Pjesë nga Libri: Biri i Kryeziut Allaman Dervishi, të autorit Sefer PASHA.

Pjesë nga Libri: Biri i Kryeziut Allaman Dervishi, të autorit Sefer PASHA.

Pjesë nga Libri: Biri i Kryeziut Allaman Dervishi, të autorit Sefer PASHA.
Allaman Dervishi ka lindur në 20 shtator të vitit 1969 në fshatin Kryezi të rrethit të Pukës. Babai i tij quhej Nuh, kurse nëna Gjyle. Siç e shpjegon nëna Gjyla, Allamani ka lindur një ditë vjeshte në stan tek Ara e Epërme. Ka qenë kohë e keqe aq sa degët e shiut vinin me rrëmbim nga bjeshkët rrotull stanit. Nuk mund të nxirje dot kokën. Erërat përplaseshin nga Lavra e Dardhës, Livadhi i Pelave
 
e gjer tek Guri i Madh përballë fshatit Kryezi. Pylli mbi Arën e Epërme përmbysej e ngrihej si në një valle të egër. U shkulën lisa, mollë e qershi të vjetra. E megjithëse koha që e mbrapshtë, sipas zakonit Nuh Dervishi qëlloi me pushkë. U shtua me djalë. Atje në cep të stanit tek dëgjonte meloditë e mijëra violinave të erës, ndërsa Allamani i vogël klithte si zog kaprolli, Nuh Dervishi merr çiftelinë e këndon një këngë kreshnikësh. Ishte këngë e re për djalin e porsa lindur.

N uh Dervishi ka kënduar i vetëm shumë gjatë gjersa përcolli dallgët e shiut dhe ciklonin e madh. E pushoi këngën, kur e kunata Xhemilja, gruaja e Brahimit, e cila ishte dhe mamia e Allamanit do t'a qetësonte e do t'i thoshte se Gjyla ishte mirë, kurse djali kishte lindur i shëndetshëm dhe i bukur si pëllumbat e Kroit të Zengjinit.

Allaman Dervishi pati një jetë të shkurtër. Ai jetoi vetëm 34 vjet. U rrit në një familje të madhe. Qe djali i katërt i Nuh Dervishit. Pranverat e jetës së tij i kaloi mes vëllezërve e motrave, të cilët qenë tetë, pesë vëllezër e tre motra, Shkëlzeni, Bilbili, Gajuri, Napoloni, Zenepja, Selvia dhe Mandarina.

Fëmijëria e Allamanit Dervishit ishte e brishtë, e bukur, e ëmbël dhe me drama si e të gjithë moshatarëve të tij në Kryezi. I edukuar nga baba Nuhiu e nëna Gjyla, Allamani çap mbas çapi do të rritej në një familje atdhetare. Kur ishte ende i parritur bashkë me vëllezërit do të ruante bagëtinë tek Shtëpia e Poshtme, Brraka e Lugjeve, Kopshti i Epërm, Ara Tej, Grezdet, Guri i Ndrikullës, Curri i Hithit, Mrrizi i Zallit, Brijat e Kunorës anës lumit të kulluar të Kryeziut, rudinë më rudinë e nëpër korie.

Anës gjerdheve me thana me orë të tëra në livadhet e mahnitshme të Arës së Epërme, Allamanido të ndiqte zogjtë, thëllëzat, lepujt, do të freskohej tek Burimi i Gështenjave e do të mblidhte manaferrat e shijshme rrëzë pyllit me lisa, me mollë e me qershi.

Në Kryezi pas gjurmëve të Allaman Dervishit nuk e ke të zorshme të zbresësh në botën e fëminisë së tij. Nënë Gjyla tregon me pikëllim dhomën ku flinte Allamani i vogël, rrobat karakteristike që vishte e lodrat që luante. Ajo e brengosur flet për udhët ku lëvizte i biri, i cili nuk jeton më, prek me duar kroin ku pinte ujë tek Ara e Epërme, livadhet ku luante me vëllezërit e motrat, numëron pemët kur Allamani ngjitej gjer në majë e ajo e qortonte që të zbriste se mos rrëzohej. Ajo bën me shenjë në drejtim të furriqeve me thëllëza e mëllenja, ku çapkëni i ardhshëm ngrinte gracka e gjuante me llastik. Po mbushen 34 vjet që kur Allamani pesë vjeçar ka mbjellë një qershi në Arën e Epërme, e cila është ende e shëndetshme e që ndoshta kërkon të zotin që e ka mbjellë.

