dekunit, sidomos t'atyne njerzvet zamëdhaj, të cilvet u vendosnin për rranzë arkësh a shembëllimin e një shtasës që e kanë pasë joshun për të gjallët, a një shenjë, i cili e ngjasonte jetesën e tyne sa ishin nder të gjallët. Kjo trajti me asi farë shenjash mbaheshin në bindje të madhe prej atyne hutaqave: e aq hypnin në madhni e në nderim ato vende, që njiheshin nder ma të pelqyemet e nder ma të zgjedhunat, ku mblidhej populli per me u lutun: e si kalonin disa vjet, shëmbëllimi ose fytyra e tyne që hynin nder asi varresh shkonte në harrim prej së pamunit, e ajo bindje, që një herë i diftohei atij që hynte në atë arkë, tash shëndrrohej në bindje të shtasëvet, që dukeshin si kaçuba mbi, nder e bri varresh, edhe mbërrinin me i njehun nder hyjni, tuj u ra para me fytyrë për dhe, e tuj u kushtue aso kushtesh që i perkasin një Hyut të jetës, sikurse na mëson edhe vetë natyra .

3. Heret - heret i zbukurojshin varret me shtylla, me trungje, me kambë guri e kso tjerash, e këto mënyra e doke i kishin pasë edhe njerëz të mirë, sikurse na e ban dëshmi Shkrimi i Shejtë (Genis. XXXV. 20): Jakobi e pati nda me shenjë varrin e Rahelës. Malsorët e Mbishkodrës i zbukurojnë varret me rrasa e kryqa gurit, e a mbi rrasë që e mbulon varrin a rreth kryqash i ngjeshin armët e fishektoret të gdhendme në gur.6

Këto shenja a tituj quheshin "Matceva" prej hebrejve, e prej grekëve "Sele", ose shtylla, trungje, kambë guri, piramida a edhe gurë të mëdhaj e të gdhenun kater qoshesh, e këta gurë qenë mbajtun për hyjni prej njerzish me të gjitha shenjat e tjera.

Hyjnia e Siriasve ishte Dielli, i cili shëmbëllehej me piramida. Si ta shohin Diellin tuj lindë, e porsa ti lëshojë rrezet e para kahë lindja, shqiptarët e malevet do të sjellin kryet në atë anë, e tuj soditë kahë lind, bajnë kryq balli.

"Venus" ishte hyjneshë e arabvet, e cila shfaqej në gurtë mëdhaj e të gdhendun.

Tuj i vu n'oroe i Madhi i jetës të gjitha këto shenja që njeriu i hutuem i mbante per hyj, i vuni leçi popullit të vet të mos guxonte kush me ngulun a me trajtue nder vende të tyne.7

Shpirti i territ, i cili pati dashtë me u ba krahas me të Lumin e jetës, ju ba krah njeriut që t'i pervarej Hynisë të rruzullimit e t'u mbrapshtote me majukë e me thember. Nuk mundej me shikue vedin aq të permbysun e të shtypun, prandaj u rrekë me ba shokë. Per këtë qëllim, pikni e parë, u hypi kaluar të mëdhajve të jetës, tuj u helmua zemrat me madhështi e tuj e hutue vogjlinë me rrena, e n'këtë mënyrë ja çeli shtekun vedit. Njerëz të marrë, per mbasi binin nen sundim të djallit, të dhunuem prej fajesh e mbrapshtish, ky i ngerthente edhe ma me mnerë nder thonj të pangishëm, tuj i ba me qitë në harrim Atë prej të cilit reshtë e mira edhe urimi, e shfaqte vedin si një hyjni, tuj ju a mbushë mendjen me bindue e m'u perkulun para sendeve e kafshëve nden të cilat strukej ky mnisë i njerzimit, e këta hutaça ngitshin turra-vrapthi me ra me fytyrë për the para gurve e trungjeve të djemnuem, tuj ja kushtue në therore deri të bijt e të bijat. Kështu ankohej Parafolësi i kurorzuar kundra judejve, të cilët, pa dije e pa dashtë me i ba dhunë Perendisë së Madhnueshme, i bindoishin djemënt nen emën të Molohut.

