Beslim Hoxha

Beslim Hoxha

Beslim Hoxha
Nga Gjon Gjoni

Vitet sikur i kanë kaluar shpejt, por pesha e tyre i ka lënë gjurmë të pashlyeshme mësusit veteran Beslim Hoxha.

Është lindur më 20 prill të vitit 1935 në qytetin e Pukës, në një familje intelektuale e me tradita patriotike e liridashëse. Që në moshë të vogël ëndërronte të bëhej i ditur e këtë dëshirë e realizon me vullnetin për të mësuar sa më shumë në shkollën e vendlindjes, në shkollën e mesme pedagogjike e më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën gjuhë-letërsi-histori, në Tiranë. Viti 1954 shënon fillimin e punës në arsim si drejtor shkolle në Iballë, detyrë të cilën e kryen deri më 1958. Larg vendbanimit, por mësuesi i ri përballon vështirsitë e të jetuarit e të ushtrimit të profesionit si mësimdhënës dhe shënon rezultate të mira në arsimimin e fëmijëve të kësaj shkolle. Në Iballë kujton kolegët e tij, Ndue Pjetrin ("Mësues i popullin, Muhamet Uruçin të ardhur nga Shkodra e Prendush Gjergjin nga Qelëza.

Në dosjen e Beslimit radhiten 36 vite pune në arsim.

Nga Iballa transferohet në Pukë me detyrën e N/drejtorit të shkollës "Jordan Misja". Më 1962 e gjejmë drejtor shkollë në Flet. Më 1963-1965 drejtor shkolle në Qerret. Po me këtë detyrë punon në Kabash e Kryezi. Në vitet 1967-1969 është ni drejtor i shkollës së mesme dhe drejtor i konviktit në qytetin e Pukës, më 1970-1975 drejtor i shkollës së mesme Fushë-Arëz. Më pas deri më 1990 mëson dhe edukon nxënësit e shkollave Qafë-Mali, Kryezi dhe Breg.

Një periudhë e gjatë kohe si mësues e drejtues institucioni hedh dritë mbi biografinë e punës së Beslim Hoxhës, si një ndër pionierët e parë të arsimit në vitet e pas çlirimit të vendit. Vlerësimi që i është bërë në të gjitha shkollat tregon për një mësues me shkallë të lartë kualifikimi e të vullnetshëm për punë. Firma e tij gjendet në veprimtaritë metodike-shkencore, si përgjegjës i kësaj fushe në zonën e Iballës, në Fushë-Arëz, Kryezi, Qafë¬Mali e në shkolla të tjera. Ai është referues i disa temave me karakter shkencor e pedagogjik. Të tilla mund të cilësojmë temat: "Probleme të masivizimit të arsimit B-vjeçar dhe detyrat që i dalin shkollës së reformuar", "Drejtshkrimi dhe të shprehurit dialektik", "Te puna e mësuesi varet niveli cilësor i të mësuarit nga nxënësit" e punime të tjera që mësuesi i ruan në arkivin e tij.

Janë të shumta kujtimet dhe mbresat që ruan mësuesi gjatë 36 viteve të punës në sektorin e arsimit. Të tërheq vëmendjen një rrëfenjë e viteve rinore kur sapo ishte emruar mësues. "Po udhëtoja më këmbë, më thotë,¬nga Iballa për në Fushë-Arrëz. Mbrëmja më zuri në Sapaç. Ndërsa kaloja rrugës, një fshatar, Qun Jaku e quanin, më ndaloi dhe pas përshëndetjes më tha: - "Është vonë, hajde në shtëpi". U binda. Më tërhoqi vëmendjen shtëpia e rregulluar mirë dhe mikpritja bujare e tij. Më përcolli me dashamirësi, por më tha: "Kujdes, mos i thuaj ndokujt ku ishe se të bëjnë fjalë". Duket dikush më shikoi kur dola nga shtëpia dhe më raportoi se mësuesi ka zbutë luftën e klasave, ka shkuar te shtëpia e kulakut. Më thirrën dhe u tregova i sinqertë, më falën. Kështu më ka ndodhur edhe në fshatin Lëvoshë, ku shkolla e parë u hap në shtëpinë e Vat Jakut e dikush nga fshati, donte ta hiqte andej, mbasi Vata ishte me biografi të "keqe".

 "Më ka bërë të mendohem, - më thotë, - se ndonëse vlerësohesha si mësues i mirë, më transferonin shpesh dhe gjithnjë larg mjedisit familjar, zakonisht në zona të thella. Kur më emronin më thonin: "ke punuar mirë, ndaj do të shkosh në këtë apo atë shkollë për përforcim. "Bindesha" se vetë nga natyra ime nuk e kam në karakter "qarjen" për hallet e mia .... Dhe emrohej mësuesi në shkollat me prapambetje, por kur dorëzonte çelsat gjithnjë me vete merrte edhe fletën e lavdrimit e stimuj të tjerë. Ndonëse nuk ka ndonjë dekoratë të lartë, për të pasqyruar vlerat e këtij mësuesi, ai ndjen kënaqësi kur shikon tre distinktiva "Mësues i dalluar" dhënë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës në vite të ndryshme.

Vlerësimi më i madh është për mësuesin veteran respekti i mijëra nxënësve e i qindra kolegëve të tij. Për të flasin me mirënjohje ish-nxënësit Kolec Daja (mjek), Pashk Leka (Mësues i Merituar), Inxhinierët Ndue Kola, Nikollë Pali e shumë të tjerë.




I pyetur për arsimimin e rrethit të afërm familjar Beslimi, na thotë se, falë përkujdesjes së babait tim Elez Hoxha dhe vullnetit tonë, ne sot kemi me arsim të lartë shumë prej pjestarëve të familjes sonë. Ato punojnë në shëndetësi, arsim, në drejtësi e sektorë të tjerë. Vetëm mjek janë gjashtë prej tyre. Cilëson djalin e xhaxhait kardiologun Ali Hoxha, dy fëmijët e tij, mjek, Bilbilin dhe Dardaneshën, vëllain e tij mësues të talentuar Musa Hoxhën, djalin Ylberin. Ato janë mbi 20 të tillë dhe japin kontributin e tyre në sektorë të ndryshëm ekonomiko-shoqëror.

Beslimi jeton prej disa vitesh në Tiranë, por vështrimin e hedh të 36 vitet e punës në arsim, te vendlindja e tij e dashur, te ish-nxënësit e kolegët. Ai skedon nga ditartët që ka mbajtur në vite dhe synon të botojë copëza jete me temë: - "Mbresa dhe kujtime në 36 vitet si mësues dhe edukator".

Shkurt 2005
Marrë; Nga libri Udhërrëfyesit e Dijes, të autorit Gjon Gjoni