Një gur i çmuar i Pavarsisë

Një gur i çmuar i Pavarsisë

Mark Mesuli
Studiues, ish kryetar i Komunis Gjegjan


Të studiosh dhe të përkushtohesh për të ndriçuar momentet kyçe të historisë së popullit tënd, është një detyrim moral, intelektual dhe patriotik. Duke u marrë me historikun e zonës së Gjegjanit për afro tre dekada, jam takuar e këshilluar disa herë me mësues të vjetër, veteranë dhe personalitete shkencore për të zbuluar dëshmi dhe fakte për ngjarjet kulmore të zonës.

Në Kimëz flitej gjerësisht nga të moshuarit, se më 1911 në këtë fshat ishte zhvilluar një mbledhje e madhe, por për mungesë dokumentesh nuk shkohej më tej. Në historikun e fshatit shkruhej për këtë ngjarje, e cila as mohohej, as nuk pohohej siç duhej, pasi nuk ecej për ta ndriçuar. Ndoshta mostrajtimi i saktë i saj vinte për shkak të biografisë së drejtuesit Terenc Toçi dhe të 25 nënshkruesve të aktit, që i përkisnin një të kaluare me "bajraktarë", apo dhe për mungesën e dokumenteve.

Në vitin 2002 personaliteti shkencor, Z. Aurel Plasari botoi një artikull studimor, në të cilin trajtonte përpjekjet patriotike të nënshkruesve të aktit të konstituimit të Qeverisë së Përkohshme (1911) për të shporrur një herë e mirë pushtuesit nga Shqipëria. Në të njëjtin vit, 2002, studiuesi Jaho Brahaj, botoi librin "Flamuri i kombit Shqiptar", ku në një faqe të veçantë shkruhej për flamurin e Kimzës. Mjaft shokë e miq më sillnin materiale, që vërtetonin në mënyrë shkencore, se me 27 prill 1911 në Kimëz ishte konstituar Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë. Fatmirësisht në një dosje të veçantë në Bibliotekën Kombëtare ruhet edhe sot e kësaj dite dokumenti origjinal i aktit të nënshkrimit të 25 burrave, ditën e 27 prillit 1911.

Shtypi perëndimor e pasqyroi gjerësisht këtë ngjarje historike në vitin 1911. Edhe më vonë gjenden shkrime si në revistën "Leka" më 1937, ku përkujtohet ky moment historik, kujtohen gjithë nënshkruesit e aktit si dhe qëllimi i kësaj lëvizjeje patriotike me betimin solemn për të qenë besnikë deri në vdekje ndaj njëri - tjetrit pa dallim krahinë, feje dhe ideje. Ajo që i bashkoi patriotët ishte pavarësia e Shqipërisë me moton "Shqipëria e Shqiptarëve".

Përveç këtyre shkrimeve e dokumentave të arkivuara, në vitet e para të pasçlirimit në shtëpinë ku është nënshkruar akti i konstituimit është gjetur një kuti e vogël druri, e mbyllur me vida druri, mbi të cilën, me tel të nxehtë, ishte shkruar. 1911. Fatkeqësisht kjo kuti u hap me forcë nga kureshtja dhe në të u gjet një letër e palosur me cepe të vruguara (akti i konstituimit) e cila nuk arriti të mbijetojë.

Pas disa takimesh me studiuesin Plasari si dhe me studiues të tjerë të Akademisë së Shkencave, përfshi këtu edhe kryetarin e saj, Z. Ylli Popa, vendosa, në cilësinë e të zgjedhurit vendor dhe të studiuesit që të përkujtohej 95 vjetori i kësaj ngjarjeje në dritën e fakteve të zbuluara. Ndërmarrja e kësaj nisme ishte e vështirë, pasi kërkohej shumë punë e mund që të realizohej me sukses, siç e meritonte rasti historik.

