Prejardhja dhe zhvillimi i topnimit DUKAGJIN

Prejardhja dhe zhvillimi i topnimit DUKAGJIN

Prejardhja dhe zhvillimi i topnimit DUKAGJIN
Nga Kahreman Ulqini

Është i njohur në historinë shqiptare roli i madh që luajtën në she¬kullin XV, gjatë luftrave të udhëhequra nga Skënderbeu, vendet e për¬fshira në zotërimin e princave feudalë që mbanin emrin Dukagjin.

Përsa i përket zanafillës së Dukagjinëve është i miratuar prej stud-juesve mendimi i shfaqur nga M. Shuflaj se emri i familjes rrjedh nga një fisnik arbëresh, që dokumentat e shekullit XIII e quajnë "Ducam Gi¬nium Tanuschum Albanensem"(1).

Se toponimi Dukagjin lidhet me zotërimin feudal të princave Duka¬gjini na e bën të njohur për herë të parë Gj. Muzaka në testamentin e vet. Më vonë këtë gjë do ta ripohoj ë Fr. Bardhi dhe të dhënat dokumenta-re na e përforcojnë. Gjithë kjo zonë në kohën e mesme thirrej Pult. Më 1198 përmendet në një dokument "OAb APbBAHACb IIHAOTb" (de Albania pulatum)(2). Kështu edhe një anonim i vitit 1308 e fut Pultin në Arbën(2). Në trevat e Pultit në shek. XIV-XV shtriheshin zotërimet e feudalëve Spanë, Dushmanë e Dukagjinas.

Mendojmë se përdorimi i emrit Dukagjin si toponim rrënjën e ka në zakonin e vjetër mesjetar, sipas të cilit tertritoret ku sundonin feudalët e mëdhenj thirreshin me emrin e familjes së tyre. Kështu në dokumentat kemi: "Tokat e Karlit" (Topia), "Tokat e Javanit" (Gjon Kastrioti) etj. Serbët në gjysmën e dytë të shekullit XIV zotërimin e Balshajve e thirrën "Bal¬shikje". Fusha e Savrës nga Muzakët u bë Myzeqe. Malet në verilindje të Shkodrës më 1570 thirreshin "Monti Spani" dhe territori ku sunduan ata, në shek. XVII thirrej "vendi i Spanvet" (D. Vincenti) ose "Pjetër¬spanët" (P. Budi). Këta emra ndonse zënë vendin e një toponimi, nga ana gjuhësore nuk janë toponime të vërteta dhe nga ana historike kanë jetë të shkurtër, vdesin me zotninë feudal ose me familjen, pse janë emra të vënë e të përdorur në kanceleritë e kohës, emra që përcaktojnë kufijtë politikë të një principate, të cilët ishin të paqëndrueshëm, lëviznin tash e parë.

Pothuajse asnjëri prej këtyre toponimeve, me përjashtim të Duka¬gjinit e të Myzeqesë, nuk mundi t'i qëndronte kohës. Mbas pushtimit turk Myzeqeja tregonte një zonë gjeografike, pikërisht fushën e sotme, kurse Dukagjini një njësi administrative. Mund të pyesim pse vendet e Duka¬gjinëve u bënë toponim, kurse vendet e Kastriotëve jo? Këtu kemi të bëjmë me një fakt tjetër. Shteti i Skënderbeut përbëhej nga krahina të vjetra gjeo-etnografike të formuara e të kristalizuara prej shekujsh si Mati e Dibra. Një gjë e tillë nuk ndodhte atje ku sunduan Dukagjinët. Aty ishin njësi të vogla, si Malziu e Fandi ose "Zadrima e Epër" që na i përmend vetëm Barleti, ku sundonin Dukagjinët dhe Zaharijet. Kështu toponimi Dukagjin zuri vend lehtësisht si emërtim i një krahine më të madhe.

