'Sindromi i Lolitës'

'Sindromi i Lolitës'

'Sindromi i Lolitës'
Publikuar më 16/01/2010, Gazeta STANDART
Marre nga libri "Pedofilia. Krime seksuale ndaj te miturve", i juristes Aranita Brahaj


"Fëmijët, gjithnjë e më shpesh po bëhen viktima të veprimeve dhe mosveprimeve që cenojnë jo vetëm moralin dhe dinjitetin e tyre, por edhe shëndetin fizik dhe psikologjik". Me këtë fjali sensibilizuese, prof. asoc. Vasilika Hysi, na shtyn drejt një leximi dhe reflektimi për librin e Aranita Brahajt, "Pedofilia, krimet seksuale ndaj të miturve", si një punim në shkencat juridike penale. Ky libër trajton disa nga format më të rënda të veprave penale të drejtuar ndaj të miturve. Tërheqja nga adoleshentët (pubertet) përkufizohet me termat efebofilia dhe ninfofilia ndryshe edhe "Sindromi i Lolitës". Tekstet shkencore të Mjekësisë Ligjore për studentë të së Drejtës nuk japin asnjë definicion për fenomenin pedofili dhe subjektin pedofil. Për fat të keq, megjithëse Organizata Botërore e Mjekësisë (OMS/WHO) e ka klasifikuar pedofilinë si sëmundje që në botimin e "Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders" "Manuali Diagnostifikues dhe Statistikor i Shqetësimeve Nervore DSM" botuar në 1952, në tekstet shkencore të mjekësisë ligjore për studentë të Juridikut apo Mjekësisë nuk kemi asnjë përkufizim apo kategorizim të fenomenit (diagnozës). Nga ana tjetër, në botimin e Mjekësisë Ligjore me autorë prof. dr. Sokrat Meksi dhe prof. dr. Bardhyl Çipi (2003) jepet kategorizimi i perversioneve seksuale ku përfshihen: homoseksualizmi; fetishizmi; zoofilia; sadizmi ose mazohizmi; nekrofilia; ekzibicionizmi.

Shpesh termi pedofili përdoret për të përcaktuar një tipologji të tërë krimesh, që do të thotë veprime të jashtëligjshme që janë pasoja të dëshirës seksuale pedofile. Këto akte të paligjshme mund të përfshijnë akte të rënda dhune në kryerjen e veprimeve me të miturit apo veprime të pakarakterizuara nga asnjë lloj dhune apo kërcënimi, në të dyja rastet kemi të bëjmë me krim, pra me vepër penale të konsumuar. Abuzimi seksual përbën gjithmonë një akt konfuz që cenon, shkatërron personalitetin e të miturit. Diagnoza në psikiatri Tërheqja seksuale nga fëmijët në çfarëdolloj niveli nuk është e mjaftueshme për diagnozën pedofili. Psikiatria i përkufizon pedofilët si persona mbi moshën 16 vjeç, për të cilët fëmijët femra apo meshkuj, përbëjnë objekt seksual të preferuar ose është objekti i vetëm seksual që identifikohet nga ata. Duhet gjithashtu që kjo simptomë të zgjasë në mënyrë të vazhdueshme pa ndërprerje për të paktën 6 muaj. Nuk konsiderohet pedofili rasti i personave madhorë kur diferenca në minorenin është më pak se 7 vjet. Nuk konsiderohen pedofilë personat që tërhiqen seksualisht nga fëmijë të cilët janë rreth 12 vjeç apo më të rritur, por që kanë arritur zhvillimin pubertal. Tërheqja nga adoleshentët (pubertet) përkufizohet me termat efebofilia dhe ninfofilia ndryshe edhe "Sindromi i Lolitës". Kriteri psikiatrik parashikon specifika të ndryshme, pedofilia mund të jetë: e tipit ekskluziv (tërheqje vetëm nga fëmijët) ose e tipit jo ekskluziv tërheqje edhe nga persona të rritur.

