Nacionalistët at e bir: Zef e Mark Sokoli u flijuan për Shqipërinë etnike

Nacionalistët at e bir: Zef e Mark Sokoli u flijuan për Shqipërinë etnike

Nacionalistët at e bir: Zef e Mark Sokoli u flijuan për Shqipërinë etnike
Nga: Tomë Mrijaj, New York

Një heshtje me paramendim,apo diletantizëm pseudohistorianësh(Zef Sokoli, u lind në vitin 1904 në Gralisht të Pukës)

Koha e gjatë e jetës në ShBA, më ka krijuar mundësi që të lexoj shumë libra biografike (jetëshkrimore) të autorëve amerikanë dhe të huaj mbi historinë, kujtime dhe refleksione të individëve në Luftë apo Misione të ndryshme në interes të Amerikës në periudha të caktuara. E veçanta e tyre është, se librat në tërësi janë dhënë më afër realitetit, pa censurë apo redakturë ideologjike, në mënyrë që lexuesi amerikan të krijojë një ide më të plotë për subjektin e trajtuar nga individi apo grup autorësh.

Sa më tepër që vitet kalojnë, aq më shumë unë prehem në meditime nga shfletimet e kujteses historike të shkruar dhe dokumentuar përmes librave dhe dorëshkrimeve që presin të botohen. Përmbajtja e tematikave është e thjeshtë në të kuptuar, por e vështirë në trajtimin objektiv të fakteve dhe ngjarjeve historike.

 Ndryshe është dhënë e po jepet historia nga hartuesit e traditës së socialrealizmit komunist në Kosovë e Shqipëri, për ngjarjet dhe personazhet kryesorë nacionalistë, shtresën e së cilës kalemxhijtë me përvojë i quanin me përbuzje, si: "armiq e trathtarë reaksionarë të përbetuar të popullit", që ishin e mbetën sipas historishkruesve, nacionalistët që nuk e duan rregjimin e proletariatit, nën juntën e Jugosllavisë së J. B. Titos asokohe.

Për luftëtarët e Shqipërisë etnike dhe heroizmin e treguar në mbrojtje të këtij ideali, në fillim të viteve 1944 e në vijim historia është dyfiçitare, mbasi përvoja e studiuesve të rinj nga vendet civilizuese perëndimore mungon dhe më së shumti mbisundon diletantizmi, që po tjetërson e keqpërdorë ato pak dokumente historike, që kanë mbijetuar nga netet e gjata te sundimit të egër të kolonizatorëve serb në Kosovë. Për një kohë të gjatë afërsisht gjashtëdhjetëvjecarë, çdo gjë ishte lënë në pluhurin e harresës. Një heshtje, që vret dhe krijon mundësi që historishkruesit joobjektivë të deformojnë e seleksionojnë faktet burimore dhe bëjnë interpretimet e tyre në mënyrë të njëanshme dhe madje në varësi të emocioneve dritëshkurtëra që atyre u ngjallin.
Metoda e politizimit abuziv të së shkuarës në vendlindje dhe trojet etnike shqiptare dhe klientizimi politik, kanë tentuar ta monopolizojnë historinë, çka ka sjellë për pasojë dëme drastike në faktoshkrime historike dje dhe sot.

Në këtë mënyrë, mbetej që kujtimet e idhta por edhe krenare të atyre ditëve të evokoheshin nga moshatarët e tyre në netët e gjata të historinë tonë të lavdishme, për tokat dhe dheun shumëshekullor.

At e bir Zef e Mark Sokoli
u flijuan për Shqipërinë etnike.Në këtë errësirë të paramenduar nga kundëratdhetarët mbetën edhe emrat e tribunëve të nacionalizmit në Lugun e Drinit at e bir Zef Sokoli me Markun 16 vjecar, që u flijuan për idealet e Shqipërisë etnike, u futën pa të drejtë në rrethin e zi të harresës.

Zef Sokoli, u lind në vitin 1904 në Gralisht të Pukës në lagjen e Seferajve, katund ky me shumë zakone e tradita të ruajtura me shëkuj dhe të bazuar në nder, burrëri e mikëpritje. Në fillim të shëkullit XX, babai i Zef Sokolit (Sokol Alia), sëbashku me gruan, fëmijët dhe një pjësë e të afërmve të tij, la katundin e lindjes dhe u nis drejt Rrafshit

të Kosovës, ku zunë vend buzë lumit "Drini i Bardhë" në katundin Jagodë, afër Paskalicës, ku jetonte familja e mirënjohur e Përlleshve. Kjo familja, shumë vite më parë po ashtu kishte zbritur nga Iballia e Pukës dhe këto dy familje me shekuj kishin shumë lidhshmëri në mes vehtës e posaçërisht atë të kumbarisë. Eshtë kjo një traditë e hershme e zakoneve shqiptare, që ka mbetur e ruajtur me pastërti deri në ditët tona brez pas brezi. Në këtë mënyrë, familjet lidhen edhe më shumë mes njeri tjetrit dhe gjendeshin më pranë në gëzime e hidhërime familjare.

