Dy tregime nga Petrit Nika

Dy tregime nga Petrit Nika

FYELLTARI

Për katundin e tij koha ishte ndalur në vend njëherë e përgjithmonë; nëpër rrugë s'luanin më fëmijë të lumtur si dikur; shtëpitë qenë braktisur dhe kalbeshin në shi mes indiferencës së atyre pak fshatarëve të vetmuar që endeshin akoma, gjithnjë e më të rrallë, nëpër rrugët e gërryera prej ujit; arave të bukës u kishin mbirë driza e ulëza; gardhet e vjetër, të ndërtuara menjëherë pas privatizimit të tokave, qenë kalbur e shembur mënjanë, njëherë e përgjithmonë; kanalet ujitës qenë mbuluar nga gurët e nga dherat aq sa s'u kishte mbetur më kurrnji gjurmë, ndërsa nëpër rrugët e gjithë atij katundi, dikur të madh, s'i takoje gjithë ditën e ditës dy banorë bashkë, edhe ata pleq ose barinj, fjalëpakë e pesimistë që s'u qeshte nuri njëherë; - nën një tendë të kalbur dërrase gjendej akoma bilardoja e harruar në kujtimet e viteve të zhurmshëm, kur të rinjtë e lagjes së qendrës s'i ndaheshin ditë as natë, ndërsa gjithçka, gjithandej, lëngonte nën mërzinë e braktisjes, e cila filloi ta pllakosi fshatin si pa u kuptuar, fill pas ikjes së fyelltarit tetëdhjetëvjeçar, atë të shtunë të parë të fillimvjeshtës së atij viti, kur atë e morën me vete të bijtë e vet duke e degdisur diku larg në një qytet të jugut, bashkë me fyellin që s'do t'i binte kurrë më dhe që pat kumbuar aq vjet nëpër pyje e zaje pasdrekeve përdëllyese të beharit, kur sapo kishte nxjerrë bagëtinë prej mrizi; atë fyell që kishte prekur aq shumë zemra, kur gjethja e pranverës hovte si e çartur brenda sytheve duke i shpërthyer ato me ngut, apo në vjeshtë kur një erë e lehtë, që vinte prej pale se ku përmes qetësisë së shenjtë, rrëzonte tri fletët e fundit nga degëza e panjës, të cilat gremiseshin ngadalë nëpër degë me një ankim të mekur dhe preheshin si yje tej mbi barin e tharë e mbi gurë, duke e lënë atë trung që i rriti të braktisur përgjithmonë; - për fyelltarin thoshin se nja dymbëdhjetë para se ta nisnin drejt jugut, s'pati më prehje as qetësi, ndërsa i riu që e pat njohur këtu e tetë vjet të shkuara, gjatë njërës prej eksplorimeve të tij të shumta prej adoleshenti të krisur siç ishte ai në atë kohë, duke ia njohur mirë shpirtin ëndërronjës, s'e pati të vështirë ta kuptojë tronditjen e madhe që e pat zënë atë të gjorë, ndaj kur pas tetë vjetësh u kthye përsëri në fshat dhe ia treguan të gjitha, ai i mori lehtë me mend krejt travajet e atij shpirti, madje edhe ato që të tjerët kishin dashur t'ia thoshin, por që s'kishin gjetur dot fjalët e duhura për t'ia treguar, sepse jo të gjitha është në gjendje t'i thotë njeriu gjatë një bisede si ajo për fyelltarin plak, i cili e mori më qafë krejt katundin me ikjen e tij; - fshatarët i kishin thënë të riut se qe e pamundur të përshkruheshin vuajtjet e asaj krijese të motnuar, gjatë gjithë atyre dymbëdhjetë ditëve, duke filluar që prej ditës kur njëri nga tre djemtë e tij, në një mëngjes herët, hapi derën e torishtës dhe nxori tufën e deleve e i priu drejt qytetit, ku ia shiti që të gjitha, mandej i riu tregonte që i kishin thënë se që nga ajo ditë, fyelltari, dikur i hapur e gazmor, u mbyll në vetvete i brengosur, njëherë e përgjithmonë; nuk foli më për shumë kohë me njeri, as nuk u largua nga shtëpia deri ditën kur e morën për krahësh si të ishte prej qelqi për ta futur në makinë; - rrinte në heshtje, thoshte, me orë të tëra pa lëvizur nga karrigia, duke dëgjuar përmes joneve të heshtjes oshëtimën e lumit që rridhte jo larg, nën këmbët e fshatit dhe e shtynte kohën duke ndërtuar nëpër vellon e mugët të odës gjithë trajtat e tij të kohëve të kaluara; kujtonte gurët e stërmëdhenj e të lëmuar gjatë qindra mijëra vjetësh, të cilët rrinin ende atje poshtë si të nemitur; shelgjet e rralla që përkuleshin gjithë druajtje vashërore nëpër zallin e vakët të mbrëmjes së korrikut, kur ai kalonte andej fatlum si s'kishte për të kaluar kurrë më; vërrinjtë me aromën e tyre të çuditshme prej uji e freskie të përjetshme; landat e lisave që përhidheshin drejt përpjetë me trungje të hirtë e të zhdërvjellët; bliret e panjat e reja përzier me lajthi, thana e mëlleza; ferrëbutat e urthet që rrëshqisnin butë e butë deri te ai ujë i pashtershëm; frashnjat me lulet e bardha erëmira në maj e qershor e më lart gështenjat e bredhat që i bënin miqësi njëri-tjetrit paqësisht, dhe ndërsa i ndërmendeshin në kujtesë të gjitha këto, e dinte ndërkaq që i kishte humbur njëherë e përgjithmonë, por megjithatë ndonjëherë i jepej t'i besonte pandehmës se kishte ende kohë për të bërë diçka;

