Homazhe për diplomatin Halit Furriku

Homazhe për diplomatin Halit Furriku

Homazhe për diplomatin Halit Furriku
Në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme u zhvilluan dje homazhe për z. Halit Furriku, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Shqipërisë në Moskë, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 57-vjeçare.Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, në ceremoninë e lamtumirës në Ministrinë e Jashtme mori pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ambasadori i Rusisë në Tiranë, deputetë etj.

Ministria e Jashtme i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes të diplomatit Furriku. "Me ndarjen para kohe nga jeta të z.Furriku, Ministria e Jashtme humbi një diplomat të zotin, të përkushtuar dhe gjithnjë të palodhur", thuhet në njoftimin për shtyp. Halit Furriku ka lindur në Pukë, më 26 prill 1951, dhe ka kryer studimet e larta për gjuhën ruse në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Për shumë vite ka punuar si arsimtar në rrethin e Pukës dhe nga viti 1993-1997 ka qenë i zgjedhur kryetar i Bashkisë së qytetit të Pukës. Në dhjetor 2005, Furriku u emërua këshilltar pranë ambasadës sonë në Moskë, ndërsa prej disa muajsh ishte i ngarkuari me punë në atë ambasadë.


Marre nga gazeta SHQIP, dt. 10.8.2008.