NJË DITË SHTATORI -1943

NJË DITË SHTATORI -1943

NJË DITË SHTATORI  -1943
Nga: Idriz Meti


Më 8 Shtator para dite një avion i forcave ushtarake italiane bëri dy-tri rrotullime mbi qytet, duke zbritur afër pesëdhjetë metra mbi çatitë e ndërtesave dhe kur ndodhej mbi zyrat e rekrutimit ushtarak hedh një pako të mbështjellë me një copë të kuqe dhe, me lëvizje përsëritëse rrotullues e ngrihet duke marrë drejtimin jug-perëndim të qytetit Pukë.

Mjetet e informacionit masiv mungonin, ose viheshin në funksionim kur u interesonin forcave pushtuese prandaj me pakon e hedhur pranohet mundësia e njoftimit që bëhej për kapitullimin e Italisë fashiste dhe, me orientime për qëndrimin që duhej të mbanin forcat ushtarake që gjendeshin në Pukë.

Një ditë më vonë, reparte të ushtrisë gjermane të pajisura me teknikën luftarake moderne të kohës, përmes tokës jugosllave e Kosovës futën në territorin shqiptar në pikën kufitare të Morinës dhe brenda ditës, njësi të motorizuara të divizionit me numër 297 përshkuan rrugën Prizren¬Kukës-Pukë dhe në orët e vona të natës mbërritën në qytetin Shkodër.

* * *

Njësitë tregtare dhe të shërbimit të qytetit deri në mesin e asaj dite ishin të hapura, por kur qyteti ishte mbingarkuar
me njerëz të ardhur nga drejtime e për qëllime të ndryshme, nga frika e plaçkitjeve, të ndeshjeve të forcave rivale, ose me pushtuesit e rinj që po vinin drejt Pukës, me porosi të pronarit mbylla dyqanin ku punoja. Kështu vepruan edhe shumë të tjerë. Në orët e para të mëngjezit erdhi me ngut nga Shkodra Ali Hafizi sekretar i partisë fashiste për Pukën, pronari i dyqanit më të madh në gjithë nënprefekturën i cili gjatë asaj dite luajti një rol negative në dëm të atyre pak forcave që ishin nën influencën e lëvizjes nacionalçlirimtare.

Me kalimin e orëve rrugët e qytetit të vogël u mbushën me banor të qytetit e fshatarë të ardhur nga Kabashi, Qelza, Dedaj, Lejthiza, Rrapja, Qerreti, Këçira etj. natyrisht të thirrur nga drejtues të grupeve të ndryshme.

a) Në qytet kishin ardhur pjesëtar e përkrahës të çetës partizane "Pukë-Mirditë" të komanduar nga Pashko Curri, i zgjedhur komandant i çetës në korrik të atij viti në një mbledhje riorganizues e të zhvilluar në fshatin Laç-Qyrsaq të rrethit Shkodër, partizanët Zef Gashi, Gani Puka, Lekë Berisha etj. Me këta u bashkuam edhe ne të rinjtë antifashistë e komunistë të qytetit dhe të rinjë të tjerë nga qyteti e fshatrat përreth.

b) Një grup njerëzish nën drejtimin e komandantit të xhandërmarisë kapiten Xhemal Laçi, i mbështetur nga shumë xhandarë e fshatarë nga Kabashi, Qerreti etj. të cilët lëviznin kryesisht nga rrethkomanda deri tek gjellëtorja e vëllezërve Salihi.
c) Një grupim tjetër burrash ishte ai që drejtonte Ymer Bardhoshi nga fshati Pukë, ish kapiten në qeverinë mbretërore dhe tani në pension, i bashkuar edhe me Ymer Ymerin nga Sakati, me qëndrime jo të qarta por që anonin nga dëshira për kthimin e monarkisë të vetëquajtur "nacionalistë" 

ç) Disa dhjetra ish rnilicë fashistë me komandant Palë Bibë Mirakën e oficerë të tjerë të cilët deri një ditë më parë u kishin shërbyer fashistëve italianë dhe tani do t'u shërbenin pushtuesve të rinj.

Drejtuesit e grupit të dytë e të tretë, megjithëse akoma pa u deklaruar publikisht kishin një qëllim të përbashkët: të shfrytëzonin të gjitha mundësitë për të penguar zgjerimin e lëvizjes e të Luftëss Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe kësaj ia arritën duke patur përkrahjen edhe nga drejtuesit e pushtetit vendor. Ata ushtruan presion dhe këmbëngulën për të penguar Pashko Currin e mbështetësit e tij, për luftë kundër pushtuesve gjerman.

