80 vjet nga vrasja e Gjeçov-Kryeziut

80 vjet nga vrasja e Gjeçov-Kryeziut

80 vjet nga vrasja e Gjeçov-Kryeziut
Dy fjalë për publicistikën e Gjeçovit
Nga Jaho Brahaj

Trashëgimia që na la Shtjefën Gjegjovi - Kryeziu është e pasur dhe shumëplanëshe: studime shkencore e krijimtari letrare. Letërkëmbimi falë përkujdesjes së vetë Gjeçovit pjesërisht është ruajtur, një pjesë humbi e u seleksionua në kushtet që dihen e do ti analizojmë një herë tjetër. Kjo trashëgimi është e rëndësishme për periudhën e historisë së popullit shqiptar dhe për ndriçimin shumëplanësh të Gjeçovit në të gjitha fushat ku kontribuoi.

Gjeçovi, si pjesëtar me armë në dorë dhe organizator i luftës për liri dhe personalitet i shkencave albanologjike, me letërkëmbimin na ndriçon shumë aspekte historike dhe të etnokulturës shqiptare. Ky material shumë i vlefshëm dhe për disa ngjarje historike e lëvizje e veprimtari kulturore është i pazëvendësueshëm dhe vetëm vitet e fundi ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe janë bërë shpalosje për aspekte të veçanta me publikime.

Letërkëmbimi i këtij personaliteti ka tërhequr vëmendjen e studiuesve që në periudhën mes të dy luftërave botërore, ku kemi edhe botim të korrespodencës së tij nga studiuesi F. Fishta 1.

Në vitet e fundit njoftime përshkruese e analizë të kësaj trashëgimie kemi nga Thoma Murzaku, Ruzhdi Mata, Jup Kastrati, Bardhosh Gaçe, Nikollë Lleshi.

Nga hulumtimet sistematike të bëra në vitet e fundit është arritur të mblidhet letërkëmbimi i plotë që njihet dhe ka dalë nga dora e Gjeçovit (vetëm letrat që ka nisur ai) dhe besojmë se lexuesi në një të ardhme të afërt do të ketë mundësinë të gjykojë vetë mbi rëndësinë dokumentare, historike e shkencore që ky zhanër i penës së janjevasit të madh i sjell historisë e shkencës albanologjike në vështrimin lokal, kombëtar e shkencës europiane.

Letrat që njihen përfshijnë periudhën 18941928. Kemi të dhëna të tërthorta të sigurta, që ai kishte korrespodencë edhe me shumë personalitete, por që letrat e Gjeçovit drejtuar atyre nuk i njohim, konkretisht si Ahmet Zogu, Xhemal Vlora, Luigj Gurakuqi, Luigji Ugolini. Nuk njohim letrat dërguar Mithat Frasërit, por përgjigjet e këtij të fundit për Gjeçovin, po kështu dhe disa letra dërguar Faik Konicës, Fan Nolit e të tjerëve.


Nga tematika letërkëmbimi i Gjeçovit mund ta klasifikojmë në katër grupe: a) letra të karakterit personal e familjar; b) letra që shpalosin veprimtarinë patriotike e ushtarake për çlirimin e mbrojtjen e kombit tonë; c) të bashkëpunimit dhe veprimtarisë albanologjike e hulumtuese e mbrojtëse të pasurisë kulturore e historike kombëtare; d) administrative e veprimtarisë fetare.

Letrat i kemi më të dendura në kohë trazimesh e periudha të vështira, ku tematikë e tyre është qëndresa e armatosur e forcimi i unitetit dhe më të rralla në periudha të stabiliteti të vendit, ku tematikë kryesore është veprimtaria shkencore, hulumtuese e botuese.

