Në Kryezi të Pukes duke kërkuar gjurmet e nje jete

N Kryezi t Pukes duke krkuar gjurmet e nje jete

Në Kryezi të Pukes duke kërkuar gjurmet e nje jete

Nga Veledin Durmishi

-Reportazh

Të përhimtën e Tiranës e lamë pas e diku nga Lezha një mjegull e dendur sikur kërkoi të pengonte lëvizjen tonë, ndërsa, kur prekëm lartësinë e maleve të Pukës, ishte një kthjelltësi e cila i dha shpirtit tonë një qetësi, kurse ne sodisnim bukuritë e natyrës që shfaqeshin mal pas mali. Ishim nisur drejt fshatit Kryezi të Pukës nën një simbolikë të veçantë, të bukur e aq domethënëse. Zef Shoshi, “Piktori i Popullit” ishte në makinën e udhëtimit dhe shkonte në një shtëpi të cilin e kishte vizituar 48 vjet më parë. Ishte i ri atëherë e pasionin e vet të pikturës e derdhte te portretet e njerëzve të thjeshtë, te pigmenti i fytyrës duke gjetur aty atë detaj që vetëm syri i artistit e deshifron.

 

Ishte ftuar në këtë eveniment edhe një tjetër korife i artit tonë, Dritëro Agolli, “Nderi i Kombit”, por ai nuk mund të vinte dot. Mosha s’e lejonte, por një mesazh e kishte dërguar drejt asaj familjeje, ku 48 vjet më parë ai kishte bujtur një natë duke kërkuar gjurmët e njeriut të punës e që në emër të së resë kishte bërë një “revolucion” aty. Në makinën tonë të vogël u ndezën tingujt e çiftelisë nga rapsodi popullor Gëzim Ahmetaj. Ishte një këngë kushtuar një njeriu nga fshati Kryezi të cilin dikur Agolli e Shoshi e kishin bërë personazh të artit të tyre të pavdekshëm. Të bukurën, të mirën, njerëzoren, të renë e do çdo kohë. Ajo krijon atë hulli të vetëdijës e cila dikur të bën të ndihesh krenar, të bën të kthesh kokën pas e të deshifrosh gjurmët e të parëve të tu. E kjo është vetëdijë kombëtare e cila krijon memorien e brezave e që duhet të shkruhet sot. Nesër është vonë.

 

Nën këtë mesazh po shkonin drejt Fshatit Kryezi të Pukës qindra njerëz, personalitete të artit, përfaqësues të pushtetit vendor, protagonistë të ditëve të djeshme, pasardhës të një dere të madhe e cila tani kishte një tjetër simbolikë; të promovonte një shtëpi të vjetër, të traditës, të ringrinte atë duke kërkuar të ripërtërijë kujtesën e brezave të vjetër e të sjellë në kujtesën e brezave të rinj momente të së shkuarës duke u thënë se jetë të vdekur nuk ka patur kurrë. Në Kryezi është një shtëpi e cila si edhe dikur, duket që larg. Një tabelë në hyrje të fshatit të bën me dije se je në Kryezi dhe përpara ke një rezidencë turistike e që quhet “Dedë Ndue Alia”(Shala)


Kush është Dedë Ndue Alia (Shala)

 

Një banor i fshatit Kryezi, që kishte trashëguar nga të parët krenarinë, bujarinë, dashurinë njerëzore, cilësi këto të cilat dinte t’i promovonte e t’i përçonte më tej. Kishte pak shkollë, por ishte “Ndrec Ndue Gjoka” i fshatit të vet duke hapur aty shkollën e parë. U mësoi abc-në fëmijëve të fshatit e bashkë me abetaren diti t’u japë të vegjëlve magmën e jetës, tharmin jetësor, u injektoi atyre cilësitë më të mira të një sjelljeje, bazë e të cilit ishte humanizmi. Ishte viti 1960 dhe padija ishte ulur këmbëkryq në vatrat e tyre ashtu si flaka e kandilit e qiriri i pishës. Ishte i ri atëherë Deda. Një trup vigan, me një kthjelltësi të admirueshme, me një shpirt të paqmë, e që një ditë të lume zbriti në Tiranë. Për një dinamo zbriti një malësor. Përfytyroni një malësor me plisin mbi kokë që kërkon në kryeqytet një vegël të cilit i dinte vetëm emrin “Dinamo”! Shumëkush ngriti supet, rrudhi buzët, familja e kundërshtoi, por Deda me atë shpirt të vendosur prej malësori, kërkoi të bëjë një “revolucion” atje në fshatin e tij. Dhe erdhi “vegla”. Njerëzit, skeptikë nga natyra, shihnin Dedën të hutuar. Dhe atje poshtë shtëpisë së tij, në një përrua, një ndërtesë e vogël, një turbinë e sajuar në një trung lisi, dinamua e sjellë nga Tirana, ca fije teli që u ngjitën drejt kullës së Aliajve. Dhe një mbrëmje aty erdhi drita elektrike. Ja “revolucioni” për të cilin një gazetar dhe një piktor nga Tirana u ngjitën deri të Kryezi për të parë, prekur, ndjerë aktin e një njeriu që kërkoi të largonte errësirën, padijen duke sjellë kështu mjaftë elementë të rinj të një jetë e cila sërish do të mbetej e vështirë. Njerëzit, me atë dorën e vënë pas veshit dhanë një sihariq si të jepnin një lajm të madh.