Mbjellja e kësaj qershie ka një histori me vete. Allamani i vogël gjen sythin e kësaj qershie, e cila kishte mbirë në bajgën e një ariu sipër mbi pyllin me lisa nga ku duken bjeshkët e Fiereve të Vjetra. E merr bajgën me bistakun e qershisë, e mbledh me kujdes, e ruan se mos i shkërmoqet dhe e mbjellë në të djathtë të Arës së Epërme. Që filizin e qershisë të mos e dëmtonin bagëtitë e thur me thupra shelgu, të cilat i mori anës së lumit të Kryeziut. Dhe qershia zuri e u rrit bashkë me të. Vëllezërit, Shkëlzeni, Bilbili dhe Gajuri tregojnë me gisht drurët që ka mbjellë Allamani, siç janë arat, qershitë, mollët, dardhët, manat e hardhitë nëpër lisa.

Nëpër monopate, në livadhe e në bjeshkë Allamani i vogël do forconte muskulaturën e gjunjëve e do të mprehte sytë. Ëndërrimtari i ardhshëm do miqësohej me shpendët, me lejlekët të cilët parakalonin anës lumit me gjelat e egër, me bletët, patat, korbin, rosat e egra, qyqen, kalin e qyqes, pëllumbat e egër, dallëndyshet, grifshat e shqiponjat.
Edhe 

sot poshtë stanit ku lindi Allamani është në majën e një lisi një fole shqiponje. Djaloshi i çuditshëm do të mahnitej nga ato që i tregonin vëllezërit më të mëdhenj. Shqiponjat i ndërtojnë foletë lart në Kunorën e Dardhës dhe tek Brraka e Pelave. Ato nuk i ndërtojnë çerdhet nëpër zona të banuara.

Vetëm në pronën e tyre në Arën e Epërme, një shqiponjë i rriste zogjtë në mes të livadheve, jo shumë larg stanit dhe për habinë e të gjithëve shqiponja gjuante larg për t'u siguruar ushqim të vegjëlve. Në stanin e tyre ajo nuk bëri kurrë dëme, s'gjuajti as në pula dhe as në shqerrat e njomë, të cilët blegërinin e herë pas herë flinin në livadhet e Arës së Epërme. Edhe kur do të rritej Allamani do ta tregonte historinë me shqiponjën, komshinë e përhershme të familjes së Nuh Dervishit.


Baba dhe nana e A. Dervishit

Siç tregon nëna e Allamanit, Gjyla, i biri që në hapat e parë të jetës edhe kur rrëzohej rudinave të thikta apo nëpër shkëmbinjtë e pjerrët, në ara, në bjeshkë e në mal edhe kur mblidhte boronica, ai do t'i mbushte duart me lulet e panumërueshme të Arës së Epërme. Ditë pas ditë e orë pas ore do të mësonte emrat e luleve e në oborrin e shtëpisë përpara vëllezërve e motrave ai do t'i thoshte të gjitha emrat e luleve, të cilat i kishte mbledhur fije për fije. Emrat e luleve s'kishin të sosur. Kur vëllezërit e motrat e kundërshtonin, Allamani pyeste baba Nuhiun e nënë Gjylen dhe lulet i rreshtonte sipas emrave pasi i varte në degën e mollës. Lulja e akshamit, e akullit, e arushës, e bletës, e borës, e deles, e derrit, e diellit, e djathit, e dushkut, e fierit, e filxhanit, e gjakut, e këmborës, e lepurit, e pjatës, e qenit, e qyqes, e shpatës, e vedrës, e vjeshtës, e yllit, e zogut, e shqiponjës, e sharrës e tamblit. Kur tufa e luleve mbaronte Allamani ulej nën hijen e arrës. I kam mbledhur të gjitha lulet mbi Arën e Epërme u thoshte vëllezërve dhe motrave. Por më të rriturit e kundërshtonin, sidomos Shkëlzeni dhe Bilbili. Ku mbarojnë lulet e Kryeziut shtonin ata. Ti Allaman je ngjitur gjer tek stani aty ku rri zogu i borës. Nuk ke dal tek Livadhi i Hurdhave, as tek Laku i Qymyrit, as tek Ujërat e Diellit, e as tek Brraka e Pelave. Ç'lule të tjera ka andej? Emrat s'ua kemi mësuar ne, e jo ti që je ende i vogël. Dhe Allamani vihej në sedër. Të nesërmen ngjitej më lart e gjente lule të tjera të panjohura, i bënte tufa e përsëri u vinte nga një emër.

