Hyrje për Librin Puka Vazhdimësi Vlerash, të Autorit Sulejman Sula

Hyrje për Librin Puka Vazhdimësi Vlerash, të Autorit Sulejman Sula

Hyrje për Librin Puka Vazhdimësi Vlerash, të Autorit Sulejman Sula

Puka Vazhdimësi Vlerash


Puka e ndodhur mes bjeshkëve ky vend klimatik, me bukuri të mahnitshme, me male e kodra të zbukuruara me gjelbërimin e pyjyeve dhe me kurorën e drurëve frutorë është dhe do të mbetet kurdoherë në zemrën time. Kam përherë mall për ajrin dhe ujin e saj, për mrekullitë natyrore të saj. Por edhe më të shtrenjtë për mua, birin e saj, janë njerëzit, banorët e saj të mrekullueshëm. Ndaj shkoj vazhdimisht atje për t'u çmallur me ta, me ato vende, ku kalova fëmijërinë dhe shumë vite të jetës sime. Krenohem me çdo gjë të saj, me historinë e saj të lashtë dhe të re, me popullin e saj, të besës, të pushkës e të punës; krenohem për pukasit, për këta njerëz të mençur, të zakoneve të mira dhe të traditës, që karakterizohen nga durimi dhe qetësia, që vazhdimisht kanë shfaqur cilësitë dhe potencialet e tyre në çdo fushë, në luftërat për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, si dhe në punën për të ndërtuar një jetë sa më të mirë për brezat. 

Si një zonë e thellë malore dhe e izoluar, Puka ka trashëguar varfëri, por mikpritja e pukianëve ka qenë dhe është mahnitëse. Poeti ynë i madh, Migjeni, para se të largohej nga Puka, është shprehur: "Çuditem që ky vend kaq i varfër, ka njerëz kaq të zgjuar, talent të vërtetë". Dikur kjo thënie nuk pati ndonjë efekt të veçantë te pukianët, pasi skamja dhe varfëria kishin pllakosur zymtësi. Por sot shohim se sa i drejtë ishte ai konstatim e vlerësim i poetit. Për mikpritjen pukiane flet edhe rasti i vitit 1999, kur qyteti bujar i Pukës, me afro 5 mijë banorë, mbajti 2400 kosovarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre nga xhelatët serbë, shumica gra, fëmijë e pleq të sëmurë, që nuk mund të largoheshin. 

Puka ka trashëguar prapambetje të madhe, por gjithmonë ka nxjerrë njerëz të shquar. Nga Puka kanë dalë mjaft figura të shquara të kombit, që kanë bërë vend në histori, si familja e njohur fisnike Gazulli (vëllezërit Gjon, Andrea e Pal Gazulli) nga Kabashi, Dukagjinët (Tanush e Pal Dukagjini, të bijtë: Nikoll e Lekë Dukagjini), Shtjefën Gjeçovi, Ndre Mjeda, Hasan Prishtina, familja Vokshi (Sulejman, Sabrije e Asim Vokshi), Ismail Kryeziu, Musa Dizdari, Kolë Zezaj, Ymer Puka, Prendush Gega, Marash Marku, Anton Dugagjini, Ali Bytyçi, Gani Puka; intelektualët e dalluar në profesionet e tyre: Grosh Halili, Dedë Marku, Ndue Pjetri, Milazim Mustafa, Filip Koliçi, Nezir Sula, Ali Hoxha, Ndoc Faslia, etj. 

Të lidhur për nga prejardhja me Pukënjanë edhe disa figura të sotme, si artisti i shquar Mirush Kabashi, prof Rexhep Uka, deputet, ish-ministër i Bujqësisë dhe ish-zëvendëskryeministër, Bedri Islami, intelektual i përkushtuar me zemër, mendje, fjalë e trup për luftën, pavarësinë, lirinë e demokracinë në Kosovë, autor i dhjetë librave të gjinive të ndryshme. Po nga Puka i ka të parët e tij edhe prof Sali Berisha, ish-president, kryeministër e kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, pikërisht nga vëllazëria Desku, Berishë, Pukë. 