Letrat që njohim të dala nga pena e tij rrokin pothuajse gjithë plejadën e lëvizjes kombëtare e kulturore të shqiptarëve. Ka letra dërguar Ismail Qemalit, Bajram Currit, Preng Bibë Dodës, Prend Doçit, Mithat Frashërit, Luigj Bumçit, Nikollë Kaçorrit, Ahmet Daklit, figurave të shquara të kulturës e artit, si Gjergj Fishtës, Lef Nosit, Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Mark Vasos, Ibrahim Shytit, Zef Skiroit, Pal Matrangës, Zoi Xaxes, Kel Marubit, Ali Asllanit, Faik Konicës, Ndoc Nikajt, Gjon Çobës, Gasper Gurakuqit, Murat Toptanit, personaliteteve të hierarkisë kishtare, si Pal Dodajt, Ernesto Kocit, Pashkë Trokshit, Pal Dodajt, Lorenc Mitroviçit, Gjon Bisakut, hoxhës së Milotit, Gjergj Gjermanojnt, Agustin Zubacit e shumë të tjerë. Nga studiuesit e huaj, Baron Nopça, Konti Kiatkovski, Ugolini, Teodor Ippen, dr. Miller (francë) etj.

Në letrat në fjalë Gjeçovi është një personalitet i shpjegueshëm qartë, me respekt, stili i tij është lakonik, kur kundërshton në rrethet shoqërore është i kursyer dhe i hapur, kurse me kundërshtarët është i prerë dhe i pakursyer në argumente, por gjithmonë me etikën e një njeriu që ruan dinjitetin.

Në aspektin atdhetar e luftëtar është ndër ata të paktë patriotë që mbajti korrespodencë me kryetarin e qeverisë së Vlorës, zotin Ismail Qemali, ku i kërkon këshilla se si të veprojë për të organizuar vetëqeverimin e krahinës së Vaut të Dejës sipas ligjeve të qeverisë shqiptare të sapoformuar. Që kishte një autoritet e simpati në Kosovë na e shpalos përgjigjja e një letre nga Prizreni për problemin e mësimit në gjuhë të huaj të fëmijëve prizrenas nga disa murgesha janjevase. Letra i thotë: "... ndera e kombit tonë kaq të përbuzun po fillon me dal ndritë. E unë gjithkuej i kam diftue punën e z. Tuej (punën e Gjeçovit), e tan po gzohen qi nShqipni mu gjet ksi gjinsh të menshem e atdhetar ... "

Shpesh në letra nuk shprehet qartë për veprimtarin e tij atdhetare, si p.sh. në letrën-relacion të nisur nga Elbasani eprorit të tij ai nuk e përmend qëllimin e misionin e udhëtimit për bashkimin e kishave shqiptare, duke u shprehur se i ruhet postës së pasigurt e censurës që "biramilote çdo letër".

Ka edhe letra që për studiuesin del detyra tu gjejë kuptimin, si është p. sh. letra e datës 21. 11. 1910 nisur Fishtës nga Gomsiqja. "Letrën po e mbylli ktu, porse me ket shteg mi kthe per rrogtarin. Posë P. Ambrpzit (Marlaskaj), pash mue e ty mos i kalzo kuejt. Se rreziku na rrin mbi krye." Letra mbyllet: "Aman gajret pash Shna Nduen e pash Shqipninë." Nuk dim për çfarë do të bëhej ky takim me disa persona në Shkodër, ku të fshehtën para asaj ngjarje duhej ta ruanin këta të tre me rrezik koke.

Letërkëmbimi për çdo person është një burim njohjeje. Por për Gjeçovin, si një personalitet, ajo (korrespodenca) na shpalos veprime të rëndësishme, që nuk i dimë nga informacione të tjera. P.sh., nga letra që i nis P. Pal Dodajt marrim vesh se Gjeçovi shkoi me dëshirën e tij në Vlorë në vitin 1920, ku po zhvillohej lufta kundër pushtuesit italian dhe, siç e dimë, Gjeçovi u bë një nga organizatorët dhe ideologët e saj.