Ata njerëz që jepeshin mbas këtyne udhve të mbrapshta, shpirti i ferrit i plandoste ma së shumti nder vende të nalta e të hijeshme për sy e nder malsina.

- Herodoti thotë se Persianët kerkonin kulmet ma të perhedhta të maleve e ngitshin atje per t'u falun e per t'i true ilit Jovit, edhe me emën të Jovit thirrnin rrethin e qiellit deri ku perfshinte syni rreth vedit.8

- Mbasi e shuma e flijimeve që i dhuroheshin djemënve ishin marrina e faqe e zezë... lypeshin vende të fshehta e kulme malesh, prozhme e zabele, që mërrijshin me i krye ritet pa i pa shumkush e të mundej tu ziheshin syt me njëherë n'atë fillesë të punve të liga e ashtu ajo shtirsi djemnore e vendoste njerzimin për fije t'udhëve të mbrapshta, së parit fshehtas, e mbasi i bate që t'u pelsasë delli i marrisë, i bante q të zhyteshin nder flligështi edhe nder sy të tjerve sikurse na e bajnë dëshmi deri dhe shkrimet e Gentilvet, se shkonin tuj kerkue landë të mëdhaja e me shenj per me ju ngjitë emna hynish nen hije të cilave faleshin e truanin flijimet.

- Tuj dashtë i Madhi i jetës me ja paraqit popullit të vet shëmtimin e gabimeve të gentilvet, u vinte leçi (ndalesë) me kerkue kulmet a majet e maleve të nalta, tuj i urdhnue që t'i luteshin e kushtet t'i kushtoishin nder ato vende, të cila Ai vetë do tu shenonte, e këtë punë na e dëshmon Shkrimi i Shejtë, se as prozhmet as kurrfarë landet nuk guxonin me vendosë rrancë lëterve të Ti.9

Këtij urdhnimit të Perendis ju pervar Manases, i cili trajtoi lëteret Balit edhe vendosi prozhmet.10 Izaija i qorton izralitet sepse e  perbuzen urdhnin e Perendisë tuj thanë: "A nuk jeni ju bij të mbrapshtë, fare rrenacakë, ju që kënaqeni me hyj nden çdo landë gjethblerë tuj ther të vegjelt nden prroska, nden curra e shkambijnë me shenj?"11

Nuk kerkonin vetëm male, vrrije, prozhme, curra e shpella. por edhe ndertesa të madhënueshme të ngrehuna me sterhollime e hijeshi të pasaçme prej doret të njeriut. Shkurt; male e fusha, prozhme e zabele, gajusha e pyllna, shtëpija e varre, lulishte, kopshtije e pemtore e deri lundra që pihateshin nepër gjanësi të detit ishin mbushë me hyjni të paganëve.

Sa shtasë e bagëti, sa shpend e garpnij e deri puplishte bindoheshin prej sish me dhanëti e flijime të majme, asgjamangut, prej drojet të mos i banin ndonjë dhunë ndonjanit nder hyjni prej padijet a harreset, trajtonin falëtore a lëtere në nderim të ti, si patem thanë, e si ishte ai lëter në Athinë me këto fjalë: "Diis Asiae et Europae et Lybiae. Deo ignoto et hospiti" - Hyjve t'Azisë e t'Europës e t'Lybisë. Hyut të fshehët e mirëpritësit.