- domethënë, mjaftonte të çelte pak derën dhe të bënte njëzet a tridhjetë minuta udhë më këmbë dhe të gjitha do t'i shfaqeshin parasysh prapë, sepse ato atje ishin si gjithmonë dhe as e kishin bërë mend të shkonin gjëkundi, me përjashtim të fletëve të ulzës e shtogut, të cilat më parë nga të gjithë drurët e tjerë kishin filluar të shfaqnin shenjat e lodhjes me ndoca gjethe të ndezura pak si për vjeshtë, por ai nuk e bëri një gjë të tillë, mbasi i ishte dorëzuar fatit përfundimisht, vetëm u lodh së qari në vetmi; këndoi pa zë këngët rinore të asaj dashurisë së harruar që e pat lidhur dikur dhe përgjithnjë me lumin dhe me njerëzit gjysmë të marrë të këtij katundi; qau me lotë derisa këta iu shteruan tradhëtisht; shkroi vjershat e fundit për pranverën që s'do t'i vinte më kurrë, për atë pranverë që ai e kishte njohur për tetëdhjetë vjet me radhë në atë fshat dhe që dinte ta kujtonte gjithmonë vetëm si pranverë, domethënë, gjethe që buisnin nga sythet me nxitim, lule që në mbrëmje s'kishin asgjë prej qenies së tyre, ndërsa në mëngjes agonin të bardha e të plota bashkë me dritën e ditës së re, e cila shpërndahej butësisht luginave të bleruara, duke përhapur aromën e paharruar të poezisë pemore; shkruajti vargje për lumin e këmborët, tingujt e të cilave llapashiteshin pambarimisht nëpër eterin e muzgut të mbrëmjes; për rininë që iku në vise të largëta e për pleqërinë që mbeti në vetmi, e helmatisur dhe e harruar bash si një monedhë e ndryshkur që s'i hyn më njeriut në punë, pastaj i mori ato copa letrash, i palosi me kujdes dhe i futi nëpër të çarat e mureve ngado nëpër shtëpi, sepse vërtet ai po ikte nga vendlindja e tij e dashur njëherë e përgjithherë, por ato s'duhej ta provonin peshën e rëndë të ndarjes me vendlindjen ku kishin jetuar prej aq motesh, - pastaj kur, natën, të tjerët flinin në shtretërit e ngrohtë, ai dilte ngadalë nëpër korridorin e errët, në oborr ku hëna rrinte gjithë seriozitet atje mbi degët e qershive, vështronte i përhumbur hijet ikanake rreth e përçark oborrit si zgjateshin e tëholloheshin me një merak të pakuptimtë;