Në malësi për herë të parë ishte parë drita elektrike. Dritën të cilën njeriu e ka te retina e syrit, e ka te fosfori i kockës, e ka te regëtima e shpirtit, pra, drita ndriçoi kullën e Dedë Shalës për herë te parë. Atje te përroi poshtë shtëpisë së tij ishte edhe një mulli e uji ditën futej të turbinën e mullirit të bluante drithin për 52 anëtarët e kësaj familjeje e në mbrëmje uji ndërronte drejtim, futej në turbinën që duart e arta të Dedës e kishin bërë me një trung lisi, më tej uji prekte fletës e “dinamos” dhe drita elektrike ndriçonte kullën e vjetër të një familjeje të madhe tipike malësore. U flak kandili i paditurisë, e muzgëta e kohrave tani iku tutje pyllit me gështenja, u flak pisha e tymit të zi e kështu njerëzit e kësaj dere prekën një erë të re….
“Në kërkim të një ëndrre dhe të një dinamoje”


Kështu e quajti reportazhin e vet Dritëro Agolli dhe në datën 18.4.1965 u botua në gazetën “Zëri i popullit”. Gazetari i ri u ngjit deri në lartësinë e Pukës e të Fushë-Arrësit për të prekur jetën sepse jeta dhe njeriu është një planet që nuk do të eksplorohet kurrë. Kishte takuar mjekun Alfred Serreqi aty dhe kishte prekur një pjesë të halleve të përditshme, të cilat gazetari i ri i hidhte në ditarin e tij për t’u dhënë jetë… Aty mësoi për fshatin Kryezi pak kilometra më tej Fushë-Arrësit e ku rruga gjarpëron në një malore e që më tej shkon drejt Iballës. Pra, në këmbë ishte nisur poeti për të gjetur një njeri që kishte sjellë për herë të parë energjinë elektrike. Dhe “hajde bujrum”! dera hapet dykanatash për mikun e mirë, buzëqeshja deshifron bukurinë e shpirtit human që te malësori nuk ishin kurrë mangut, por edhe kurrë tepër. Ata e dinin vetë masën. Me atë masë nderi e dinjiteti ata kishin ndërtuar jetën thjeshtë, por bukur, kishin njohur agimin dhe muzgun, lindjen dhe vdekjen. Ata e zotërojnë kodin e së përkorës më mirë se askush edhe pse shkolla u ka munguar. Ua kishte mësuar jeta dhe plagët e shpirtit dinin t’i mbuloni aq bukur, dhe aq bukur dinin të falnin mirësinë. Sepse jeta nuk është frymëmarrja, por përjetimi i mirësisë. Për mikun gjithçka më e mira!.


E para fjala, muhabeti ishte ndezur si jo më mirë e Dritëroi aty kishte parë një familje si lisi degëgjerë, plot 52 anëtarë. Sa një fshat, nuk kishte përtuar të thotë gazetari nga Tirana, ndërsa kërkonte të deshifronte gjithçka të atij kodi gjenetik, por që edhe anëtarët e kësaj dere ia dhanë atë mundësi. Aty u fol për “shkencën” e Dedës, për punët e stinës, për Kanunin e Lekë Dukagjinit, për retë kanunore të cilat koha e re po i griste pak nga pak, për punët e bujqësisë, për dashurinë dhe mirësinë, për zajret e dimrit. E u pi raki. Gazetari e njihte mirë, “artin e pirjes” dhe piu sa askund tjetër. Aty u gdhi ai, por nuk mbylli sy tërë natën. Gjithçka që përjetoi ishte tej mundësive për ta perceptuar ai. Dhe sot pas 48 vjetësh, reportazhi “Në kërkim të një ëndrre dhe të një dinamoje” u gjet diku, u hodh në një libërth dhe atje në kullën e re të Aliajve u shpërnda. Ishe një kumt i bukur që çdo brezi diçka i tha; të njohësh gjurmët e tua, të dallosh vlerat e saj, të ngjallësh vetëdijën tënde kur më tej e diku ajo po vdes. Dhe në derën e Aliajve kjo vetëdijë nuk vdiq. Përkundrazi…


