Adelajda Mirakaj, vajza e Pal Bibe Mirakaj: Mehmet Shehu u kujdes vete per 45 vitet e ferrit tone

Adelajda Mirakaj, vajza e Pal Bibe Mirakaj: Mehmet Shehu u kujdes vete per 45 vitet e ferrit tone

Adelajda Mirakaj, vajza e Pal Bibe Mirakaj: Mehmet Shehu u kujdes vete per 45 vitet e ferrit tone

 

 

 

 

Gazeta Panorama,  11 Qershor, 2012.


10-vjetorin e ditëlindjes e “festoi” në kampin e internimit të Beratit, bashkë me dy vëllezërit, nënën dhe fisin nga ana e të atit, Pal Bibë Mirakaj. Lajda, siç e njohin njerëzit sot, kaloi  45 vite internim. Jeta e vajzës, gruas dhe nënës së dy fëmijëve. Përpara hyrjes së pallatit na pret i shoqi, Vasil Kokali. Teksa ngjitemi nëpër shkallë, përpara se të mbërrijmë tek dera e shtëpisë, 89-vjeçari bën parantezën se e shoqja është e pamundur fizikisht. Ajo lëviz vetëm me paterica dhe thuajse vetëm brenda shtëpisë. Adeljada Mirakaj, duhet thënë se është një e mbijetuar prej sistemit komunist. Për shkak të arratisjes së të atit, që ajo nuk e njohu kurrë, rokada e persekutimit shumëvjeçar i ndryshoi gjithë jetën. Ashtu e përlotur, teksa kthehet pas në kohë, kujton se si atë ditë të tmerrshme, e sapokthyer nga shkolla dhe ende pa hequr përparësen e zezë me jakën e bardhë, i morën bashkë me dy vëllezërit dhe nënën, i hipën në një kamion plot me njerëz të tjerë të panjohur, që Lajda nëntëvjeçare nuk i kishte parë kurrë më parë. Nga kampi i internimit të Beratit, tek ai i fundit në Savër të Lushnjës, u rrokullisën dhimbshëm 45 vite jetë nga jeta e saj. Në ato dyer të hekurta dhe vende të rrethuara me tela, ajo do të prekte të gjithë ciklet e jetës, nga fëmijëria, tek njohja me të shoqin, ceremonia modeste martesore, lindja e dy fëmijëve dhe vdekja e nënës në kamp internimi. Ndërsa, babanë nuk e njohu kurrë, për Lajden ky vazhdon të mbetet pengu i jetës, që e mundon ende… Pas arratisjes së babait tuaj, internimi familjar ishte gati i pritshëm, si ndodhi, ç’kujtoni nga ajo ditë?

 

 

Për mua është një nga momentet më të vështira të jetës, që u bë shkak për vuajtjet tona familjare. Nuk kam për ta harruar asnjëherë ditën kur na internuan, bashkë me nënë Kunen dhe dy vëllezërit, Simonin dhe Sokolin. Ishte viti 1944 dhe atë ditë sapo isha kthyer nga shkolla, shoh njerëz dhe një makinë të madhe përpara derës së shtëpisë. Nuk më lejuan as të futesha brenda, të hiqja përparësen, e të ndërrohesha, por siç isha me rrobat e trupit, bashkë me familjen na hipën në një makinë të madhe, ku gjendeshin edhe persona të tjerë, të cilët nuk i kisha parë kurrë më parë. E gjithë kjo ndodhi pasi babai im Pal Bibë Mirakaj ishte arratisur, bashkë me të vëllain, Kolën, i cili për një periudhë të shkurtër kohore kish qenë ministër i Brendshëm në qeverinë fashiste. Me ndryshimin e sistemeve dhe me vendosjen e regjimit komunist, ata i dinin pasojat. Dhe sa të binin në duar të komunistëve, vendosën të arratiseshin. Për më tepër, babai nuk pajtohej dot me dogmat dhe sistemin e mbrapshtë komunist dhe besoj se për të arratisja ishte një zgjedhje, por jo zgjidhje. Një jetë e tërë në arrati, me një familje që u dënua për vite me radhë nuk ishte aspak e lehtë…


Ju persekutuan edhe për një tjetër fakt, ishit familje kulakësh apo jo?


Sigurisht që edhe ky ishte një tjetër shkak. Gjenocidi i ashpër i Enver Hoxhës i sulmonte familjet e pasura në ato vite dhe një prej tyre ishte edhe jona. Një pasuri e trashëguar nga gjyshërit, pronat dhe dy dyqane në Prizren të Kosovës shpesh administroheshin nga babai im dhe xhaxhai, e për këtë arsye gjatë kohës që na internuan familjarisht, pasurinë e sekuestruan të gjithën, dhe neve nuk na mbeti asgjë.


