Puka e panjohur, në një album fotografik

Puka e panjohur, në një album fotografik

Puka e panjohur, në një album fotografik
Janë imazhe që sjellin në vëmendje personalitete të kohës, siç është fotografia ku shfaqet Ernest Koliqi gjatë kohës kur ishte kryeredaktor i revistës "Shkëndija". Nuk mungojnë edhe fotografi që përcjellin detaje etnografike, elemente të veshjes popullore, rite e zakone, si dhe fotografi që pasqyrojnë kulturën materiale të kësaj zone të thellë malore. Më e hershmja prej tyre daton në vitin 1878, për të vijuar më pas deri në fundin e viteve 1930.


                                          Ernest Koliqidhe Kol Bib Mirakaj 1930

Të gjitha do të përmblidhen në një album, i cili pritet të jetë gati në muajin qershor. Prej disa kohësh, Jaho Brahaj, studiues, ka nisur të mbledhë e të koleksionojë fotografi të vjetra të zonës së Pukës. Një pjesë e madhe e këtyre fotografive janë krejtësisht të panjohura e të papublikuara më parë. I përkasin një fotografi amator, Jani Thomait, i cili si nëpunës i mbretërisë shqiptare ka punuar pikërisht në zonën e Pukës. Mes tyre, vjen edhe një fotografi në të cilën shfaqet Ernest Koliqi, gjatë periudhës kur ishte kryeredaktor i revistës "Shkëndija", si dhe një fotografi të cilën autori e quan "Dasma". Përveç elementeve të veshjes popullore, përmes saj, shikuesi mëson edhe se si qëndronin në një festë të tillë nusja, dhëndri e dasmorët, si dhe detaje nga vallet popullore të zonës.


                      Dy nga fotot që do të jenë pjesë e albumit që po,
     përgatitet për Pukën: (pukjanë të fotografuar nga Lamberc më 1916.


Z. Jahaj është duke përgatitur një album fotografik, i cili i kushtohet Pukës. Si periudhë kohore, nga cili vit nis ky album?

Po, është duke u përgatitur një album i ri fotografik, i cili i kushtohet Pukës. Fotografia më e hershme e albumit daton në vitin 1878. Ka qenë një rastësi befasuese, shumë e bukur, që atë vit, në një kohë kur studiot lëvizëse fotografike ishin shumë të pakta, në Shqipëri vjen albanologu i shquar dhe i njohur austro-hungarez, Han. Ai kishte marrë me vete edhe një nga fotografët më të mirë të Austrisë, fitues i disa çmimeve europiane në panairin e Parisit disa dhjetëvjeçarë më përpara. Ai fotografon për herë të parë malin e Komanit. Kjo është edhe fotografia e cila për herë të parë fikson rrethin, ose krahinën e Pukës. Është një foto që edhe sot mund të quhet e habitshme dhe e jashtëzakonshme. Ajo është kryer në një kohë kur vetëm për transportin e aparatit fotografik duheshin dy kuaj. Teknologjia e fotografimit ka qenë jashtëzakonisht e vështirë në atë kohë. Për të bërë një foto duhej më shumë se sa një orë kohë... E pra, kjo është një nga fotografitë e rralla. Por Puka ka shumë të tilla, sidomos ato që dokumentojnë anën etnografike të një zone jashtëzakonisht interesante, një zonë ku ka jetuar Cikli i Kreshnikëve, ku ka jetuar me mentalitet tradicional, qoftë në punimet e ndryshme, një vend ku ka mbijetuara në mënyrën më korrekte Kanuni i Lekë Dukagjinit, sepse më përpara Puka quhej zona e Dukagjinit, aty ku mendohet se ku ka ndenjur dhe ka pasur sundimin e saj disashekullor familja e Dukagjinëve.

Do të përmbajë ky album edhe fotografi nga të tjerë autorë të huaj, qoftë edhe studiues?

Puka në fotografi paraqitet në një koleksion shumë të mirë fotografish nga Franc Nopça. Nga viti 1905 e deri në vitin 1908, që ka ndenjur në zonën e Malësisë së Madhe dhe në zonën e Pukës, ai ka realizuar një seri fotografish, të cilat kanë vlera të pazëvendësueshme etnografike, qoftë në veshjen e burrave, qoftë në veshjen e fëmijëve apo grave, ashtu edhe për mjeshtëritë e ndryshme. Prej tyre unë mendoj se do të ishte me shumë interes studimi i mënyrës tradicionale, gati primitive e kalimit të vaut, domethënë kalimi i lumenjve në va, në rrëshiq, ashtu siç e kemi të dokumentuar në fotografitë e Nopçës. Por në Pukë kanë kaluar edhe studiues të ndryshëm, të cilët kanë pasur aparat fotografik me vete. Një nga ta është Maksimilian Lamberci, i cili ishte gjuhëtar, albanolog. Në Pukë ai ka qëndruar për një ekspeditë në kohën e ndërhyrjes ushtarake të Austro-Hungarisë në Shqipëri. Ai ka bërë disa fotografi që kanë ngelur dhe janë të rëndësishme si për pasqyrimin e monumenteve, ashtu edhe për pasqyrimin e portreteve e peizazheve. Ato kanë shumë vlerë, sepse në mënyrën se si ka fotografuar, duke pasur parasysh edhe cilësinë shumë të mirë të fotografisë, ato pasurojnë dokumentimin e mënyrës së jetesës së malësorëve në atë periudhë.

