Puka, në një zbulesë turistike

Puka, në një zbulesë turistike

Puka, në një zbulesë turistike
Udhëtim në bukuritë e natyrës dhe pasurinë e tokës së qytetit verior

Nga: Alma Lahe (Perondia)

Tani që vapa ka shtrënguar dhe tema kryesore rreth së cilës sillet biseda e të gjithëve janë pushimet në bregdet, të përzgjedhësh një opsion të ndryshëm për të pushuar, si pushimet malore, tingëllon më shumë se e çuditshme, një çmenduri e vërtetë. Prej muajsh kisha dëgjuar për 40 hanet.

Një eksperiencë e tillë më është dukur përherë interesante, ndaj, një fundjavë korriku vendosa të ndërmarr aventurën dhe të bujtem në një nga hanet. Së bashku me një miken time, Aranitën, që është bijë e mbesë Puke, u nisëm për të bujtur në hanin e Përparim Laçit. Pas dy orë e gjysmë udhëtimi, nëpër një rrugë të mirë dhe panoramë të këndshme mes kurorës së dendur të pishave të Pukës, në të hyrë të qytetit ndalojmë dhe ngjisim më këmbë një të përpjetë që të çonte te hani. Rrugës takohemi me të zotin e hanit, i cili na shoqëron deri te shtëpia, që ndodhet në një faqe kodre, mes një grumbulli shtëpish përdhese të vjetra e të reja, të ndara nga gjelbërimi. Hani i Përparim Laçit është një shtëpi e re trekatëshe. Në oborrin e vogël të zbukuruar me lule shumëngjyrëshe, na pret e zonja e shtëpisë.

Na uron mirëseardhjen dhe na gostit me nga një gotë dhallë. "‘Fanta‘ dhe ‘Cola‘ keni sa të doni në Tiranë", na thotë, "dhe meqë keni vendosur të bujtni këtu, besoj se dëshironi të provoni dhe shijoni vetëm prodhimet e vendit". Pasi shuajmë etjen me dhallë, ngjitemi në dhomën ku do të qëndrojmë këtë natë. Është një dhomë e vogël dhe e këndshme në modestinë e vet, në katin e tretë të shtëpisë. Dyshemeja dhe tavani janë prej druri të punuar. Në cepin e majtë të dhomës shquhet oxhaku i punuar me gurë dhe përkundrejt njëri-tjetrit ndodhen dritarja me derën e ballkonit, nga ku duket një panoramë interesante e zonave përreth qytetit. Zbresim poshtë ku e zonja e hanit na ka përgatitur mëngjesin, një pjatë me fli (gatim karakteristik i zonave të Veriut me petë dhe ajkë qumështi) të pjekur në saç, mjaltë, djathë dhie dhe lope, si dhe nga një gotë qumësht.

"Janë të gjitha prodhime shtëpie", na sqaron Përparimi, i cili tregohet i gatshëm që, pasi të mbarojmë mëngjesin, të na shëtisë në zonë. Përparimi është i njohur jo vetëm në Pukë, por edhe jashtë saj, si alpinist dhe si trajner i të rinjve në ski dhe alpinizëm. Pak vite më parë, së bashku me një grup të vogël alpinistësh shqiptarë janë ngjitur në majën më të lartë në botë, në Himalajë. Vajza 13-vjeçare është kampione kombëtare për të reja në ski dhe i biri është i pari shqiptar që është ngjitur në majën më të lartë në Europë, në Malin e Bardhë (Mont Blanc) në Francë. Nisemi me makinë. Ndalesën e parë e bëjmë në Luf, ku Përparimi ka vendosur kosheret e bletëve. Mbërrijmë në një shtëpi të braktisur, prapa së cilës dallojmë kosheret, disa prej të cilave duken si të arnuara nga mizëria e bletëve që janë ulur në faqen e jashtme. Përparimi na tregon se ka vite që merret me rritjen e bletëve dhe tashmë ka rreth pesëmbëdhjetë koshere.


                 Koshere bletësh                                 Mani i Zi, pëmë shekullore në Pukë

"Zona e Pukës është shumë e pasur, na thotë, dhe njerëzit kanë filluar ta kuptojnë dhe t‘i shfrytëzojnë burimet e saj. Këtu pranë ndodhet një kishë, ku Don Xhovani Fiochi, prifti i saj, ka ngritur një punishte të vërtetë në të cilën përpunohen dhe prodhohen shumë lloje produktesh ushqimore". Ne shprehim dëshirën që të vizitojmë kishën.