çapitej lehtë nëpër vendet e njohura dhe në fund shkonte e ulej mbi barin e thinjur atje te një lirishtë, ku binte vetëm drita e hënës dhe asgjë tjetër e atje përsëri e fillonte duke dëgjuar me vëmendje të folurën murmuruese prej memeci që bënte lumi poshtë, nën kodrinën e ulët e nën majat e lisave plot gjurmë njerëzore e hënore, mandej humbiste nëpër labirinte kohësh të vdekura, ku sodiste plot merak gjithë ato ngjyra marramendëse figurinash të njohura e të panjohura, derisa e përmendte diku te ajo pjesa e fshatit përballë, matanë lumit, lehja e xhindosur e një qeni, e cila shuhej ngadalë me një ciatje të vajshme mortore; - atëherë fyelltari shikonte përrreth me dashuri, me një dashuri të madhe, e cila sa vinte e i rritej më shumë duke ia bymyer zemrën plot me mallëngjim dhe përsëri ia vinte veshin lumit;

- ah, sikur të mund ta merrte dot atë lumë në kutinë e vet të duhanit, ose të paktën atë zhaurimën e tij të tetëdhjetë moteve të papërsëritshme, - dhe prapë rrëshqiste befasisht te figurinat e panumëta, mashtruese, shenja të një kohe pakthim, që s'ekzistonte askund; - e kështu vazhdonte i gjori plak të përleshej me dallgët e kohëve në atë mënyrë sa me iu dhimtë edhe gjarpnit nën gurë, derisa hëna, e cila përvidhej fshehurazi e fshehurazi, si çdo gjë tjetër e kësobotshme, i shkelte syrin që nga supi i malit; - atëherë fyelltari ngrihej me plagë në zemër dhe kthehej përsëri andej nga kishte ardhur, sa pa e mbuluar fshatin errësira e plotë e pasmesnatës; mbyllej në dhomë me mendimin se gjithë jetën e tij të gjithë vetëm e kishin mashtruar e gënjyer, e gjumi e zinte me veshin tek lumi, duke u përpjekur, si vite e vite të tjerë, të deshifronte kumtet e tij të pangeshme; -kjo gjë ndodhi me të disa ditë me radhë, mandej, siç edhe pritej, erdhi dita e mbrame; - të nesërmen do të iknin; - ishin bërë gati të gjitha plaçkat e shpërnguljes deri te ato më të domosdoshmet, që do t'u hynin në punë ende sa pa u nisur; shokë e të afërm nga katundi hynin e dilnin, uronin e qanin, ndërsa kujtonin ngjarje të jetuara bashkë me ta; një palë iknin, të tjerë vinin, veçse për fyelltarin plak njëlloj ishte; ai s'përzihej me njeri, - shkonte si i përhumbur nëpër njerëz duke ndezur e fikur cigaret njërën pas tjetrës, - pa folur me kurrkënd dhe pa qenë në vëmendjen e kurrkujt; - atë ditë vetëm sa hëngri nja dy-tri kafshore për mëngjes; në drekë e në darkë, i tronditur siç qe, nuk vuri më gjë në gojë, kurse mbrëmanet aty nga mesnata, plaku doli për herë të fundit t'i shihte natën, hënën dhe pyllin e fjetur nën tisin e magjishëm hënor që nderej mbi lugina; kaloi mespërmes oborrit ku drithëroheshin hijet gungaçe të drurëve; dëgjoi gërhitjen plot lodërti të bulktheve, që sillte një puhizë e butë përmes erës së trumzës dhe i tendosi të gjitha shqisat në përgjim të atyre kumteve të papërsëritshme, që s'ishin të kësobotshme, pastaj pa dëborën sesi ngriti pjalmin e lëbyrtë përmes kopështit me trëndafila; lulet e qershisë që bulëzonin, ndërsa gjethet ishin në të rënë dhe përmes këtij mozaiku të panjohur u çapit ngadalë, pa u ndjerë, deri te lirishta e kthyer në gjol prej shiut hënor, ku befas mbeti i mrekulluar, kur pa një mizëri