Por në këtë libër ne jemi ndalur në disa prej atyre që, me punën dhe bëmat e tyre, kanë bërë emër në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme. I kemi zgjedhur ata, sepse secili prej tyre në personalitetin e vet ka të skalitura cilësitë e popullit të kësaj treve. Duke qenë pak a shumë bashkëkohës me ta, kam pasur mundësi t'i njoh e të hulumtoj për jetën e veprimtarinë e tyre dhe jam i vetëdijshëm se ata janë figura që kanë lënë gjurmë në zhvillimin dhe historinë e kësaj treve, që zënë një vend nderi për kontributet që kanë dhënë në fushat dhe sektorët ku kanë punuar. Pavarësisht respektit dhe nderimit që ndiejnë për ta të gjithë ata që i kanë njohur, këtu jemi përpjekur t'i paraqesim ashtu si edhe njihen nga bashkëvendasit e tyre, si njerëz të zakonshëm, por me vlera të mëdha për shoqërinë dhe që e kanë nderuar Pukën brenda e jashtë vendit. Prandaj dhe janë të respektuar nga treva, nga qarqet intelektuale, shkencore e krijuese, nga i gjithë populli i Pukës e më gjerë. 
Një synim i yni ka qenë që, përmes portreteve të tyre, jo vetëm të japim të veçantat dhe jetën veprimtarinë e secilit, por, më së shumti, për t'u treguar brezave se edhe kjo trevë, edhe malësia e këtyre anëve, ashtu siç ka nxjerrë kreshnikë e luftëtarë trima, burra të besës e të nderit në shekuj, që i kanë dalë zot vendit në përpjekjet e tyre për liri, pavarësi e përparim shoqëror, ashtu edhe ka nxjerrë, në periudhën që bëhet fjalë, mjaft kuadro drejtues, intelektualë, specialistë, studiues, shkencëtarë, artistë të shquar e të tjerë, që ia kanë ngritur lart emrin Pukës dhe banorëve të saj. Kjo është jo vetëm një kënaqësi për autorin e këtij libri, por është parë prej tij kryesisht si një obligim që ai ka ndier, si bir i Pukës, për t'i nxjerrë në pah dhe për t'i bërë të njohura vlerat që bart ajo. 

Për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Më është dashur të bëj një punë të lodhshme për grumbullimin e fakteve e të të dhënave përsecilin prej tyre. Unë i kam njohur vetë ata në jetë dhe në punë, me disa prej tyre kam pasur edhe lidhje pune. Kjo ka qenë një avantazh i madh për mua kur shkrova librin, por jo gjithçka. Për pasqyrimin sa më të plotë të jetës e të vlerave të tyre kam hulumtuar në arkiva, kam shfrytëzuar dokumente, shtypin e literaturë të botuar; kam vajtur në vendet ku kanë jetuar, i kam takuar e kam biseduar me ta, me të afërm, me kolegë dhe me ata që kanë kujtimet e tyre rreth njërit apo tjetrit. Krahas cilësive të veçanta për secilin, tek ata kam gjetur edhe mjaft gjëra të përbashkëta.

 Kjo shpjegon edhe atë që kur shfleton faqet e librit dhe kalon nga një portret në tjetrin mund të ndeshim edhe ndonjë përsëritje. Por një gjë më ngroh: këto figura madhërojnë dhe i ngrenë më lart vlerat e vendlindjes së tyre, Pukës së dashur, së cilës i kushtuan energjitë e talentin e tyre, rininë dhe jetën e tyre dhe për të cilën u rrahu zemra aq fort. Ata ishin dhe mbeten shembulli i njerëzve atdhetarë, punëtorë e të ndershëm, që nuk kursyen asgjë për të mirën e vendit që i lindi dhe të popullit që i rriti dhe ia çmoi vlerat e tyre. 

Sigurisht, nukjanë vetëm këta. Puka ka edhe shumë e shumë figura, për të cilat është shkruar e meritojnë të shkruhet nga të tjerë autorë në të ardhmen. Unë bëra kaq. Të tjerë do ta pasurojnë më tej, duke sjellë në dritë botime të tjera kushtuar Pukës dhe historisë së saj. 

Nuk e di sa ia kam arritur qëllimit, por këtë do ta thotë lexuesi, sidomos ai pukian, do ta thonë ata njerëz që kanë jetuar me ta, familjarët e të afërmit e tyre, miqtë dhe shokët e punës. Unë shpresoj se bëra më të mirën e mundësive të mia për ata. Sidoqoftë, atyre u flet jeta, vepra që lanë pas, flet populli, njerëzit që i njohën. Unë desha vetëm të sjell këto fakte e të dhëna për ta, me qëllim që sidomos brezat e rinj të njohin vlerat e Pukës së tyre dhe që, përmes shembullit të këtyre figurave, që me veprën e tyre mbeten në kujtesën e popullit, të krenohen për Pukën e dashur dhe për të parët e tyre që kanë lindur e janë rritur në Pukë. 

Njëkohësisht, dua të them se, duke ua kushtuar këtë libër atyre, kam dashur të shpreh mirënjohjen time të pakufishme ndaj prindërve të mi, por edhe ndaj këtyre pukianëve të mirë, si edhe ndaj shokëve e miqve të shumtë nga Puka ime e shtrenjtë dhe nga i tërë vendi, që më edukuan e më mësuan t'i dua njerëzit si veten time. 

Dua t'u shpreh falënderimet e mia të gjithë atyre që kontribuan me gjithçka mundën për të realizuar këtë botim dhe mirënjohjen time për farmacistin me emër dhe mikun tim, Kolec Daja, për ndihmën modeste në botimin e këtij libri. 

Autori, Tiranë, 2008