Me kryetrimin e kësaj treve Ndue Përllëshin, ishin shokë të fëmjërisë, rinisë dhe të idealeve deri sa ranë heroikisht në fushën e nderit nga plumbat e armikut shekullor, në mbrojtje të bashkimit të trojeve etnike. Fëmijëria e tij ishte shumë e vështirë, pas largimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912, Rrafshin e Dugagjinit e përfshin hordhitë sërbo - malaziase. Katundi Jagodë (sot Shëngjin) nga fundi i viti 1915 e dëri në mbarim të vitit 1918 ishte nën sundimin e Austro - Hungarisë. Pas formimit të Jugosllavisë së Versajët, filloj sjellja e kolonistëve serb e malazias, me qëllim të aneksimit të trojeve shqiptare, ndërrimit të strukturës nacionale dhe zhbërjes së nacionit shqiptar, plane këto ugurzeza dhe me plot pasoja për të ardhmen tonë, të përgatitura nga akademia e shkencavë të shovinistëve serbë dhe despotëve të Beogradit. Ushtria dhe xhandarmëria sërbo malaziase, më 1919 ua konfiskoj tokat shqiptare dhe u vuri zjarrin shtëpive dhe pasurive të tyre, që përfshinë zonën gjeografike të Lugut të Drinit dhe konkretisht nga Gurrakoci deri në Prizren.

Zef Sokoli, qysh në moshë të re i përjetoj thellë këto ngjarje të hidhura, që në mënyrë sistematike i bëheshin padrejtësisht popullit shqiptar nga shovinistët barbarë serb. Në këtë mënyrë, u rrit tek ai, sikurse tek shumë nacionalistë të tjerë mllefi ndaj pushtuesve. Kishte ardhur koha që në mënyrë serioze të mendohej për të rrok një ditë pushkën në mbrojte të popullit dhe tokës arbërore.

Në vitin 1941, kur Italia njohu dhe hapi kufirin shqiptaro - shqiptar, Zefi i përmalluar për të afërmit dhe vendlindjen e tij katundin Gralisht në krahinën e Pukës, bëri udhtime të shpeshta për në Shqipëri, ku pati rast të këmbejë mendime e përvojë, për ngritjen e rezistencës mbarënacionale dhe të takohej me shumë përsonalitete të kohës, që    kishin ideale të njëjta.Dhe që atëhërë, Zefi u kyç në jetën politike e nacionale të asaj kohe, e cila përiudhë kërkonte njerëz të devotshëm, për çështjen tonë dhe njerëz që do të flijoheshin për Shqipërinë etnikë siç ishte patrioti Zef Sokoli. Në këtë vazhdë, ai mbajti lidhje dhe kontakte të pandërprera me krerët e rezistencës, si: Kapidanin e Mirditës Dr. Mark Gjon Markun, Kolë e Pashuk Bibën, Muharrem Bajrakatarin e Lumës, e sa e sa personalitete të tjera, që me kohë kishin nuhat afrimin e ideologjisë ateiste dhe bolshevike të sjella nga kreshtat e Siberisë (Rusi) në trojet e vjetra dardane.

Ky ishte një burrë me tipare të dalluara të një patrioti të vendosur dhe të paluhatshëm. Ai ishte ndërlidhja më e mirë dhe më e sigurtë për të dy anët e të njëtit kufi arbëror, mbasi njerëzit që e njifshin Dërën emërmirë dhe karakterin burrëror të tij, e respektonin dhe kishin shumë besim në atdhetarin e pamposhtur Zef Sokolin.

Në fund të vitit 1944, në krahinën e Lugut të Drinit erdhi Brigada VII kosovare e udhëhequr nga komandanti komunist Shaban Haxhiu, i cili kërkonte kryetarin e komunës së Budisalcit - Ndue Përllëshin me disa shokë të tjerë, me pretekst, se Ndou me Pashuk Bibën e shokë të tjerë kishin likuiduar shumë komunistë në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë. Ndue Përlleshi, porsa mori këtë lajm, u takua me Zef Sokolin, për të përcaktuar strategjinë e krijuar nga situata e re. Të ashtëquajturit partizanë kishin marrë të gjitha masat, për të ngushtuar gjithnjë e më tepër rrethin e veprimtarisë antikomuniste, që po bënin kundërshtarët e rregjimit të tyre.