pëllumbash që gëlonin gjithandej duke fluturuar ulët nëpër drurë e përmbi bar; - çaplehtë e i pandjeshëm u afrua me vendosmëri deri te ata grumbuj shpezësh yjorë, që fluturonin mrekullisht pa lëshuar makar as edhe një fëshfërimë të vetme nga krahët e tyre prej drite; kaloi përmes tyre dhe doli në anën tjetër të lirishtës, ku u harrua gjatë, i përpirë nga tërë ajo festë e pazakontë, mandej te e vona u kthye përsëri dhe doli matanë, i vendosur të mos kthehej kurrë më aty në atë lirishtë të shtrenjtë, ku pati njohur për herë të parë magjepsjen e paharrueshme të mëkatit rinor, që në atë kohë ende s'e kishte atë emrin me të cilin e quajnë të rinjtë e sotëm; - eci me zemër të freskët e me hap djaloshar pëmes rruginës me dushqe të dehura nga freskia e aromat enigmatike të natës, por të nesërmen, kur shkuan ta merrnin në dhomën e tij arkadiane, e gjetën të mbledhur kruspull në cep të krevatit duke dënesur; flokët e bardha që më parë i rregullonte me një merak prej ashiku, i kishte të gafrruar e gjithë gjurmë duarsh, të cilat ashtu siç qenë katandisur, i ngjanin asaj borës së shkelur në një cep të malit; sytë i ishin mbytur në lot aq sa kur e ngritën prej andej, më të voglit prej djemve të tij gati i ra të fikët prej mallëngjimit, por prapë për hir të tij, e zotëroi veten; kafshoi buzën fort, mbylli sytë dhe i futi krahun të atit duke e ndihmuar të dilte prej andej; pastaj kur ndodheshin në oborr plaku iu drejtua turmës së fshatarëve që ishin dyndur plym nga të gjitha mëhallët për t'i përcjellë dhe u tha se gjithë natën sonte te Lirishta e Fllazave kishte parë pëllumba;

aq shumë sa mezi të kaloje përmes tyre, të cilët rrinin mbi bar ose fluturonin andej rrotull pothuajse fare ulët; - të gjithë sa e dëgjuan e morën për të lojtur dhe asnjëri s'deshi t'u besonte fjalët e tij, por të gjitha sa tha u vërtetuan që atë ditë, ndërkohë që tashmë ai plaku i pazakontë i fyellit dhe i vargjeve plot njomësi, ndodhej qindra kilometra larg në udhëtimin e tij drejt jugut, kur aty nga ora katër e mbasdites qielli mbi fshat u zu nga një re e vërtetë pëllumbash, të cilët vejevinin gjithë në ajër, pa u ulur askund; plot dy orë zgjati zallahia shurdhmemece e këtyre shpezëve të panjohur, derisa te e vona ata u larguan sërish, po aq beftësisht siç kishin ardhur, sa hap e mbyll sytë, në drejtim të pyjeve, andej nga rridhte lumi; - veç pas kësaj shenje të pazakontë, asnjëri prej banorëve të atij fshati, që nga fëmija që sapo kishte zënë të ecte vetë me këmbët e veta, e deri te më plaku i motnuar, s'mbeti njeri pa besuar se ai fyelltari i rrallë, që tashmë do t'u mungonte në amshim, kishte qenë një shenjtor e kështu dora-dorës pas këtij konstatimi të njimendët shumëkujt iu vel jeta në këtë fshat, ku kishin pllakosur heshtja dhe pikëllimi i braktisjes, ku ai fyelli gjethyjor s'do t'i shoqëronte më stinët e motmotit, dhe kështu njerëzit zunë të largoheshin nga trojet e tyre atërore, me lot në sy, njëri pas tjetrit, nga moti në mot, derisa kur së fundi ai i riu që e ruante ende në gji atë takimin e tetë vjetëve më parë me fyelltarin, e vizitoi përsëri vendlind jen e tij dhe pa se koha e saj kishte mbetur në vend njëherë e përgjithmonë