E tipit e diferencuar që do të thotë tërheqje vetëm nga njëri seks dhe jo e diferencuar tërheqje nga persona të të dy sekseve. Tërheqja ndaj fëmijëve meshkuj rezulton më e fortë më rezistente dhe e pandryshueshme tek rastet e pedofilisë dhe rasti i pedofilit që ka karakteristikë të tërhiqet seksualisht vetëm nga fëmijët meshkuj ka më shumë prirje për të qenë përsëritës. Tipi i padiferencuar nga ana mjekësore është më i rëndë se tipi i diferencuar. Është edhe një tip tjetër pedofili që është i kufizuar tek incesti (interes i treguar vetëm ndaj fëmijëve (bijve) të tij ose motrat apo vëllezërit e subjektit pedofil). Sipas kësaj metode, ka disa kushte nëpërmjet të cilave mund të diagnostikohet një individ si pedofil. Nga ana tjetër, kategorizimi mjekësor nuk konsideron aspekte dimensionale të shqetësimit, pra shkallën e shqetësimit seksual si çështje e psikiatrisë. Vlen të thuhet se në përgjithshmin e së njëjtës diagnozë ekzistojnë manifestime të të qenit rëndë. Dhe vetëm një rast i trajtuar nga psikopatologjia seksuale është e mundur të përshkruhet, përkufizohet me përpikmëri. Duke parë disa kritere dhe kushte të përshkruara më lart mund të themi se procedimet për vepra penale krime seksuale apo vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit të të miturve, duhet të realizohen domosdoshmërisht nëpërmjet edhe një ekspertimi të psikanalistit apo psikopatologut.

Ekspertit të fushës i duhet kërkuar nga organi procedues të vlerësojë nëse autori i një vepre penale si më lart mund të konsiderohet pedofil në kuptimin mjekësorë të fjalës, karakteristikat e tij (i diferencuar ose jo, ekskluziv ose jo, me prirje incesti të mundshme), përshkrimi i gjendjes dhe tendenca të mundshme të të qenit recidivist. Të gjitha karakteristikat dhe përshkrimet e ekspertit duhen vlerësuar në përfundim të procedimit me qëllim pasjen e një informacioni të qartë mbi mënyrën e kryerjes së veprës penale për të cilën procedohet, por edhe mbi vlerësimin e rrezikshmërisë së autorit të veprës. Në proporcion me këtë rrezikshmëri edhe dhënien e dënimit kryesor dhe dënimeve plotësuese për subjektin aktiv të veprës penale. Po në lidhje me procedurën, është me vend të themi se për çështje gjyqësore mbi gjykimin e veprave penale të sipërshënuara nuk mund të aplikohet gjykimi i shkurtuar dhe as gjykimi i drejtpërdrejtë, kjo pasi jemi duke vlerësuar veprime apo mosveprime të një subjekti pasiv që kërkon ekspertim psikiatrik (normalisht edhe kohe për ekspertim). Po me vend është të përmendim që ekspertimi psikiatrik si ekspertim mjeko-ligjorë me qëllim diagnostikimin e shqetësimit mendorë dhe diagnostikimin e pedofilisë nuk na përkon me përjashtimin nga përgjegjësia penale si pasojë e turbullimit psikik ose prishjes së ekuilibrit mendorë.

Organizata Botërore e Shëndetit dhe Shoqata e Mjekëve Psikiatër Amerikan nëpërmjet metodës DSM kanë vlerësuar se shqetësime të orientimit të libidit nuk sjellin përjashtim të subjektit nga përgjegjësia penale. Shpesh në praktikë persona me prirje sadiste apo perverse kanë përfituar nga kategorizimi si persona me probleme të ekuilibrit psikik duke u favorizuar nga mungesa e eksperiencës dhe mosnjohja e metodologjisë nga ekspertët në gjykata të disa vendeve. Mbetet në detyrat e Mjekësisë Ligjore Shqiptare të azhurnohet me kujdesin e duhur me akte të Organizatës Botërore të Shëndetit dhe të bëjë të mundur kualifikimin e ekspertëve të fushës për tu përgjigjur kërkesave të drejtësisë shqiptare në procedimin e rasteve të tilla. Domosdoshmëria e ekspertimit mjeko-ligjorë për subjekte të dyshuar si pedofil (në kuptimin psikiatrik) duhet të shërbeje jo për përjashtim nga përgjegjësia penale por për vlerësim të karakteristikave të subjektit dhe rrezikshmërisë për të aplikuar më pas një Polikë Penale sa më efikase si për rastin individual dhe për fenomenin kriminal në tërësi. Praktika të ndryshme Psikologët dallojnë tri tipologji të pedofilisë: lattente, attiva dhe killer. Lattente - E fshehtë e heshtur Është e kategorizuar nga një pasion për fëmijët që qëndron në nivel fantazie erotike. Mund të konkretizohet nga veprim ose mosveprim, por pa sulm dhe cenim fizik. Në Ligjin penal Shqiptar përkon më veprime që konsistojnë në konsumin e figurës së veprës penale sipas nenit 108 "Vepra të turpshme".