"Mrekullitë" e Kishës së Kçirës

Dalim sërish në rrugën kryesore dhe pasi udhëtojmë në të rreth pesë minuta, kthehemi djathtas, pikërisht pranë një tabele ku shkruhet Kçirë. Nga larg dallojmë kambanoren dhe, ndërsa afrohemi, dallojmë disa punëtorë që punojnë në rikonstruktimin e kishës. Sapo zbresim nga makina, në të majtën tonë, nën hijen e pishave të larta, dallojmë një grup fëmijësh të ulur dhe tre të rritur në këmbë që duket se po bashkëbisedojnë. Një djalë rreth të njëzetave na afrohet dhe na uron mirëseardhjen. Quhet Kastriot dhe bëhet ciceroni ynë gjatë vizitës në Kishën e Kçirës. Jemi afruar pranë grupit të fëmijëve dhe kuptojmë se të rriturit që po komunikojnë me fëmijët janë italianë.


              Kisha e Kçirës

Kastrioti na sqaron se çdo verë Kisha organizon kampe verore për fëmijët e zonës, ku vullnetarë nga Italia vijnë dhe organizojnë një program të plotë, duke filluar nga orët e edukatës qytetare e deri te lojërat argëtuese. "Kampet ngrihen me qëllim edukativ dhe janë të hapura si për fëmijët myslimanë ashtu edhe për ata katolikë", na sqaron ai. Kastrioti është student i psikologjisë në Universitetin e Shkodrës dhe gjatë pushimeve verore punon në kishë. Mësojmë se prifti nuk ndodhet, por na afrohet një italian rreth të gjashtëdhjetave, kunati i priftit, që shpreh kënaqësinë të na shoqërojë, së bashku me Kastriotin. Vizitën e parë e bëjmë në "fermën e derrave". Mbarështimi i tyre është një nga sipërmarrjet e kishës. Lendet e lisit, që janë me shumicë në zonë, i sigurojnë nga banorët e zonës. Në punishte prodhohen tri produkte nga mishi i derrit. "Në vendet e Europës mishi krudo dhe sallami turist i një cilësie të tillë është shumë i kërkuar dhe i shtrenjtë", na sqaron italiani, "por sasia është modeste dhe prodhimi tërhiqet nga disa përfaqësi diplomatike në Tiranë".

Dalim nga seksioni i mishit dhe hyjmë në atë të konservave. Godina njëkatëshe që shërben si punishte ka disa dhoma. Hyjmë në "repartin" e konservave. Dy banore të zonës, me skufje në vesh e me dorashka, japin e marrin mbi një makineri të thjeshtë. Me ne bashkohet edhe Doda, banor i zonës dhe administrator i Kishës.

"Në punishte përpunohen dhjetë lloje reçelnash, kultivohen, përpunohen dhe paketohen rreth dyzet bimë mjekësore, tre lloje mishrash, disa lloje likernash", na sqaron Doda.


         Konserva këpurdhash.                       Likerna të ndryshme bio

Të "zotët" e shtëpisë, Doda, Kastrioti dhe kunati i priftit, na ftojnë të provojmë prodhimet e punishtes. Rehatohemi në njërën prej dhomave. Kastrioti na servir në një pjatë riska sallami. Doda kujdeset që të na gostitë me liker menteje, të cilin na e shërben në kavanoza të vegjël reçeli. Bëjmë gëzuar duke trokitur kavanozat dhe provojmë likerin, një pije me shije të fortë menteje, avujt e së cilës të djegin hundët. Ndërsa shijojmë likerin dhe sallamin, biseda përqendrohet tek iniciativa e kishës për të ndërmarrë një veprimtari prodhuese. "Banorët e kësaj zone janë të varfër dhe nëpërmjet kësaj iniciative kisha mundohet t‘u vijë në ndihmë ekonomive familjare. Gjatë verës, kur janë edhe pushimet shkollore, fëmijët nxiten të mbledhin bimë medicinale, lende lisi, dredhëza (luleshtrydhe). Në një ditë një familje arrin të sigurojë 40 mijë lekë nga mbledhja e dredhëzave, 200 mijë nga lendet", rrëfen Doda, i cili kohët e fundit ka filluar përpjekjet për të themeluar qendrën At Mëhill Tërshana, e cila do të ketë për qëllim ndihmën për banorët e zonës dhe zbutjen e varfërisë.