2. Duhet bërë diçka

Furgoni kaloi qafalikun dhe po zbriste mengadalë nëpër një grykë të rrethuar nga gjelbërimi i gjithë atyre drurëve mesdhetarë, që jeshilonin ende andej rrotull, duke krijuar një korije me të vërtetë të këndshme. Udhëtarët bëheshin gjithsej nja shtatë vetë. Dy cigane në mesmoshë, dy çunakë të rinj adoleshentë, dy vajza gjithashtu të reja dhe Rudi, i cili rrinte në ndenjësen e parë, përbri shoferit e me një copë shami fshinte herë pas here xhamin e makinës, ngaqë vishej sakaq përbrenda prej një shtrese ehulli të lëngët. Udha ishte mbytur e tëra nga ujërat e shiut që ende vazhdonte të binte me ngulm, ndërsa makinat kalonin përbri njëra - tjetrës të ndotura fund e krye nga stërkalat e pellgjeve.
"Po si ndodhi?", pyeti shoferi njërin nga adoleshentët, që ishte ulur me njërën nga ato vajzat e reja. "Një Zot e di", tha djali, "Luanit dje i kishin ardhur nga Anglia të dy vëllezërit. Ne i kemi shtëpitë afër dhe shkojmë shumë, kështuqë Luani erdhi vetë ndaj të ngrysur e më ftoi për darkë. E kaluam si ska më mirë. Spati kurrkush asnjëlloj pakënaqësie. Mbas darke u ktheva në shtëpi, ndërsa në mëngjes isha unë i pari ai që e pashë trupin e tij të varur në degën e mollës në kopësht. Më tepër, sdi asnjeri", tha djali e heshti.
Shoferi psherëtiu. Rudi fshiu xhamin e soditi si me dhimbje piklat vogëla që rrëshqisnin. Njerëzit rrinin të menduar, ndërsa furgoni po i afrohej qytezës së kalbur nën shi. Nëpër fasadat e mureve posterat e fushatës elektorale, megjithëse tashmë zgjedhjet kishin mbaruar, ende sqenë hequr. Rudi pa portretet e kandidatëve buçkamanë që buzëqeshnin prej andej plot neps, dhe instinktivisht e largoi vështrimin. Godinat e vjetra të qytezës së ngritur dikur për të internuarit politikë, pa cilësi e pa shije, ngjanin si të braktisura me suvatë e rëna e me lulet e harrimit mbirë nëpër parvaze.
Duhet bërë diçka, mendoi Rudi, ndërsa zbriste nga makina. Ai mori rrugën më këmbë drejt shtëpisë, pa çadër mbi kokë, dhe i duhej të ecte jo pak, po gati një çerek ore ashtu. Shelgjet vareshin gjithë plogështi anash udhës e, tek i çikte me sup pa e patur mendjen, i derdhnin pikat e tyre mbi ca kalimtarë të shastisur. Të mbrëmshmen në atë rrugë e kishte takuar Luanin për herë të fundit dhe tani po mendonte sesi trupi i tij kishte qëndruar gjithë natën në shi, i varur në kopësht. Bimët zbukuruese të oborrit i galdonin përreth nën dritën e largët të vetëtimës, ndërsa qielli rreshte pa pushim. Vëllezërit e ardhur atë ditë nga Anglia, flinin të qetë, ndërsa vetë ai, shoku i tij, po lexonte në shtëpinë e vet deri ndaj masmesnate "Ra ky mort e u pamë". Anembanë qytezës dritat ishin fikur dhe njerëzit flinin, siç pohuan disa, duke parë në ëndërr rrugë të shtruara me diamante farfuritëse, në dy anët e të cilave përkuleshin pemë të lulëzuara që kundërmonin nën rrezet e një dielli të panjohur, kurse në botën e zhgjëndërs, ndonjë qen i vetmuar angullinte në errësirë, diku në një lagje të kalbur në lagështi.
Duhet bërë diçka, mendoi Rudi përsëri dhe fshiu me mëngë fytyrën e lagur.