Fisi si lisi


Aty te ajo shtëpi e vjetër e ndërtuar në vitin 1928 dhe e restauruar në vitin 2013 rrjedh një pjesë historie e në krah të saj është ngritur një tjetër ndërtesë tani më e plotë, me mjaftë elementë të kohës së re, por që e vjetra ka atë simbolikë të cilën çdo sy e dallon qartësisht. Shoqata eko-turistike e Pukës për të promovuar traditat e për të mos e braktisur fshatin, i kërkoi pushtetit vendor që shtëpinë e Aliajve, atje në Kryezi ta çertifikoni “Rezidencë turistike”. Dhe propozimi ishte miratuar. Ditë më parë ky fshat përjetoi një atmosferë festive. Njerëz të ndryshëm, përfaqësues të artit, të pushtetit vendor, gazetarë e artistë të skenës, banorë të komunitetit, ish punonjës të dikurshëm që kishin derdhur mundin aty, ishin të ftuar në një festë e cila u mbush nga artistët e ansamblit “Puka”. Drejtuesi i këtij evenimenti ishte kryetari i shoqatës eko-turistike. Gjovalin Alia i cili organizoi takimin sipas një plani të përcaktuar me detaje. Një pllakë përkujtimore u zbulua në ballinën e shtëpisë rezidencë. Kryetari i komunës Qafë-Mali, Hil Kola, përshëndeti të pranishmit, revokoi traditat e mira të kësaj dere, foli për paraardhësit e saj ku shumë prej tyre kanë lënë gjurmë të cilat brezat kanë ditur t’i deshifrojnë. Kështu nga kjo derë është i madhi patriot Shtjefën Gjeçovi, ky gjuhëtar sqimtar, ky etnograf e atdhedashës i kulluar, nga kjo derë është Ndue Dodë Alia i cili është dekoruar nga Papa Gjon Pali në vitin 1996, me një bekim si njeri i mirësisë, nga kjo derë është Mark Dodë Alia i cili është dekoruar nga Presidenti Topi në vitin 2011 si veprimtar patriot, Dodë Ndue Alia me çertifikatën “Qytetar nderi” nga komuna Qafë-Mali dhe së fundi Tonin Alia dekorohet nga Presidenti Nishani me urdhri n”Mjeshtri i madh” në janar të vitit 2013. Tonini është president i një kompanie të madhe në artin e mobilimit “Ardeno”.


“Kemi artin për të mos vdekur”


Vetëdija popullore vërtet është një statujë e mbuluar e që zbulimi i saj kërkon njohje, kulturë, aftësi; njeriu fsheh vlera të cilat duhet të deshifrohen, te një rrudhë balli, te një flokë i thinjur, artisti diçka kërkon me ngulm sepse ai e di mirë se boshësi nuk ka. Janë mësime universale të cilat kanë kaluar nga brezi në brez qoftë edhe gojore dhe mëtojnë himnin e madh të jetës. Atë himn të cilin njeriu e ka pasaportë të dinjitetit të origjinës. Atë ditë, atje në Kryezi, si një urim mirëseardhjeje ishin ca punime artistike që janë unikalë edhe tej Shqipërisë.. Një artist, herët i skenës artistike e më pas i gdhendjes në dru, është më i gjindshmi aty. Janë dhjetëra punime në dru, të përmasave të ndryshme e cila shfaq aty para vizitorëve lartësinë e një bote që duhet perceptuar në tërë kompleksitetin e vet. Është artisti Llesh Biba i njohur në gdhendjen e drurit e që me ekspozitat e tij ka tërhequr vështrimin e opinionit artdashës, ka sjellë aty një koleksion ku motivet veriore, epizmi, paraqesin aty atë dinjitet të artit popullor si dëshminë më autentike të mbijetesës së tij. Te ballina një tjetër artisti i të njëjtit art, pra ai i gdhendjes në dru, Riza Toska, sjell punime artistike me motive pukjane, ku lirizmi shfaq bukurinë e vet. Atu-këtu punime të nënave pukjane, tirqe, xhamadanë, pështjellakë, xhubleta ku arti qëndron te e bukura dhe e bukura shpreh aq simbolikisht artin. Puka njihet për instrumentistët e saj virtuozë të cilët kanë krijuar fytyrën e vet ndër vite si përfaqësuesit më dinjitozë të çiftelisë e të cules. Sigurisht ky art ka patur protagonist një artist të madh si Ndue Shyti, por kjo traditë nuk do të shuhet në Pukë. Këtë risi e pashë edhe atje në Kryezi, ku çiftelia me ata tela të tendosur sikur sillnin zërat e dridhshëm të jetës, ndërsa grupe valltarësh ishin shtojzovallet e ditës atje në lëndinat e prillta të fshatit Kryezi. Brenda ndërtesës ka të tjera fotografi familjare, ndërsa në një kënd “Artisti i populli” Zef Shoshi s’mund të bënte sehir. Kishte “mbërthyer” një 10-vjeçar dhe i përqendruar po i hidhte portretin në letër. Dridhshëm dora e artistit edhe pse ai ka bërë mijëra portrete. Janë ato emocionet e artit kur ai të mban në “kthetrat” e tij. Artisti ndihet mirë brenda tyre… Diçka u mboll në një ditë gushti atje në Kryezi. Tradita krijon vetëdijë nëse përcillet, kumton, ndryshe ajo vdes. Dhe vdekja shpirtërore është vdekja e kombit, vdekja e vetëdijës. Të sjellësh në vetëdijë djepin tonë kulturor, etnik, është një obligim i përjetshëm, është vitalitet të cilin duhet ta përcjellim me dashuri…27 August, 2013


Gazeta TIRANA OBSERVER, 27 gusht 2013