Sa më shumë rritej Allamani aq më lart ngjitej. I vetëm shkonte gjer aty ku mbaronin Arat e Epërme. Drejt bjeshkës ngjitej me shokët e mahallës. Allamani i shkathët bjeshkën e pushtoi pjesë - pjesë, gjersa arriti tek Kunora e Dardhës. Prej aty djaloshi kureshtar e treste vështrimin më tutje ku kishte ujëvara, përrenj, bjeshkë e male të tjera më të larta. Dalëngadalë kodra mbi Arën e Epërme do t'i dukej e vogël dhe shtëpia në Kryezi do t'i ngjante sa një top dëbore. Bota në sytë e Allamanit bëhej më e madhe, e ai shumë gjëra nuk i kuptonte dot. Sa herë kthehej nga bjeshka bënte pyetje të panumëroeshme. Nënë Gjyla e lodhur nga pyetjet, shpesh të pakuptimta e porosiste të shkonte të lahej tek çezma. Kur të rritej do t'i kuptonte të gjitha.
-Kur je i vogël - shtonte nëna, duhet të dish sa di i vogli, ke kohë për të mësuar se çfarë ka pas Kunorës së Dardhës.

Allamanin e çudiste bjeshka. Ajo ishte për të e habitshme. Në bjeshkë fshiheshin thesare, aty kishte pasuri, brenda pyjeve të saj fshiheshin zanat por dhe gjëra të këqija, prej të cilave duhej të ruhej. Në Lakun e Qymyrit, kur kishte shkuar për të mbledhur boronica dëgjoj për herë të parë kuisjen e një ujku, megjithëse për ujkun kishte dëgjuar të flitej në odën, ku flinte me vëllezërit. Ujku qe bërë sebep Që në shtëpi në disa raste të kishte grindje. Vëllezërit më
 
të mëdhenj nuk e ruanin mirë tufën e bagëtive dhe ujqërit bënin ndonjë dëm. Baba Nuhiu nevrikosej e nuk i kursente qortimet. Nuk ishin vetëm ujqërit, por dhe arinj të ishin të çuditshëm. Allamani kishte marrë porosi nga baba që të ruhej nga ujqërit, nga arinj të, nga çakejtë, por Allamanit arinjtë i dukeshin më miqësor. Me shokët e mahallës diskutonte shumë për arinjtë. Ata futeshin me guxim jo vetëm në Arën Epërme, por dhe në Arën e Poshtme, bile afroheshin gjer në kopshtin me lakra e domate. Arinjtë shkundnin me gur dardhat, mollët, qershitë, shqyenin gardhet, hynin fshehtas në stan e merrnin mishin pastërma, e ç'të gjenin, bile dhe shekat me turshi. Baba Nuhiu nuk dilte kurrë në Arën e Epërme, por dhe në bjeshkë pa armë. Arinjtë që rrinin rrotull stanit e njihnin atë, e sa dilte ai i armatosur ata largoheshin të lebetitur në pyllin me lisa.

Megjithatë nga baba Nuhiu dhe nga nëna Gjyla, Allamani ende i parritur do të mësonte se ariun po të mos e ngacmosh është i dashur. Ariu bën të mira, në bjeshkë ka shpëtuar njerëz nga vdekja, ndihmon të plagosurit, u tregon udhën të panjohurve, i çon tek burimet e fshehura në mal, dhuron hoje mjalti e nuk i qas tufat e ujqërve në afërsi të banesave, të cilat i quan prona të tija.