Ngjarjet po zhvilloheshin me shpejtësi dhe shqiptarët po kalonin ditët më të vështira të kohës së pasluftës së dytë botërore, keqtrajtime dhe përndjekje nga kaçakët e udbashëve serbë e malazias, që vepronin në katundet e ndryshme të Kosovës. Shpesh, ata bashkëpunonin edhe me trathtarë shqiptarë, të cilët i bashkonte idea boshe e internacionalizmit proletar, duke gjetur një arsye më shumë për të bërë shpopullimin e trojeve shqiptare. Për këtë ata kishin vënë në krye të ekspeditave ndëshkimore ushtarake të ndjekjes oficerë e ushtarë komunistë besnikë, që kryenin akte kriminale ndaj popullit, me pretekste absurde, duke shtuar në këtë rast zemërimin e fjetur të popullsisë së pakënaqur edhe nga "reformat" dhe sekuestrimet, arrestimet, pushkatimet me e pa gjyq kundër bijve më të mirë të nacionalizmës.

Zef Sokoli, ishte dhëndërr i Ukë Bekës, dhe porsa dëgjuan se Brigada VII komuniste ishte stacionuar në Krushevë të Madhë, dhe se vetë komandanti Shaban Haxhiu me Qamil Brovinën dhe Ramadan Hoxhën ishin mysafirë në kullën e Ukë Bekës, Ndue Përlleshi me Zef Sokolin, Marie Shllakun e disa të tjerë, vendosën që të shkojnë dhe të takohen me komandantin komunist Shaban Haxhiun.

Takoheshin bijtë e të njëtit popull, por të rreshtuar në fronte të ndryshme. Nacionalistët, ishin shumë tolerantë dhe të gatshëm për dialog në mënyrë që të ndërpritet akti i gjakderdhjes, mbasi deri tashti kishte pasur shumë gjakderdhje midis nacionalistëve e komunistëve. Me të hyrë brenda parulla përshëndetëse e partizanëve ishte: "Vdekje fashizmi dhe liri popullit". Ndou me shokë që e dinin se çfarë fshihej pas kësaj parulle, nuk u përgjigjën. Ai, me shpejtësi nxori revolën dhe me gishtin në këmbzën e shkrepjes ia drejtoj komandantit partizan Shaban Haxhiut. Ishte një gjendje shumë e nderë dhe nga çasti në çast armët mund të sillnin tragjedinë midis shqiptarëve me bindje të ndryshme politike e nacionale, të cilët kishin ardhur për të bashkëbiseduar për disa çështje, të cilat asnjëherë nuk morën zgjidhje. Mirëpo të pranishmit ndërhynë me të shpejtë dhe ndërprenë konfliktin, që mund të ishte me pasoja katastrofike për të dy palët.

Duhet venë në dukje, se ishte e pamundur për të bashkëbiseduar me komunistët, mbasi ata me shembuj konkretë kishin treguar se nuk njihnin marrëveshje as frymën liberale të bashkëbisedimit. Përfaqëesuesit e lartë të grupit komunist, kërkonin me në krye Fadil Hoxhën ndërprerjen e rezistencës, duke tentuar që të fitonin kohë, të mashtruar me fjalë boshe, se qëllimi i tyre gjoja ishte lufta kundër nazistëve, që fshiheshin në malet e Kosovës e shumë fjali që kishin "erë mish dhie", sikurse thotë edhe populli.

Më konkretisht, në katundin Bubël e Daminek në krahinën e Llapushës, u mbajt një takim i shpejtë, në mes të nacionalistëve dhe Fadil Hoxhës, i dërguari direkt i Marshallit Tito, që kishte ardhur posaçërisht për tiu mbushur mendjen krerëve të nacionalizmit shqiptar. Ai, duke e parë influencën e madhe që nacionalistët kishin në popull asokohe, iu lut atyre që ta ndërprejnë luftën kundër komunizmit, se me lirimin e vendit nga "fashistët" populli i Kosovës do të vendosë vetë për fatin e vet. Krerët e mirënjohur të nacionalizmit, si: vëllëzërit Ukë e Shaban Sadiku, profesor Ymer Berisha, Marie Shllaku, Ndue Përlleshi, Zef Sokoli e shumë të tjerë, nuk e përkrahën mendimin mashtrues të Fadil Hoxhës. Ata njëzëri kërkuan që Kosova të jetë një zonë neutrale. Argumentimi i pjekur i nacionalistëve ishte që për fatin e vet le të vendosë vetë populli i Kosovës dhe jo që e ardhmja e saj të gatuhet sipas mënysë së kuzhinës serbe, që kërkonte t'a gllabëronte e gradualisht me projektin e Cubrilloviqit, t'a largonte nga trojet e veta popullsinë autoktone shqiptare. Dhe koha vërtetoj, se nacionalistët që flijuan edhe jetën për interesa të larta ta nacionit kishin shumë të drejtë dhe qenë realist dhe më pranë interesave të shenjta të atdheut të tyre.

