Petrit Nika, midis letërsisë dhe publicistikës

Petrit Nika, midis letërsisë dhe publicistikës

Nga: ILIRJAN GJIKA

Këtë rrugëtim Nika e nisi çerek shekulli më parë, asokohe i pavetëdijshëm dhe i rrethuar nga pafajësia fëminore, atje në vendlindjen e tij të paharruar, buzë Drinit, pranë Alpeve shqiptare, në Dardhë të Pukës.

 1.

Petrit Nika është njëri nga letrarët më aktivë të brezit të tij, i cili filloi të prezantohet gradualisht me shkrime në shtyp përgjatë gjysmës së dytë të viteve 90. Pa frikë, që në fillim të këtij shkrimi, do ta cilësoja si një intelektual që frymon fuqishëm me ritmin e kohës, duke e përjetuar thellë në vetvete çdo fenomen të saj.

Ndoshta, Petriti ishte pajisur nga vetë natyra me aftësinë më të theksuar të përjetimit dhe pikërisht për këtë ai e filloi që në bankat e shkollës fillore krijimtarinë letrare, ku pikë referimi tematike asokohe bëhej natyra e maleve me hapësirat e tyre të pamata të enigmës dhe lirisë. Vite më vonë, ndonëse gjimnazist i vitit të tretë, duke u ndarë njëherë e përgjithmonë me fëmijërinë, ato përvoja do ti memorizonte në dy libra për fëmijë; "Gjinkalla dhe milingona" dhe "Trembëdhjetë përralla pelegrine". Atëherë ishin vitet 1993 1994, por këta libra do të arrinte ti botonte vetëm në vitet 2004 dhe 2005.

Një pritje prej më shumë se dhjetë vjetësh. Në vitin 2004 del vëllimi me fabula i titulluar "Gjinkalla dhe milingona", ndërsa një vit më vonë botohet libri tjetër, kësaj radhe me përralla, i titulluar "Trembëdhjetë përralla pelegrine". Ndonëse për nivelin e tyre artistik këto dy libra nuk bien më poshtë se shumë prej librave të autorëve më me përvojë që shkruajnë për fëmijë, çuditërisht asnjëherë për këta libra nuk është folur as edhe një rresht në shtypin e shkruar dhe sjanë përfillur për tu vënë në listën e librave të rekomanduar nga MASH, për nxënësit e shkollave. Në faqet e këtyre librave për fëmijë, duke fantazuar të bukurat e moshës fëminore, ai sjell përpara lexuesit të vogël emocionet e jetës në vendlindje, me përrenjtë plot ujë, pyjet e dendur me gështenja e lisa, lëndinat e bukura buzë Drinit, historitë e të cilave, siç dëshmon edhe vetë, i hidhte në letër ditë pas dite.

2.

Ndërkohë, me kalimin e viteve, duke qenë student në Tiranë dhe pjesërisht i përfshirë në botën e medias, herë si reporter e herë si bashkëpunëtor letrar, duke thelluar dhe njohjet e tij mbi letërsinë, P. Nika filloi ti qasej edhe shkrimit publicistik ku ai botoi në mënyrë periodike analiza, komente, ese, recensione librash, tregime e poezi.