Është karakteristikë themelore e onomastikës shqiptare prejardhja e toponimeve nga antroponimet e kalimi nga këto në etnonime dhe ana¬sjelltas. Toponimet Vuksanaj. Lekai, Lotaj, Gimaj p.sh, kanë ardhur nga antroponimet Vuksan, Lekë, Lot e Gim. Nga toponimet Shalë e Shosh vij¬në etnonimet Shala e Shoshi. Dukagjin e njohim si toponim e si emër familjeje; e rëndësishme është se na bëhet e ditur për të parën herë prej Gj. Muzakës, që Dukagjin është edhe emër i një personi. Ky autor për¬mend emrat e tre vëllezërve: Gjergj Dukagjini, Zot i Zadrimës, Tanush Dukagjini që kishte Fandin dhe Dukagjin Dukagjini me banim në Shko¬dër, i cili zotëronte tetë katunde në Zadrimë(5). Në kadastrën e Venedikut (1416-1417) kemi një Dukagjin Budemiro (fq. 64). Ky fenomen duhet të ketë qenë i rëndomtë. Kështu kemi edhe një Span Dukagjini, Muzak Topija etj.



                                                                Iballas, foto e vitit 1937

Si pamë këtë karakteristikë të toponomastikës shqiptare, mund të vazhdojmë në shqyrtimin e dokumentave për të ndjekur zhvillimin e emrit topik Dukagjin. Toponimin Dukagjin ndër dokumenta në shtrirjen filles¬tare e gjejmë që më 1402 "...quod terrenum nominatur de Duchagi¬nis,..."(6). Më 1501 përmendet "paese de Ducagini", po kështu edhe në një burim venedikas më 1595. Te Gj. Muzaka e gjejmë toponimin të formuar plotësisht:  ".. tash (1510 K.U.) thirret Dukagjin"(7). Trevën fillestare ku lind toponimi Dukagjin duhet ta kërkojmë në ish-shtatë bajrakët e Pukës. Gj. Muzaka përmend si zotërim të parë të Dukagjinëve Malziun dhe kështjellën e Fletit të ndertuar prej  tyre, gjurmet i gjejme edhe sot ("Kalaja e Fletit" në lokalitetin e Fushës së Arrsit, Pukë). Aty afër kemi fshatin Dukagjin (sot lokaliteti i Shëmrisë, Kukës). Malet e kësaj zone në jug të Drinit, qysh në shek. XVI thirren "Malet e Dukagjinit". Një anonim i përmend në relacionin e vet më 1553.(8) Një tjetër më 1570 dallon mirëfilli Malet e Dukagjinit nga sanxhaku i Dukagjinit (9). Kështu bën edhe ambasadori venedikas Bernardo më 1591.(10)

Relatorët e shek. XVII nuk e identifikojnë sanxhakun e Dukagjinit me malet e Dukagjinit. Malet e Dukagjinit përmenden më 8 shtator 1614 në planin që Kuvendi i Kuçit i paraqet Karlit II Gonzaga.(11) M. Bici (1610) dallon mirfillit në relacionin e vet Malet e Dukagjinit dhe sanxhakun e Dukagjinit. Gj. Bardhi më 1632 veçon malet e Dukagjinit prej dioçezit të Sapës e të Sardenjës. Në një relacion të vitit 1634 ai përmend Malet e Dukagjinit, të Pultit e të Kelmendit. Mbasi shetit katun¬det e lokalitetit të sotshëm të qendrës (Pukë) a të Iballës, kur do të kalojë në Krasniqe, thotë: "Tashti po shkojmë duke nisur vizitën e Maleve të Pultit që i ndan Drini". Këtë dallim e bën edhe F. Bardhi në relacionet e viteve 1637 e 1641.(12) Në një hartë Dukagjini shenohet në zonë të Pukës(13) dhe te Kanteli Dukagjini shënohet afër kësaj zone.(14) Të shumtën e herës del si emër gjeografik për të shënuar Malet Krrab-Tërbun. I. Zamputi duke u nisur prej relacioneve të shek. XVII, në një studim të vetin dallon Dukagjinin (Pukën) nga Pulti.(15)

