Shkodranët kërkojnë teatrin - Fran Vukaj në Teatrin Migjeni

Shkodranët kërkojnë teatrin - Fran Vukaj në Teatrin Migjeni

Drama "Ylli i mëngjesit", e shkruar nga Odise Plaku dhe e vënë në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës nga regjisori Edmond Mëhilli, është shfaqur për tri net radhazi, por interesi dhe kërkesa e artdashësve shkodranë për bileta ende vazhdon. Burime nga teatri se për këtë shfaqje është shënuar një interesim rekord nga spektatorët, një pjesë e të cilëve nuk ka mundur ende të sigurojë biletë në tri netët e para. 

Ata thanë se çdo natë shfaqja është ndjekur nga më se 500 spektatorë në plate, të pajisur me bileta dhe nga shumë të tjerë që kishin zënë vend në lozhat. Për këtë arsye, drejtuesit e teatrit "Migjeni" po shikojnë mundësinë që shfaqja e dramës të vazhdojë edhe disa ditë të tjera për publikun shkodran. Drama ka në qendër raportin e prindit me fëmijën, braktisjen dhe vetminë. 

Krahas këtyre, ndeshet dhe tema e korrupsionit. Autori i dramës, Odise Plaku, shprehu kënaqësi për suksesin dhe vërejti se tema e trajtuar prek pak a shumë të gjitha familjet shqiptare. Ndërsa regjisori Edmond Mëhilli, një emër i njohur i skenës së këtij teatri, por që mungonte prej vitesh në këtë skenë, tha se drama u përcjell edhe një mesazh të rinjve, të cilët një ditë do të ndahen nga prindërit, por, vërejti ai, "e ardhmja e tyre dhe e prindërve të tyre nuk duhet të jetë si në këtë dramë". 


Duartrokitje të shumta mori dhe aktori i rolit kryesor, Enver Hyseni, i cili paraqiti figurën e babait të braktisur. "Aktori e ka për detyrë të sjellë interpretime, kujtesa dhe emocione në rolin e tij, por unë do të doja të theksoj një fakt real që më ka shoqëruar në këtë rol, pasi edhe mua më ka lënë nëna 9 vjeç, dhe kur thosha "sa më ka dashtë mu nëna e jeme…", e kisha sinqerisht edhe për vete", - thotë Hyseni. Në luajtën Fran Vuka, aktor nga qyteti i Pukës, në rolin e djalit dhe Rajmonda Marku, në rolin e nuses së tij, si dhe Rita Gjeka, Agron Dizdari, Marije Qyrsaqi dhe Anton Krosaj.


Marrë nga gazeta "STANDART"