Parathënie për librin: "Skifteri I Munelles" të autorit Mark Mesuli.

Parathënie për librin: "Skifteri I Munelles" të autorit Mark Mesuli.

Parathënie për librin: "Skifteri I Munelles" të autorit Mark Mesuli.
Nga: Ndue Dedaj


"U përpoqa të paraqes në Bullgari një shqiptar", thotë personazhi i këtij libri në një nga bisedat e tij me autorin, duke kujtuar vizitën që pati bërë në këtë shtet ballkanik në mesin e viteve' 50. Të mbetën në mendje këto fjalë, të thëna aq urtisht e shqiptarisht. Ndoshta ngaqë përherë kemi dashur që çdokush që ka patur një mundësi të tillë, të lakmonte bash këtë status të pashkruar, paraqitjen (përmes vetëvetes) të thelbit të një shqiptari!. .. Ta bëjë këtë dhe sot e gjithë ditën cilido nesh që vete jashtë, qoftë diplomat, shkrimtar, artist, burrë shteti, emigrant, turist etj. Ka njëqind vjet që shqiptarët fisnikë lipsin ta përmbushin këtë, si një mision, që sikur buron nga ato vargjet e famshme naimi ane , ku poeti i lutet Shqipërisë t'i japë "emrin shqipëtar"!

Do të mund ta paraqiste shqiptarin, atje matanë kufinjve të vendit të vet, një i ri idealist mirditas, i etur për dije, shkencë dhe gjuhë të huaja, një shqiptar që i bën vend vetes kudo, por jo dhe në hierarkinë politike të vendit të tij, e cila e kishte graduar, po që kur ai të kalonte atë cakun e lejuar, do ta zhgradonte rrufeshëm, do t'i hiqte spaletat e ushtarakut, tejqyrat e sinoptikanit (parashikuesit të motit) dhe do t'i jepte arratinë në shkrepat e thepisur të vendlindjes, që të endej andej pa busull si një Robin Hud i shekullit modern, duke humbur njëherë e përgjithmonë aerodromin, qiellin dhe kalerimin nëpër re, çka kishte qenë pasioni dhe zanati i tij. Njeriu pa qiell, ishte më së pari njeriu "pa parti" dhe qenia i tillë ishte veçse një hap larg atij njeriut të klasave të përmbysura.

Bolshevizmi në pushtet po përmbyste tashmë bijtë e tij, një nga një, po krijonte me dashje klasën e re të përmbysur, atë të të deklasuarve komunsitë dhe ky është, mbase, paradoksi më i madh që ka parë bota e Lindjes në gjysmën e dytë të shekullit 20.

Por, përtej kësaj analize politiko¬historike, personazhi specifik i këtij libri, prapë nuk do të rreshte së qeni një iluminist, që do të vraponte për kah librat dhe dituria, duke krijuar një bibliotekë të rrallë për Naftën, naftëtarët dhe gjeologjinë e saj. Ama, qenia "pa parti", do t'i jepte atij serish teposhtën, do t'i vinte në dorë levat e fonditorit, shkrirësit të çelikut ... E prapë burri i ditur me shpirt artisti e mendje të kthjelltë dijetari do të vazhdonte t'i donte njerëzit si Krisht, të sakrifikonte për ta, dhe pse pas atyre fillim eve të lakmueshme, fati ishte sjellë keqas dhe huptazi me të, si me atë meteorin që shndrit njëherë dhe pastaj vjen e shuhet në sytë e të gjithëve.

N a kishin thënë se mësuesi i dikurshëm i letërsisë së Gjegjanit e Gojanit, Mark Mesu1i, që e kishte pas provuar penën që herët si korrespondent vullnetar në gazetat e kohës (por që e kishte lënë pastaj disi mënjanë të shkruarit, i tërhequr si duket nga detyrimet misionare prej arsimtari zone, prej të cilit zakonisht kërkoheshin të gjitha, edhe punët e arsimit, edhe ato shoqërore), kishte patur një bibliotekë si rrallëkush në ato anë ... Një shenjë e mbarë kjo se një ditë ai do të kthehej serish te libri, jo vetëm si lexues, por për t'iu bërë vend në bibliotekë dhe një dore librash të tij, që me siguri dikur nuk i kishte menduar! Është i treti botim ky në pak vite dhe lexuesi do t'i falenderohet që i solli përmes këtyre fletëve një personazh të denjë për një roman biografik, simbolin e njeriut të ditur e të paepur në jetë, një nga ata shqiptarë për të cilët ky vend ka gjithnjë nder ...

