Kujtime për Ram Halilin e Sakatit

Kujtime për Ram Halilin e Sakatit

Kujtime për Ram Halilin e Sakatit
14 prill 1952. Në burgun e Tiranës, në orën 4 të mëngjesit, policia na zgjoi nga gjumi dhe na urdhëroi që për gjysmë ore të ishim gati për nisje. Oficerët kanë lexuar emrat e grupit prej 40 vetësh që do të niseshin për në Korçë. Të lidhur me duar mbrapa, na kanë hipur në një kamion.

Ishte ftohtë e kur arritëm në Elbasan filloi shiu, na hodhën përsipër një farë myshamaje, por u lagëm e po dridheshim si thupra në ujë prej të ftohtit. Pak para mëngjesit të ditës së nesërme na kanë zbritur në Maliq, në një kamp. Balta e lluca ishte deri në gju, ne të lagur e të lodhur. Kazermat ishin me krevate dyshe, me kashtë të lagësht e ne jemi shtrirë të lodhur për vdekje. Nuk patën kaluar as dy orë, kur kanë rënë bilbilat gërr-gërr-gërr.
 
- Ngrihuni për të shkuarnë punë!

Për pesë minuta jemi veshur e kemi dalë në rresht, morëm çajin dhe pak bukë të zezë. Na i dhanë lopatat dhe çizmet e grisura dhe u nisëm për në punë drejt fushës. Në fillim fusha ishte pa ujë, pastaj kemi hYrë në ujë deri mbi gju. Duhej të hapnim tokën me lopatë nën ujë, të gërmonim tokën nën ujë e ta nxirrnim dheun me lopatë e duar, deri sa të bëhej vijë. Kanë qenë dy-tri ditë vdekje për ne, deri sa e hapëm një lloj vije, prej nga filloi të ecë uji.

Gjithë verën e vitit 1952 e kam kaluar në kanal të Maliqit, prej mëngjesit e deri në mbrëmje. Na kapnin ca shushunjëza, të cilat nuk shqiteshin kurrsesi nga trupi. Na e pinë edhe atë pak gjak që na kish mbetur.

Më kujtohet se, bashkë me ne, në kampin e Maliqit, ishte një djalë prej Sakatit të Pukës, Ram Halili, një djalë i gjallë, djalë i fortë. Mbeti tri ditë i sëmurë. Spiunët e burgut e raportuan sikur po shtirej e nuk donte të punonte. Policët, si egërsira, shkojnë në kazermë, e kapin, e marrin zvarrë dhe e sjellin nëpër fushë e te vendi i punës, para nesh. E vendosën në breg të kanalit dhe e lanë gjithë ditën me fytyrë nga dielli, në këmbë.

Në mbrëmje e sollën para kampit, e lidhën tek një shtyllë dhe e lanë gjithë natën aty me duar mbrapa. Në mëngjes, kur u ngritëm për të shkuar në punë, na urdhëruan që ta pështyj më të gjithë me radhë. Thuajse asnjë i burgosur nuk pranoi ta


                      Tabllo e piktorit Lin Delia

poshtëronte në këtë shkallë bashkëvuajtësin e tyre. Atëherë policët na nisën me vrap, duke na rrahur me shopinj deri te puna.

E, të shkretin Ram Halilin e lanë ashtu deri sa i ra të fikët, pastaj e zgjidhën dhe e futën në birucë për tri ditë. Por ia vunë syrin. Më vonë, në Rrogozhinë, e vranë dhe nxorën fjalë se deshi të arratisej. Nuk e harroj përjetë



Kujtime të Mustaf Elezit, marrë nga libri: JahElezet e Dragobisë" me autor Ndue Ukcama, Botuar nga "ORA", Tiranë 2009, f. 144-145.