Lumi i Kryeziut mbeti për Allamanin e vogël një përrallë me shumë seri. Ato që dëgjonte në odën ku flinte i shikonte me sy, kur ditën në piskun e vapës udhëtonte drejt burimeve ku buronte lumi. Po burimet e lumit ishin larg nëpër skutat e zallit të zi, ku ai nisi të zërë me duar e më vonë me kosha troftat e shkathëta, të cilat ngjiteshin në majat e shkëmbinjve. Ashtu si bjeshka dhe lumi u bë për Allamanin një enigmë, ku ai nuk depërtonte dot me shokët e mahallës. Burimet fillonin pika, pika nëpër shkëmbinjtë e Kunorës së Dardhës e këto pika bënin lumin e madh, që shpesh në kohë ciklonesh, përpara shtëpisë së tij ngjitur me Arën e Poshtme, tek mulliri, lumi sillte lisa në këmbë, trungje, copëra akulli e tufa me bar mali. Kur vinte me dallgë të mëdha sillte e flakte buzë Arës së Poshtme derra të egër të mbytur, kaproj, lepuj, shpend e lule mali. Me të filluar shkreptimat në Kunorën e Dardhës Allamani me vëllezërit, Shkëlzenin, Bilbilin, Gajurin e Napolonin, me kushërinjtë e shokët e mahallës do të zinin brigjet e lumit që vinte nga lart, në pritje se çfarë do të sillte ai. Kush ishte më i zoti do të kapte mes dallgëve gjëra të mira që do t'i duheshin shtëpisë.

Në pellgjet me zeje të zinj Allamani mësoi të notonte, të gjuante, të vërshëllente e me shelgjet e njomë në fillim të muajt maj nisi të bëj pipëzat e bilbilat. Me melodi të e pipëzave e të bilbilave ngjitej me të vëllezërit nëpër udhën me gardh anës Arës së Poshtme, e ulej duke kënduar nën hijen e mollës në avlli të shtëpisë. Pushonte vetëm atëherë kur nënë Gjyla u shtronte për të ngrënë mish të pjekur, përshesh me qumësht, bukë misri e djathë të njomë. Siç tregon nëna e tij Gjyla, Allamani kishte qejf të përdorte lugën e drunjtë, të cilën e kishte gdhendur axha i tij Hyseni, lugë e cila qe ruajtur në shtëpi deri vonë.

Para se të flinin gjumë Allamani dëgjonte nga vëllezërit më të mëdhenj, nga Shkëlzeni dhe Bilbili histori të ndryshme me dreqër e jezitë. Bisedat s'kishin të sosur. Ato ndërpriteshin kur kërcisnin trarët, mbanin frymën e mbuloheshin me jorgan dhe me velenxat e leshit. Nëna u kishte thënë se kërcitja e trarëve nuk ishte shenjë e mirë. Edhe për kuisjen e qenit në Arën e Poshtme ose mbi shtëpi tek mollët e verdha, Allamani me të vëllezërit diskutonin tërë ankth. Allamani kishte dëgjuar nga gratë e mahallës, se kur një nga qentë e lagjes klith e lëngon me turi nga Kunora e Dardhës dikush do të vdiste. Dhe bisedat vazhdonin deri në orët e vona, kur nën psherëtimën e vijës së ujit, e cila kalon poshtë shtëpisë i merrte një gjumë i thellë e me ëndrra të shumta.



Kap. II.

A llaman Dervishi ka pasur fat të madh. Ai, ashtu si dhe të shtatë fëmijët e tjerë është edukuar nga një baba i virtytshëm, që sidomos për një pjesë të jetës edhe mitologu më pasionant do të hulumtonte papushim për t'ju përqasur kësaj figurë sa brilante aq dhe enigmatike. Nga të katër djemtë e Elez Dervishit të cilët ishin: Hyseni, Bislimi, Brahimi dhe Nuhiu, babai i Allamanit, Nuhiu, mbetet për familjen dhe për të afërmit një univers i panjohur me thekse të fona profetike. Allamani, ashtu si dhe nëna Gjyla, vëllezërit e motrat, kishin dëgjuar nga goja e Nuhiut ndonjë detaj nga jeta e tij si ushtar në vitet e Mbretërisë (1937- 1939), kishin dëgjuar gjithashtu për udhëtimet e jetën që kishte bërë në Maqedoni, në Kosovë, në Vishegrad e në të Mal të Zi. Për këto kishte folur vetë Nuhiu, por ka dhe zëra të përcjella gojarisht se prej Maqedonisë, ai ka shkuar në Greqi e më tej në Bullgari.

