Parathënie për librin Qelëza Vështrim Historiko-etnografik, të autorëvë Gjon Gjoni dhe Marash Kolaj

Parathënie për librin Qelëza Vështrim Historiko-etnografik, të autorëvë Gjon Gjoni dhe Marash Kolaj

Parathënie për librin Qelëza Vështrim Historiko-etnografik, të autorëvë Gjon Gjoni dhe Marash Kolaj
Nga Ismet Bala

Dashuria për vendëlindjen është motivi që i ka nxitur studiuesit Gjon Gjoni e Marash Kolaj, që pas një pune të gjatë e të zellshme të botojnë librin "Qelëza, Vështrim Historiko¬-Etnografik", Duke lexuar këtë libër vërejmë me kënaqësi se për hartimin e tij janë shfrytëzuar të dhëna nga arshiva e biblioteka, është bërë ballafaqimi i tyre dhe përfundimet që dalin janë të argumentura mirë, ndaj janë bindëse. Këtij qëllimi i ka ndihmuar edhe puna këmbëngulëse e bërë, duke shkuar shtëpi më shtëpi, duke biseduar me të moshuar e të rinjë dhe materialet e mbledhura, duke i situr me kujdesin e duhur, për të qenë sa më realiste e të vërteta çdo e dhënë në libër.

Edhe qelzoret jetojnë prej shekujsh në trojet e veta. Ngado që të kenë ardhur ata, brenda trojeve shqiptare kanë lëvizur dhe kanë bashkëjetuar si ata. Këtë e dëshmon edhe ngulimi i tyre para pesë shekujsh në atë vend që ndodhen sot e natyrisht edhe aty vend i banuar nga shqiptarë ka qenë. Këtë e dëshmon edhe kultura e lashtë e Komanit, ku një pjesë e banorëve i përkasin fisit të Komanit.
"Nga luftrat e pa prera gjatë shekujve shumë fshatra janë prishur e janë formuar të rinj, thotë Çabej - por emrat e vendeve kanë mbetur e janë trashëguar nga pasardhësit". Edhe qelëzorët këtë rrjedhë historike kanë patur. Ata janë ngulur aty, kanë organizuar jetën brez pas brezi, duke ruajtur identitetin e vet, si shqiptar.

Populli ynë gjatë historisë mijëra vjeçare ka përballuar tre pushtime të perandorive të mëdha të Europës, që kanë zgjatur afro dy mijë vjet. Edit - Durham thekson se shqiptarët kanë kaluar gjatë 20 shekujve pushtimin nga Roma, sllavët e tu•rqit, por kanë mundur të mbijetojnë. Shumë popuj edhe në Ballkan janë zhdukur gjatë këtyre dy mijë vjetëve, por shqiptari mundi të ruaj pakën e tij: Gjuhën, kulturën e zakonet, të cilat s'janë as romake, as slave, as turke. Edhe qelëzorët kanë gjalluar mes malesh brez pas brezi. Eshtë e natyrshme që ata të merrnin besimin e parë të krishterë, mbasi ishin pagan. Duke qëndruar besnik një besimi monoteist nuk shpërbën tiparet themelore të shqiptarit. Eshtë meritë e tyre e veçantë, që ata nuk e ndërruan këtë besim, sadoqë ndërruan pushtimet, e secili më i egër se ljetri, e çdonjëri me nga 500 vjet. Ata nuk e shitën besimin as me flori as me ofiqe, nuk u tjetërsuan as nga presioni psikologjik as nga dhuna fizike e përdorur gjatë shekujve. Shikoni sa emra të bukur, tipin iliro - shqiptare kanë mbi 90 përqind e qelëzorëve. Ky qëndrim nuk i ka penguar ata të integrohen kudo brenda e jashtë vendit. Edhe sot e në të arthmen qelëzorët na japin një mësim të çmuar, të ruajmë kudo që të ndodhemi identitetin tonë.




Kapitulli "Qelëza në luftën për liri e pavarësi Kombëtare" përshkohet me të drejtë nga motive i krenarisë kombëtare. Ata ja vunë pushkën jo vetëm pushtuesit turk, por edhe atij serb. Qelëzorët vlerësohen flamurtarë e flamurmbajtës, sepse kontributi i tyre ka rëndësi në historinë e Rrethit të Pukës e më gjerë. Në kohën kur shtetet shoviniste fqinje, Serbia, Mali i Zi, e Greqia kishin pushtuar Shqipërinë, qelëzorët shquhen për frymën e lartë patriotike. Më 8 dhjetor 1912 ngritën flamurin Kombëtar dhe e mbrojtën atë, me gjithë pasojat e rënda që i shoqëronin ata, duke u vrarë e burgosur prej pushtuesve serb. Kjo frymë kombëtare u iniciua dhe u mbështet, pa dallim feje, nga të dy besimet, ai katolik e mysliman. Njohja e ngjarjeve historike kulmore dhe e figurave të shquara në to, padyshim luan rol përparimtar edhe te brezat e rinjë.
 
Sa më shumë kalon koha, vlera e dokumentave, librave e çdo gjëje materiale shtohet shumë. Lexuesi e kupton qartë, duke u bazuar në të dhëna t e Frang Bardhit e të tjerëve, rreth pesë shekuj më përpara, se si ka ecur rrjedha historike, kulturore e materiale e brezave paraardhës. Çdo intelektual e ndjen për detyrë të vendosë një dëshmi në ndërtesën e kulturës së popullit të vet. secili qelëzor, kudo që ndodhet brenda Shqipërisë apo jashtë ka për ta ndjerë të nevojshme pasjen e këtij libri dhe leximin herë - herë të tij për të kujtuar e përfytyruar me mall e dashuri vendin ku u lind e gjalloi, ku ka lënë të parët e vet, do të kujtojë copëza nga jeta e tij ... Ky libër është një dëshmi e ndjenjës dhe përgjegjësisë intelektuale të autorëve për vendlindjen e tyre.

Duke i përgëzuar autorët për punën e mirë të nisur, uroj të vazhdojnë më tej, se burimi i gurrës popullore nuk shteron kurrë. Kurdoherë ka e do të ketë të dhëna të vlefshme. Ky libër më nxit edhe mua të hedh në letër sa më shpejt e me përgjegjësi materiale, që i kam mbledhur në Pukë, gjatë më shumë se 30-vjetëve jete e pune midis popullit pukjan.
Botimi i këtij libri është një ndihmesë për mësuesit e sotëm të Pukës, që duke njohur këtë material, të mbledhin, të studiojnë e të botojnë libra me vlera për kulturën tonë kombëtare.