  
      Parcela me bimë medicinale                    Në hanin e Perparim Laçit


Kërpudhat, ushqimi i lirë për derrat

Dalim nga punishtja dhe shprehim dëshirën për të parë parcelat eksperimentale. Në krahun e majtë të kishës shtrihen disa parcela me misër. "Janë dhjetë lloje kultivarësh", na sqaron Kastrioti, "të cilat ndiqen në mënyrë periodike nga një grup studentësh dhe pedagogësh nga Pulia. Është parcelë eksperimentale, për të parë rendimentin e çdo kultivari, në mënyrë që edhe fshatarët e zonës të orientohen që të mbjellin atë kultivar që jep më shumë prodhim dhe është më i përshtatshëm për këtë lloj toke dhe klime".

Kunati i priftit bën me dorë nga një tjetër ngastër e mbjellë me jonxhë. "Është ushqim i mirë për bagëtitë", konstatojmë ne, por italiani na habit. "Është shumë i mirë për njerëzit", na thotë. "Në Itali, majat e jonxhës i përdorim për sallatë. Ky vend është i pasur me bimësi të ushqyeshme, por banorët i njohin pak ose aspak vlerat e tyre dhe nuk i përdorin pothuajse fare për ushqim për vete, por vetëm për bagëtitë." "Kur fillova të punoj këtu", tregon Kastrioti, "mësova për vlerat e mëdha ushqyese të kërpudhave. Prifti na tregoi se është një nga ushqimet më të shtrenjta në Itali. Në zonën tonë rriten disa lloje kërpudhash. Është edhe një kërpudhë e kuqe rrumbullake, vezakuqe, të cilën e përdorim si ushqim për derrat. Këtu mësova se ajo është e një lloji të veçantë dhe shumë të kushtueshëm. Një ditë gjyshja më pa që po haja vezakuqe dhe thirri: "Pu pu, më ka m‘et djali pa ngij e po ha ushqimin e derrave"... Ngjitur me parcelën eksperimentale të misrit, e tëra në lejla shtrihet parcela e kultivuar me çaj mali. Ndodhemi buzë një tatëpjete, nga ana e prapme e kishës, ku poshtë dallojmë serat. Zbresim. Në sera janë mbjellë kultivarë të ndryshëm, duke filluar nga dredhëzat, trumza dhe bimë që i shohim për herë të parë dhe nuk ua dimë as emrin. Kastrioti na sqaron se prej disa vitesh vjen një agronom nga Pulia në mënyrë periodike për të kontrolluar prodhimet që kultivohen në tokat e kishës. Interesohemi për numrin e të punësuarve që kujdesen për parcelat e kultivuara dhe për përpunimin, konservimin dhe ambalazhimin e produkteve "Made in Puka" të cilat, përveç produkteve të mishit (për të cilat vendet e BE kanë vënë embargo), kanë filluar të gjejnë treg jo vetëm në Tiranë e Shkodër, por edhe në Itali.

Në këtë sipërmarrje të kishës punojnë rreth 40 punonjës, banorë të zonës dhe na sqarojnë se nuk bëhet dallim mes banorëve myslimanë dhe katolikë.

Kthehemi në han për të drekuar dhe për të pushuar. Megjithëse shërbimi sinoptik e ka parashikuar këtë si ditën më të nxehtë të sezonit, ne na duket se është një nga ditët më të ëmbla, pasi e krahasojmë me zhegun përvëlues të kryeqytetit. Pasdite, zbresim në qendër të qytetit, bëjmë një shëtitje në rrugën kryesore, pastaj ulemi te turizmi. Kthehemi në han ku tashmë darka është shtruar. Përveç nesh dhe të zotëve të shtëpisë kanë bujtur nga Lezha edhe vëllai i Përparimit me familjen. Ndërsa shijojmë gatimet e zonjës së shtëpisë, shoqëruar nga një verë të ëmbël Berati, biseda sillet që rreth klimës, zgjedhjeve, politikës. Vonë, ngjitemi në dhomë dhe, pas shumë ditësh, bëjmë një gjumë të qetë, ku jo vetëm që nuk bezdisemi nga vapa, por në mëngjes shtojmë edhe një batanije.