Per nderim të disa hyjnive gërvishtnin fytyrën kur vdiste kush; për nderë të tjerve thernin e shkrolojshin misht e vet, sidomos shuplaka duerësh e mbaskrejën, e vendet e theruna i mbushnin me langje ngjyrash që t'u ngelnin sheje e shkrola e deri këto i Madhi i jetës i pati vendosë leçi popullit të vet, që mos të merrte pjesë nder mbrapshtime gentilësh.12

4. Fillesa e hyjdhujtris doli mbi dhe menjëherë mbas të ramit në faj të  prindit të parë -t'Adamit e t'Evës.13 Mbretnia e territ mori hov mbi zemra njerzish, edhe u a bani mendjen shkalluer djalli, i hutoi, i terhoqi mbas punësh të papuna edhe ju a shleu prej zemre emnin e të Paxanfillit e vajten mbas hyjnish e mbas hyjneshash. Hutimin e njerzimit mbas hyjnish na e dëshmon edhe Shkrimi i Shejtë ku thuhet se: "Seth-it i lindi i biri të cilin e quejti Enos; ky filloi me lutë (me thirrë) emnin e Zotit.14

Shkaku i parë pse lafiti njerzimi prej besimit të një Hyut ka qenë - mbas gjasash - sepse e hutuan ndryshime emnash e pardhanash me të cilat e thirrnin të Madhin e Jetës tuj kujtue se sa emna ishin, aq hyjni do t'ishin.15 Djalli asht i hollë e gja pa torrlue s'len.

Po e kryejt këtë parathanëje me paanësim t'emnit të Kjoftlargut. Daemos i thonë grekët, që në gjuhë latine shtillet Sciens. Porse ma me arsye mund të thona se Daemos asht fjalë shqipe, tuj qenë se në gjuhën tonë i thonë Djall ose Dis, sikurse edhe në ditët tona të gjithë ata që lidhin a zgjidhin punët a sendet e fshehta me rreze të djallit prej shqiptarësh quhen Disa.

Dëshmimet e të vjetërvet.

Shkaf asht emën hyjnijet që së vonit u vadituna prej kombesh të kandeve të dheut, i muaren prej Pellazgjësh,16 ose prej atyne njerzve të egër e bjeshkana, njerzve gavej a vigaj që në gjuhë tonë edhe sot thirren "Katallaj" e që ishin me një sy në ball si thotë Homeri,17 njerëz që quheshin "Farkëtoret e Rrufeve të Zeusit" si e dëshmon Hesiodi e "Ndimëtarët e Vullkanit Etnes" si don Virgjili.

18.Horodoti prej Halikarnasit i cili jetoi në 500 e mje në 424 vj. para Kishtit, i cili edhe thirret "At i historisë" na rrëfen se hyjnitë që besoheshin prej helenësh ishin të pellazgve.

19.Ma vonë pellazgët e permirësuan në njëfarë mënyret trajten e sjelljeve e të lutunave. Mbas t'ardhunt të egjiptasvet, pellazgët e vendit rindreqën besimin e tyne, tu ju a njitë hyjnive emna të rinjë, tuj i lutun me sjellje të reja, e që mandej u pelqyen e u perqafen edhe prej grekëvet (Herodoti, ibid, 50).

Me hy me folë permbi seicilin hyjni t'etenve tonë, permbi emna e shkadomethanë të tyne të shemtueme e t'mbrapshtueme prej helenësh, latinësh e prej kombesh tjera 20 kisha me lakue prej shtekut që e kam mësy, e prandej po i la anash e nder hyjni të panjehuna, po i permendi nja disa të cilave s'u a zhgulë rranja ende prej tokës shqiptare.

Hyu - Zojsi - Ejti - Gjuesi - Jovis.

    Emni i të Madhit Perendi Jehova i hebrejve gjithduer emnash mbajti: Jao, Jove, Jobe, Jahue. Jehave thirrej prej samaritansh; Jao prej grekësh; Jova prej latinësh e prej këtyne emnavet doli Jovis.
    Ky hyjni i paganvet a i gentilvet u qujt:

    Hy, Zojës, Ejt, Gjues prej shqiptarësh,
    Jehova        prej hebrejsh,
    Aesar            prej etruskësh,
    Esgi            prej indianësh,
    Syre            prej persianësh,
    Zeus, Jao, Dhios    prej gregësh,
    Zain            prej japonezësh,
    Esgi - Istu        prej sarmatësh (polakët),
    Zeno            prej rumenësh,
    Jehove        prej samaritaish,
    Jova - Jovis        prej latinësh.
    (arciprete Bilotta, Gli Enti, Sacri della Bibla në numi Mitologici).