A nuk ishin vetë komunistët, ata që bënë trathtinë e Marrëveshjes Mukjes dhe me gjuhën e "trathisë" ngjyrosën nacionalistët, duke i përndjekë, pushkatuar dhe familjet e tyre i syrgjynosën brez pas brezi deri në vitin 1990?!

Pra që në fillim, pozicionet ishin shumë të kundërta dhe nuk mund të arrihej dot ndonjë marrëveshje e përbashkët. Komunistët, në vend që të luftonin kundër çetave çetnike serbe, që po plaçkitnin çdo ditë familjet shqiptare ditën për diell dhe me miratimin e Marshallit të tyre Tito, iu kundërvunë qysh në fillim me armë në dorë dhe urretje të madhe forcave të vërteta nacionaliste, që në programin e tyre kishin si bosht kryesor bashkimin e të gjithë trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm rreth nënës Iliri, sikurse kishin qenë mijëra vjet më përpara...

Që nga ky moment, Ndue Përllëshi, Zef Sokoli me shumë shokë të tjerë fillojnë jetën e vështirë të komiteve, për të sendërtuar idealet e tyre të larta nacionale drejt një Shqipërie etnike. Çdo ditë ata bënin dhjetra kilometra, duke shkuar katund për katund, shtëpi në shtëpi, në odat e burrave me traditë të pastër nacionaliste, për të marrë me vete bijtë më të mirë të tokës martire në të tërë Kosovën. Edhe komunistët nga ana e tyre nuk rreshtnin me propagandën e tyre "shpif shpif se dicka do të mbij", kundër 55 çetave atdhetare, që sikurse thotë edhe Homeri shqiptar "Poeti Nacional" at Gjergj Fishta i madh, se fatosat e lirisë e kishin "ba deken si me le".

Ndonëse komunistët kishin në duart e tyre ushtrinë, propagandën, mjetet e motorizuara, servilët e komisarët e kuq spekullatorë, nuk mundën të dobësonin zemërimin e popullit ndaj tyre, ndonëse frika e terrorit shtohej gjithnjë e më tepër, kudo, ku ata cdo ditë ushtronin dhunë e maskra mbi popull në çdo skaj të Kosovës dhe Shqipërisë.

Krijohen kështu në historinë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX dy burgje të mëdha brenda trojeve shqiptare: e para që drejtohej nga gardianët kolonizatorë serbë në Kosovë dhe e dyta nga shqiptarët kundra shqiptarëve, të cilët ideologjia komuniste e materializmit e kishte kthyer Arbërinë në një kafaz me tela e beton vdekjeprurës.

Dita ditës filloi me këmbëngulje misioni i shenjtë i organizimit të çetave nacionaliste, sikurse në të gjithë Kosovën edhe krahinën e Lugut të Drinit. Të rinj dhe të moshuar, që nuk pajtoheshin me komunizmin si ideologji e mashtrimit dhe me rregjimin shtypës e gjakatar serb, u rreshtuan shumë shpejt me armë në dorë përkrah fatosave të lirisë, duke e patur edhe mbështetjen e gjërë në shtresat e popullsisë. Tashmë lëvizja e rezistencës po merrte një hov të ri, si një rizgjim i traditës së etërve atdhetarë, që mbi gjithçka kishin vënë interesat e larta të nacionit e flamurit, në krenarinë e së cilës ata bënë betim solemn Kjo çetë në Malet e Dollcit u takua me çetën e Ukë Sadikut. Në këtë çetë tani ishte edhe amazonia shqiptare Marie Shllaku (1920-1946), dikur sekretare e Iljaz Agushit dhe e ing. Xhafer Devës, e cila u bë shembull e rëzistencës për bashkim nacional. Çeta e Ndue Përlleshit me Zef e Mark Sokolin (at e bir), vëllezërit e Ndout (Zefin e Hilin), Ndrec Nikollën, Shaban Demen e shumë të tjërë, bashkpunoi me Ukë Sadikun, Shaban Palluzhën, prof. Ymer Berishën, Qazim Bajraktarin, Alush Smajlin etj.

Shembull tipik i rezistencës së forcave komite ishte lufta në Tersternik të Drenicës, më 21 shkurt të vitit 1945 dhe vrasja në fushën e nderit e dy komandantëve të kryengritjes: Shaban Palluzhës dhe Mehmet Gradicës. Ata luftëtarë që mbetën iu bashkuan çetave të Ukë Sadikut, Ndue Përlleshit, prof. Ymër Berishës, Qazim Bajraktarit e të tjerë. Kështu nga kjo kohë, çeta e Ndue Përlleshit u rrit me njëqind luftëtarë.