Nuh Dervishi në një pjesë të jetës është udhëhequr nga një nomandizëm i pashpjegueshëm tërësisht. Sigurisht që në Kryezi ka pasur probleme, por nga kërkimet e imta del se Nuhiu shumë çështje në rininë e hershme mund t'i kishte zgjidhur brenda Kryeziut, por mesa duket odiseja e pabesueshme e udhëtimeve të njëpasnjëshme lidhen me karakterin e pangjashëm të tij me vëllezërit e kushërinjtë në Kryezi.

Allamani habitej kur prej baba Nuhiut mësonte se, në ushtrinë Mbretërore ai kishte mësuar e fliste bukur
 
italishten. Më vonë në Mal të Zi, në Kosovë e në Maqedoni, gjithashtu kishte mësuar serbo - kroatisht, të cilën e fliste dhe e shkruante qartazi. Allamani jetoi me baba Nuhin vetëm 23 vjet. Kjo për arsve të jetës së paeksplorushme të Nuhiut, i cili ishte martuar në moshë të madhe 38 vjeç (Allamanit do t'i ndërpritej jeta në moshën 34 vjeç). Gjatë gjithë jetës Allamani edhe pse shumë i lidhur me babain e pati të vështirë të depërtonte në thesaret e panjohura të njeriut të pashëm, i cili kishte lindur në Kryezi, pati bërë jetën e malësorit, njihte e zbatonte zakonet, kishte jetuar gjithashtu si no mad në Vishegrad, në Kosovë e Maqedoni. Kudo kishte mbrojtur energjikisht çështjet shqiptare. Kudo ishte shquar si virtuoz në mbrojtjen e fateve të vendit.
Nën ndikimin e të vëllait më të shkolluar Bilbilit, së bashku me vëllezërit e motrat, si dhe me ndihmën e nënë Gjylës, Allamani përpiqej të bënte kronikanin e jetës së babait, por vazhdimisht shumë ngjarje mbuloheshin nga mugëtira e ca fenomene nuk i shpjegonte dot. Nuk kapej filli i zanafillës. Nuh Dervishi me pamjen e një profani edhe pse përpara fëmijëve sillej si një zemërpetrit, për bijtë dhe për gruan Gjylën mbeti një pikë skajore, një meteor që u shua pas një lodhje të gjatë në dalldi në e vet.

I ulur pranë oxhakut që bubullinte nga drutë e lisit, Allamani i njomë do të dëgjonte rrëfimin e dhimbshëm të babait mbi udhëtimin e paimagjinueshëm të nënës së tij Shkurtës, gjyshes së Allamanit. Ai dëgjonte e mahnitej me udhëtimin e gjyshes që nuk ishte përrallë, por kishte qenë një udhëtim i vërtetë, i cili kishte filluar nga shtëpia në Kryezi, në Flet, Va-Spas, Perollaj, Letaj, Goden, gjersa kishte përfunduar në Gjakovë. E gjithë jeta e gjyshe Shkurtës kishte qenë e sikletshme me një lëngatë të gjatë, e me një merak të madh për shtëpinë, të cilën e kishte lënë mbrapa në Kryezi për pasurinë, për arat e për gurët e zallit të lumit të Kryeziut. Gjyshja e tij e famshme Shkurta, nuk ishte kthyer më. Ajo kishte vdekur në Gjakovë e ishte varrosur në vorrezat e mëdha të Mahallës së Kusarëve, në rrethimin e xhamisë në Gjakovë. Të bijtë e Nuh Dervishit nuk e kishin harruar gjyshen e vuajtur. Ata e kishin kërkuar dhe e kishin gjetur vendin tek xhamia ku ajo ishte varrosur dhe prehej shpirti i saj.
Allamani kur ishte ende i ri, por edhe më vonë kur u bë punonjës në Policinë e Shtetit do të interesohej me kureshti për njerëzit e trungut të fisit në Gjakovë, të cilët e strehuan gjyshe Shkurtën e ndihmuan ekonomikisht dhe e varrosën me dinjitet, siç dinë të bëjnë miqtë me zakone të moçme në Malësinë e Gjakovës. Allamani e dinte, se vetëm Bilbili po merrej me hulumtimin e të parit të fisit, që strehoi gjyshen e tyre të mirë.