Shumë letra kanë dhe karakter të mirëfilltë dokumentar, p.sh. letra e 17 shtatorit 1913, që i nis Fishtës. Gjeçovi ishte njëri nga drejtuesit e mbledhjes të organizuar në Lezhë me parësinë e Mirditës, Pukës, Lezhës e Zadrimës. Dy ishin orientimet: një krah për ndarjen e Shqipërisë me një republikë të Mirditës, të cilën e përkrahte hapur kapidan Marka Gjoni dhe me dorashka dhe Preng Bibë Doda me të tjerë. Dhe krahu tjetër. që kishte mbështetjen e shumicës së prestarëve të Kuvendit, me në krye emzot Kolecin e Gjeçovin, që ishin në mënyrë të prerë për tu përfshirë në qeverinë shqiptare të Vlorës me një organizim të brendshëm sipas kushteve, por nën shembullin dhe në hullinë e ligjeve e udhëzimeve të qeverisë së ligjshme shqiptare me qendër në Vlorë. Kjo letër jo vetëm na shpalos patriotizmin e personalitetin politik të Gjeçovit, por është një faqe e dokumentuar e një evenimenti historik në këto kohë të vështira. Po kështu nga letrat e shumta të këtij personaliteti të Kosovës mund të veçojmë për karakterin dokumentar dhe evidentimet e dëmtimeve që bëri pushtuesi serb në vitin 1912-1913.

Por letrat na paraqesin dhe karakterin individual të Shtjefnit. Në konfliktin që shkaktoi me disa fshatar të Gomsiqes, disa pasanik të Shkodrës, që kishin dhe mbështetjen e eprorit të Gjeçovit, ky nuk lëshon pe në asnjë rrethanë karshi kanoneve të kishës e së drejtës së kishës mbi pasurit e saj, derisa armiqësohet në shumë knih dhe pati shumë pasoja. Po kështu njihet simpatia e Gjeçovit kundrejt Perandorisë Austro-Hungareze, por ai është në mbrojtje të fshatarëve të Prekalit dhe akuzon dhe komandën kur shikon padrejtësi dhe nëpërkëmbje të malësorëve. Edhe për këtë transferohet, ashtu siç ishte shkarkua nga drejtor i shkollës në Shkodër, sepse nuk lejoi që një mjek i Austrisë të sillej si i plotfuqishëm në shkollë. Është vetë Gjeçovi që vazhdimisht ka kërkesa për ndihmë nga Austria për arsimin shqip, por nuk pranon në asnjë mënyrë që ata të sillen si zot shtëpie në atdheun e tij.

Në letrat që ka me kolegë albanologë vendas e të huaj të bie në sy mbrojtja e lashtësisë së popullit tonë, euridicioni dhe njohja që ka mbi kulturën e historinë e popullit tonë dhe të vendeve të Ballkanit. Në të gjitha mënyrat është përkrah nismave të studimeve e të botimeve shqiptare. Është nismëtar për botimin e "Mesharit" të Gjon Buzukut dhe kërkon me insistim që ai të botohet në variantin shqip. Është Gjeçovi që udhëhoqi e ka një pjesë të madhe të përgaditjes së vëllimit "Visaret e kombit" të botuar në vitin 1911 nën emrin e përgatitësit V. Prendushi.

Në letrat familjare më shumë janë të pasqyruara problemet e hallet e jetës, gjendja shëndetësore, malli për tu takuar, emigracioni etj. Por na dalin dhe fakte që u kundërvihen dashakëqijve, si ato që na përshkruan Konica kur bën portretin e Gjeçovit pas vdekjes: " ... At Gjeçovit... nuk i mungoj asnji hidhërim, asnjë çpifje, më e çuditshmja e të cilavet ndoshta është të mohuarit, se ay ishte shqiptar .. ." Megjithëse nuk ka asnjë dyshim në përkatësin etnike shqiptare të familjes Gjeçovi - Kryeziu të Janjevës, meqenëse jemi te letërkëmbimi i tij, mundet të përmendim letrën që i dërgon i kushëriri në emër të vëllait dhe të një kushëriri tjetër në vitin 1911 nga Ploeshti, ku shprehimisht i shkruan: "Të lutem letrat ti a dërgosh në adresën... Gasper M. Geçov Albanez .. " Kjo është shprehje e krenarisë së vetëdijes si shqiptar edhe në dherat e huaja ku i kishte degdis kurbeti pinjojtë e Gjeçovajve dhe të të gjithë janjevavesve.