Kuvendi i Dobërdolit shpalli betimin nacional

Më 4 dhe 5 gusht u mbajt Kuvendi i Dobërdolit, në Llugë të Dan Pjetrit, në të cilin u mblodhën 2000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse të rajoneve të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria e Veriut, sanxhaku dhe Rozhaja. Aty gjindeshin krerët e lëvizjes për çlirim të trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet, si: Ukë Sadiku, prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Marie Shllaku, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari i Ri me 800 luftëtarë, përfaqësuesit e Muharrem Bajraktarit nga zona e Krumes dhe Lumës, Prek Shyti nga Prizreni, krerë të tjerë nga zonat me tradita nacionaliste, si: Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Ferizaj, Rugova, Podguri etjerë. Në këtë tubim ishin të pranishëm edhe dy personazhet e shkrimit Zef Sokoli me të birin Markun.

Pranë Dardhës së Madhë valonte i lirë flamuri me shkabën dykrenshe tetë metra i gjatë, të cilin e kishte sjellë Alush Smajli i Llazicës. Kuvendin e ruanin luftëtarët e Ndue Përlleshit, Alush Smajlit dhe Qazim Bajraktarit nën mbikqyrjen e Zef Sokolit, Smajl Hadarit të Gjurgjevikut të Madh dhe vëllaut të Ndue Përlleshit Zef Përlleshi. Kuvendin asokohe e hapi Ukë Sadiku, që ia jep fjalën erudistit me kulturë të gjërë perëndimore prof. Ymer Berishës, ndërsa procesvërbalin e takimit të rëndësishëm e mbajti intelektualia martire, heroina Marie Shllaku. Në fund të takimit të nacionalistëve u zhvilluan zgjedhjet, ku, me vota të përgjithshme si komandant u zgjodh njëzëri Ukë Sadiku, ndërsa udhëheqës politik shumë i respektuari dhe me autoritet prof. Ymër Berisha. Po ashtu u zgjodhën edhe komisarët e çetave kryengritëse, sipas territoreve dhe e tërë Kosova u nda në sektorë veprimi të luftës për liri nga çizmja pushtuese komunistosllave e trathtarët shqiptarë. Për të ndjekur me më kujdes dhe seriozitet të gjithë aktivitetin e ardhshëm luftarak dhe për këtë arsye u formuan "Dymbëdhjetë Këshillat".

Pas Kuvendit të Dobërdolit, në të cilën edhe një hërë u verifikua përcaktimi i rëzistëncës për luftë të pandërprërë deri në vdekje në përmbushje të aspiratave, për çlirim dhe bashkim nacional, pasuan shumë takime me popullatën e vendit për organizimin dhe grupimin rreth organizatës "Besa Kombëtare". Ukë Sadiku, prof. Ymër Berisha, Ndue Përlleshi, Qazim Bajraktari dhe Mehmet Aga i Rashkocit, u nisën për njëmbledhje të përbashkët me krerët e Shqipërisë së Veriut, diku në Malin e Pashtrikut.

Çeta e Ukë Sadikut ndërkohë do të mbesë nën udhëheqjen e vëllaut të Ukës - Shaban Sadikut. Kësisoj me vendimet e marra nga Kuvëndi i Dobërdolit, u përcaktua që të vijohet lufta e pandërprerë me devotshmërinë luftarake kundër sllavokomunsitëve dhe njësimin e tokave shqiptare përmes luftës së rezistencës e njohur si lëvizja e komitëve në Kosovë dhe më gjerë. Fronti armiqësor ishte zgjeruar që nga bandat sllavokoministë sërbo - malaziase deri te njësit shqiptare të quajtuara partizane. Edhe pse idealet shqiptaro-shqiptarë nga të dy anët duhet të ishin të njëta, fatkëqësisht kundër pushtuesve sllavë komunistët shqiptarë bashkëpunonin ngushtë me komunistët serbë dhe OZN-në, (Sigurimi serkret serb, që më vonë do të marrë emrin UDB, shënimi im T. Mrijaj) dhe në dy taborret opozitare derdhej gjaku i njëtë, ai shqiptar.