Attiva Konsiderohet një hap më tej pedofilisë lattente. Në këtë tipologji kemi të bëjmë me raste të dhunimeve psikike e fizike ose dëmtimi i fëmijës mund të shoqërohet edhe me drogimin e tij apo dhënien e substancave toksike me qëllim lehtësimin e abuzimit seksual. Në Ligjin penal Shqiptar përkon më veprime që konsistojnë në konsumin e figurës së veprës penale sipas nenit 108 "Vepra të turpshme". Ose sipas nenit 100 "Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur". Së bashku me një nga veprat e mësipërme mund të konsumohet edhe figura e veprës penale parashikuar në nenin 286 "Nxitje për përdorimin e drogës". Killer - Vrasës Pedofili manifeston një aspekt sadist në të cilën kënaqësia maksimale arrihet me vrasjen e viktimës. Jemi në rastin e konsumimit të dy veprave penale, sipas Kodit Penal të RSH, neni 79 pika a) "Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara", ndaj të miturit dhe një nen tjetër që ka të bëjë me konsumimin e një figure vepre penale krim seksual. Për fat të keq edhe në vendin tonë kemi të shfaqura raste të abuzimit seksual të një të mituri që shoqërohen me vdekjen apo vrasjen e tij. Për organin procedues duhet të theksohet rëndësia e dallimit esencial ndërmjet situatës të parashikuar në nenin 100 paragrafi i tretë, "Kur vepra sjell si pasoje vdekjen... e fëmijës së mitur", me nenin 79, pika a "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese" vrasja e të miturit kur kryhet me motiv përmbushjen e kënaqësisë maksimale nëpërmjet manifestimit të aspektit sadist. Në një rast të tillë kemi konsumimin e dy veprave penale Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur dhe më pas vrasjen e të miturit (pra vrasje e cilësuar).

 Autori i një krimi të tillë të dyfishtë duhet konsideruar si një autor me rrezikshmëri të lartë dhe duhet gjykuar për të dy krimet e sipërshënuara. Organi procedues dhe ekspertiza (ekspert kriminalistik, mjekoligjorë, ekspert psikiatër) duhet të hetojnë/vlerësojnë me kujdes për të verifikuar nëse vdekja e viktimës është pasojë e krimit seksual (neni 100) apo bashkërisht me marrëdhënien seksuale apo homoseksuale është konsumuar me dashje direkte ose indirekte me qëllim përmbushjen e kënaqësisë me prirje sadiste edhe vrasja e viktimës. Vlerësimi i lidhjes shkakore veprim-pasojë dhe qëndrimit voluntiv të subjektit aktiv janë detyra primare në hetimin e një rasti të tillë. Në rastin e konsumimit të veprës penale sipas nenit 79, pika a nga një subjekt i diagnostikueshëm nga manuali DSM si subjekt pedofil e tipit Killer kemi të bëjmë me një nga subjektet aktive me rrezikshmërinë më të lartë sa u takon krimeve ndaj personit. Nuk do të ishte e tolerueshme për gjyqësorin shqiptar që në mungesë të vlerësimit të qartë të lidhjes shkakore një subjekt aktiv i përshkruar më lart të gjykohej në bazë të nenit 100, paragrafi i tretë duke u favorizuar edhe në dhënien e dënimit jo më pak se njëzet vjet. Ndërkohë që "Vrasja në rrethana rënduese" sipas nenit 79, pika a, përmban dënim jo më pak se njëzet vjet deri burgim të përjetshëm. Përshkallëzimi i pedofilisë sipas tri tipologjive të sipërshënuara na bën të qartë edhe me tej domosdoshmërinë e një portretizimi skedimit klinik të autorit të krimeve seksuale me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të veprimeve të tij në veprime me rrezikshmëri dhe pasoja më të rënda.

Në koordinim me ekspertin psikiatër organi procedues e më tej struktura të sigurisë publike duhet të njohin subjekte me prirje të këtij lloji. Tek praktika të ndryshme gjendet edhe ajo e filmimit të abuzimit për ta fiksuar në memorie, për ta parë aktin e filmuar me pedofil të tjerë ose për ta përcjellë nëpërmjet internetit, praktikë kjo e përdorur vitet e fundit. Tregu i pedopornografisë në internet paraqet një fenomen në rritje . Interneti dhe pedopornografia Që nga viti 2001 Interpoli ka grumbulluar mese 250,000 imazhe pedopornografike të gjetura në internet. Sipas të dhënave të fundit të forcave të rendit, më shume se 70% të tyre vijnë nga sitet dhe hapësirat e Web-it dhe vetëm një pjesë e vogël nga spam-et , newsgroup-et dhe rrjetet peer-to-peer. Sidoqoftë, me gjithë përpjekjet e bëra nga shumë vende që bashkëpunojnë për hetimet, vetëm një numër shumë i vogël i të miturve që pësojnë dhunë identifikohet aktualisht (rreth 300 në 19 vende). Nga analiza që i është bërë materialit të mbledhur, ka rezultuar se viktimat ndahen në të mitur dhe të mitura. Më shume se gjysma janë të mitura të përfshira në aktivitete ose që pësojnë dhunë seksuale. Gjithashtu, 40% e të miturave dhe më shume se 50% e të miturve janë nga mosha 9 deri në 12 vjeç, 10% e numrit të përgjithshëm ka një moshë edhe më të vogël. Pjesa më e madhe e viktimave është me tipare indoevropiane dhe vetën një pjesë është me tipare orientale. Sidoqoftë, rreziqet kryesore duket të shfaqen në ambientet jashtë motorëve (serverëve)të kërkimit, atje ku materiali rezulton të prodhohet shpeshherë me mjete shtëpiake dhe mbi viktima brenda familjeve ose shoqërisë së "xhelatit" të tyre. Në ambiente të tilla, në fakt, jo vetëm që mbajtja e materialit të paligjshëm është shkelje ligjore, por një material i tillë rezulton të jetë një provë evidente e dhunës së kryer realisht. Është ndezur polemika se sa Web-i ka nxitur apo lehtësuar pedopornografinë apo sa e ka bërë të dukshëm një fenomen dikur të fshehur. Në veçanti ngjallin vëmendje dhe shqetësim të miturit që kanë akses në rrjet pa asnjë lloj përballjeje apo kontrolli nga të rriturit që janë përgjegjës për ta.

