Topi në Pukë

Topi në Pukë

Presidenti Topi kriikoi dje që nga Puka politikat e turizmit, të cilat janë përqendruar vetëm në bregdet, politikat e zhvillimit, që janë përqendruar vetëm në zonat urbane, duke harruar zonat malore. Presidenti tërhoqi vëmendjen e shtetit për këto zona, në fjalën që mbajti në konferencën shkencore "Mbi zhvillimin e zonave malore, potencialet dhe perspektivat".

Kjo konferencë ishte organizuar nga deputetët e maxhorancës dhe opozitës së bashku, që e shoqëronin Topin në një vizitë zyrtare në Pukë. Flamur Hoxha, Aleksandër Biberaj, Gjovalin Prenga, Idriz Xhumara, Qemal Minxhozi, Sali Shehu, Rexhep Uka, deputetët e majtë dhe të djathtë ishin të pranishëm në këtë konferencë. Por u vu re edhe pjesëmarrja e Nard Ndokës, kreut të PDK-së dhe Frrok Gjinit, deputet i kësaj partie, forcë e cila po njeh marrëdhënie jo shumë të mira me partinë më të madhe të maxhorancës, PD-në.

Në fjalën e tij, fillimisht Topi foli për zhvillimin e zonave malore, si pjesë e qenësishme e vendit. "Sot nuk diskutojmë vetëm për Pukën, por diskutojmë për elementët më të qenësishëm, për të gjitha zonat malore kudo ato ndodhen në veri të Shqipërisë, në jug e në lindje të saj dhe me preokupacionin, që të gjithë së bashku të promovojmë politikat për zhvillimin e këtyre zonave, të rinxjerrim nga tradita elementët më të spikatur, më vlerësues, që do të bënte atraktiv jo vetëm turizmin vendor, por edhe promocionin për turistët e huaj që vijnë e vizitojnë Shqipërinë", - u shpreh dje Topi.

Në reklamën e parë promovuese të turizmit në Shqipëri, reklamë e prodhuar dhe publikuar nga ministria e Turizmit në stacionet kryesore të Europës, mungonte prezantimi i bukurive natyrore të zonave të veriut. "Me fokus turizmin bregdetar, kjo konferencë vjen si një sfidë modeste por e arrirë, aspak e heshtur, por me një zë kumbues si një thirrje për tërheqje vëmendjeje për zhvillimin e zonave malore që për vet konfigurimin demografik të vendit tonë kanë një rëndësi tepër të madhe", - u shpreh më tej presidenti.

Ai shtoi më tej në fjalën e tij, se nuk është një element negativ largimi i njerëzve nga zonat malore, por sipas presidentit, është shumë e rëndësishme që shteti të kthejë vëmendjen e tij ndaj njerëzve që punojnë në këto zona, "të cilët, padyshim duhet të jenë në vëmendje të politikave konkrete të ruajtjes së resurseve të rëndësishme të këtyre zonave". "Shumë mirë bëhet që ka politika promovuese për bregdetin, por në të njëjtën kohë, sikurse janë ekuilibrat natyrorë që nuk duhet të harrohen, ashtu duhet të jenë edhe ekuilibrat turistikë për sa i përket vëmendjes edhe për zonat malore", - theksoi më tej ai. Topi e konsideroi konferencën e djeshme si fillimi i promocionit të këtyre zonave, të cilat kanë nevojë për një ndryshim të shpejtë.


"Gazeta Shqiptare".