Pavarësisht prej presioneve e kundërshtive që pati nga drejtuesit e grupimeve të tjera, Pashko Curri mundi më në fund të grumbullojë rreth vetes 30-40 burra e të rinj mes. të cilëve edhe unë, pjesa më e madhe pa armë të gjata e pistoleta dhe u nisën në drejtim të Kroit të Zojës e Shkallës së Bushtrës për të organizuar pritën dhe luftuar. Në krye të karvanit tonë që po shkonte si në "dasmë" printe komandanti i çetës.

*  * *



Pasi lamë prapa qytetin Pukë, udhëtuam në këmbë nëpër një rrugë këmbësore m.ë e shkurtër nga ajo automobilistike. Duke u ngjitur asaj kodre të zhveshur, rreth 400-500 metër larg skajit më lindor të qytetit, të ç'organizuar por vetëm duke shfaqur entuziazmin rinor, pa menduar për pasojat që mund të kishim e, do tu sillnim të tjerëve, dëgjojmë të thirrura të përsëritura: "ndaloni burra të bisedojmë", "mos u ngutni, pritni të merremi vesh", "ndaloni, mos shkoni më tej se po vini në rrezik popullsinë e qytetit" etj. britma këto  që për ne binin erë tradhëtie. Pashko Curri dhe ata që i rrinin më afër u topitën. U dha porosi të ndalonim, të prisnim.

Drejt nesh vinte Ali Hafizi, i veshur me një kostum të ri në ngjyrë blu, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe e kapele republike i shoqëruar nga tri-katër persona për sigurim e mbështetje, ndërsa një grumbull njerëzish qëndronin në sheshin para zyrave të shoqërisë italiane ASA dhe PT-së, (vend nga ku ishte bërë nisja jonë). Në pritje e ankth për ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve, por të gjithë kundërshtarë për veprime luftarake.

Përpjekjet që kishte bërë ky sekretar, i mbështetur edhe nga drejtuesit e dy grupimeve me pushtetar lokal, asaj paradite kishin dështuar në sajë të guximit dhe këmbënguljes shembullore të Pashko Currit. Tani ishte përpjekja e fundit e tij dhe u gjend mes nesh.

Me kalimin e kohës përshtypja ime ka ardhur duke u përforcuar se Pashko Curri po e kuptonte, por me vështirësi, se me shumicën e njerëzve të pa armatosur po shkonte drejt një aventure me pasoja të rënda e të rrezikshme.
Mbi atë kodër të zhveshur e të ekspozuar ndaj rrezeve të d ellit përvëlonjës të fillimeve të vjeshtës, u grumbulluam për të dëgjuar Ali Hafizin, e pa dëshirën e pashko Currit, ai filloi të ligjërojë ...

Pothuajse të gjithë qëndronim në këmbë. Pashko Curri me ata 4-5 partizanë të çetës, ndonjë vullnetar dhe ne anëtarët e organizatës së rinisë komuniste, qëndruam në heshtje, të veçuar prej shumicës.

     Komandanti i çetës e ndërpreu disa herë, por fjalët dhe argumentet e tij nuk sollën ndonjë ndryshim, sepse tek shumica e njerëzve që ishin nisur për tek Kroi i Zojës nuk ishin formuar plotësisht bindjet politike e të ndërgjegjësimit, kështu që në fillim pak e gradualisht shumica prej vullnetarëve hoqi dorë për të vazhduar rrugën duke e braktisur Pashko Currin dhe filloi tërheqja në drejtim të qytetit. Edhe komandanti me njerëzit që e shoqëronin u tërhoq, por thellësisht i indinjuar.

Mbasi njerëzit u drejtuan për nga qyteti Aliu nxorri nga xhepi i pantallonave një revolver "Brreda" të prodhimit italian dhe në drejtim të horizontit mbi qytet harxhoi të shtatë fishekët që kishte në krëhër duke u bërë të njohur atyre që përgjonin ose qëndronin në ankth, se detyra që kishte marrë mbi vete ishte plotësuar. Pas pak u kthyem të gjithë në qytet.

* * *

Prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të komandantit të çetës, por edhe në një takim që kam patur shumë vite më vonë në shtëpinë e Pashko Currit në Fushë-Arrëz më është konfirmuar plan-ideja që kishte skicuar për luftën kundër gjermanëve. Duke patur parasysh edhe faktin se Pashko Curri kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali, në asnjë mënyrë ai nuk mund të hidhej poshtë, aq më tepër nga njerëz që nuk kanë njohuri në çështje ushtarake. Skicideja përfshinte:

Rreth tre-katër kilometër në lindje të qytetit Pukë, afër Kroit të Zojës, drejt mbi shkallën e Bushtrës, deri afër shtëpisë së Memajve në Rrapen e sipërme, me rreth dy kilometër largësi do të vendoseshin në pritë forcat vullnetare dhe ato pak partizane.