A përputhej në shtrirje sanxhaku i mëvonshëm i Dukagjinit me principatën e Dukagjinëve? Mendojmë se jo. Sot për sot e kemi të vësh¬tirë të caktojmë një kufi të asaj principate, por sado pak, dimë se në kohë të ndryshme aty përfshihej Lezha, që më vonë iu dorëzua veneci¬anëve, Zadrima, Puka, tokat përtej Drinit deri në Prizren. Sot në Fand gjejmë toponime paralele për Lekën dhe për Skënderbeun.(16) Edhe sanxhaku përfshinte pothuaj këto vende, duke i shtuar Mirditën, që bënte pjesë në principatën e Kastriotëve, Shalën, Shoshin, Nikaj-Mërturin, tre bajrakët e Pultit e Gashin, që qenë pronë e Spa¬nëve si dhe tokat e Zaharijve në "Zadrimën e Epër" (pjesa malore e lokalitetit të Vaut të Dejës e Shllaku). Megjithë këtë mospërputhje të tokave të principatës e të sanxhakut dhe me ndërrimin e qendrës admi¬nistrative nga Prizreni në qytetin e Pejës, nuk u prishën uniteti e lidhjet ekonomike të kohës. Përsëri mbetën tregje kryesore qytetet e Pejës, të Gjakovës, Prizrenit e Lezhës, nëpër të cilat kalonin rrugët e vjetra e të natyrshme. Po edhe Pulti nuk është identik me Dukagjinin si mendonte M. Sirdani. Një barazim në mes të Pultit e të Dukagjinit nuk mund të bëhet për arësye se Pulti për çdo shekull ka ndryshuar shtrirje. Në sanxhakun e Dukagjinit hynte jo vetëm dioçezi i Pultit, por edhe pjesë nga dioçezet e Arbnit, të Lezhës e Sapës. Përveç kësaj, ende sot nuk e kemi të qartë dallimin rreth Pultit dioçez e Pultit krahinë. I afrohet së vërtetës mendimi i Rr. Zojzit kur thotë se në mes të Pultit e të Arbnit lindi Dukagjini (Etnografia Shqiptare, vëll. I).

Gjetja e toponimeve të tjera Dukagjin në vende të ndryshme, është një argument me rëndësi që flet në favor të tezës se emri topik Dukagjin ka prejardhje vendase dhe paraturke. Më 1601 në Dukagjin të Matit (17) (dioçezi i Arbnit, principata e Kastriotëve, sot katund në lokalitetin e Darjanit) bëhet. një kuvend. Këtu në mes të krahinave të tjera përfa¬qësohej edhe Dukagjini sanxhak.(18) Më 1638 Fr. Bardhi përmend katu¬ndin Dukagjin në krahinën e Malziut (sot në Kukës); në Ungrej (lokaliteti i Kashnjetit, Lezhë) kemi toponimin "Kodra e Dukagjinit".


 Kryezias, foto e v. 1944        Lahutë me zbukurim-koke hyjnie

A ka ndonjë lidhje në mes të këtyre toponimeve dhe emrit të kra¬hinës, të sanxhakut apo të familjes Dukagjini? Mendojmë se kemi ana¬logji si tek Arbën, principatë e dioçezë me toponimet Arbas (Mat), Arb¬nesh (Krajë), Arbanë (Tiranë), Arbni (Fusha e Ishmit); si te Kastriot me Kastriot të Dibrës e të Matit; si Muzakaj me Myzeqe, Muzhakë (Mat), Guri i Muzhaqit (Elbasan) e Muzhakë (Opar); si Balshaj me Ballezë (Rrjoll-Shkodër), Balle e Ballsh.

Në shek. XVIII sanxhaku i Dukagjinit vjen e shprishet. Mirdita del prej sundimit të Begollajve. Zadrima, Lezha, Shala, Shoshi dhe Puka me marrjen e sundimit të Shkodrës nga Bushatllitë shkëputen nga sanxhaku i Dukagjinit dhe nga Begollajt. Me administratën e re, më 1831 Porta prishi sanxhakun e Dukagjinit dhe Dukagjini i sotëm mbeti në vilajetin e Shko¬drës. Emri Dukagjin u ruajt si kujtim në traditën popullore, e cila ndante në Dukagjin të Vogël tokat e sanxhakut poshtë Drinit dhe në Dukagjin të Madh tokat sipër Drinit. Në këngët popullore të shekullit të kaluar për¬doret toponimi Dukagjin me shtrirjen e vjetër. Ky emër vazhdoi të përdo¬rej edhe në tekstet e gjeografisë si "Malet e Dukagjini".

