Shqipëria e Veriut, me sytë e një bamirëseje austriake- Marianne Graff

Shqipëria e Veriut, me sytë e një bamirëseje austriake- Marianne Graff

Janë të shumtë ata që vizitojnë në këto vite të pasdiktaturës Shqipërinë dhe jo pak prej tyre dashurohen me vendin tonë, duke e bërë gati atdheun e dytë, duke ndihmuar me gjithçka munden, ata që ndodhen në nevojë.

Botimeve të autorëve të huaj për Shqipërinë u shtohet edhe një album i bukur fotografik me autore Zonjën austriake Marianne Graff, me titull "Shqipëria e Veriut -nga Petrela në Jezercë, një vend i harruar i Evropës Jugore". Për më se 15 vjet, me humanizmin karakteristik të popullit që i përket, ajo iu përkushtua popullit shqiptar të trevave veriore, të atyre viseve përrallore që po shkëputen me vështirësi nga mesjeta me zakonet dhe varfërinë shekullore. Ndoshta kontrasti midis natyrës së bukur, fisnikërisë së njerëzve dhe prapambetjes së tyre, realitetit të ashpër nga politikat e mbrapshta kanë qenë nxitësit dhe frymëzuesit kryesorë për këtë buqetë origjinale me fotografi artistike që jo vetëm të lenë mbresa të pashlyeshme, por edhe të shtien në mendime; sa vend të bukur kemi dhe sa pak kemi bërë që dhe ata të shkojnë drejt përparimit. Dhe vjen kjo një zonjë austriake për të na e thënë këtë jo vetëm me qindra vepra bamirësie që ka bërë për një dekade e gjysmë në këto zona, por edhe të fiksojë në celuloid, bukurinë dhe madhështinë e maleve tona, ylberin që bashkon dy hone, kullat epike nga pret të dalë Muji dhe Halili, luadhet alpine, objektet e kultit, perëndimet e rralla të diellit brigjeve dhe lagunave, ndërtimet e lashta karakteristike dhe njerëzit - portrete apo në çaste pune, por gjithnjë me fytyra të trishtuara nga mundimet e jetës. Një realitet i zhveshur, tronditës për ata që kanë sy të shikojnë dhe zemër për të ndjerë. (Në kohën e diktaturës, kjo zonjë austriake do të shpallej armike dhe agjente e kapitalizmit). Kush është Marianne Graff. Ajo është presidente e organizatës "Albania-Austria partnership" dhe jeton në Goessendorf të Austrisë. Së bashku me bashkëshortin e saj, ajo përdor gjithë kohën e lirë dhe mjetet financiare në dobi të banorëve të fshatrave të maleve të Shqipërisë Veriore. Drejtimet kryesore të veprimtarisë së tyre janë ndihmë dhe mbrojtje për fëmijët, ndihmë dhe rehabilitim të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, ndihmë për zhvillimin e fshatit dhe vazhdimësinë e jetës në të, ruajtjen e mjedisit natyror, nxitje të jetës dhe dialogut kulturor dhe mbi të gjitha ndihmë për zhvillimin ekonomik të vendbanimeve malore. Për punën e saj është dekoruar me "Urdhrin e Nënë Terezës" dhe gëzon respektin dhe mirënjohjen e banorëve të trevave ku ka punuar dhe vazhdon të ndihmojë.
"Udhëtimi" fotografik nis nga Petrela deri në Jezercë. Një "shëtitje" emocionuese, që mund të quhet edhe "shqiptari i shekullit XXI dhe abitati i tij i bukur", por me një bukuri që shpesh vret si në kohën e Migjenit. Janë qindra fotografi të njerëzve të thjeshtë, banorë të atyre vendeve, ndërtesa të rrënuara dhe të rindërtuara, lëndina dhe male, natyra dhe jeta e tyre.
Objektivi i zonjës Graff dhe i bashkëpunëtorit të saj, Skënder Thaçi ( që bashkëfirmos ekspozitën e sapohapur me këto foto) është gjithnjë ekspresiv si kur fotografon një portret ashtu dhe një peizazh apo objekt. Kamera e saj është e larmishme, si në kompozime interesante ashtu dhe me lojën e dritave dhe ngjyrave. Një origjinalitet që vlen si shembull edhe për fotografët më profesionistë. Albumi nuk është një guidë e thjeshtë turistike. Në të kemi jo vetëm bukuri pamore, por edhe histori, edhe etnografi, poezi të mirëfilltë dhe informacione të gjithanshme, sigurisht brenda fushës tematike të albumit dhe në shërbim të tij. Autorja e saj, zonja e nderuar Graff, me gjuhën konkrete të fotografisë, me përmbajtjen e tyre të larmishme tërheq vëmendjen e evropianëve që ti përkushtohen më shumë këtij "kopshti shkëmbor" të Ballkanit, që në shekullin e kibernetikës dhe të teknologjisë është ende më i varfëri dhe më i prapambeturi në Evropë. Njohja e mirë e këtij realiteti, pamjet apokaliptike të braktisjes dhe ikjes, vrasja e shpresës dhe mungesa e perspektives e bënë znj. Graf që ti përkushtohet me mish e me shpirt ringjalljes së këtyre trevave, nxitjes dhe frymëzimit të njerëzve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të begatë. Se nuk mjaftojnë mijëra e mijëra pakot me ndihma, të cilat bamirësja austriake i ka çuar në çdo cep të Shqipërisë Veriore, nuk mjaftojnë vetëm fondet që siguron ajo në atdheun e saj për të ndërtuar kopshte, çerdhe, shkolla, klinika, qendra shëndetësore etj; albumi është një ftesë, në radhë të parë për gjithë shqiptarët, që të zgjohen, që të shkunden, ndryshimi është në dorën e tyre, shembullin na e jep austriakja fisnike për vite të tëra. Ajo do të ishte atje ku qe varfëria më e madhe, atje ku qe skamja dhe fatkeqësia. Gjithnjë në shërbim të njerëzve, gjithnjë me dashuri dhe humanizëm në zemër. Ja pse familjet malësore hapën dyert dhe zemrat për Të.
Fotografitë e albumit paraqesin një tërësi me vlera të rralla artistike nga ku mund të frymëzohen edhe fotoreporterët më profesionistë. Pamjet e mrekullueshme nuk të hiqen nga mendja, si për vlerat artistike ashtu dhe për përmbajtjen, edhe pasi ke mbyllur faqen e fundit të albumit. Albumi është njëherazi dhe një dokumentacion i mirëfilltë i gjendjes ekonomike dhe sociale, i nivelit dhe mënyrës së jetesës, i një periudhe ndryshimesh gjithnjë e më të mëdha në jetën e malësorëve të veriut. Duke shfletuar albumin, lexuesi njihet me pamjet e një territori pak të njohur nga shumica, me njerëz të varfër, por krenar e të përkushtuar për vendin e tyre, që tashmë përpiqen jo më për të mbijetuar, por për tu integruar në rrugën e përparimit dhe të qytetërimit.