Lajde, nga bankat e shkollës, në kampin e internimit të Beratit. Si e përjetuat?

 

 

Gjithë fisi i Mirakajve në kampin e internimit të Lushnjës. (Në rreth) Adelajda Mirakaj


Shkollën fillore nuk arrita ta përfundoj në mënyrë normale, sepse në fund të vitit të katërt na internuan. Për një fëmijë, ditët e para në një mjedis të ri janë përshtatje, hutim. Shpesh gjeja veten duke qarë, pyesja mamanë se çfarë kishte ndodhur me ne që u larguam nga shtëpia, pse jetonim bashkë me njerëz të tjerë, të panjohur. Kampi i parë i internimit ishte në Berat dhe aty qëndruam nga viti 1944 deri në 1949-n. Ditët aty ishin shumë të trishta, të vetmuara. Nëna dhe vëllezërit ishin të angazhuar në punë të detyrueshme, shpesh edhe të papaguar, ndërsa aty në kamp nisa nga fillimi shkollën fillore. Ndërsa në moshën 12-vjeçare më detyruan që të nisja punën bashkë me gra dhe femra të tjera më të rritura se unë. Punët ishin nga më të vështirat, por ajo që më ka munduar më shumë ka qenë puna në pambuk. Mua më duhej që të hidhja helmin nëpër sasitë e pambukut, për të mbytur krimbat. Shumë herë më bllokohej frymëmarrja, më ënjteshin këmbët dhe duart nga helmatisja që pësoja herë pas here. Kur doja që të vizitohesha tek doktori, gjithmonë më shoqëronte kryetari i këshillit të rrethit, i cili hynte i pari duke i shpjeguar se isha bijë e “Armikut të Popullit” dhe se nuk meritoja të merrja ilaçe apo raport mjekësor.


Pas pesë viteve në kampin e Beratit, ju spostuan në një tjetër kamp famëkeq, siç ishte ai i Tepelenës. Pse ndodhnin këto lëvizje?

 

 

Të tilla lëvizje bëheshin gjithnjë për më keq, edhe asnjëherë për të lehtësuar vuajtjet e të internuarve. Sa shumë histori rrëqethëse ka mbartur ndër vite kampi i Tepelenës, në të cilin kalova katër vite të jetës sime. Mua me familjen na çuan në një kamp internimi në Turan të Tepelenës, aty ku gjendeshin edhe shumë familje të tjera veriore, si ajo e Markagjonëve, Maria e Suzana Topalli etj. Dikur ky kamp kishte qenë varrezë, ndërkohë e kishin rrethuar me tela të lartë dhe e kthyen në kamp. Edhe këtu u angazhova në punë fizike të rënda. Mbaj mend, sa herë ngarkoheshim me dru në krahë, unë edhe shoqet e mia dhe në momentet kur nuk ecnim dot më, sepse na dhembte shpina nga lodhja, gjenim një vend me zhavorr ose rërë, i vendosnim aty drutë dhe u jepnim një të shtyrë që të binin në lumin e Bënçës. Prej andej më pas i ngarkonim në krah dhe i çonim në kamp.


 Si ushqeheshit?


Kjo ishte pjesa më munduese. Aq sa, kur ato momente më shfaqen sot në kujtesë, habitem me veten dhe them si jam gjallë. Racioni ditor i bukës ishte me gramaturë, vetëm 400 gramë, ndërsa ushqimet që na jepnin ishin gati të pangrënshme, fasule të krimbura, oriz me miza. Sa herë jam afruar nëpër kazanët ku zienin këto lloj gjellësh, dhe shihja se si në sipërfaqe të kazanëve kishin dalë krimbat. Ishte kaq e pështirë… Ndërsa, një ditë, që nuk kam për ta harruar kurrë, më bëri përshtypje vakti i darkës, një pilaf tërësisht i nxirë që na ishte servirur në pjatë. Ishte thuajse i pangrënshëm, dhe kur pyeta kuzhinieret aty në kamp, më thanë se kazanët që përdoreshin për të zier pilafin apo gjellët e tjera, dikur kishin shërbyer si fuçi benzine për italianët dhe shqiptarët i kishin prerë duke i kthyer në kazanë për të gatuar ushqime të ndryshme. Atë ditë, stomaku për pak m’u shkul vendit.