        Perthanat e madhnia e Zeusit

    Ma i pari e ma i madhi nder hyj asht Jupiteri, (Horat, Od. I.  XII. I).
    At i hyjnive edhe i njerzimit, (Virg. Aeneid, 13 254).
    At ndihmëdhanës. (Cicer. N. D. 11. 23).
    Jovi At. (Gellius. V. 12.).
    Hy (Hyjni) (Centerus, p. 23).
    Jupiter hedhës. (Jupiter Stator) (Dion Halic. II. 34: Propert. IV. El. XI).
    Jupiter Qendrues. (Dion. Halic. II, 50).
    Jupiter Shtys, (Jupiter Elecius) (Ovid. Fastor. III. 32).
    Jupiter Kapitolini. (Liv. I. 20 et I).
    Jupiter Tarpej (Tarpejus). (Juven. XII. 6).
    Jupiter i Lacit. (Cicer. pro Planc. 9).
    At i ditës e i dritës. (Horat. Od. I. 34).
    Shkëlqyes. (Gell.V. 12).
    Jupiter Gur. (Gell. I.12).
    Zeus mirëpritës, zemergjanë, bujar. (Virg. Eneida. I. 781 et. )
    Zeusi Vaj. (Gell. V. 12)

Tertuljani (in Apoleget. 14) thotë se edhe me treqindë emna të tjerë qe thirrë Zeusi, si e dëshmon Varroni, e së vonit të gjithë këto ju shkruene "Zeusi Creten", Zeusi i Kretës.
   
Oroe: Nder perdhanat që i jepnin Zeusit e hyjnive të tjerë, kam për të zanë në gojë në këtë shkrim vetëm ato, që u kanë mbetun në trashëgim shqiptarvet të sotshem sidomos nder malsinat tona.

Lindja e Hyut.

Kroni i biri i Uranit mësoi njerzimin në bujqësi. Titanët ishin vllaznit e Kronit. Ky  qe at i shumë fëmijve të cilët por sa lindnin i perpinte, e prej të cilve shpëtoi vetëm Zoti (Zeusi), sepse e ama Rea 21 e dergoi në Kretë e Kroni i gënjyem perpiu gurin në vend të foshnjes.

Emni i Kronit e ka rranjën nga gjuha shqipe e don me thanë Mbret a kryekunoruem. - Per nderim të Kronit shqiptarët ngritën një kështjellë në maje të Gurit të Kuq, i cili gjindet në fushë të Finiqit, ku u ishte edhe qyteti i Kronit. Sot në atë vend asht fshati që quhet Krongji, në rrethinë të Delvinës. Permbi fshatin Krongji gjinden germadhat e motnueme të kohës pellazgve.

Zoti (Zeusi) pra mbas gojdhanës epirote** nuk u lind në Dodonë në pallat të Kronit, por në Palavli të Delvinës ku ishin tëbanet (stanet) e Kronit, e prej këndej u dergue nepër Butrint me lunder e në Kretë. - Këtu e muarne në kujdes priftëneshat Kurite edhe e rritne Zeusin në shpellë të malit "Id". - Kur e venin në gjumë Zeusin, ushtonte shpella prej kangësh e prej të trokitunave të shigjetave, që mos të ndigjonte Kroni vajin e foshnjes e të vinte e ta perpinte. Kuritat ishin vashëza këngëtare në za, e këto e rritne Zeusin. - Pra Kuritat e Dhiosit e rritne Zeusin.