* * *
Luanin e njihte prej rreth një viti. Ishin takuar një ditë vjeshte në prani të një kushëriri të tij. Në atë kohë, ai sapo kishte ardhur në atë qytezë të vogël bregdetare bashkë me familjen e tij, nga një qytet i vogël i Veriut. Ishte vetëm njëzet e një vjeç, me arsim tetëvjeçar dhe i papunë. Nga shtati vinte mesatar, por i lidhur mirë nga muskujt dhe me një bazret prej të riu vërtet bukurosh. Që nga ajo ditë, me sa i kujtohej, mund ta kishte parë nja gjashtë deri në tetë herë të tjera, duke llogaritur edhe takimin e mbrëmshëm, i cili paskësh qenë i fundit. Përherë nëpër këto takime, Rudi kishte njohur një djalosh të shkathët, por që srrinte dot gjatë asnjëherë në shoqërinë e tjetrit. E kishte parë në ndonjë buzëmbrëmje, kur rrezet e fundit që uleshin mbi det përskuqnin fasadat e godinave, teksa dilte fare i vetëm, veshur me atë kostumin sportiv që se ndërroi asnjëherë, ndërsa shkonte të bënte një lojë bilardo me ndonjë moshatar. Po të mos u qëllonte të shkëmbeheshin në të njëjtin trotuar, gjithmonë qe Luani i pari ai që do ta pikaste dhe ta përshëndeste nga larg, duke i tundur dorën me buzagaz miqësor.
Në fillim, Rudi pati dyshuar për ndonjë lapërdhi në sjelljet e këtij djali dhe i ndenji ftohtë, por më vonë erdhi e u bind se Luani jo vetëm që skishte haber nga ajo anë, por përkundrazi qe një natyrë fort e dashur dhe plot çiltërsi, të cilit sia gjeje shokun lehtë. Gati para një muaji, në atë qytezë pati ndodhur një tjetër vetëvrasje e dhimbshme. Një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare i kishte dhënë fund jetës me çiften e të atit, një mbasdite shtatori, mu në mes të oborrit të shtëpisë. Ngjarja u bë menjëherë kryetema e ditës anembanë kafeneve të qytezës. Të nesërmen, Rudi ishte ulur në shkallët e ish-shtëpisë së kulturës, tashmë të kthyer në bar-kaf dhe po lexonte kronikën. Plot një faqe i kushtonte gazeta vdekjes së saj tragjike, ku përveç përshkrimeve të aktit, jepeshin edhe hamendje rreth pistave të mundshme të hetimit. Pikërisht në atë kohë, ia behu aty Luani. Rudi e ftoi dhe i dha një dyfletësh gazete për të mos u ulur drejt e mbi pluhurin e shkallëve të mermerta. Ai pranoi pa ngurrim dhe, gazmor siç ishte, filloi ta pyeste mikun për shëndetin, familjen e të tjera, por Rudi kësaj here për tjetër gjë ishte i interesuar. Ai e pati njohur mirë atë vajzën që ishte vetëvrarë, por duke qenë se jetonte nja njëzet minuta larg asaj lagjeje, ende nuk dinte gjë të saktë për rrethanat, ndaj mendoi se Luani, meqë e kishte më afër, duhej të dinte diçka dhe pikërisht për këtë po e ndalonte, kur rasti e solli që ai të kalonte aty pari.

