Hulumtoi :Sofra Pukjane: T’i mbajme kullat hapur

Hulumtoi :Sofra Pukjane: T'i mbajme kullat hapur

 Hulumtoi :Sofra Pukjane: T’i mbajme kullat hapur

Përgatiti Albert Gjoka

“T’i mbajmë kullat hapur” – Ky ishe mesazhi i lëshuar nga “Sofra Pukjane, si nevojë dhe thirrje e brendshme për secilin vendas të këtyre trevave, të cilët me tërë qënien e tyre luftojnë kundër harresës së vlerave tradicionale dhe kujtesës historike, si dhe sfidojnë përditshmërinë drejt një të ardhmeje me vlera dhe identitet.

 

Në edicionin e gjashtë të saj, - mbajtur më 3 nëntor, - Sofra mblodhi në qytetin e Pukës të gjithë ata që iu përkasin këtyre rrënjëve apo jetojnë në këtë zonë; përfaqësuesit politikë, intetelektualët, sipërmarrësit, artistët dhe krerët vendorë. Drejtuesit e Sofrës iu bënë thirrje të gjithë të pranishmëve që të lënë diçka nga vetja e tyre për Pukën, dhe takimi i djeshëm ishte mundësia më e mirë për të ballafaquar ide që mund të përjetësohen pak nga pak.

 

 

Dita pukjane nisi me promovimin e librit “Prendush Gega, - Rapsodi i Malësisë, i studiuesit të njohur Xhemal Meçi, një copëz asht që rishfaqet me dimension tjetër sot; Pastaj rrugëtimi festiv vijoi me koncertin e Orkestrës së Pukës, organizuar në Pallatin e Kulturës, ku tradita mjeshtrore e çiftelisë së Ndue Shytit, e fyellit, zambares, tupanit, e veglave muzikore tipike të zonës, e valleve, etj., të ruajtur gjallërisht nga një brez i talentuar instrumentistësh dhe këngëtarësh, solli për të pranishmit tingujt e natyrës dhe vlerat epiko-lirike të të gjithë bjekëshëve.

Në mbyllje të kësaj ngjarje, ishte sofra tradicionale dhe bujare, e organizuar në mjediset e Hotel Turizmit ku kulinaria pukjane ishte më shumë se suprizë për të gjithë të pranishmit, veçanërisht ata që merrnin pjesë rishtaz. Individi dhe Historia, u përballen dje në trevën “via publica”, ku bujaria, fisnikëria, krenaria, u ngjizën aq harmonishëm dhe ku e kaluara, përmes muzikës, kërcimit, shkrimit, dhe vetë malësorëve u shfaq aq natyrshëm në përmasën e saj të etnicitetit dhe identitetin.

 

 

Rizbulohet mjeshtri i Kabashit

Padyshim, Sofra synon promvimin e të gjitha vlerave të trevës së Pukës dhe edicioni i vitit 2013 shënoi rizbulimin e një mjeshtri të madh të këngës popullore; rapsodit Prendush Gega (1843 – 1938 ). Monografia e studiuesit të njohur të kësaj treve, Xhemal Meçi shfaqi figurën e pazbuluar të Rapsodit të Malësisë, është pjesë e serisë së studimeve “Puka që nga lashtësia”.

 

 

Në promovimin e këtij libri ishin Prof. Dr. Agron Xhagolli, studiuesi Mentor Qoku, muzikologia Sabrie Nushi, dhe studiuesi Jaho Brahaj. Prof. Xhagolli vlerësoi punën e palodhur të Xhemal Meçit për mbledhjen e vlerave të traditës, duke çmuar suprizën e fundit, atë të mbledhjes dhe ofrimin për lexuesit të të gjitha këngëve të rapsodit të famshëm të Kabashit.

 

 

Këto këngë janë trashëguar brez-pas-brezi gojë më gojë, dhem më në fund, Meçi realizoi amanetin e Prendush Gegës, duke i mbledhur në një buxhetë të pavdekshme tashmë, përmes një botimi që shfaq anën mitike dhe reale të Prendush Gegës si vjershëtar i historisë dhe jetës së Pukës, por edhe të Shqipërisë.