Me gjithë përçapjet që bëri Allamani brenda mundësive e kulturës së tij, por as ai dhe as vëllezërit e tjerë, Shkëlzeni, Bilbili, Gajuri e Napoloni, nuk mundën njëherazi të saktësojnë jetën energjike e me plot të panjohura të babait të tyre Nuh Dervishi, që në vështrimin kronologjik në shumë pika për bijtë jeta e Nuhiut mbeti e pazbuluar e që kërkon një varg verifikimesh. As Allamani, as nënë Gjyla dhe as vëllezërit e motrat nuk e mësuan dot përpikmërisht se kush qe miku i Nuh Dervishit, Gajur Deralla. Vet Nuhiu pati thënë pak gjëra për komandantin e tij të viteve të ushtrisë në Mbretërinë Shqiptare, Gajur Deralla nga Gostivari, për të cilin ai ushqeu një simpati të jashtëzakonshme gjatë gjithë jetës. Ishte ky respekt për komandantin nga Gostivari që Nuh Dervishi, njërit prej djemve të tij i vuri pikërisht emrin Gajur, me qëllim që komandantin e tij interesant Gajur Derallën t' a kujtonte çdo minutë e çdo orë në Kryezi në verilindje të Pukës. Rrallësia e burimeve të cunguara të informacionit dhe natyra enigmatike e Nuh Dervishit nuk
 
i lejoi të bijtë e tij të mësonin se kush qe në të vërtetë Gajur Deralla. Ç'lidhje mbajti me të Nuhiu, pas mbarimit të ushtrisë Mbretërorë në vitet 1937- 1939.

Allamani, vëllezërit e motrat dinin prej babait të tyre se Gajur Deralla ishte pasardhës i familjes me famë të atdhetarit të shquar nga Gostivari, Mehmet Pashë Deralla. Nuk ka pikë dyshimi dhe këtë Allamani e ka diskutuar më vonë me Bilbilin se, lidhjet e Nuh Dervishit me Gajur Derallën kanë qenë më të thella e më shpirtërore. Ato kanë vijuar edhe mbas mbarimit të ushtrisë, kur dihet që Nuh Dervishi ka pasur pasione të fuqishme në fushën e politikës, të atdhedashurisë, të ekonomisë, të kulturës e sidomos të folklorit. Nëqoftëse nuk do të ishin mbyllur kufijtë pas luftës është e padiskutueshme që Nuh Dervishi nuk do të ishte ngulur kurrë në çifligun e tij tek Zotnitë në Kryezi të Pukës. Mbas çlirimit të vendit, brenda ndërmarrjes së sharrës në Kryezi, Nuh Dervishi do të hapte një lokal që do të njihej në tërë zonën me emrin "Dugaja e Nuhisë". Aty Nuhiu u rrëfente bashkëfshatarëve, se shpesh pati udhëtuar me ditë të tëra nëpër malin me borë të Sharrit për të mbërritur në Gostivar, në Tetovë, në Strugë, në Ohër e gjer në periferi të Maqedonisë. Fshatarët e Kryeziut, të cilët mblidheshin tek "Dugaja e Nuhiut" e që punonin në ndërmarrjen e sharrës, mysliman e katolik përpara filxhanit të kafesë do të bënin debate të pafundme për botën e për hallet. Shpesh merreshin vesh, por ndodhte që mendimet të ndaheshin.

Allamani qe shumë i lidhur me babain. Përpara shtëpisë nën hijen e mollës, ndërsa Nuhiu punonte e pinte ndonjë gotë raki kajsie, Allamani e pyeste:
- Përse e kemi mbiemrin Dervishi?
- Dervish Aga qe i biri i Mehmetit me gruan e parë,
- përgjigjej, Nuh Dervishi.