 

 


Ka ndodhur që kampin tuaj ta kenë vizituar pushtetarë të kohës, të sistemit komunist?


Kujtoj një moment të tillë, kur gjatë vizitave të shumta që bëheshin nga funksionarë komunistë, të cilët vinin nëpër kampe për të parë se si ishin sjellë të internuarit, si kishte ecur plani i punës dhe detyrat e përcaktuara ndaj nesh… Një ditë vjen Mehmet Shehu, i shoqëruar nga disa njerëz të tjerë që nuk i njihja dhe në një mbledhje që bëri ku ne të gjithë të internuarit kishim mbushur një nga dhomat e kampit të Tepelenës, ai drejtohet nga unë duke më parë vëngër dhe duke thënë se si bijë e “Armikut të Popullit” dhe e “Tradhtarit të Atdheut”, jeta ime do të bëhej edhe më skëterrë dhe asnjëherë nuk kishim për të parë një ditë të bardhë. Dhe vërtet ndodhi siç ai tha… Deri vitin që u ndryshua sistemi politik dhe erdhi demokracia, unë dhe familja ime vuajtëm keq. Atë natë nuk vura gjumë në sy, sepse m’u duk një kërcënim aq i hapur, sa mendova pasoja edhe më të rënda në jetën time.


Ndërkohë, pas kampit të Beratit, ai që do të përmbyllte historinë e gjatë 45-vjeçare të persekucionit tuaj familjar, ishte kampi në Savër të Lushnjës…

 

 

Adelajda me një grup grash të internuara me punë të detyruar në kampin e internimit në Lushnjë, viti 1954 (Në rreth) Adelajda Mirakaj


Kapitull i nxirë është edhe kjo periudhë për mua. Në këtë kamp do të mbyllja jetën time deri në vitin 1990, kur në Shqipëri u ndryshua sistemi politik. Pikërisht këtu u njoha edhe me bashkëshortin tim të ardhshëm, Vasil Kokali. Edhe ai një bashkëvuajtës, por që e kish pësuar më keq se unë nga regjimi komunist. Me Vasilin ishim njohur rastësisht gjatë lëvizjeve nëpër kampet e internimit, kur isha vetëm 14 vjeçe. Por, martesa ndodhi në vitin 1958, kur unë isha 24 vjeçe. Bëmë një ceremoni modeste martesore në kampin e Savrës së Lushnjës. Në çdo moment ishim në përgjim të vazhdueshëm dhe nuk mund të bënim as shpenzime të tepërta, as blerje të reja për të filluar edhe ne si çift i ri jetën tonë. Në atë kamp lindën edhe dy fëmijët tanë, një vajzë e një djalë. Lehonia dhe më vonë rritja e fëmijëve ishte një tmerr i vërtetë.

 

Nuk kishim as edhe një kusht normal për të larë pelenat, për t’i ushqyer, apo mbajtur ngrohtë foshnjat tona. Megjithatë, kur shihja fëmijët e mi që rriteshin dita-ditës edhe pse në ato kushte të vështira, jetoja vetëm për ta. Ju u martuat në kamp internimi, mamaja juaj ndërroi jetë po në kamp, babanë nuk e njohët kurrë… Cilat janë ndjesitë që ju kujtohen, kur i mendoni të gjitha këto? Të gjitha pasojat që përjetuam si familje, janë arsyet pse unë sot në moshën 76-vjeçare nuk mund të lëviz dot, rrallëherë dal nga shtëpia, por edhe në ato pak raste me patericë ose me një person shoqërues. Mamaja ime Kune ndërroi jetë në kampin e Savrës të Lushnjës dhe për mua e vëllezërit e mi ishte një moment shumë i hidhur. Një nënë e vuajtur, e pagëzuar në jetë, që vdiq në një mënyrë aq të hidhur. Edhe unë që u martova në kushte aq të jashtëzakonshme, me aq frikë dhe pa u gëzuar deri në fund. Ndërsa, pengu më i madh i jetës sime vazhdon të mbetet mosnjohja e babait tim, Pal Bibë Mirakaj. Pas arratisjes së tij fillimisht në Jugosllavi, më pas në Itali dhe në fund aty dhe ku mbylli sytë, në Amerikë, tim atë nuk munda ta takoj kurrë në jetë dhe për një fëmijë kjo është dhimbje e madhe. Por gjithçka e pranova si pjesë të jetës, ashtu siç pranova në heshtje, pa revolta të mëdha, të gjithë kalvarin e vuajtjeve që kaluam ne, familja Mirakaj.


ERMIRA ISUFAJ