Nuk është e rastit që lexuesi do të pikasë në këtë libër një lidhje të pazakontë të autorit të librit me "heroin" e tij, disi dhe emocionale, që e ka shpjegimin në atë që protagonisti ishte njeriu që i kishte munguar gjatë atij dhe risjellja në një kohë tjetër e njeriut që të ishte përdjerrë pa faj, është një barrë sa fisnike aq dhe morale për shkruesit e sotëm. Autori, që vitet e fundit i është përkushtuar të shkruarit plot pasion për vendlindjen, vajti dhe e gjeti të "munguarin" e vet atje larg, duke u magjepsuar e shndërruar në një ithtar i tij, njeriut që vazhdonte të bënte zakonin e fisnikëve të letrave, atë të të mosfolurit për veten. Por, sidoqoftë, gjatë rrëfimeve, biografi kishte mundur të ftillonte dhe dashuritë e personazhit të vet, që e bënin dhe më kuptimplote jetën e tij, mbase dhe nga fakti se ai në jetën vetjake zbaton "urdhërin" poetik të Shandor Pëtefit - sakrifikimin e dashurisë për Atdheun, ndërkohë që lulet i vendos te varri i Dantes!

... çka nënkupton se tek ai ishte ndërdyzur, dhe militanti revolucionar, i paracaktuar nga rrethanat të ishte i atillë, dhe njeriu i lirë. Në dashurinë e tij, me një vajzë gjermano-kroate, befas hyn politikë-prishja e dy shteteve dhe ia mbyt atij të parën dashuri, duke e ndarë nga ajo; pastaj ndërhyn politiko¬ideologjia e shtetit amë (shkak bëhet biografia e vajzës tiranase me të cilën do të martohej) dhe ia fishk dhe dashurinë e dytë. Kështu, dashur pa dashur, ai mbërrin tek ajo që e quan si "e treta, e vërteta". Ky individ të kujton dhjetra intelektualë të tjerë shqiptarë, që asokohe kaluan nëpër të njëjtin kalvar dashurish të helmuara, prej traumës së madhe politike në bllokun komunist të Lindjes ...

Zotëria i këtij libri, është njeriu që (ri)vjen, që ka për zemër si burrat e dheut të maleve shqiptare, si filozofët e lashtë a shkrimtarët e përbotshëm, të cilët i citon pareshtur, ngaqë janë mishëruar thellë në dituritë e tij encik10pedike e ku jo rastësisht portreti i tij është i mveshur me metafora fisnikësh, si "ambasador" i Mirditës në Myzeqe, "intelektual elite" etj. Pa qenë njeri i zëshëm e i pushtetshëm, kryetar rrethi (që mund të ishte), pa qenë ministër (që mund të ishte), pa qenë komandant aviacioni (që mund të ishte), pa qenë ambasador (që mund të ishte), më e pakta në Bullgari... por duke qenë thjesht ai, njeriu me emrin e gjatë e të varguar, si në baladat kreshnike të dheut të vet, Pal Nikoll Prendi (Marku), prej Kimzës së Dheut të Spaçit, ku dikur, në një kullë malesh, prej të parëve të tij, kishte qenë formuar e firmosur një qeveri shqiptare e Pavarësisë, një qeveri që nuk kishte mundur të rronte, të ishte as "e përkohshme" ...

Diku autori i librit shkruan dhe këtë frazë: "dy si ata të dy", një shprehje sintetike krejt e veçantë, që mban brenda saj mbërthyer si një përgamenë shpjegimin e jetës së dy vëllezërve, të cilët i "vllaznoi" dhe më shumë dija e dituria, pasi dhe i vëllai i oficerit të sinoptikës, inxhinier Dedë Marku, është një personazh i botës kërkimore shkencore shqiptare, autor projektesh, raportesh dhe zbulimesh gjeologjike, por dhe monografish studimore, që veç të tjerash, do të mbahet mend dhe si ai studenti shqiptar që (në një ekspeditë gjeologjike studentore ruse në vitet '60) kishte vajtur në Polin e Veriut, duke qenë kështu i pari shqiptar që shkilte në atë skaj të globit...

Nuk është e rastit që burri i këtij libri, siç mund ta vërejmë sadopak dhe përmes mini¬albumit fotografik që ilustron këto shënime kushtuar tij, miqtë i ka të shumtë e të larmishëm, aviatorë të përmendur, që nga Niko Hoxha në vitet e hershme, shkrimtarë apo artistë të shquar si Dritëro Agolli, Çesk Zadeja, Nasha Jorgaqi, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Ndrekë Luca, Kiço Londo, rapsodi i vendlindjes Frrok Haxhia, gazetarë të njohur si Mustafa Nano, Fiqiri Sejdia, Vasil Gjylameti, Piro Naçe etj.
Së fundi, teksa mediton rreth ekuacionit të çuditshëm të jetës së tij, i falesh dhe një herë atij për tiparin e pashprishur të racës, si një bir i paepur i maleve tona, dalë prej shpirtit të bardhë të kreshtave të Munellës, për të paraqitur në Jug një mirditas diturak, kurse jashtë vendit një shqiptar të kulluar...