- Dervish Aga u bë i fortë, paçka se babai Mehmeti qëndronte më shumë në Shkodër, ku kishte popullaritet. Katragjyshi ose Dervish Aga pati katër djem, Myftarin, Elezin, Hasanin, Halilin e Nuhiun. Tre të fundit nuk lanë trashëgimtar, ndërsa Myftari la dy djem, Selimin dhe Mahmutin, kurse Elezi la si trashëgimtar katër djem, Hysenin, Bislimin, Brahimin dhe mua babën tënd.
-Nuk e kuptoj përse ne e kemi mbiemrin Dervishi?- e pyeste sërish Allamani, i mbështetur pas një trungu arre, që shërbente dhe si tavolinë për mysafirët të cilët i sillte rruga dhe pinin nga një gotë raki kajsie të shoqëruar me djathë, spec djegës e me turshi.
- Allaman më lodhe! - vijonte Nuh Dervishi.

- Në të vërtetë Dervish Aga ka pasur një emër tjetër të

cilin unë nuk e di, por meqenëse la mjekër i mbeti emri Dervish. Thonë, që ka pasur një hall të madh, një pendesë shpirtërore dhe në shenjë të kësaj pendesë pati lënë mjekër. Elezi qëndroi në Stamboll, ku mendonte të tërhiqte të bijtë, por më 1919 në moshën 42 vjeçare vdiq. Pasardhësit e Myftarit, mbajtën mbiemrin Myftari, mbiemër që e mbajtën deri nga viti 2000. Ndërsa më vonë pasardhësit e Kajmakut e të Muslisë, që ishin vëllezërit e mëdhenj të Dervishit morën mbiemrin Musliu e disa Hamza. Pasardhësit e Elezit mbajnë mbiemrin Dervishi, ashtu siç e ka emrin dhe lagja "Dervishaj".

-Këta emra unë i kam dëgjuar disa herë?- thoshte përsëri Allamani me kureshtje.

-Për këtë pyetje ke të drejtë, - vazhdonte të përgjigjej Nuh Dervishi.

-Ka qenë zakon more Allaman denbabaden, që të përtëriheshin emrat e atyre të cilët ishin ndarë nga kjo jetë. Kjo bëhej në kujtim të atij që vdiste, sidomos përsëritej me çdo kusht kur i vdekuri kishte lënë një emër të mirë.
 
Allamani që kur ishte i vogël, ashtu si gjithë familja dhe fisi të cilët kishin paqartësi të skajshme rreth jetës prej nomadi e pelegrini të Nuh Dervishit, i cili një pjesë të jetës e kaloi në vise të panjohura të Ballkanit dhe që për këtë pjesë të jetës preferonte të heshte, pjesa tjetër e jetës ajo në Kryezi e në tërë rrethin e Pukës shndriste e dukej si rrezet e diellit prej fildishi, që vareshin si lastar mbi Gurin e Ndrikullës. Qysh kur ka hedhur hapat e parë në jetë, siç tregon nëna Gjyla, Allamani e ka ndjekur nga pas të paimitueshmin Nuh Dervishi. Ai është përpjekur t'a imitojë të paarritshmin baba. Edhe Shkëlzeni, Bilbili, Gajuri e Napoloni të njëjtën gjë kanë bërë, por Allamani e ka ndjekur babain në një pikë ku ai ka lënë më shumë gjurmë. Nuh Dervishi ka pasur shumë pasione, por ai ka pasur një engjëll që e ndriçonte në fushën e frutikulturës. Tani që Allamani ka humbur jetën, si punonjës i Policisë së Shtetit tragjikisht në krye të detyrës, ne sikur ta kemi fiksuar në celuloid ndjekim pasionin e Allamanit për këtë fushë, i cili e ka imituar Nuh Dervishin që ishte njeri i mahnitshëm.