Toponimi Dukagjin, emri i krahinës së sotme ose i lokalitetit që shkon në rrethin e Shkodrës është një mbeturinë e sanxhakut me të njejtin emër, njësoj si u ka mbetur bajrakëve të Selitës, Këthellës e Bushkashit emri "tre bajrakët e Ohrit", ose "Ohri i Vogël", sepse shkonin me san-xhakun e Ohrit. Kështu krahinave ose bajrakëve të Shalës, Shoshit e Pultit u ka mbetur emri Dukagjin.

Nuk ka dyshim se familja e Dukagjinëve gëzonte një famë të madhe, sidomos Lekë Dukagjini, i cili vazhdoi e udhëhoqi luftën kundra turqve edhe dhjetë vjet mbas vdekjes së Skënderbeut. Legjendat, toponi¬met, kanuni etj. etj., që ende janë të gjalla në popull dëshmojnë për këtë. Këta i përkasin rrethit të Pukës. Megjithëse Dukagjinët me pushti¬min turk braktisën vendin, e disa prej tyre u islamizuan, prapëseprapë pinjoj të asaj dere u kthyen në Shqipëri e për një shekull kryesuan luf¬tën kundër pushtimit turk, gjë që s'ndodhi me princat e tjerë shqiptarë. Ndoshta edhe kjo rrethanë bën që të jetojë në popull aq gjallë emri e fama e Dukagjinëve. Gjatë shekullit XVII zona e Dukagjinit është bërë një ndër vatrat e fuqishme të luftës për liri. Gjithë kjo krahinë përshko¬hej prej një rruge kryesore që lidhte Shkodrën a Durrësin me Kosovën e brigjet e Danubit, e njohur qysh nga koha antike buzë së cilës ndodhej stacioni rrugor "Ad Piccaria" paraardhësi i Pukës së sotme (shih për këtë Tabulën Poitingeriane). Në afërsitë e kësaj rruge duhet kërkuar edhe fortesa e paidentifikuar Klementiana* e rindërtuar prej Justinianit, si edhe qyteti mesjetar Sipas, të cilin, I. Adrami e vendos në krevend. Gjatë rrugës në shek. 16-17 kishte disa kështjella si Kabashi (Fortezza di legno, Coroneth), Qyteza e Re (1547) që u shërbenin turqve për të siguruar këtë rrugë nëpërmes një krahine gjithmonë kryengritëse.

Shumica e krahinave malore të Shqipërisë së Veriut ku regjimi i timareve nuk ishte vendosur ende; u përfshi në sanxhakun e Dukagji¬nit (19). Duket se sulltan, Sulejman Kanuniu u detyrua ta linte sanxhakun e Dukagjinit që të qeverisej simbas kanuneve të vendit. Ky ishte Kanuni i princave të familjes Dukagjini, ashtu si në Mat e Dibër etj. jetoi e veproi Kanuni i Skënderbeut. Në zonën e Pukës janë të pashlyeshme kujtimet e Dukagjinëve. Fr. Bardhi shkruan se në Pukë: "në rrugë e në punë kë¬ndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të mëdhenj dhe sidomos të të pathyeshmit zot Gjergj Kastriotit, të thanunit Skenderbeg, dhe të të përshëndritëshmit zot Lekë Dukagjinit, princit dhe zotnisë së tyne". Këtu tradita mbeti e paprekur, ndërsa vende të tjera për rreth përvetësuan këtë traditë në mënyrë të ndryshme. Siç e dimë prej dokumenteve his¬torike, zona e Dukagjinit të sotëm (rr. Shkoder) sundohej prej feudalësh Spanë. Sot në popull nuk dëgjohet asgjë për ta, asnjë kujtim.

Nga koha e tyre ruhet toponimi "Qyteti i Dakaj" që mund të jetë "citta di Sala e Sosci" i Biemit. Për Lekën tregohet ndonjë gojëdhënë e zbehtë. Toponimi "Guri i Lekës" lidhet sot me Lekë Dukagjinin, kurse në të vërtetë ka marrë emrin prej një Leke që jetoi përpara 3-4 brezash. Edhe kanuni që zbatohej deri dje thirrej kanuni i Lekës. Duket se kur Dukagjini i sotëm dhe Mirdita bënin pjesë në të njëjtin sanxhak, lindi gojëdhëna e tre vëllezër¬ve mbi prejardhjen e popullsisë së këtyre katundeve me motërzimet e veta dhe paralel me këtë gojëdhana tjetër se Mirditasit zbresin nga Pal Dukagjini dhe Shala e Shoshi nga Lekë Dukagjini(20). Kjo gjë bëri që Dukagjini i sotëm (rr. Shkoder) të merret nga disa studjues si qendër e familjes prin¬core.