Në Kryezi

Të nesërmen në mëngjes përshëndetemi me familjen Laçi dhe nisemi për në Kryezi, një fshat i njohur në Pukë. Atje banon axha i Aranitës me të shoqen, pasi fëmijët janë shpërngulur dhe banojnë në Tiranë, përveç një vajze që jeton në Pukë. Tek agjencia, në të dalë të qytetit të Pukës, marrim furgonin për Kryezi. Pas dhjetë minutash në rrugë automobilistike, furgoni kthehet majtas dhe merr një rrugë të pashtruar dhe jo fort të gjerë. Ndalojmë para shkollës nëntëvjeçare të fshatit dhe marrim rrugën në këmbë. Gjithandej të zë syri gjelbërim. Lodhja nuk ndjehet dhe fryn një fllad i këndshëm. Kalojmë disa godina gjysmë të shkatërruara që dikur kanë shërbyer si depo të rezervave të shtetit, hyjmë mes tyre dhe marrim majtas. Sillemi rreth një porte të madhe të thurur, për të gjetur "drynin" prej teli që ta hapim. Hyjmë. Përballë ndodhen rrënojat e disa godinave të vjetra dhe një fortifikim ushtarak i kohës së Luftës së Ftohtë, i cili mbahet ende në këmbë. Ngjitemi kodrës. "Këto janë tokat e Brahajve", më tregon Aranita. "Të gjitha pemët që të sheh syri janë mbjellë nga gjyshi, Osman Sh. Brahaj". Janë hektarë të tërë toke të mbjella me gjithfarë pemësh, kumbulla të të gjitha varieteteve, mana, arra, mollë.


        Aranita në Kryezi                                  Ndertimi I Xhamisë, Kryezi

Pas dhjetë minutash, mbërrijmë te shtëpia e Axhë Rexhepit, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, me fizik dhe tipare të rregullta. Në prezantimin e parë e kupton që ke të bësh jo thjesht me një njeri të zgjuar, por edhe të lexuar. Nënë Meremja na fton të rrimë si në shtëpinë tonë. Ulemi përpara shtëpisë me axhë Rexhepin, i cili është një gojëtar i lindur. Nuk mërzitesh tek dëgjon historitë e tij, që nga ato që tregonin të moçmit e deri tek ato që ka parë e dëgjuar gjatë jetës së tij. Befasohem tek dëgjoj të thotë vargje të tëra të "Lahutës" së Fishtës. Nuk ka nevojë ta pyesësh që të mësosh se Fishta është poeti i tij më i dashur. Axha Rexhep ka lexuar shumë dhe, ndërsa diskuton rreth Kanunit dhe ndryshimeve dhe të përbashkëtave të atij të Lekë Dukagjinit dhe të Labërisë, e kupton që jo vetëm i ka lexuar por edhe studiuar. Më duket vetja një injorante e shkolluar që metropoli e ushqen me gjithçka, përveçse me dije. Aranita dëshiron të vizitojë varrezat e familjes. Axh Rexhepi na shoqëron. Varrezat e familjes Brahaj ndodhen dyqind metra mbi shtëpinë e axhës.


   Alma me Axhën rexhep                                Me nana Meremen
             në Kryezi 

Është një lëndinë mes pemësh e thurur me gardh ku duken katër varre. Afrohemi tek varri i gjyshit të Aranitës dhe babait të Rexhepit, Osman Brahaj. Mbi pllakën e thjeshtë prej mermeri shkruhet: "Osman Sheqeri Brahaj 1899-1981". Si i biri ashtu edhe mbesa e Osman Brahaj të tregojnë, se ai ishte një burrë i rrallë, të cilit i dëgjohej dhe respektohej zëri në krahinë. Në botimin e "Kanunit të Lekë Dukagjinit - Varianti i Pukës, nga Xhemal Meçi, emri i Osman Brahaj përmendet rreth pesëmbëdhjetë herë, duke iu referuar zgjidhjeve që i ka dhënë Kanuni konflikteve të ndryshme", tregon Rexhepi. "Përpara se të vdiste", kujton ai, "baba më ka thënë se ka mbjellë me dorë të vetë 544 pemë. Dhe të gjitha këto pemë që shihni janë mbjellë prej tij". Ngjitemi më lart, atje ku sapo ka filluar të ngrihet xhamia e re. Është pasdite dhe tre punëtorë vazhdojnë punën. Përshëndetemi me ta. Pas një shëtitjeje të gjatë kthehemi në shtëpi. Të nesërmen herët marrim rrugën e kthimit për Tiranë.



Botuar në gazetën "Shqip" 3.08.2009