Në qelinë e Jellocitu mbrojt shqiptarizmi e tokat shqiptare

Data e 12 shtatorit 1945, do të mbetet e paharruar për banorët e Prokorubës, Drenicës e krejt Kosovës. Në fushë betejë, në mes maleve të qëlisë së Jellocit (Ditën e tretë të festës fetare të Bajramit) "Bokeshka", që quhej Brigada famkeqe e Kotorrit, kishte arritur përmes Istogut (Burimit), Gurrakovcit e Zllakuqanit e Jashanicës dhe kishte rrethuar nga çdo anë vende strehimin në qeli. Çeta e Shaban Sadikut e përcaktuar thellë në idealet e pastra patriotike, për një Shqipëri etnike dhe luftën e pakursyer kundër armikut shekullor, do të rrezistoj deri në luftëtarin e fundit. Në këtë betejë mbetën të vrarë mbi 30 luftëtarë të çetës dhe nëntë u plagosën rëndë. Ndërsa në anën e armikut numri nuk dihet, por thuhet të kënë rënë mbi 200 partizan dhe me qindra të plagosur. Kjo betejë ishte njëra ndër më të ndritshmet e lëvizjës së rëzistencës, e cila heronjtë e rënë për lirinë dhe unitetin e tokave do i vendosë përjetësisht në altarin e nderit të historisë nacionale.

Thuhet nga bashkëkohësit asokohe dhe nga burimet e shkruara nga vetë shtypi i atyre ditëve, se beteja ishte e paparë ndonjëherë më parë. Eshte e vështirë të përshkruaj ato ditë që nuk i kam jetuar, por në kujtesën e freskët të popullit dhe nga më të moshuarit (që ende janë gjallë në vendlindjen time), kam mësuar shumë episode dhe qëndresën heroike të bijve më të mirë të tij.

Armiku pushtues kishte përgatitur një plan të studiuar në të gjithë kënvështrimet dhe me detajet më të imta. Qëllimi i tyre ishte eleminimi pa kushte të të gjithë kryengritësve dhe luftëtarëve që më armë në dorë kishin marrë guximin, që ti kundërviheshin sllavëve antishqiptarë e trathtarëve shqiptarë. Pozicionet shqiptare i mbronte atdhedashuria, për të cilin ata ishin gati të flijoheshin pamëdyshje. Pusija me dredhi kishte filluar në orën tetë të mëngjesit, për të zgjat deri në orën katër të mëngjesit të ditës së nesërme. Pra mbi 20 orë pandërprerje luftuan trimat kundër bandave serbo - malaziasve dhe argatëve të tyre. Edhe përkundër armatimit supërior dhe numërit të madh të ushtarëve sllav, që kishte asokohe ish armata Jugosllave dhe kolaboracionistët komunist, dorëzimi dhe gjunjëzimi përpara tyre as që nuk mendohej asnjëherë. Por dëshmitarët tregojnë se trenat rendin pa ndarë, duke bartë të vdekur e të plagosur serbo-malzias nga ushtarët e lirisë. Edhe pse armiku kishte humbje të madhe, por që për mosdemoralizim të ushtarëve robot të saj, nuk e thonin asnjëherë humbjen(e vertete) në njerëz e materiale. Propaganda e tyre e lëvizshme amplifikonte në gazeta e radio vetëm fitore dhe asnjë të vrarë, por në të vërtetë kishte ndodh e kundërta. Madje asokohe partizanët kishin shkuar edhe nëpër katundet përrrëth, për tiu marrë banorëvë carshava, për ti mbuluar dhe pështjellë të plagosurit dhe të vdekurit e tyre.

Me një fjalë trimat e rënë në fushën e betejës të lavdishme historike me gjakun e tyre vaditën tokën martire të Kosovës dhe me dhjetra hërë e paguan vehtën dhe idealin e shenjtë.
Mark Zef (Sokoli):

"Vetëm vdekja mund të më ndaj nga pushka"

Në mesin e këtyre tribunëve të ndëruar nacionalë, mbeti i vrarë dhe kreshniku i Lugut të Drinit Zef Sokoli me djalin Markun, i cili sapo i kishte mbushur 16 vjec. Shpesh herë i kishin thënë edhe më parë Zef Sokolit, që nuk duhej ta merrtë djalin aq të ri në luftë edhë pse kjo kishte qenë vetë dëshirë e djalit. Marku adolishent, sapo e kishte filluar shkollën Normale në Elbasan, por vorbulla e lëvizjës për liri të atdheut e kishte shmangur nga shkollimi. Ai tashmë me ndërgjegje të plotë dhe vendosmëri burri ishte përcaktuar për mbrojtjen e atdheut.

Bashkluftëari dhe shoku i tyre i ngushtë në të njëtën lëvizje Skëndër Ukë Sadiku (me vedbanim në New York), lidhur më Zef Sokolin dhe Mark Zef Sokolin, ka sjellë edhe këto kujtime, që po i rreshtoj në mënyrë origjinale si më poshtë.