Së pari u vunë në lëvizje kapacitetet shkencore për të hedhur dritë me kumtesat e tyre për ngjarjen, për protagonistët e saj të zonës së Gjegjanit për figurën e kletikut Dom Nikoll Kimza si dhe fletë nga historia mesjetare e krahinës.
Së dyti u rakordua me institucionet shkencore, me mediat televizive dhe me shtypin e shkruar, me familjet trashëgimtare të 25 burrave nënshkrues të aktit si dhe një bashkëpunim me Komunën Fan -Mirditë, ku pikërisht me 26 prill 1911 në Bisakë, ishte ngritur flamuri dhe ishte marrë vendimi për krijimin e Qeverisë së Përkohshme për t'u konstituar e nënshkruar në Kimëz, me 27 prill 1911.

Së treti u morën masa organizative për përkujtimin e kësaj date në vendin e në kohën e duhur. Natyrisht organizimi i takimit në Kimëz kishte vështirësi të shumanshme që duheshin përballuar, sepse vetëm në atë vend e kishte efektin e plotë përkujtimi i asaj ngjarje. Në rrugë e sipër dolën mjaft pengesa që nxiteshin dhe nga disa skeptikë që s'kishin besim në realizimin me nivel të veprimtarisë, por atyre ua dha përgjigjen e plotë vetë niveli i aktivitetit përkujtimor, pjesëmarrja masive e banorëve të zonës dhe jashtë saj, pa llogaritur të ftuarit që morën pjesë në Kimëz.

Këtë nuk po e themi si meritë të askujt, por për të nënviziuar idenë se për ngjarjet e mëdha nuk duhet hezituar për t'i përkujtuar, pasi me përkushtim arrihet gjithçka. Së katërti kërkohej bashkëpunim me Firmën "Beralb" në Munellë, që të ndihmonte për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në mënyrë që autokolona e makinave të lëvizte lirshëm drejt rrëzës së Munellës ku ndodhet fshati Kimëz. Kontributi i Firmës turke ishte real dhe cilësor, duke bërë të mundur që vargu i gjatë i makinave të kalonte lirshëm grykave e monopateve, duke gjarpëruar përmes gjelbërimit pranveror, ku harmonizohej bukuria e natyrës së begatë me lulet shumëngjyrëshe e borën e bardhë.

U organizua pritja zyrtare në qendër të Komunës për tu nisur pastaj të organizuar drejt Kimzës. Çdo gjë shkoi mirë siç e meritonte një festë e tillë. Makinat e shumta parkuan te miniera e Munellës, atje ku nxirret nga nëntoka bakri, atje ku punësohen mjaft kimëzarë, atje ku zien jeta nga puna pas një heshtjeje të gjatë papunësie.

Një vizitë te kulla e vjetër ku 95 vjet më parë u mblodhën burrat patriotë, një fjalë e shkurtër rasti në oborrin e kësaj kulle, nga ish - kryetari i Komunës dhe njëkohësisht pinjoll i kësaj famiije, Pashk Deda, vizita në mjediset e brendshme të saj, biseda e kujtime për këtë ngjarje të lënë padrejtësisht në harresë për dekada me radhë, shkaktuan emocion dhe meditim tek të pranishmit.

Aktiviteti përkujtimor e artistik u drejtua me nivel nga regjisori i mirënjohur pukjan Fran Vukaj. Një auditor i madh, i gjallë, serioz dhe kureshtar i ardhur nga gjithë zona, nga krahinat e ndryshme për të ndjekur kumtesat e paraqitura para tyre. U gërshetuan kumtesat shkencore me përshëndetjet nga autoritetet vendore, zyrtare dhe shkencore me grupin artistik duke e bërë sa më të këndshëm aktivitetin. Tërheqës e simpatik, baca Pal, i cili ndonëse 80 vjeçar, erdhi nga Patosi i largët në vendlindjen e tij të paraqesë refleksionet e veta për këtë ngjarje historike Të gjithë e admiruan për nivelin e prezantimit dhe dinamizmin e tij duke e "fshehur" moshën e madhe.