Rreth kësaj veprimtarie një tjetër autor i njohur i viteve "90, pedagogu dhe studiuesi Granit Zela, citon: "E lexon fjalën e shndërruar në dashuri nga Petrit Nika dhe ankthi që të kap është ai i fatit të mbrapshtë dhe i ferrit të cilit duhet ti bien pash, ai dhe sivëllezërit e tij." Ndërkohë, në vitin 2007 Petrit Nika botoi të parin libër publicistik të titulluar: "Nostalgji apo ankth ekzistencial". Nën këtë titull intrigues autori ka përmbledhur një pjesë të mirë të artikujve publicistikë që janë botuar në shtypin e përditshëm ndër vite. Duke shfletuar me vëmendje faqet e këtij libri gjykon vërtetë aftësinë e penës së Nikës, jo vetëm në zgjedhjen e temave dhe të lëndës, por edhe në përshkrimet mjeshtërore të materialeve të trajtuara. Ja se çthotë përsëri Granit Zela për Nikën, në librin e tij "Shkronjat e errësirës": "Po ta konceptojmë si një film të gjithë librin atëherë skena e ngjarjeve është kryesisht metropoli shqiptar, një (krye)qytet ku ngjarjet janë anormale, qytetarët janë shndërruar në mendjeshpëlarë prej industrive moderne, komercializmit, teknologjisë, retorikës mendjebjerrëse, kotësisë dhe kakofonisë së ligjërimit publik." Kështu, duke zotëruar dhe përdorur me finesë dhe një arsenal gjuhësor të zgjedhur, madje herë - herë ironik, Nika operon me një teknikë narrative të natyrshme. Ai rrëfen duke hequr paralele të çuditshme në kohë dhe hapësirë në të cilat rrokullisen gjithfarë ngjarjesh dhe gjallojnë gjithfarë personazhesh. Herë - herë në publicistikën e tij ai shfaqet, jo vetëm konstatues por edhe polemizues ndaj fenomeneve të sotme sociale, politike e kulturore, duke dëshmuar si rrallë autorë shqiptarë të brezit të tij, se edhe nga humbëtira e provincës, po të jesh i talentuar dhe këmbëngulës, mund të bëhesh pjesë mbresëlënëse e mozaikut të publicistikës elitare të vendit.

3.

Për Petrit Nikën poezia konsiderohet si Toka e Premtuar për Moisiun e kohëve biblike. Ajo mbetet pasioni, ambicia dhe sfida e tij e përhershme. Këtë rrugëtim Nika e nisi çerek shekulli më parë, asokohe i pavetëdijshëm dhe i rrethuar nga pafajësia fëminore, atje në vendlindjen e tij të paharruar, buzë Drinit, pranë Alpeve shqiptare, në Dardhë të Pukës. Kështu P. Nika e kaloi Drinin për të zotëruar plot energji pushtetin e fjalës, si dikur Cezari Rubikonin për të marrë pushtetin perandorak të Romës.

Në vitin 2005, Petrit Nika fitoi çmimin e tretë në një Konkurs Kombëtar të poezisë, tashmë organizuar nga gazeta kulturologjike prestigjioze "Fjala" përgjatë vitit 2004, përzgjedhur midis shtatëdhjetë e nëntë konkurrentëve, poetëve më të njohur të të gjitha trevave shqipfolëse të viteve nëntëdhjetë. Me rastin e tre vjetorit të numrit të pare, gazeta "Fjala", vinte në dukje kontributin kulturologjik të Nikës midis emrave më të njohur të letërsisë shqiptare të viteve "90, si Tufa, Çoçoli, Bala, Hatibi, Leshanaku, Marku, Zekthi etj. Më vonë, Granit Zela duke lexuar poezitë në dorëshkrim, do të jepte një tjetër gjykim për vëllimin poetik të Nikës "Fuga Temporum", fatkeqësisht për arsye financiare akoma të pabotuar.

Në reçensën e tij Zela thotë se ky libër "është një shenjë e lënë pa bujë, krejt fisnikëri, prej poetit Petrit Nika, në të njëjtën kohë edhe një sfidë ndaj Kohës. Bashkë me shenjtërinë e numrave Petrit Nika kthehet i shenjtëruar në Itakë me Pegas, në kërkim të paqes shpirtërore dhe kthimit të njeriut te përkohësia zanafillore. Ai jeton me artin e tij dhe për artin e tij, ndërsa ky art flet me një gjuhë komunikuese, por njëherësh dhe abstraguese, të fshehtë. Peng i Muzës së vet, ngado që shkon, si një arratiak i pandreqshëm ai hedh vështrimin e përmallur nëpër botë dhe prehjen e gjen vetëm në Itakë". E përkthyer ndryshe Itaka e Nikës, do të konkludoja në mbylljen e këtij shkrimi, nuk është gjë tjetër veçse letërsia. Kurse Pegasi që e çon pareshtur atje është patjetër frymëzimi i tij nga poezia dhe misteri i saj.


Gazeta Standart 31/05/2009