Në fillim, duhet thënë, se Skënderi, pas shumë viteve mbi supe, i pyetur mbi ato ditë të vështira të luftës për lirin në Kosovë, tregon së pari se kishte krijuar një poezi, që sikurse thotë vetë, nuk është e mirëfilltë si krijim letrar, por ka fabulën e ngjarjes së vërtetë, që ka ndodhur asokohe. Disa nga këto vargje që i ruan në dorëshkrim si kujtime të paharruara mbas 60 vjetëve janë këto:

"Marka Zefi i Zef Sokolit
rrebt po hudhet ne grykë të topit
Si një Mic Sokol tjetër
E përsëriti betejën e vjetër"

Së pari, për luftarin trim Zef Sokolin, ai kujton: "Ishte burrë kreshnik, trim i pashoq, i përkushtuar me devotshmërinë më të madhe për çështjen tonë. Ishte shumë i vëndosur dhe i zinte vend fjala e premtimi. Ishte njeri me kuptimin e plotë të fjalës burrë besnik për çdo gjë dhe pa frikë mund ti besoje gjithçka." Ndërsa me të birin e tij Markun më ka lidhë mosha rinore, ideali i përbashkët dhe detyrat luftarake, që nga udhëheqësit e çetës na u dhanë. Ishim të pandarë. Si të rinj, ne me kënaqësi shpirtërore ishim të papërtueshëm në shërbim të detyrave që na ngarkonin më të mëdhenjt se ne. Ishim shumë të kujdeshëm, kur kryenim detyrën e korrierit dhe vrojtuesve, me një disiplinë e besinikëri të lartë luftarake.

Sot është e lehtë të gjykosh, por asokohe çdo njeri prej nesh e kishte kryet në rrezik, por gjithnjë duhet të ruanim gjakftohsinë dhe me përpikmëri misionin e ngarkuar nga një katund në tjetrën dhe nga një bazë e çetave nacionaliste në tjetrën në çdo stinë të vitit.

Ne ishim me lindjen dhe prarimin e diellit përherë, agun e dritës e imagjinonim si lindje të lirisë. Bisedonim shpesh dhe lirshëm për çlirimin dhe bashkimin nacional të trevave tona, që padrejtësisht ishin ndarë nga Europa, ku Shqipëria si kufi politik kishte trojet dhe popullin e vet. Lexonim vjersha deri sa ishim në roje dhe detyra të tjera. Dhe vjershat më karakter patriotik, na i lexonte intelektualia e shkolluar në Itali martiria shkodrane Marie Shllaku, dhe jo rrall donim që ti dëgjonim nga prof. Ymer Berisha ngaqë neve asokohe na dukeshin më të afërta me fjalorin tonë.

Sigurisht që me Markun më lidhin shumë kujtime. Stina e pranverës ishte shumë e dashur për ne, për ne që ishim më të rinjtë e çetës. Ne ishim vetë pranvera, që lëviste nga një mal në tjetrin. E kështu më radhë në tërë Kosovën. Nga malet mbi Dollc, ne e shikjonim Lugun e Drinit. Sa e bukur na dukej fusha pjellore, të cilën e qante si gjarpërushë lumi Drin me lakime të shumta, që i jepte një hijëshi të rrallë. Bisedonim me orë të tëra për ëndërrat tona rinore dhe të popullit tonë, për atë se kur do të shihnim ditën e madhe, që ky vend të flasë, shkruaj dhe mësojë vetëm shqip. Shpesh kundronim me kënaqësi dhe buzëqeshje barinjtë që këndonin shqip dhe shqiponjën, që fluturonte mbi kreshtat e maleve të mbuluar me borë në dimër dhe gjelbërim në verë...

Unë e arrita këtë ëndërr, por Marku dhe shokët e tjërë të lirisë Ata sakrifikuan jetën dhe vehtën, për të mbetur përjetësisht të shënuar me gërma të arta në panteonin e martirëve të ndërit të atdheut të vet, lirisë dhe heroizmit tonë biblik, në mbrojtjë të vijimësisë së të parëvë.

Më kujtohet një rast deri sa ishim në Bjeshkët e Zatriqit, kur babi i im Ukë Sadiku i tha Zef Sokolit: "Zef, nuk po vjenë si përpara me ne në takimët me udhëheqësit e rezistencës në Vëri të Shqipërisë, mbasi shumicën i ke të afërt dhe kanë shumë besim të tij, si Pashuk Biba, Ndoc Kolë Bibë Mirakaj etj."

Zefi do ti përgjigjet: "Nuk po mundem me lan djalin Markun, pasi asht n'mosh shum të re".