"Nuk di gjë", ia ktheu djaloshi duke ngritur supet. "Bota thonë lloj-lloj versionesh, që mua më duken të pabesueshme. Merre me mend ku ka vajtur puna sot; sdi as kujt ti besosh."

"Pa shiko çthotë gazeta", tha Rudi duke i vënë përpara kronikën, ku ishin hedhur hamendje për ndonjë dashuri të dëshpëruar, që vajzës mund tia kishin ndaluar prindërit.

"Smë duket shumë bindëse", u mëdysh tjetri. "Ka plot shkaqet që dikë e çojnë në vetëvrasje, e tillë është stina që po jetojmë."

"Çdo me thënë kjo?", pyeti Rudi duke e parë vëngër, siç i ndodhte sa herë bindej se të tjerët kërkonin ti shisnin mend.
"Ja, kështu siç them unë", ia ktheu ai duke parë në gazetë portretin e vajzës së vdekur. "Lum ai që do ta ruajë të pashpuar kafkën edhe kësaj here", kishte shtuar pastaj mendueshëm, si të fliste vetmevete.

Më kot qe përpjekur Rudi për ta bindur se, sidoqoftë, ajo vajza skishte patur të drejtë të vriste veten, sepse në çdo rrethanë, sado në vështirësi të ndodhet njeriu, përsëri gjendet një rrugëdalje. Mjafton të kihet durim, thoshte Rudi, por tjetri vetëm e dëgjonte. Ai as e miratonte, as e kundërshtonte. Dhe nga kjo, Rudi e kuptoi se në këtë pikë si kishte gjetur argumentet e duhura me këtë njeri.

Atë ditë, mesa i kujtohej, qe hera e parë që kishin shtruar së bashku ndonjë muhabet serioz dhe qenë ndarë të dy me shijen e pakëndshme të moskuptimit. Rudi pati marrë një vendim në vetvete; tani e tutje do të ruhej për të mos hapur biseda me natyrë ekzistenciale në prani të atij djaloshi, kurdo që ti jepej rasti të rrinin bashkë, mbasi me intuitë nuhati tek ai një natyrë jo aq të thjeshtë, sa çe pati pandehur në fillim.


* * *
Në fakt, që nga ajo ditë ai se kishte parë më tjetër herë. Të mbrëmshmen, ndërsa kthehej nga puna (vonë, me një orë natë), u takuan rastësisht në rrugë dhe mezi u njohën prej errësirës. Mbi qytet qe nderur një qiell sterrë i zi, i cili, ndonëse hë për hë spo rreshte me, qe pasojë e shiut që që kishte rënë dy ditë me radhë dhe që pati pushuar vetëm aty nga dreka. Asaj nate, me sa dukej, do të rifillonte përsëri dhe asgjë stë linte të shpresoje se koha do të kishte përmirësime. Megjithatë, edhe pse në errësirë, qe Luani ai që e dalloi i pari Rudin dhe e thirri me emër.

"Po ku je, bre Rudi, ka kohë që sje dukur?", iu drejtua gjithë gëzim. Kur u dodhën afër, hapi krahët dhe e rroku fort.
"Çkemi ndonjë të re?", e pyeti Rudi djaloshin, ngase i ngjau më i ngazëllyer e më i shprehur se asnjëherë më parë.