Rapsodi Prendush Gegës është bashkëkohës i Pater Gjergj Fishtës dhe këngët e tij bashkëkrahasohen për nga vlerat me ato të Lahutës së Malësisë. Ky ishte gjerdani i parë si Sofrës së 3 nëntorit.

 

Vlera që trashëgohen

Por, padyshim, gjerdani me shkëlqimin e pamatë është muzika, vallja dhe loja, të ngjizura te një mori brezash, duke ruajtur të gjallë traditat e spikatura edhe sot e kësaj dite falë Orkestrës së Pukës. Pikërisht këtu është një shfaqje e fortë e identitetit ku tradita përballet fort me vërshimet e kulturës së konsumit.

A nuk është i paharrueshëm Ndue Shtytit me mjeshtrinë e tij? Kush më mirë se ai nuk e piku tingullin e natyrës në dy telat e çiftelisë, në fyell apo zambare? Brezat ikin, sepse jeta ka shtegtimin e saj, por dje doli edhe një tjetër syth nga gjenia e tij: Ervin Gega, një djalosh që është mbrujtur në tingujt e magjishëm të çiftelisë së tij, sot performon në mënyrë besnike tingujt e jetës përmes dy telave që përkëdhilen mjeshtrisht nga gishtat e tij.

 

 

Por, fatmirësisht tradita rri ende e gjallë. Edhe në Sofrën e gjashtë pukjane u dëgjua zëri brilant i rapsodit Fran Pali, i cili, me këngët për Bajram Currin dëshmoi se muzikora e traditës nuk vdes kurrë në trevat pukjane.

E njëjta magji u shfaq edhe në tingujt gurgullues të fyellit, që buron nga shpirti i ndjeshëm i instrumentistit, Gjovalin Ndreca. Padyshim, shembulli i mbijetesës dhe sfida e përhershme është mbajtja gjallë e orkestrës së Pukës, e cila drejtohet për disa dekada me radhë, me plot sakrifica nga Pjetër Nimani. Pa harruar këtu edhe instrumentistin e njohur, Nikolin Qafa, një mbështetës i zellshëm i Orkestrës dhe padyshim edhe i Sofrës.

Pikërisht te kjo orkestër është humusi i pavdekshëm i Pukës dhe për këtë motiv, drejtuesit e Sofrës Pukjane i dhanë këtë vit çmimin e parë. Si vazhdues i denjë i traditës, u vlerësua me çmimin e Karrierës, instrumentisti i veglave frymore, Gjovalin Ndreca. Ndërsa Çmimin e parë, si instrumentist e mori Ervin Gega, i cilësuar si vijues i denjë i traditës së muzikës popullore të kësaj treve.

Pjesë e koncertit festiv u bënë edhe rapsodët, vëllezërit Lleshi, Vitore Rusha, Petrit Gega, Vitore Matoshi, Dionis Delija dhe Gëzim Ahmeti.  Edhe këtë vit, Eva Dushaj solli këngën e konsideruar si himn “Puka mbetet djepi ynë”, ndërsa për herë të parë u shfaq për të pranishmit kënga “Si harroj vendet e mija”, me këngëtare Anjeza Ndoj dhe tekst të Gjovalin Dushajt; si rimim në varg dhe melodi e çdo pëllëmbe toke të rrethit të Pikës.

Orketra e Pukës mbahet gjallë falë punës së palodhur të mësuesit Tonin Haxhia, energjisë së Pjetër Nimanit por edhe instrumentistëve të rinjë dhe të vjetër. Koncerti festiv i 3 nëntorit u prezantua nga Gjovalin Dushaj dhe Shyrete Brahaj. Sofra pa muzikë, nuk është sofër, dhe orkestra është pjesë e qeniësishme e saj.