Më një rast tjetër pas 6 muajsh të kaluar nëpër male, Ukë Sadiku, prof. Ymer Bërisha, Ndue Përlleshi dhe Marie Shllaku, do të thirrin Markun në mesin e tyre, për ta bind që të kthehet në shtëpi dhe i thonë: "Meqenëse nëna juaj dhe vëllau i vogël kanë mbetë vëtëm në shtëpi dhe kanë nevojë për ty, është mirë që të kthehesh tju ndihmosh,. Këtu mjafton që ke babën Zefin". Marku i skuqur në fytyrë, i merzitur nga këto fjalë, sikur donin t'i shpërthenin lotët, do tiu përgjigjet me qetësi: "E kam mendue gjatë para se me vue pushken krahnorit, ndërsa tash vetëm vdekja mund të më ndaj nga kjo."

Zefi e shikoj të birin dhe e përqafoj me shumë ngrohtësi dhe krënari duke i thënë: "Këto janë fjalë burrash."

Thuhet, që përfundimisht në betejën historike është vrarë Mark Zefi dhë Zef Sokoli ishte plagosur, por kishte mundur të shpëtoj, por nuk kishte dashur që ta lë djalin e tij vetëm, qoftë edhe të vdekur. Prandaj, ai do të qëndroj deri të nesërmen dhe Zefi prap luftoj deri sa ra në fushbetejën historike i vdekur pranë të birit".

Skënderi, mbasi pushon pak, me një qetësi dhe freski kujtese, nis të ritregojë, duke theksuar, se ata ishin me të vërtetë heronj të pamposhtur dhe të vendosur deri në pikën e fundit të gjakut të tyre.

"Ata, do të shtoj Skënder Ukë Sadiku, ishin heroj të vërtet që e deshtën aq shumë vendin e tyre dhe lirinë e popullit të vet, që për këto ideale dhanë gjënë më të shtrenjtë - jetën e tyre. Dhe sot e kësaj dite, pas çlirimit përfundimtar nga prangat serbe, nuk i është dhënë asnjë emër shkolle as rruge me emrat e nderuar të luftëtarëve dhe tribunëve të lirisë, madje nuk iu është ngritur asnjë përmendore, që të përkujtojë për brezat e ardhshëm fushbetejën historike të vitit 1945, me të cilën duhet të mburremi si komb.

Humbja e madhe e çetës së Ukë Sadikut në qeli të Jellocit ishte grusht i rënd për forcat dhe lëvizjen e rezistencës në tërësi si dhe për familjarët e herojve në veçanti. Kjo është një padrejtësi dhe mosmirënjohje ndaj pararendësve dëshmor të lirisë.

Çeta e Ndue Përlleshit, tanimë kishte mbetur të vepronte me pak luftarë dhe më shumë vështirësi kalontë nga një vend në tjetrin, duke u ndjek nga forcat e mëdha partizane çetnike. Në muajin shkurt të vitit 1948, Ndue Përlleshi rrethohet në malin e Bokshiqit me çrast iu vranë dy shokë besnikë atdhetarë Ndrec Nikolla e Shaban Dema, ndërsa Ndou me shumë plagë në trup i shpëton këtij rrethimi. Nga këtu drejtohet për në Paskalicë, ku hetohet nga kryetari i komunës së Jagodës Jank Boriqi. Pas një përleshje të armatosur, që u zhvillua në shtëpin e tij (në praninë e antarëve të familjës), Ndou e lënë Jankun të plagosur dhe drejtohet te i vëllau i Zef Sokolit - Ibish Sokoli, i cili e mban për disa javë në shtëpinë e tij, dukë ia shëruar plagët dhe përkujdes, për përmirsimin shëndetësor të tij, deri sa Ndou do të shërohej.

Pastaj më vonë, kur UDB - ja jugosllave informohet, se Ibish Sokoli e kishte strehuar Ndue Përllëshin e dënon Ibishin me 8. 5 vjet, ndërsa të shoqen e tij më 6 vjet burg, të cilat vjet i mbajtën në tërësi. Tashti familja e Zef Sokolit, në rëgjimin e ri komunist, mbeti në mëshirën e të pamëshirëve. Iu konfiskua toka dhe tërë pasuria që kishte dhe e shoqja e tij nga familja e Ukë Bekës - Dranja mbeti duke u përkujdes për djalin e saj të vogël Pjetrin, i cili mbeti jetim pa babë dhe vëlla në moshën 11-vjeçar. Djali i vëtëm i Zef Sokolit, Pjëtri më vonë do të ballafaqohet me jetën e vështirë, që nga fëmijëria të përcjëllë me tortura dhe përndjekje të vazhdueshme, për të ngritur familjen dhe shkolluar fëmijtë. Përkujdesjen për shkollimin e fëmijëve e bëri me shumë vështërësi, por me një ideal të vetëm, se vetëm me shkollë mund të arrihej ajo që gjyshi dhe axha i tyre e bënë, duke sakrifikuar jetën për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet, që e ëndërron çdo shqiptar - Shqipërinë etnike.