Nga shtëpia Memaj deri në mbarim të shkallës së Bushtrës forcat goditëse do të vendoseshin sipër rrugës automobilistike, në jug e drejt perëndimit të saj.

 
Forca të tjera goditëse do të zinin pozicione afër Kroit të Zojës, në të dy anët e rrugës, në drejtim të qytetit, mbi kodrat veshur me dru lisi e qarri, shumë të përshtatshme për një pritë të organizuar.

Plani parashikonte të hidheshin në erë dy-tri ura që gjendeshin brenda zonës së luftimeve për të penguar përparimin e mjeteve të mekanizuara. Por e vërteta është se asnjerin nga partizanët ose nga vullnetarët e ditës nuk e pashë të ngarkuar me lëndë plasëse. Nuk di nëse kishte ndonjë burim tjetër.

Goditja kundër forcave gjermane me 9 Shtator të vitit 1943 në territorin e nënprefekfurës së Pukës do të mbetej e shkruar me gërma të arta në historinë e lëvizjes e të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në këtë trevë e për të gjithë vendin, por ajo mbeti vetëm dëshirë e skicuar.

Disa nga shkaqet e dështimit sipas mendimit tim janë: a.Veprimtaria e lëvizjes dhe e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në nënprefekturën e Pukës ishte pothuaj në fillimet e saj. Komiteti i Partisë Komuniste për qarkun e Shkodrës kishte përqëndruar veprimtarinë e tij në qytetin Shkodër dhe Malësi të Madhe dhe i pa përgatitur për detyrat që e prisnin në rajone të tjera të qarkut. Në tërë nënprefekturën e Pukës kishte vetëm një organizatë të rinisë së organizuar (komuniste) e vetëm 5-6 partizanë pukjanë efektiv të çetës "Pukë-Mirditë".

b. çeta partizane "Pukë -Mirditë" u gjend e papërgatitur dhe me një efektiv të cunguar. Komisari i Çetës Nuri Llazani ndodhej pranë shtabit të batalionit "Perlat Rexhepi" diku në rrethinat e qytetit Shkodër. Vullnetarët ishin të armatosur keq dhe të pa ndërgjegjësuar për t’u ndeshur me armikun.

c. Popullsia e qytetit jetonte me frikën e pasigurinë nga raprezaljet dhe veprimet hakmarrëse që do të kryente ushtria gjermane, duke masakruar e pushkatuar njerëzit, djegur shtëpitë, pasuritë etj. sikur të bëhej përpjekje me armë. .

ç. Drejtuesit e grupimeve të grumbulluara jo rastëgisht në qytet, të mbështetur edhe nga drejtuesit shtetërorë të nënprefekturë s etj. ndikuan fuqimisht në dështimin e synimeve që kishte komandanti i çetës e shoqëruesit e tij më të afërt.
Si përfundim: nuk ishin pjekur kushtet në Pukë për një luftë të armatosur kundër ushtrisë gjermane që po shkelte territorin Pukjan.

Burri i mençur e trimi Pashko Curri nga Fushë-Arrëzi i Pukës, komandant i çetës partizane "Pukë-Mirditë" nga 28 Korriku deri më 25 Nëntor të vitit 1943 mbeti në pakicë dhe u tërhoq; se ashtu duhej bërë.

* * *

Në drejtim të qytetit Pukë e për më tej udhëtonin pa mbarim e pengesa, mbi rrugën plot gropa e pluhur, makina të mëdha e të vogla, të llojeve e kapaciteteve të ndryshme. Një pjesë edhe plaçkë lufte, të ngarkuara me ushtarë të armatosur e materiale të tjera luftarake.

Buzë mbrëmjes në qytetin Pukë mbërriti pararoja e reparteve të ushtrisë gjermane. Printe një autoblind dhe pastaj një autoveturë katërvendëshe dhe në vazhdimësi tanke, autoblinda, makina të mëdha e të vogla.

Vetura e parë që vinte pas autoblindit, e cila printe autokollonën u ndal në jug të sheshit kryesor të qytetit, poshtë një harku të ngritur me degë të gjelbëruara drurësh mbi të cilën valëvitej flamuri ynë kombëtar. Nga autovetura zbritën tre oficerë dhe u takuan me autoritetet e nënprefekturës, drejtues të grupimeve politike pro pushtuesve dhe përfaqësues të xhandarmërisë të cilët uruan mirëseardhjen.

Pashko Curri ishte larguar më parë nga qyteti i pikëlluar për ngjarjet e asaj dite.



Marrë nga Libri "Mes Pukjanëve" të autorit Idriz Meti, botuar në Lezhë, 2006.