Biograf i rezistencës antifashiste shqiptare

Biograf i rezistencës antifashiste shqiptare

Me datë 31 maji 2009 u nda nga jeta Sali Verdha.


Eshtë nga të parët ish-nxënës të së famshmes shkollë teknike, "Harri Fultz", në Tiranë. Gjatë përpjekjeve për një burse studimi tjetër, me ndihmën e ish-pedagogut, Anton Krajni dhe me mbështetjen e tij u regjistrua në degën elektromekanike, ku u njoh me Vasil Shanton e Qemal Stafën. Menjëherë pas pushtimit të vendit, kuestura kërkon transferimin e shkollës në Korçë. Në këto kushte, pas disa kohësh studimi aty, Sali Verdha dhe disa nga shokët e tjerë të tij e braktisën atë, për tju kushtuar luftës. Më 5 qershor 1941, krijohet Çeta antifashiste e Pezës, nga Heroi i Popullit, Myslim Peza. Sali Verdha u rreshtua në këtë Çetë më 12 prill të vitit 1942 në skuadrën e Kajo Karafilit.

 Me zmadhimin e Çetës në grup dhe më pas me kthimin në batalion, Sali Verdha u emërua komisar, ndërkohë që Kajo Karafili ishte komandant. Ka qenë pjesëtar dhe drejtues luftimesh në betejën e Lis Patrosës, ku u vra Kajo Karafili dhe më pas edhe Myrvete Peza. Prej këtej emërohet kuadër drejtues në brigadën XXII Sulmuese, e cila luftoi për çlirimin e zonave të veriut, Pukë, Shkoder etj, dhe vazhdoi operacionin së bashku me formacionet e tjera të ushtrisë deri në Tuz, Podgoricë e Vishegrad. Pas çlirimit të vendit punoi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si drejtor i Drejtorisë së Rindërtimit, në Ministrinë e Rindërtimit, drejtor në Ministrinë e Ekonomisë, si kryetar i degës së industrisë shtetërore. Me krijimin e komisionit të Planit të Shtetit kaloi në detyrën e drejtorit Qendror të Industrisë Ushqimore.

Në vitet e më vonshme do të kryente detyrën e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe më vonë do të kalonte në detyrën e drejtorit të mekanikës bujqësore, pyjeve dhe sharrave. Pas vitit 1950 për disa vjet rresht kryeu detyrën e drejtorit të Hekurudhave për të vijuar për pesë vjet me radhë në  detyrën si zëvendësministër i Komunikacioneve. Ndërkaq, njihet edhe si "biografi" i rezistencës antifashiste shqiptare që, siç dihet tashmë për herë të parë lindi në Pezë. Verdha ka akumuluar në vite mjaft kujtime, dokumente, në bazë të të cilave ai shkroi me qindra artikuj, si dhe pesë libra për luftën e popullit të Pezës dhe të gjithë formacioneve antifashiste shqiptare. Ja librat e shkruar në vite nga ai: "Nëpër Pezën partizane", (1969), në formë ditari jepen aksionet e rëndësishme gjatë lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

"Peza shkëndijë e luftës partizane", (1978). Me ngjarje e episode nga jeta e vepra e Myslim Pezës dhe e popullit të kësaj zone. "Peza në luftë", (1997), për historinë e Pezës dhe të popullit të saj në luftë, bazat e luftës nëpër fshatra e episode për luftëtarë të njohur. "Peza heroike martire", (2002), në vargje mbi heroizmin e partizanëve dhe fshatarëve në luftë, vuajtjet në burgje e internime, Kajo Karafilin, etj. "Heroi i Popullit Kajo Karafili", (2003), mbi jetën dhe luftën e tij etj. Në botimet e tij nje vend zë dhe tematika e rrethit të Pukës për periudhen tetor-nëntor 1944.