Nga shqyrtimi i të gjitha këtyre të dhënave vijmë në përfundim se toponimi Dukagjin e pati origjinën nga llagapi i familjes princore Du¬kagjini. Në fillim nuk qe toponim i vërtetë, e vetëm në shekullin XV fi¬lloi të kristalizohej si i tillë. Në shek. XVI është i saktësuar nga ana gju¬hësore e me krijimin e sanxhakut merr një shtrirje e kuptim të ri. Në fillim ishte emri i një zone të madhe administrative e sot ende përdoret me kuptimin gjeografik për malet e Pukës dhe përveç kësaj ka mbetur si emër i një krahine anësore të ish-sanxhakut. Toponimi i vjetër Dukagjin s'e pat asnjë herë kuptimin e një toponimi.

-------------------------------------------------------------------------------------
1) Sufflay, Dr. M. - Serbët dhe Shqiptarët, Tiranë, 1926, fq. 189-190. Hopf. C. ¬- Chroniques Greko-romanes, Berlin, 1878, fq. 533. Baldaci A. - Studi speciali albanesi, Roma, 1937, V. III, fq. 106. Instituti I Studimeve shqiptare. - Studime e tekste, De¬ga I, Romë, 1943, dok. 33, fq. 291, 292.
2) Thalloczy – Jiriiçek - Shuflay - Acta et diplomata res albaniae media e aeta¬tis ilustrantia, V. I. 1913, dok. 113, fq. 37.
3) Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, V. II, Tiranë, 1962, fq. 111-112.
4) Barleti, M. Historia e Skënderbeut (përkthyer nga Stefan Prifti). Gurakuqi, G. - Sapa e Dioçesi i Sapës, Shkodër, 1929, fq. 4.
Ceka, H. -Mbi disa të dhana topagrafike rreth luftave te Skenderbeut sipas Barletit, Buletin i Shkencave Shoqërore, nr. 3, 1952, fq. 21-36.
5) Leka, nr. 4, 1931, fq. 108 .
6) Akta et diplomata ... Vëll. II, fq. 212, Dok. 707.
7) Leka, nr. 9, 1931, fq. 108 e 267.
8). Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, V. III. Tiranë, 1962, fq. 49.
9) Po aty, fq. 162-164.
10. Po aty, fq. 170.
11. P0 aty, fq. 120.
12) Zamputi, I. - Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shek. XVIII (1610-1634), Vëll. I, Tiranë, 1963; VëII, II. Tiranë, 1965.
13) Cordignano, F. - Geografia Ecclasiastica dell' Albania (Degli ultimi decenni del secolo XVII), Roma, 1934.
14) Cantelli, G. - Hartë në "Enciklopedia italiana Treccani", voce Albania.
15) Zamputi I. Dukagjini dhe Pulti në gjysmën e parë të shekullit XVII-të. Buletin Universitet Shtetëror, Nr. 1, 1959.     .
16) Hoxha Sh. Toponimet e Fandit, Buletini i Universitetit Shtetëror, Seria Shkencave Shoq. Nr. 3, 1962, fq. 204.
17) Zamputi I. Projekte shqiptare për çlirimin e vendit drejtue Europës në vje¬tet 1577-1621, Bul. Inst. Shkenc. nr. 4, 1954.
18) Ugolini, M. L. - Studi albanesi, III-IV, 1933-1936.
19) Historia e Shqipërisë, vëll. I, f. 337.
20) Nopcsa, Dr. F. - Aus Sala und Klementi Albanische Wanderungen, Sarajevo, 1910. Castoleti. G. - Consuetudini e vita sociale nelle montagne albanesi secondo il "Kanun di Lek Dukagjini", Studi Albanesi, III-IV, 1933-1936.


* Klementina është sqaruar, që nuk duhet kerkuar në zonen e Dukagjinit (Shën. Red).
Botuar në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (12-18 janar 1968), Tiranë 1969.