 

Sofra si burim energjie

Puka është një shembull i mirë se çfarë mund të bëhet nëse energjitë e sipërmarrjes dhe politikës janë në drejtimin e duhur. Këtu janë edhe rrënjët e misionit të Sofrës: për të koordinuar të gjitha sinergjitë, e veçanërisht ato që vijnë nga politika dhe biznesi, si dy prej faktorëve vendimtar për zhvillimin e një treve. Sofra është nisma e pukjanëve, rritur dhe bërë gjashtë vjeçe tashmë falë përkushtimit dhe mbështetjes financiare të një grupi sipërmarrësish, si Mark Gjinaj, Tonin Alia, Viktor Delia, Petrit Syla, Mark Frroku, Frrok Gjini, e shumë emra të tjerë. Të gjithë pukjanët ndihen krenar, jo për vlerat sipërmarëse të tyre, por për vëmendjen në zhvillimin dhe promovimin e çdogjëje që ndodhet në këtë trevë.

 

Padyshim, politika dhe qeverisja është vendimtare për zhvillimin e një zone dhe Puka nuk bën përjashtim. Kësaj radhe barra e madhe e përfaqësimit i ka rënë deputetit të sapozgjedhur, z. Mark Frroku, njëherësh, kryetar i Partisë Kristian-Demokrate. Sipas tij, sfidat janë shtuar për shkak se Puka ka humbur peshën gjeografike pas ndërtimit të rrugës së Kombit, por me punë çdo gjë është e mundur.  I votbesuar në besën e pukjanëve në Kuvendin e Shqipërisë për të bërë ndryshimin, ai bëri thirrjen që të mos “i braktisim kullat, por të rikthehemi në Pukë, t’i hapim dyert e shtëpive tona, të presim miqtë dhe t’i japim zhvillim zonës”.

Sipas tij, çdokush duhet të ndihet krenar, në emër të kësaj tradite që kemi patur dhe në emër të asaj që duhet t'u lëmë fëmijëve tanë”. Shembulli më i mirë për deputetin Frroku është nisma e vyer e familjes Alia në Kryezi, e cila pas sukseseve në biznese, në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë, është kthyer në vendlindje dhe ka ndërtuar kullën tradicionale, duke e kthyer atë fshat në një destinacion ngacmues për turistët e huaj, njëherësh, duke ndikuar edhe në zhvillimin e zonës”.

“E ndjej përgjegjësinë e madhe të përfaqësuesit të zgjedhur që sot të  bëj thirrjen më të sinqertë për të gjithë ju, që të mirëadministrojmë dhe promovojmë, në të mirë të Pukës dhe pukjanëve, të gjithë pasuritë që ka kjo trevë mbi dhe nën tokë”, - iu drejtua të pranishmëve, deputeti Frroku. “Jam këtu për të folur me secilin prej jush, për të dëgjuar dhe përcjellë nevojat dhe idetë në vendin e duhur dhe për të bërë të gjithë bashkërisht më të mirën për Pukën”, - e përfundoi fjalën e tij, deputeti i zonës, Mark Frroku, kryetar i Partisë Kristian-Demokrate.

 

Të thëna që mbeten  

Le ta shfrytëzojmë këtë sofër për të shkëmbyer ide dhe për të bërë diçka. Ky ishte apeli i përsëritur i presidentit të “Sofrës Pukjane”, Arjan Ndoj, i cili trashëgon një traditë 6-vjeçare suksesi në organizimin e kësaj ngjarje, në forcimin e Sofrës dhe shtimin e saj me sa më shumë dashamirës dhe kontributor. Ai bëri thirrje për vullnetarizëm tek të gjithë, sidomos në radhët e mjekëve, intelektualëve, studiuesve, sipërmarrësve dhe artistëve pukjanë që jetojnë dhe punojnë jashtë Pukës. Çdokush mund të bëjë diçka dhe Sofra është për ti mbledhur ata që e duan Pukën.

 

 

Në mbrëmjen e  3 nëntorit, teksa e lëmë qytetin e Pukës në dritën e trishtë të errësirës, kur i ftohti nis të marrë ajër, dhe kur jeta e natës fiket shpejt, me shpresën e banorëve vendas se e nesërmja do të jetë më e mirë, - secili prej burrave apo grave të Sofrës që ikën përçon pak Pukë në çdo cep të botës ku jeton. Por, secili prej tyre ka nevojë të kthejë pak kokën. Sofra është e madhe, kur ka dashuri te secili që është individ me identitet.


Falenderojmë Gjovalin Dushaj, Jaho Brahaj dhe Vladimir Prengën për kontributin e dhënë. Fotot janë bërë nga Sazan Nane.