Kulla me karakoll, na ishte njëherë…

Banesa e Shqipërisë së Veriut e tipit kullë nuk ka kujdesin dhe vëmendjen e duhur, megjithëse pasqyron një traditë të pazëvendësueshme. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës prishi disa kulla, të cilat ishin në trasenë e kësaj rruge. Ndër to ishte dhe kulla e Skanajve, dy kullat e Përshqefajve në Bisakë të Fandit dhe sot ngelen vetëm fotografitë e tyre…

Kur Edit’h Durham kaloi më 1908-n në një fshat të Pukës do t’i bënte përshtypje një banesë tepër e veçantë. "Është banesa më interesante që pashë në Shqipërinë e Veriut",- do të shprehej studiuesja angleze për banesën-kullë në fshatin Kokodë të Pukës që fatkeqësisht sot përbën ekzemplarin e vetëm të këtij tipi banese në Shqipëri.

E braktisur nga banorët e saj që prej pesë vitesh dhe e harruar nga institucionet shtetërore, banesa-kullë është në prag të shkatërrimit total edhe se çatia është tepër e dëmtuar. E ndërtuar në mesin e vitit 1800 ajo dallon tipologjikisht nga gjithë banesat-kullë të krahinës. Ndërsa interesi ndaj saj shtohet edhe nga mjeshtëria dhe mentaliteti i gdhendjeve të shenjave në gurët e qosheve të kësaj banese, të cilat ruajnë kode të lashta të jetës së banorëve të krahinës.

Kode që koha në shumicën e rasteve i ka zhdukur si shpagim edhe për indiferencën e njerëzve që duhet të mbajnë përgjegjësi për "humbjen".

Në Shqipërinë e Veriut deri para disa viteve ruheshin tre banesa të quajtura kulla me karakoll. Karakolli ishte një ndërtim një kat më i lartë se ambientet e banimit me perimetër të vogël, i pajisur me frëngji dhe shërbente vetëm për mbrojtjen e banorëve të kësaj banese. Njëra prej këtyre banesave u përmbyt nga liqeni i Fierzës në fshatin Dardhë të Pukës. Tjetra në rrethin e Hasit do të rezistonte, por pa mundur të ekzistojë deri më sot. E vetmja "dëshmi" e këtij lloji banese është në fshatin Kokdodë të Pukës.

"Flijimi" në emër të rrugës

Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës prishi disa kulla, të cilat ishin në trasenë e kësaj rruge të domosdoshme dhe të mirëpritur. Ndër to ishte dhe kulla e Skanajve, e cila përmbante vlera tipologjike të banesës-kullë të Shqipërisë së Veriut.

Propozimi i disa specialistëve që të zhvendosej duke u rindërtuar diku tjetër, ra në vesh të shurdhër të pushtetit qendror dhe atij lokal.

Me vlera të jashtëzakonshme ishin edhe dy kullat e Përshqefajve në Bisakë të Fandit, të cilat u prishën për ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme dhe sot ngelen vetëm fotografitë e tyre me pjesët dhe elementet arkitektonikë, dyer, dritare me shumë interes.

Pa kujdesin dhe vëmendjen e duhur banesa e Shqipërisë së Veriut e tipit kullë është destinuar "të zhduket", megjithëse pasqyron një traditë të pazëvendësueshëm në ndërtim, në mënyrën e jetesës dhe të organizimit familjar.

BLERINA GOCE
03/09/2008 
Gazeta "Tirana Metropol"