Edhe në drekën e punës, të shtruar me këtë rast për të ftuarit, e morën fjalën dhe përshëndetën të gjithë autoritetet vendore si: Rustem struga, kryetari i Bashkisë Pukë; Prel Cenaj, kryetari i Bashkisë Fushë Arrëz; Marash Simoni, kryetari i Komunës Qelëz; Ndue Doçi, kryetari i komunës Iballë; Rrok Doda, kryetari i Komunës Lut Nik Deda, kryetari i Komunës Fierzë; Nikolin Prenga, kryetari i Komunës Qafë Mali, si dhe kryetari i Komunës së Fanit, Mirditë Mark Marku dhe ish - kryetari Gjin Doda.

Përshëndetën dy ish - kryetarët e Komunës Gjegjan Pashk Deda dhe Zef Lasku si dhe mjaft drejtues institucionesh në rreth. Një përshëndetje e veçantë u bë nga zonja Fatmira Musaj, përfaqësuese e Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave.
Të gjithë të pranishmit nënvizuan rëndësinë e kësaj. ngjarjeje, pasi ishte një lëvizje patriotike me synime të qarta për shpalljen e pavarësisë. Pavarësisht se jeta e aktiviteti i kësaj qeverie ishte i shkurtër për arsyet që tani dihen, synimi ishte i qartë dhe dallgëzimi valë - valë nga Malësia e Madhe, Mirdita dhe gjithë trevat e Veriut, bënë të mundur që së toku gjithë shqiptarët ta shpallin pavarësinë e vërtetë me 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Lëvizjet patriotike të Shqipërisë së Veriut kishin filluar që me 24 - 25 mars 1911 në Malësinë e Shkodrës nga Ded Gjo Luli, i cili me datë 6 prill 1911 bëri të mundur ngritjen e flamurit kombëtar ne Daçiq, duke qenë flamuri i parë kombëtar i ngritur ne trevat tona qe nga vdekja e legjendarit Gjergj Kastrioti. Disidenti pukjan Pashk Curri e ka përjetuar në vargjet e tij këtë akt të Ded Gjo Lulit kur thotë, Në Deçiq të Malësisë Ded Gjo Luli biri i Vegjëlisë Ngrffi ffamurin e Lirisë.

Në vazhdën e kësaj lëvizjeje filluan lëvizjet kryengritëse në Mirditë, të cilat ishin organizuar para se të mbërrinte Terenc Toci.
Është një përkim interesant që pikërisht me datë 6 prill 1911, kur Ded Gjo Luli ngriti flamurin kombëtar në Deçiq, në Kimëz të Mirditës, pikërisht në këtë datë, d.m.th me 6 prill 1911 mblidhet një kuvend kryengritës ku u zgjodh Komiteti Drejtues, të cilit i printe Preng Mark Prenga, flamurtar (bajraktar) i Oroshit tek i cili Toçi shpresonte të gjente mbështetjen kryesore. Plani i veprimit i filluar në Kimëz me 6 prill 1911 u finalizua po në Kimëz me 27 prill 1911 pas lidhjes së besës në Bisakë të Fanit ku u ngrit flamuri dhe u mor vendimi për krijimin e Qeverisë së Përkohshme.

Mediat e trajtuan gjerësisht këtë veprimtari përkujtimore. Tv Puka i dha një vend të veçantë pasqyrimit të saj. Po ashtu mbi 20 stacione private televizive e pasqyruan saktësisht ditën përkujtimore. Edhe shtypi e pasqyroj në faqet e tij, ku vlen të veçohen gazeta "Standard", 'Telegrafi", si dhe gazeta "55".

Duke e marrë këtë nismë për botimin e këtij libri që pasqyron imtësisht aktivitetet në këtë ditë përkujtimore, mendoj se vëmë një gur të mirë për një hulumtim më të plotë në kuadrin e 100 vjetorit të kësaj ngjatje, që përkon me datën 27 prill 2011.