"Më kanë ardhur të dy vëllezërit nga Anglia", e njoftoi tjetri dhe shtoi se ndjehej i lumtur që ishin mbledhur prapë të gjithë bashkë.

Pastaj i tha se kishte krijuar besim te Rudi dhe se do tia dinte për nder, po qe se e qortonte ndonjëherë, nëse pikaste tek ai ndonjë gjë që si kishte hije. Rudi u çudit, kur e dëgjoi tia hapte zemrën me aq familjaritet dhe në fillim e pandehu të pirë, por shpejt ndërroi mendim, arriti të dallonte tek ai atë kundërtipin e tij, që e kishte zili për ftohtësinë dhe seriozitetin me të cilin Rudi zakonisht i merrte gjërat. Luani ia vlerësonte lart me të vërtetë këto cilësi, ndaj kërkonte të përfitonte prej tij, por sdinte se si. Sa për vete, ai gjithë kohën bridhte rrugëve, luante bilardo ose shikonte televizor, pa u marrë me asnjë punë, le që andej ishte edhe e pamundur të siguronte ndonjë punë për të qenë, paga e së cilës tia vlente mundimin.

Duke menduar këto, Rudi kuptoi se vërtet ai kishte nevojë të diskutonte diçka të rëndësishme me një njeri të besueshëm dhe iu shtua respekti ndaj tij, ngaqë ai kishte zgjedhur pikërisht atë. Megjithatë, duke qenë se ndjehej i lodhur, e duke e gjykuar atë takim si një çast jo aq të përshtatshëm për të hyrë në temë, i ra shkurt sa mundi, duke i lënë të kuptonte se deri tani, sipas tij, ishte në rrugë të mbarë dhe se do tu jepej rasti të bisedonin më gjatë në ndonjë ditë të afërt. Me aq u ndanë, duke i uruar njëri-tjetrit "natën e mirë", dhe secili mori drejtimin për nga shtëpia e vet.

Të nesërmen në mëngjes, dita e pushimit gdhiu e njomur deri në palcë nga shiu, që kishte filluar nga mesnata dhe ende vazhdonte të rizonte përtej xhamave, lehtë-lehtë e i njëtrajtshëm, përmbi pjergullën në oborr dhe përmbi lulet që e rrethonin shtëpinë nga çdo anë. Ndërsa pinte ngeshëm kafenë në kuzhinë, Rudi vërente nga dritarja gjethet e rëna që kalbeshin në shi dhe sillte nëpër mend bisedën e mbrëmjes së kaluar, e cila i qe fiksuar në kokë. Sidoqoftë, atij mëngjesi i dha karar se tani e tutje do të kishte një mik më tepër, mandej aty nga ora nëntë i hipi një taksie dhe u nis për në qytetin fqinj, sepse do të blente ca materiale për instalimet elektrike që do ti vinte të reja në shtëpi.

Mbas dreke, teksa kthehej me furgonin e linjës, mori lajmin e mënxyrshëm. Pikërisht atë çast, për herë të parë e më shumë se kurrë, ndjeu pështirosje nga ai realitet aq i pamëshirshëm, ku notonte me stërmundim qenia njerëzore.

Duke ecur i vetmuar, i pambrojtur nga shiu, nëpër rrugën e shkretuar, përmes shelgjishteve lotuese, Rudi mendonte për atë djalin gazmor që kishte njohur, për orët e fundit të jetës së tij dhe për orët e pafundme në shi, mes heshtjes së përmallshme dhe mungesës së përjetshme. Tek përpiqej të rrokte përmasat e asaj gremine, u rrënqeth nga një ankth i beftë dhe i panjohur.

"Duhet bërë diçka", klithi me zë të lartë dhe fshiu me mëngë fytyrën e mbytur nga ujërat që po i merrnin frymën.

Marrë nga gazeta "Albania,7 Dhjetor 2008.
.