Thatë se për këtë album janë rezervuar shumë fotografi të rralla. Si ju kanë rënë në dorë ato?

Fotografitë e rralla... Është rastësi ndonjëherë. Rreth viteve 80, kur punoja në Muzeun e Pukës, jam njohur me një fotograf amator, i cili ka qenë nëpunës në kohën e mbretërisë shqiptare në Komunën e Iballës në zonën e Pukës. E quanin Jani Thomai, dhe ishte i lindur e i rritur në Dhërmi të Vlorës. Atë kohë kishte një aparat fotografik dhe meqenëse ishte i emëruar atje, ka bërë disa fotografi shumë interesante, të cilat megjithëse nuk paraqesin nivelin artistik siç kishin studiot e qyteteve, ato kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Për shembull: po të shohim fotografinë "Dasma", që është shkrepur në zonën e Iballës, aty ne kuptojmë shumë. Kuptojmë pozicionin se ku rrinte nusja e dhëndri, kur të gjithë dasmorët janë në oborr, shikojmë lëvizjen e valles epike që interpretohej nga malësorët, banorët autoktonë dhe të lashtë të asaj zone, por në të njëjtën kohë aty mund të shihen veshjet e nuses së re dhe dhëndrit, si dhe të grave e burrave të tjerë. Pavarësisht se kemi të bëjmë me fotografitë e një amatori, ato fitojnë vlera të jashtëzakonshme, sepse fotografët që kishin atëherë qytetet, nuk shkonin që të fotografonin në zona të thella malore.

Prej imazheve të panjohura të këtij personazhi të pasionuar pas fotografisë, a ka ndonjë prej tyre që do e veçonit?

Jani Thomai më dhuroi disa prej fotografive të tij vetëm pas viteve 90. Unë po veçoj një fotografi ku ka dalë Kol Bibë Miraka dhe Ernest Koliqi. Ata kanë dalë me disa malësorë dhe priftërinj të tjerë në Iballë të Pukës, në vitin 1938. Në atë kohë Ernest Koliqi ka qenë kryeredaktor i revistës "Shkëndija". Është një rast krejtësisht i veçantë që një kryeredaktor shkon në zonat më të thella për ti shërbyer revistës së tij. Por vlera e kësaj fotografie nuk është vetëm te personalitetet. Aty na paraqiten edhe objekte të tjera të rralla që pasqyrojnë kulturën materiale të këtij populli. Po të shikojmë në sfondin e saj, kemi një karrige tradicionale. Janë karrige të cilat nuk ruhen më në Pukë, ekziston një në Institutin e Antropologjisë Popullore dhe Studimit të Arteve. Ajo karrige ishte e veçantë sepse kishte funksion të dyfishtë. Sipas një riti shumë të lashtë, ajo përdorej për të vdekurin. Pasi e vishnin me veshjen tradicionale, kufomën e ulnin në atë karrige, i vendosnin një cigare në buzë dhe ai në odën e pritjes së burrave qëndronte për disa orë derisa kryhej riti i pamjes dhe derisa përgatitej për varrosje.

Sa prej këtyre fotografive janë të papublikuara?

Të tilla janë më shumë se 50 për qind e albumit. Por unë quaj të publikuar edhe ato fotografi që ekzistojnë te fototeka "Marubi", nga të cilat unë kam zgjedhur rreth 11 copë. Pra i quaj të publikuara derisa kanë qenë në një studio, sepse ndonjë studiues edhe mund ti ketë parë. Këtu mund të jenë rreth 40 fotografi të cilat nuk janë parë asnjëherë, sepse në pjesën më të madhe janë fotografi familjare.

E keni vendosur se sa fotografi do të ketë ky album?

Fotografitë do të jenë të shumta, sepse unë kam edhe fotografi personalitetesh, fotografi që kanë dokumentuar monumente të asaj periudhe; ka fotografi ku shfaqen edhe nxënës shkollash, në të cilin janë përzgjedhur ato që paraqesin edhe vlera etnografike; nuk mungojnë as urat e drurit që janë karakteristike për zonën e Shqipërisë së veriut dhe sot thuajse janë zhdukur të gjitha. Do të ketë edhe portrete, njerëz që janë të veshur me kostume kombëtare me vlera etnologjike. Këto të gjitha do të jenë të shoqëruara me nga një tekst të shkurtër në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, sepse Puka është shumë e varfër sa u përket informacioneve në lidhje me të. Shpresoj që kjo nismë do ti shërbejë edhe njohjes nga ne vendasit të kësaj pasurie që ka pasur Puka, por edhe të huajve për një orientim.

Kur parashikohet që ky album me fotografi të vjetra të Pukës të jetë gati?

Albumi është thuajse gati, ka ngelur vetëm përkthimi në anglisht. Presim që në muajin qershor të jetë në treg.






Gazeta Shqip
Arjola Hekurani