Mbasi u rrit Zoti (Zeusi), erdhi në Epir e u ba perandor mbi Epir, Thesali e mbi Ellad. - Gojëdhana nuk thotë se e shfronësoi të atin - Kronin, siç bani Kroni me Uranin. Zonja Kjuro nga Palavlija i kishte pasë rrëfye Zoto Mollosit ketë gojëdhanë mbi Hyun: "Zoti kishte pasë luftë me gegët, (se gegët quheshin Qeravnarët a Titanët e të afermit e tyne Antitan) edhe Zoti kishte ndihmëtarë njerëz me një sy edhe me njëqind duar (Kiklopët-Katallajt) të cilët luftonin me një fuqi të bindshme e për armë kishin hunjë të hekurt e trenë të ndezuna, e u binin lodertijevet në mal të Olimpit, e titanët ishin  nepër male të tjera. - Kjo luftë zgjati dhjetë vjet. Shkaktarët e luftës ishin titanët (gegët) të cilët deshten me shfronësue Zotin e në kambë të tij me kunorzue për mbret Martin, pse ishte trim edhe i pashëm. - Në këtë luftë Zoti (Zeusi) doli ngadhnjyes; i vuni perpara gegët edhe i qiti tej lumit të Vjosës e në vend të tyne solli lapthit *Labët). - Në këtë luftë muarën pjesë të gjihë trimat mbretnorë (të gjitha perenditë). - Gegët të mundun u shkulen, e në vend të tyne mbretnoi Zeusi, vllaznit e tij e fëmijët e ti.

Mbasandej Zoti u hapi luftë kretasve. Ushtarët e Zotit (Zeusit) ishin laber.
 
Oroe: Shumë fshatra të Kretës kanë emnat e fshatravet toskërisë; si bj. fj. Selinon, Selija e Delvinës; Zvaqja, Sfaka e Gjinokastres etj, si edhe shkronjat "nj" e "lj" i perdorin tepër kretasit si edhe labët.

Permbi vajtjen e Zotit në Kretë, Z. Basil Bendevi nga Lubina e Epirit na ka pasë rrëfye ketë gojëdhanë që e kishte pasë ndigjuar nga Moshara e kjo nga Ahmet Zuani nga Zhulati i Delvinës: "Mbreti Zoti (Zeusi) kishte luftë me kretas, pse këta nuk donin t'i napin të lamet (pagesat, si edhe sod nepër Shqipni!!!). Dergoi e thirri nji mbret çalaman  nga një vend shumë i largët. Kur ju afrue shtëpisë së Zotit mbreti çalaman, Zoti i doli perpara per me e pritë e me e pershëndet.Tuj u ulë prej kalit mbreti çalaman, i shpëtoi sqepari nga brezi edhe e çau kokën e Zotit (Zeusit). Nga varra e kokës së Zotit doli një vashëz e bukur edhe e armatosun që e qujshin "Thena". Mbreti çalaman e shëroi Zotin, edhe i punoi armë si thika, shpata, shtiza, heshta, shigjeta e këso tjerash. Tuj u nisë per ma mësye Kretën Zoti, e la Martin si mëkambës të vet në Epir.
Me shumë laber mbërriti Zoti në Kretë e me pak mundime i shtroi edhe i vuni nden sundim të vetë. Permbasi u krye lufta, Zotit (Zeusit) i pelqeu vendi e nguli per shumë kohë aty në Kretë.

Si u rrit Thena, Zoti e martoi me një trim të mirë në një vend të largët edhe i dhuroi shumë kështjella e për nder të sajë ngrehu një qytet të ri të ciliin equejti n'emën të vashës, Thena ose Athena e sotshme."
          
                 
    Kur u rritë Zeusi, e ç'veshi të atin nga mbretnimi edhe e ndau me vllazen të vet:
    Mbreti e sunduesi i Erës e i tokës u ba Zeusi,
    Neptuni (nep të tundun) i ra sundimi mbi detin,
    Plutit (plotit) sundimi mbi pasunitë,

Zeusi perfytyrohej ndejun me madhështi në një fron të trajtuar prej eshtnash të dhambëve të elefantit, tuj mbajtë purtekën e sundimit në dorë të majtë, e në të djathten rrufenë. Per bri i rrinte rrogesha e kryesja e deshirave të tij shqipja, e cila si mbretëneshë e puplishteve ishte e trueme këti, edhe Ganimedi kupëmbajtësi i Zeusit. Nder landë të trueme Zeusit ishte bungu (shpardhja). Njëkto janë lumtime që i nepeshin Zeusit prej kombeve të botës.