Të shumta janë shoqatat që kanë në kontroll të miturit në këtë drejtim, që bashkëpunojnë ngushtë me organet e policisë. Shumë motorë kërkimi ose furnizues shërbimesh në rrjet, gjithashtu, zhvillojnë aktivitet censurues për materialet pedopornografike. Duhet theksuar se pas pedopornografisë, ashtu si shumë aktivitete të tjera kriminale, qëndron një lojë e madhe parash. Të shpeshta janë kritikat që u drejtohen furnizuesve të hapësirave Web, shërbimeve të aksesit dhe të përcaktimit të përmbajtjes për të mos zhvilluar politika kontrolli dhe censure vërtet serioze, duke nënvlerësuar disi me dëshirë problemin. Box gri Realiteti i reflektuar "Fëmijët, gjithnjë e më shpesh po bëhen viktima të veprimeve dhe mosveprimeve që cenojnë jo vetëm moralin dhe dinjitetin e tyre, por edhe shëndetin fizik dhe psikologjik". Me këtë fjali sensibilizuese, prof. asoc. Vasilika Hysi na shtyn drejt një leximi dhe reflektimi mbi librin e Aranita Brahajt "Pedofilia, krimet seksuale ndaj të miturve", si një punim në shkencat juridike penale.

Ky libër trajton disa nga format më të rënda të veprave penale të drejtuar ndaj të miturve. Sipas profesores së Fakultetit të Drejtësisë, përgatitja e këtij botimi nga Brahaj nuk ka qenë i lehtë për arsye se dispozitat e Kodit Penal Shqiptar përmbajnë rregullime të thjeshta të disa prej krimeve që drejtohen ndaj moralit dhe dinjitetit të të miturve, ndërkohë që në jetën e përditshme në Shqipëri dhe në vende të tjera, fëmijët janë viktima të formave të reja të skllavërisë moderne. Në këtë libër, Brahaj merr përsipër të japë një vështrim të shkurtër historik të trajtimit të veprave penale kundër moralit dhe dinjitetit të të miturve, të pasuar nga një vështrim kriminologjik të këtyre veprave penale, duke analizuar në mënyrë të veçantë legjislacionin shqiptar dhe e krahasuar atë me legjislacionin e disa vendeve të tjera. Ky botim është zotërim i një pune katërvjeçare, të studimit të ligjit penal deri diku dhe praktikës në Shqipëri dhe në dy shtete fqinje (Itali dhe Kosovë). Po ashtu është hulumtuar në dhjetë vite (1998-2008) çdo rast i publikuar në media për abuzimin dhe ngacmimin seksual të të miturve.



Botimi studimor jep një pasqyrë të saktë të vëllimit të krimeve seksuale ndaj të miturve, tendenca të viktimizimit dhe inkriminimit të të miturit, prirje diakronike të Ligjit tonë Penal mbi këto fenomene nisur nga e drejta zakonore. "Nga statistikat zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë rezulton se nga viti 2002-2007 në vendin tonë kemi 222 autorë krimesh seksuale me viktimë të mitur. 10% e krimeve seksuale janë kryer nga autorë në moshë nën 18 vjeç dhe vetëm në kronikat mediatike të 2009-s është folur për të paktën 30 fëmijë të mitur të dhunuar seksualisht. Karakteristikë e dukshme e këtyre autorëve-pedofilë është fakti se kanë prirje për abuzime të rënda fizike ndaj viktimës që shoqërohen me lëndime, plagosje deri në humbje jete".