Avni Rustemi ne Kryezi

Avni Rustemi ne Kryezi

Nga Osman Sh. Brahaj
Shkrimi është botuar në librin: Revolucioni i Qershorit 1924 në kujtimet e bashkëkohësve", Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1974.

Më 1921 Bajram Curri me shumë vullnetarë hyri në Mirditë nga Gomsiqja(1). Kur doli në Fushë-Arëz, duke kaluar nëpër Kashnjet, nga Shënpali, Gjegjani, Gojani e Shkoza erdhi e na la amanet Avni Rustemin. Avniun e la në Kryezi te shtëpia e Ahmet Beqirit. Ahmeti ishte burrë fort i vjetër. E ruante Avni Rustemin edhe natën. Me pushkë në dorë i sillej shtëpisë rreth e qark. Kisha shumë dëshirë ta shihja Avniun. Si mos ta shihja atë Avni që kishte vrarë Esad Pashën në Paris! S'e merrnim dot me mend! Njerëzit pyesnin të çuditur:  A ky e vrau Esat Pashën? Bre, Sa trim qënka ky!

Avniu, për çudinë tonë, as burrë i pashëm, as burrë asgan nuk qe! Ishte i shkurtër, po punën e kish bërë aq të madhe! S'na rrihej pa e parë në krye 3-4 ditësh. Ai kish vrarë Esat Pashën që i shiti Shkodrën Malit të Zi. Mjerim pau Shqipëria prej Esat Toptanit.
Avniun e ruante Ahmeti, po e ruanin të gjithë, e ruante krejt katundi. Çdo ditë ne s'mendonim për vehte, por veç për Avni Rustemin. Po të dyshonim sadopak, çoheshim të gjithë me pushkë e pa pushkë për të mbrojtur atë burrë që kishte qitë pushkë shqiptari në Paris duke habitur botën. Avnia ndenji tek ne nja dhjetë ditë a dy javë, derisa erdhi Bajram Curri dhe e mori.
Bajram Curri në Pukë gjeti bukë e zemër e burra, që qenë gati të shkonin pas tij. Sa herë na thirri, ne i shkuam prapa ku na priu ai. Lidhjet me të i kemi pasur të hershme. Qysh më 1911 ai u lidh fort me Pukën. Drejtonte komitët me Bajram Daklanin në krye.
Bajram Begu na mbante të bashkuar, muslimanë e katolikë. «Jemi shqiptarë, bre burra»! - na thoshte. Ai hinte e dilte edhe tek fukarenjtë. S'bënte dallim.
Një herë po vinte nga Iballa. Qëndroi te stanet tona.
Një plak e ndali për drekë. Bajram Curri nuk deshi ta rëndojë mikun dhe mori të ikë, porse plaku i tha: "A pse s'jam oxhak e derë e madhe, po m'hik kshtu-a?!» Burrit të maleve i erdhi rëndë: «Mos bre burrë, mos ma thuej atë fjalë, ja ktheu. Këtu n'bjeshkë e ke vështirë për veti". Mirpo plaku nuk ju nda: -Konak s'mund të baj, po pak bukë ta kthej, ashtu si çobanët. A s'je ti çobani jonë?» Bajram Curri u ul. Plaku shpejt e shpejt preu, ropi e poqi nji kec. Mysafiri mbeti i kënaqur. Nga shkonte e thoshte: «As në zotni, as në pashallarë s'kam hangër bukë ma të mirë e ma të ambël!».
Populli e priste Bajram Currin me zemër të hapët e me ç'i ndodhej përpara. E pritnin si njeriun e tyre. Po edhe Bajram Curri ishte i dashur.
Ndrelkë Llesh Gega, nga Qafë e Lumit t'Bardhë, ish fu¬kara e i këputur por Bajram Currin e strehoi për 3 javë resht. Ndërsa po e gjurmonin nga të katër anët, Ndreka nuk trëmbej aq nga Qeveria sa e brengoste halli që s'i gjendej bukë t'i jepte mikut të zemrës. Bajrami që ia ndjente dhëmbjen i tha një ditë: «Mos u likshto, o Ndrek Llesh Gega, se nji ditë kanë me marue hallet tona! Besaji Currit!». Ndrek Lleshi kish një gjel të mirë. E theri tinëz mikut. Kur ja shtroi në sofër, i tha: «Je kanë me t'pre kanë, po burri kthen bukë me atë që mundet, hej burrë! Hasmi e fukarallëku na kanë njekë kudo e gjithmonë, ne malsorëve. Bajram Curri e donte popullin, e populli e donte atë.
Kur Bajram Curri shkoi në Fushë-Arëz, më 1921 thirri Ndreken e i tha: «Ndrek Llesh Gega, do ta mundim shpejt fukarallëkun! Merri këto pare, qi kur të vij ndonji herë t'mujsh me m'ba konak e me m'pre kanë!». Pastaj thirri Kolë Varfin. Kola ishte trim i zoti. Nuk binte kurrë për dhe. Bajrami e dërgoi te Hasan Beg Vuçiterni, po e diktuan hasmët. Po Kola u shpëtoi duke u futur në nië kanal deri sa ra nata. Hoqi shumë keq Kola, po porosinë e kreu si burrat. Kola s'ju nda Bajramit deri në vdekje. Sa na rëndoi vrasja e tij! Edhe pse Zogu ishte në fuqi Prendush Gega i Kabashit nxori këtë këngë që e mësoi dhe e këndoi populli:
«I kam mush prot 80 vjet
Pa m'lidh krajl e pa m'lidh Mbret,
Per pa m'lidh kurrfar mileti;
Sod me m'lidh Kadri Mehmeti,
Ku me kanë ma i madh gazepi!
 Nxjerr patllaken e i ka ra veli.
Ahmet Begi ka rreh telin,
T'shtat Krajlave jau dha haberin ...
 


 
1) Është fjala për forcat vullnetare me në krye Bajram Currin që në vitin 1921 vajtën për të shtypur rebelizmin antikombëtar të Marka Gjonit në Mirditë, që nxitej e përkrahej nga shovinistët jugosllavë.