Tashti të shohim se shka na ka mbetë në trashëgim ne shqiptarvet kah besimi e bindja ndaj këti e tjera hyjni pagane.
   

Zeusi në Shqipni

"Ndivenesa e Dodonës"

Para se të filloj me shtjell lamshin e ngatërruem të kavaljetavet të Katallajve, po u permendi atdhetarvet të mij se edhe në Shqipnin tonë kishte pasë ngulë rranjë të trasha idhujnijake. Që të mbërrijë me e vu per fije këtë lamsh më duhet me i dhanë vedit një të hovun për të gjatë të tokës së dashtun shqiptare, e të shkoi me zanë vend në ato maje të bindueshme të madhnushme të Dodonës, nga mundem ti sodisë rrethet e atmes teme deri në të ngimë. Mbi ato krahina, nga zu fill lumnija e jonë, lumnija e pellazgve, e të ulem nder ato gomile rrenimesh të Ndivënesës së Dodonës, nga filluen e u perhapen besimet e para, asht ma e arsyeshme t'u tham, hutimet e para, që u thadruen aq thellë nder zemra shqiptarësh. Këto kanë mbërri mje në breza të kohës që gjalliojm na, sikurse e ban dëshmi kombi i jonë, sodomos i malsinave shqiptare të sotshme.

Këto punë po i shkruej këtu o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po më ka anda me e ndrique me to vjetersinë e kombit tonë e mos o zot, se më ka lind në zemër me i pelqye vetë a me hutue kend me këso gojdhanash të paganëvet. Por ta marrë vesht bota se hyjnitë, mendyrat e sjelljet besimtare, si grekët si edhe latinët e vjetër i paten prej etenve tonë pellazgë. 22

Dodona


A gjindet kush në jetë  që s'ja ka ndigjue zanin Dodonës shqiptare?

Mbas Permbytjes së Pergjithshme të rrozullimit (e cila ndodhi në vjetin 1675 mbas krijimit të botës. - P. Fr. Finetti, S. J. Storia del Testamento Antico esposta in lezioni.), e si nisi me u shtue njerzimi e me u shpernda nder vende të parrahuna të kanteve të dheut e të ndamë prej gishtit të Fuqiplotit, seicili me familje, gjuhë e komb të vetë, djali i katert i Javanit të birit të Jafetit me emën Dodanim, e msyni dheun tonë e mu n'atë krahinë, ku sot gjallisin vllaznit tonë toskët.

Me emën të Dodanimit pra u qujt Ndivënesa e Dodonës e që asht ma jetike e ma në za per kah shtektijet, prejse e mësyente njerzimi i atëhershëm prej kater anvet të rruzullimit e të cilën Homeri e thërret "Zeusi Pellazgjik", "Dodona Pellazgjike" (Iliada. II. 93). Këtu e pati ngulë rranjën e trashë kjoftë largu; këtu u jepte të gjegjun hutave të botës ai Zeusi (Zoti!) i rrejshem, e të tana të gjegjunat i shqiptonte të dyzueme ky rrenës i territ, që të mundej të arrinte qellimin e mbrapësht per me mbajtë njerzimin të ngerthyem nder hutime, e tuj jau hedhun ka një grusht pluhun nder sy, të mos ti binin në fije rrenave të dyzueme, e tuj i percjellun me "Po-Jo! - Jo-Po!"- Po  u doli e pëvetmja e edhe po nuk u doli atyne të marrve, nuk e tirshin  ma gjatë:  "Ndivënesa - e foli!"

