Sadik Bajrami

Sadik Bajrami

Sadik Bajrami
Nga Gjon Gjoni

Vitet rrjedhin ashtu siç rrjedh ujë mbi shtratin e lumit. Në këto vite gjen gjurmët e njerëzve, jetën dhe historinë e tyre. Të tilla gjurmë gjen edhe në historinë tonë të re të të mësuarit shqip. Shumë mësues sot thirren veteranë të arsimit, ndonëse me pak shkollë. Mësues të parë pukjanë do të ishin që kishin paktën 5 klasë, që dinin shkrim e këndim, kryenin veprimet aritmetike, sipas programit të miratuar në vitet e para, pas çlirimit të vendit nga okupatorët nazi-fashist.

Një ndër këto pionier ishte edhe Sadik Bajram Brahaj i lindur në fshatin Kryezi, më 1926, i arsimuar me nota të shkollës mashkullore, "shumë mirë", në vendlindje. Vëllai i tij Musa Bajrami, kujton: "Sadiku është ndër të parët nxënës të Kryeziut me mësues Filip Lacukun, i ardhur nga Shkodra. Mësimin e bënin në shtëpinë e Nikollë Prengë Rrapit. Mbas çlirimit i bëhet thirrje për të punuar vullnetar në hekurudhën Durrës-Peqin. Ai shkon, dhe punon atje disa muaj. Pasi kthehet i bëhet thirrje për të punuar mësues. Me 1 mars të vitit 1948 emrohet në fshatin Sapaç (Iballë). Ish nxënësit e tij, Prend Lleshi, Dedë Palushi, Zog Sokoli, kujtojnë se shkollë u bë shtëpia e Palush Mark Prelës. Ishim 32 nxënës. Mësues Sadiku na mësonte në një odë, që për banka kishin shkami (stola). Qëndron këtu mbi dy vjet, për t'u emruar përsëri larg vendlindjes, në fshatin Dardhë. Edhe këtu mësimin e bënin në shtëpi private, në atë të Bibë Zekës. Sipas kushteve të kohës, Sadiku, me kurset pedagogjike që kishte zhvilluar në Shkodër, mundohej që nxënësit të mësonin të shkruanin e lexonin sa më mirë gjuhën shqipe, të dinin veprimet aritmetike, të kishin njohuri të mira për lëndët e historisë e gjeografisë, sipas programit mësimor edukativ. Ai kujtohet me respekt nga banorët e Dardhës.


 
Ndoshta kushtet ekonomike e detyruan mësuesin e viteve të para, të ndërpresë profesionin e moshës së rinisë, përtë punuar si specialist i pyjeve deri në mbushjen e moshës së pensionit.  Sadiku nuk jeton më, ai vdiq më 1997, por emri i mësuesit të fëmijëve të Sapaçit e Dardhës, nderohet e kujtohet. Një opinion i gjerë shoqëror ruan respekt për burrin e urtë Sadik Brahaj.


Marrë; Nga libri Udhërrëfyesit e Dijes, të autorit Gjon Gjoni