Kronikë e Derës së Gjon Buzukut

Kronikë e Derës së Gjon Buzukut

Kronikë e Derës së Gjon Buzukut

Doli nga shtypi libri i ri "Kronikë e Derës së Gjon Buzukut",i studiusit, Jaho Brahaj.

Nga: Prof. As. Dr. Shefqet Hoxha


Libri: "Kronikë e Derës së Gjon Buzukut", i autorit Jaho Brahaj sjell risi në ndriçimin e një prej figurave 
më të spikatura të kulturës kombëtare shqiptare dhe të qëndresës kulturore, krahas luftës së armatosur të 
shqiptarëve në shekujt e parë të robërisë Otomane.Autori i monografisë në fjalë i njohur edhe me botimet e mëparshme si; "Emblema Shqiptare",  "Flamuri i kombit Shqiptar" e monografi të tjera, ka krijuar personalitetin e tij në studimet historike e 
etnokulturore të mesjetës.

 Monografija; "Kronikë e Derës së Gjon Buzukut" është një punë shumvjeçare gjurmuse në 
dokumente të botuara nga arkivi i Venedikut, Napolit e Romës, por të gjitha këto të nderthurura në varësi 
të objektit studimor me botimet e autorëve më në zë të letrave shqipe.

 Në këtë monografi zgjidhet përfundimishtë enigma nga ishte autori i monumentit të kulturës shqiptare, 
Gjon Buzuku dhe shpalosen fakte të panjohura mbi mjedisin ku kaloi fëmijërinë.

 Në këtë libër të mbështetur në studimet dhe referencat e shumë autorëve e materialeve dokumentare, 
sillet atmosfera dhe kushtet që mundësuan botimin e "Mesharit", librit të parë në gjuhën shqipe, në vitet më të 
vështira që kalonte populli ynë pas pushtimit të shekullit XV.

 Pasqyrohen fakte dhe argumente për lëvizjen e kordinuar të shqiptarëve në gjysmën e parë të shek. 
XVI për ti bërë ballë agresionit kulturor të pushtusit, dhe analizohen rrethanat e botimit të "Mesharit" të nderthurura 
me veprimtaritë e tjera kulturore e të qëndresës së armatosur.

 Të gjitha përpjekjet e shqiptarvet analizohen e shihen në dritën e vazhdës kulturore përendimore të 
trashëguar të shoqërisë shqiptare të para pushtimit dhe të përpjekjeve për të mos u nderprerë këto 
lidhje në atmosferën e ngjarjeve politike të atdheut dhe popujve të Ballkanit.

 Në këtë vëllim studimor historik, ndryshe nga studimet e mëparshme, që i kanë kushtuar vëmendje 
vlerave e pasurisë gjuhësore të "Mesharit", studiuesi Brahaj trajton origjinën familjare dhe shoqërore nga e cila 
rrjedh kjo figurë e kulturës dhe e letërsisë shqiptare dhe kushtet historike të atij shekulli.

 Evidentohet, se pjestarët e derës Buzuku (Buziko, në dok. e gjuhës italiane), të cilët mbajnë dhe mbiemrin 
Renësi, luajtën një rol me rëndësi në veprimtarinë në të mirë të çlirimit të atdheut nga pushtuesi turk. Ata, sipas 
interesave të Shqipërisë, në fillim përkrahën e i shërbyen Napolit, sa ishte në aleancë me Skënderbeun. Kur Venediku 
përkrah Skënderbeun e Ri, në ekspeditën për çlirimin e Shqipërisë, ata ikën pa leje nga Napoli dhe u vunë në 
shërbim të Skënderbeut të Ri e të Venedikut. Po kështu Renësi-Buzukët, i shohim në shërbim të Mbretit të Spanjës, 
kur ky e shpalli veten, si mbrojtës i interesave të popullsisë së pushtuar nga Turqia. Gjithmonë këta kanë ngelur në 
shpirtin e tyre shqiptar, dhe shembull për këtë, është ndihma e tyre financiare, që kurorzoi punën e palodhur të njërit 
prej tyre, Gjonit të Dedë (Bdek) Buzukut, me përkthimin e botimin e Mesharit.

Botimi i "Mesharit" ne shqip, si ngjarje e rëndësishme kombëtare në këtë monografi analizohet e pasqyrohet 
e mbështetur në argumente e dëshmi historike duke arritur rrjedhshëm në konkluzionin, që ishte vepër e shqiptarëvet 
të vetëdishëm, që identiteti kombëtar ruhet e forcohet edhe me pasurinë e veçoritë kulturore.

 Ky libër është me interes për studimet tona edhe se është i pari që ndërmerr hapin për ndriçimin e 
origjinës së një prej figurave më të shquara të kulturës shqiptare Gjon Buzukut. Në hulumtimet për derën, që trashëgoi 
Gjon Bdek Buzukun, janë pasqyruar edhe të dhëna, që flasin për historinë mesjetare të paraardhësve të Buzukëve, 
Buzëzezët, derë shumë e njohur me fillimet e dokumentuara që në shek. XI. 

Pjesa e dytë e librit analizon tema të diskutuara deri më sot si; kush e mori nismën dhe përballoi koston 
financiare të ndërmarrjes për botimin e këtij monumenti të kulturës tonë, dhe "Meshari" ishte në hullinë e reformës apo 
kundrareformës kishtare, që kishte përfshirë Europën e shek. XVI.