Ky brinoç i madh, të cilit i truhej i madh e i vogel, i pasun e i papasun me gjithë shka kishin, e pati fshehun emnin e vetë e qe thirrë prej botës Zeusi. Aq e pati verbue njerzimin, që paten arrit me nderlikue emnin e Hyut të jetës me emna të true e të mnishem të hyjve të rrejshëm. Keta mbasi e shtrinë sundimin e tyne mbi zemra njerzish, i mbrapshtuen për mnerë tuj u gjendun gati natë e ditë per me pritun ata që vinin me kerkue ndihmë prej ti, e me u ba  mirë (!) të gjithë njatyne që ndodheshin ngushtë, tuj i marrë mendësh edhe ma ër mner nepërmjet të sherbëtorvet të vetë, ashtu që nder e pa nder ata ja falnin shpirtin, e Zeusi, per me i patun sa ma parë nder gaca të mbretnisë së territ, i shtynte turravrapthi me këputë zverkun a në ndonjë luftë a në ndonjë tjetër rrezik!

Kesh të din të flasin ato rrenoja, ajo pyllë e lisni, ajo buçilë e ai kumbim i kupave të remta (bakerta), që rrinin gati me i dhanë të gjegjun të gjithënjatyne që shkonin me kerkue fatin e jetës! Kesh të dinë të flasin, thashë, e të na dëftojnë me emën të gjithë ata të mdhajtë e botës që e mësynin këtë Ndivënesë pa farë priteset, tuj çue në fli dhanti të madhnueshme, që i mbështeteshin mbi trevezë të Zeusit në mirënjohje të rrenave të rrshtueme me hijeshi e tuj i percjellun me një grusht miza!

Aso botet i paten zgavernue sytë e curratë veshët tuj pritun me kureshtje kumbimin e kupave për kohëdina që do tu diftonin tuj parafolun. Të atyne kupave që paten bindë botën e që bota mbarë qe marrë mendësh mbas tyne, tuj besue se kumte qiellore u vinin nëpermjet tyne e që mandej qe ba përrallë, si Ndivënesa si edhe kupat, e filloi njerzimi kur donin me ba që të pushonte fjalëgjati (llafazani), sillnin kokën mënjananë e thonin: "Na shurdhoi si remet në Dodonë! (Aes Dodonaeum).

Vetëm veshët e shqiptarvet tonë as nder ato kavaljeta as nder kohët e vona të sotshme nuk i pati as nuk i ka merzitë njaj tingull i kupave; nuk u asht neveritë gurgullimi i asaj gurre a buçile e ushtima e rrebtë e zhaurimës që derdhej e dredhej si shakllori nepër lisni tuj e dridhun mbarë vendin kur hovej nder shpella të mnershme e nder zgavra e plasa currash.

Zeusi edhe sot bindohet nga shqiptarët mos me dije, padije.

Shiptari, i cili kurdoherë e ka ruajtë edhe e ruanë fjalën e porosinë e të parvet si sytë e ballit e që gojë-thana për kombin tonë asht aq e bindueshme, e ka ba që të ruhen të pa fueme e të pa ndrrueme shume punë e doke e me jau vu mendjen djal mbas djalit për të mos i qitun në harresë.

Janë sa e sa gojë-thana që i mbajnë e pa ditë se për të kuajin nderim po i mbajnë; asgjamangut shqiptari i mban, i nderon e i ruan, sepse i ka pasë prej të parësh, e me ba me ja vu në lojë a në qesti at besim, atë doke e atë fjalë që i ka ngelun prej të parve, veç në mos i punoftë zemra ndonjë të ligështumit, se s'kishte me e lanë me kalue lehtë.
  
 Mos ja lavdrofshim besimin e doket tepër të vjetrueme shqiptarit, që ka pasë prej të parvet, sepse a të gabushme a t'egra, detyra e mirnjohjes do ta shtyjë që ta ja madhnojnë besën në në të ruajtun të fjalës e të porosisë së parvet.