Krishtlindja në Iballe të Pukës

Krishtlindja në Iballe të Pukës

Krishtlindja në Iballe të Pukës



Pasi P. Mikel Pëllumbi, OFM, famullitar i Iballes së Pukës, sivjet për Krishtlindje duhej të shkonte në Amerikë, e luti p. Lorencin, fratin e Gjakovës, ish famullitarin e Iballes, që ta zëvendësojë për këtë festë të madhe. P. Lorenci e pranoi ftesën dhe dy ditet e para Krishtlindjes u gjet në ish famullinë e vet, ku në vitet 1995-2000 kishte ndërtuar kishën dhe kuvendin. 
Populli ishte shumë i kënaqur se iu mundësua ta kremtojë këtë festë më të gëzueshme të krishterimit me meshën e shenjtë. U kremtuan dy meshë me popull: mesha e mesnatës dhe mesha e mesditës. Para çdo meshe mbi një orë kishte rrëfime. Në ndërkohë Zamir Vugza, mësues, i printe rruzares, e pastaj paraqiste një program rasti: dramën për lindjen e Jezusit që prej lajmërimit të lindjes së Gjon Pagëzuesit, e deri te vizita e tre mbretërve. Ai vetë e kishte shkruar tekstin dhe kishte ushtruar fëmijët. Ai e drejton edhe korin e kishës.



Besimtarët erdhën nga të gjitha lagjet e Iballes, si edhe nga Berisha (Iballe, Geraj, Sapaq, Rracaj, Lëvoshë, Ludricë, Vlash etj.). Ecnin edhe nga tri orë këmbë nëpër rrugët e vështira të bjeshkës, por gjithmonë me gëzim e krenari, sepse edhe me sakrifica jo të vogla mund ta nderojnë Zotin dhe ta dëshmojnë fenë e vet në Krishtin Zot.



P. Lorenci në predikimin e mesnatës e theksoi se Krishti është drita e botës që jetonte në terr. Prandaj edhe secili besimtar i krishterë duhet të jetë drita e botës së sotme, që jeton në terr të mendjes dhe të zemrës, duke i ngatërruar të mirën dhe të keqen, moralin dhe pafytyrësinë, besnikërinë e tradhtinë, të drejtën dhe padrejtësinë, jetën dhe vdekjen, vlerat e antivlerat... Në meshën e mesditës e theksoi përgjegjësinë personale e secilit njeri për qëndrimin e tij ndaj Jezusit, ndaj fesë, ndaj të afërmit, ndaj të mirës, ndaj moralit, ndaj jetës, ndaj vdekjes... Në këto punë askush nuk mund të na zëvendësojë dhe askush nuk mund të vendosë në vend nesh. Secili vendoset personalisht për Krishtin sikur Maria, Jozefi, barinjtë, tre mbretërit etj.; apo kundër Krishtit sikur Herodi, Juda dhe tradhtarët e tjerë.  Për të gjithë pjesëmarrësit ky ishte me të vërtetë një përjetim i bukur dhe i paharrueshëm.