Ai i donte shumë drurët dhe natyrën. Çoç kishte një muzë e cila e shtynte të mbillte sa me shumë qershi. Edhe lagja "Dervishaj" është nën ujë. Kudo Nuh Dervishi mbillte qershi. E habitshmja qëndron se fidanët e qershisë, në kohën e mbjelljes i mbante në çantë me vete. Kudo që kishte burime ndalonte e mbillte qershi. Le të mos ishin arat e tij, le të ishte në bjeshkë, po të shikonte një rrëke uji, një ujëvarë, një pellg egërsire anës lumit rrëzë shkëmbinjve, në moçale, vijës së përroit kudo ku kishte ujë dhe ia hante syri se toka ishte e begatë, Nuh Dervishi do të ndalonte e do të mbillte fidanët me qershi. Qershitë e mbjella prej tij janë edhe sot. Ka prej tyre dhe lart në bjeshkë. Ato qershi askush si vjel, me përjashtim të ndonjë udhëtari a bjeshkatari. Qershitë e mbjella sipër në bjeshkë i hanë shpendët dhe kafshët e egra. Dhe historia e mbjelljes së qershive nuk mbaronte aty ku fidanët e fundit i mbillte Nuh Dervishi. Shumimi i qershive vazhdonte edhe më tutje edhe më larg, bile edhe matanë Drinit në zonën e Tropojës e të Hasit. Grifshat që çukisnin qershitë, merrnin kokrra me vete dhe i shpërngulnin larg. Bërthamat që binin në tokë, kur qëllonte vend i mirë ato mbinin dhe druri i qershive shtohej e shtohej papushim, shtohet edhe sot kur popullata e Kryeziut ka emigruar në vise të tjera në qytete buzë detit dhe në Tiranë.

Allaman Dervishi që e ka ndjekur gjurmë pas gjurme babain, jo vetëm e ka imituar, por me pasion është përpjekur ta tejkalojë atë sidomos në linjën e shartimit të druve frutor. Gjithsesi, vetë Allamani në biseda me shokët e me miqtë, ka rrëfyer se baba Nuhiu, ishte njëri me të vërtetë i papërsëritshëm. Vetëm ulliri nuk bëhet në Kryezi i thoshte ai të birit, Allamanit, por dhe djemve e vajzave të tjera. Aq kërkimor ka qenë në fushën e tij Nuh Dervishi, sa në tokat e Arës së Poshtme ka provuar të mbjellë dhe pambuk. Askush se ka besuar se pambuku do të mbinte, do të rritej e do të piqte boçet e tij në Kryezi. Nuh Dervishi nuk e mbolli pambukun për fitim, por për t'ju treguar bashkëfshatarëve se Kryeziu është vend shumë i begatë. Jo më kot të parët, sidomos Zotnitë e Kryeziut e kanë quajtur Misiri i Vogël e të tjerë e kanë krahasuar me Gjakovën me të cilën kanë bërë tregti, por që kanë dhe lidhje fisnore e krushqi.

Prej Urës së Mahallës që lidh lagjen "Dervishaj" me pjesë tjetër të fshatit e gjer në Trashamal, Allamani nën ndikimin e babait i cili e kishte farën e modernitetit me vete që kur endej nëpër Ballkan, ka lënë dhe ai gjithashtu gjurmë në mbjelljen e drurëve frutorë. Ka mbjellë jo vetëm qershi, por dhe rrush, arrë, dardhë, mollë, thana, lajthi, mana e gështenja. Si mjeshtër që ishte, krasiste koriet mbi shtëpi e gjer lart mbi Arën e Epërme. Krasiste lisat, qarrin, thanat, mollët, dardhat e egra, gështenjat e çdo dru të egër, që rritej në kurorën anës lumit të Kryeziut dhe mbi stanet e vjetra të Nuh Dervishit. Allamani ngjitej me të vëllezërit e me kushërinjtë e shokët e mahallës majë pishave, tërhiqte me krehër të posaçëm insektin brejtës që mbrohej në degët e pishave me një lloj parashute, i bënte grumbull e pastaj i digjte që kurorat me pisha të dëmtoheshin sa me pak nga insekti shkatërrues që bënte dëme të pallogaritshme në pyjet e mrekullueshme të Kryeziut.

Me kolegët që aktualisht punojnë në strukturat e Policisë së Shtetit, Allaman Dervishi ka rrëfyer në kohën e lirë kur pinin kafe apo shkonin për ndonjë drekë në malin e Dajtit, se ka qenë pikërisht babai i tij Nuh Dervishi, që paçka se disa vite të jetës i ka të mbuluara me vello misteri, ai do të mbetej për të udhërrëfyes i për të mësuar në shkollë, për t'u bërë tregtar, sharrtar, mjeshtër i drurit, bari, kositës bjeshke, gjahtar, peshkatar, punonjës i ndershëm shteti, oficer si axha i madh Hyseni dhe skënderbegas si vëllai i dytë Bilbili.