VJETËRSORJA

 
Ky shkrim i Shtjefën Gjeçov-Kryeziut, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, jo i plotë, është shkruar në vitin 1914.
Megjithëse eriudhë tepër e vështirë për kombin tonë,
Gjeçovi i kushtoi një rëndësi të madhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Shkrimi botohet për herë të parë pas 89 vjetësh dhe na vjen keq që problematika e këtij
shkrimi edhe në ditët tona është tepër aktual.



"Gomsiqe 1914.

Nuk kishte me kenë per mue me u kapun nder do degë dituniet, tcillvet nuk jamë kenë vue me u kërkua as me u hetue skain, porse nuk mrrihet pa i çilë ketë gojë e pa i priskue dy fjalë mbi ato sende tvjetra tcillat i kam edhe i ruej nën kulm tshpisë seme, e tcillat a i kam gjetë vetë a mi kanë prum - me pak çmim disa njerëz tkombit tem me nji tpakeqësi sikurse i gjeshin a ndër vorre a ndër rrënime tvjetra.

Ma i madhi mjerim për vendin tonë asht vorfnimi prej nji visarit ma tçmueshëm e ma tvlershëm si janë vjetërsinat. Kto qi kanë ndejë nën dhe kush e din sa mija vjet, qi kan ba gjumin e ambël nder eshtra tatyne burrave qi janë kenë ndera e faqja e bardhë e vendit tonë, e sod, lene si ato sende pushojnë nder Vjetersore thueja, por deri eshtra e atyne burrave qi pushoishin ngji ttokës Shqyptare u janë shpernda e i ka hjedhë era si ja tekë me fry e me koc e me rrasht janë marrë neper kambë!

Ma i madhi e ma i pa perdëllyeshmi faj i shqyptarvet tonë asht, qi ato sende tvjetra tgjetme ntokë nder vorre tlashta i lëshojmë durësh tuj ja shitun thujve, e kta, për do çmime tngrata faret.

Ky faj smund tju shkruhet malsorvet a katundarvet, për arsye qi ktyne su kupton mendja ma larg e sdinë me i peshue ato hollime e imtime historiet si i dimë e do tdimë na qi kena kalue disa mot ndër msojtore. Pernjimend se tpa regjun jena edhe na qi kena xanë dije nder msojtore, porse në u rrejshim nji herë, mendja na piqet për tjera herë: Gabojmë nji herë, por nji tjetër shteg sdo tgabojmë.

Po qes vedin per tregim tuj ju rrfye hutimin tem e ndaçi edhe marrien teme tbame, por nji herë tvetme në vjetin 1900.

Ishe nLaç - Sebaste të Kurbinit si i parë famulliet, si gjejshe tknaqun nkërkim të vjetërsinave - permi tcillat tash flas, -mu beh në qelë. Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf-it tBerlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burrë i madh (!) xuna me ju levdue për do sende tvjetra tcillat i pata gjet mun natë kohë mnji vorr në vend tqujtun "Koder Bogëz" në katund të Laçit - Sebaste.

Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njërzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap -çap me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetersina. Ndër kto sende kishe edhe nji unazë-arit tcillën e pata gjetë nvorr të vendit të përmendun, e pveta Dr. Traeger-in, qi tmë diftote kohen e vjetersinës ssajë, e ky mu pergjegj: "Kohën e vlerën smund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetersivet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m7 (shtatë) napolana për atë unazë"!!

Të falem nderes i thaçë Dr. Traeger-it, me më dhanë 400 napolana se shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetersins..."


Kopertina e librit: "Shkrime per Sh. Gjecov-Kryeziun".


Botuar nw Gazeten "Metropol" me dt. 12/10/2009