Qeveria të kthejë syt nga veriu i vendit.

Qeveria të kthejë syt nga veriu i vendit.

PUKE - Presidenti Bamir Topi, i bën apel qeverisë nga Puka të kthejë vëmendjen në zonat e harruara të veriut të Shqipërisë. Ai ishte i pranishëm në një konferencë në kuadër të zhvillimit të zonave malore, që u organizua dje në këtë qytet. Kreu i Shtetit kërkoi që qeveria të ketë më shumë vëmendje ndaj veriut të Shqipërisë. Fillimisht, Topi u ndal në Komunën Gomsiqe, ku u prit nga kryekomunari Rrok Dodaj, e më pas në qytetin e Pukës. Në bashkinë e qytetit, kreu i saj Rustem Struga e ka njohur presidentin me problemet kryesore, që preokupojnë këtë pjesë veriore të vendit.

Gjatë konferencës për zhvillimin e zonave malore, potencialet dhe perspektivat, Topi përshëndeti iniciativën e ndërmarrë nga Forumi i zonave malore dhe grupi i deputetëve të tyre për të lobuar me qëllim ndryshimin e gjendjes aktuale. "Është i domosdoshëm promovimi turistik i resurseve dhe prodhimeve të zonës, të cilat janë të pëlqyeshme, duke qenë prodhime bio", u shpreh Topi, sipas të cilit rruga Durrës-Kosovë do të hapë perspektiva të reja të tregut rajonal. Vizita e punës së Presidentit të Republikës në qytetin verior ka përfunduar me takimin me përfaqësuesit e bizneseve të vogla të agro-përpunimit, si dhe me vizitën në Qendrën e Informacionit Bujqësor. r.d.


20.09.2008 Gazeta "Panorama"