Kur jetës i bie rruga nga ti

Kur jetës i bie rruga nga ti

Kur jetës i bie rruga nga ti
Pas një takimi me intelektualë, dashamirës të librit dhe gazetarë, ajo ndalet në stendë të takojë lexuesit. Ul kokën, buzëqesh e firmos mbi fletët e librit të saj.Në panairin mbarëkombëtar të librit "Tirana 2009", porsa është promovuar "Kur jetës i bie rruga nga ti", vëllimi i ri me poezi i Mirela Sulës. Shtëpia botuese "Toena" e ka përzgjedhur si pjesë të kolanës "Kambana", poezi e zgjedhur shqipe që deri sot ka përfshirë emrat dhe krijimtarinë e 32 poetëve më të mirë shqiptarë që krijojnë brenda apo jashtë kufijve shtetërorë. Kritiku i artit, Josif Papagjoni, është kujdesur për përzgjedhjen e poezive të Mirelës, madje e ka shoqëruar këtë botim edhe me një studim letraro-estetik shkruar po prej tij... Mirela ndalet për të falënderuar të gjithë.

Kujdeset të mos harrojë askënd. Sepse për të, sigurisht që kjo është një ditë krejtësisht e veçantë. "Kur jetës i bie rruga nga ti" është vëllimi i tetë poetik i saj, përpos vëllimeve të tjera me tregime e një romani. Për Papagjonin, poezia e saj është burimore, me shumë dhimbje, ku bleron mirësia dhe fisnikëria e një shpirti blatues pa shumë vezullime pasqyrash, ku të ftojnë të shkosh dikund për të mbetur askund. "Poezia e saj është derëçelur, në të cilën një grua, një nënë, një e dashuruar, një e pikëlluar një intelektuale, një mike, një qytetare të bujt të hysh", shkruan më tej ai. Dritëro Agolli ka thënë se zbulimi i diçkaje të bukur, që nuk e ke parë ndonjëherë, të ngjall në shpirt një ngushëllim të patreguar dhe nëse ke qenë në vorbullën e mërzisë, të bën të dalësh prej saj dhe të duash më shumë jetën.

E nuk e ka thënë rastësisht. Por pasi ka lexuar poezitë e Mirela Sulës. Sepse atij i ndodhi pikërisht kështu teksa lexonte vargjet e saj. "Para meje nuk qëndronte një amatore, por ngrihej një poete me kuptimin e plotë të kësaj fjale të shenjtë", ka thënë ai. Dhe ajo, poetja, ngulmon të jetë e tillë në çdo formë (poetike). Nuk e ndal krijimin, meditimin, hedhjen e shpirtit në vargje, fjalosjen me lexuesin nëpërmjet krijimeve të saj. Jo vetëm Agolli, por edhe Moikom Zeqo, Ilirjan Zhupa, Visar Zhiti, Flutura Açka e shumë poetë të tjerë, mendimi dhe fjala e të cilëve peshon dhe çmohet në rrethet tona letrare e më përtej e kanë veçuar dhe vlerësuar poeten Mirela Sula, duke e vendosur atë midis më të mirëve. "Mirela Sula më ngjan të jetë poete para së gjithash. Ajo është e sinqertë, me shpirt të brishtë dhe të lënduar, sepse siç ka thënë Fatos Kongoli, letërsia është dhimbje", u shpreh përkthyesi Edmond Tupja. Për të, "Kur jetës i bie rruga nga ti" është metaforë e dhimbjes, metonimi e dashurisë. "Ajo është një poezi që të shtyn natyrshëm ti besojmë sërish ndjenjës, duke e rizbuluar atë në një mënyrë tjetër", shton më tej ai. "Për mendimin tim, pak gjëra mund të jenë të rastësishme në rezultatin e punës së saj.

Dhe një nga këto rastësi të bukura është talenti poetik që ajo mbart. Gjithçka tjetër në jetën dhe punën e saj, brenda dhe jashtë tempullit të letërsisë, gjithçka që rezulton e bukur, e përkryer apo thjesht e arrirë, vjen si fryt i vullnetit të saj të mirë, i punës së saj këmbëngulëse, i shpirtit të sakrificës, i ndjenjës së lartë të përgjegjësisë dhe pozitivitetit që e karakterizojnë si individ", tha për të Irena Toçi, drejtoresha e shtëpisë botuese "Toena. Për Irenën, ajo që bën më shumë përshtypje është forca shpirtërore e poetes Mirela Sula që dhimbjen e thellë shkaktuar nga humbja apo largimi i njerëzve të dashur e ka kthyer në margaritarë poetikë, vetminë e ka ndriçuar në dritën e ngushëllimit, duke i dhënë lexuesit të saj në njëfarë mënyre edhe çelësin për të zgjidhur dilemat e veta. "Në ciklin e fundit të poezive që përfshihen në këtë libër, shkëputur nga vëllimi me titull Gënjeshtra të bardha, mendoj se formimi i saj në fushën e psikologjisë ka ndikuar që vargu të ketë edhe më shumë esencë mendimi figurativ sesa ndjesi të përftuara nga ndonjë ngjarje që i ka tërhequr vëmendjen dhe e ka shtyrë për të shkruar", ka nënvizuar ajo. Mirela, gjithnjë ka qenë e dashuruar pas librave, pas letërsisë. Pasioni që ka për të shkruar, gjithnjë ka rënë në sy, edhe atëherë kur ndiqte gjimnazin në qytetin e Pukës. Krijimet e saj lexoheshin gjithnjë me zë të lartë. Poezitë e saj të para nis ti botojë në gazetën lokale "Përpjekja". Kur ishte ende në vitin e dytë në gjimnaz, shkruan romanin "Vëlla e motër".

Për shkak të pamundësisë për të botuar në atë kohë, romani kalon dorë më dorë për tu lexuar nga mësues apo kritikë letrarë të qytetit. Vëllimin e saj të parë me poezi "Leje për të jetuar" e boton në vitin 1995, menjëherë pas tij boton librin me tregime "Të jetosh përgjysmë". Humbja e vajzës ende foshnjë la shenjë të thellë në jetën e Mirelës. Dhimbja e nënës pasqyrohet edhe në krijimtarinë e saj. Në vitin 1998 boton poemën "Elvana", kushtuar vajzës që lindi dhe nuk u rrit. Në këtë poemë, sipas Josif Papagjonit, lexuesi kupton çështë nëna, mëmësia. "Nëna lind jetën. E bart... Nga gjaku dhe mishi në gjak dhe mish tjetër. Prandaj dhemb kaq shumë vdekja e fëmijës. E kush veç nënës mund ta kuptojë thellësisht atë. Çmendurisht atë", shkruan ai. Por gjen në poezinë e saj shumë dashuri... "Gjen aty sinqeritetin e ndjenjës, për të thënë të pathënën... dhe kjo shënon për mua një nga gurët e qoshes, ku ngrehina e poezisë së saj bëhet solide", vijon më tej Papagjoni. Mirela Sula sjell mendim, ndjenjë, transmeton dëshirë reflektimi, delikatesë poetike... gjithë sa buron prej shpirtit të një poeteshe.



Arjola Hekuran
Gazeta Shqip