Udhërrëfyes i dijes dhe i kulturës - Xhemal Meci

Udhërrëfyes i dijes dhe i kulturës - Xhemal Meci

Kushtuar mësuesit dhe studiuesit të palodhur pukjan, Xhemal Meçi


Xhemal Meçin në Pukë e njohin si mësues të pasionuar, si studiues të palodhur, por dhe si autor librash.
Jeta e tij i është kushtuar mësuesisë dhe punës së palodhur për të për të edukuar brezat e rinj me dashurinë për dijen dhe kulturën. Emri i ti përmendet shpesh edhe tani që është në pension, kur me ndjenjën e seriozitetit dhe të përgjegjësisë të tërheq në bisedë për historikun e rrethit të Pukës, të fton në muzeun e Migjenit dhe nis e të flet me pasion e dashuri për poetin e madh të Shqipërisë, që u shua në moshë fare të re, por që la pas një vepër të paharruar për vlerat e saj letrare, artistike dhe ideore. Xhemali është i kudondodhur, në veprimtaritë e shumta të qytetit të Pukës, ku është shpesh i ftuar në vendin e nderit, por veçanërisht në shkollat ku fëmijët dhe mësuesit ndjejnë nevojën fjalës së tij të ngrohtë dhe të mençur.
I ri fare në moshë, sapo mbaroi universitetin për Gjuhë letërsi, ai punoi fillimisht në fshatin Kaftallë. Ishte viti 1953 kur shumë gjëra të domosdoshme për zhvillimin e mësimit mungonin, por kjo nuk e stepi dëshirën dhe pasionin e mësuesit të ri, i cili iu përkushtua tërësisht punës për ndriçimin e mendjeve të vogëlushëve. Pas pune atë e gjeje shtëpi më shtëpi, duke pyetur e bashkëbiseduar për hallet dhe problemet, por edhe për origjinën dhe lashtësinë e fshatit dhe të asaj treve, për zakonet dhe fjalët e urta, për besën dhe mikpritjen tradicionale, teksa në godinën e shkollës hidhte shtat muzeu i fshatit. Ky pasion i zjarrtë i Xhemalit vijoi më pas edhe në fshatrat e Qelëzës, në shkollën 7-vjeçare "Jordan Misja", në qytetin e Pukës, në Luf, Qeret, Kryezi etj. Dhe puna, vlerat e tij si mësues, studiues, si publicistë dhe njeri me interesa të gjera e ngritën në përgjegjësi më të mëdha, në Kabinetin Pedagogjik, në Muzeun e rrethit të Pukës, duke u shquar edhe si ciceron, historian dhe studiues i talentuar. Njihen në Pukë Konferencat dhe takimet me karakter studimor e shkencor, që janë zhvilluar në Pukë me tematika të ndryshme dhe të larmishme dhe që në qendër kishin gjithnjë kulturën, historinë, arsimin dhe përparimin.
Duke sjellë ndërmend librin "Udhërrëfyesit e dijes" të gazetarit të palodhur pukjan Gjon Gjoni, është interesante të nënvizojmë se Xhemal Meçi, ky njeri dhe studiues i përkushtuar, duke ecur në gjurmët e Gjeçovit, arriti që në vitin 1977-2002 të botoj përkatësisht veprat "Kanuni i Lekë Dukagjinit", në variantin e Pukës dhe "Kanuni i Lekë Dukagjinit", në variantin e Mirditës. Dhe, duke vijuar citimin e Gjon Gjonit, mësojmë se këto dy botime janë rezultat i një pune shumë dekadash të Xhemal Meçit si studiues, fshat më fshat në rrethet Pukë e Mirditë. Por dashuri të madhe dhe të veçantë, Xhemali ka treguar vazhdimisht për Migjenin e Madh, duke i kushtuar botimin e njohur dhe shumëvlerësh "Migjeni në Pukë"(me bashkautor) si dhe librin "Puka në lashtësi", një botim ky i vlerësuar si mjaft dinjitoz. Xhemalin, ndonëse është në pension, e gjen kudo dhe kurdoherë të gatshëm për të folur për Pukën dhe problemet e saj, për njerëzit e mirë dhe punëtorë, arsimin, kulturën, folklorin e mrekullueshëm…
Dhe ky njeri i palodhur dhe plot gjallëri vazhdon të punoj sikur të ishte i ri, duke hedhur mënjanë vitet e moshës dhe duke iu përveshur punëve dhe realizimit të planeve të reja për të ardhmen…Si shumë njerëz të tjerë njerëz në Pukë, edhe unë si autor i këtij shkrimi, ndjejë respekt të veçantë për këtë njeri të dashur dhe të thjeshtë, për të cilin ruaj kujtimet që nga fëmijëria, kur i vogël në moshë dhe në trup, me një çantë të thjeshtë, erdha nga Mërturi
i largët i rrëzë Alpeve e buzë Drinit ujëshumë në qytetin e vogël, modest dhe të bukur të Pukës për të vazhduar shkollën dhe jetën konviktore. Që prej vitit 1963 ruaj në mendje zërin e tij tingëllues, dashamirës dhe të ngrohtë, që na tërhiqte shumë ne nxënësve të vegjël konviktorë që vinim nga larg dhe, ngrohtësinë e vetme, e gjenim aty, tek mësuesit tanë të dashur. Dhe, pastaj vlerat e Xhemal Meçit dhe të kolegëve të tij mësues, unë dhe të tjerët do t`i ndjenim në vitet e ardhme, kur dhe shumë prej nesh do të bëheshim mësues dhe do ta kishim Xhemal Meçin dhe shokët e tij si udhërrëfyes të përhershëm të kulturës dhe të dijes …

Bardhok Marashi
Ish nxënës dhe koleg i Xhemal Meçit