Pervjetori i Shkolles Iballe

Pervjetori i Shkolles Iballe

Drejtoria e Shkollës së Mesme të Bashkuar Iballë, në bashkëpunim me Komunën Iballë dhe Drejtorinë Arsimore Pukë, më dt.26.11.2004 organizuan festimin e 100-vjetorit të shkollës së parë shqipe në Iballë.

Me inisiativën e Monsinjor Lazer Mjedës, në shtator të 1903, u hap shkolla e parë shqipe, për rrethin e Pukës, në Iballë. Kjo arritje e madhe erdhi si rezultat i ndërmjetësimit të Monsinjorit me patriotët vendas, me Konsullatën Austro-Hungareze në Shkodër.

Mosinjor Lazer Mjeda së bashku me vëllain e tij Don Ndre Mjedën, dërguan mësues në Iballë zotin Kolë Rrok Zeza me origjinë nga Zezajt e Pukës. Nën kujesin e tyre, mësuesi u pajis me abetare dhe libra të tjerë shkollorë. Shkolla funksionoi normalisht deri në vitin 1907, vit në të cilin u mbyll për herë të parë.

Në vitin 1917-1918 u rihap nga zotni Kolë Bibë Miraka, i cili shfrytëzoi shtëpinë e tij si shkollë. Vetë zotni Kola dha mësim në këtë periudhë.

Në vitin 1918 shkolla rimbyllet, për tu rihapur përsëri për periudhën 1927-1929. Gjatë kësaj periudhe mësimet u zhvilluan në Kishën e Iballës, sepse shkolla ishte prishur. Mësim ka dhënë Padër Mati Prendushi.

Në qershor të vitit 1934 hapet rregullisht shkolla shtetërore. Në këtë vit u regjistruan 52 nxënës, 10 prej të cilëve ishin vajza. Nxënësit u përkisnin të dy besimeve fetare.

Në viti 1937 numri i nxënësve pati rritje. Shkolla kishte 82 nxënës, nga të cilët 16 ishin vajza. Mësim jepte shoku i ngushtë i Migjenit, Lin Çurçia.

Më 11 mars 1945 shkolla e Iballës filloi veprimtarinë mësimore edukative të rregullt. Ajo kishte 92 nxënës nga klasa e parë tek e treta. Një vit më parë numri i nxënësve shkoi në 115, nga këta 45 ishin vajza.

Më 1 mars 1952 shkolla fillore e Iballës kthehet në 7-vjeçare, duke u bërë e dyta në këtë profil, mbas asaj të Pukës. Kjo shkollë ka dy dëshmorët e saj Lekë Berishën dhe Pjetër Dedë Alinë.

Shkolla mban dekoratat "Urdhëri Naim Frashëri", të klasit III dhe II, të akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në vitit 1967 dhe në vitin 1974, "Për kontributin e dhënë në edukimin patriotik e kulturor të nxënësve".

Në vitin 1975 në Iballë hapet shkolla e mesme bujqësore me sistemin e mbrëmjes dhe me korrespondencë. Më 1976 hapet edhe me sistemin e ditës. Në vitin jubilar të 85-vjetorit të saj, shkolla ka pasur 750 nxënës dhe 35 mësues.Në vitin 1990 shkolla kaloi në arsim të mesëm të përgjithshëm. Në këtë vit shkolla ka pasur 720 nxënës në të gjitha ciklet. Në festimet e 100-vjetorit të saj morën pjesë shumë ish-nxënës e mësues, autoritetet vendore dhe të ftuar nga Tirana, Shkodra, Tropoja e Puka.

Shiritin e inaugurimit të memorialit kushtuar kësaj date dhe mësuesit të parë, zotit Kolë Rrok Zeza e preu deputeti i zonës, zoti Viktor Doda me djalin e mësuesit të parë, zotin Gjovalin Kolë Zeza. Fjalën e hapjes e mbajti zoti Ndue Doçi, Kryetar i Komunës Iballë. Për rrugën 100-vjeçare të shkollës referoi drejtori i saj, zoti Pal Vukaj. Kumtesën e zhvillimit të arsimit 7-vjeçar e mbajti zoti Beslim Hoxha, ish-drejtor shkolle. Problemet e menaxhimit në shkollat rurale i paraqiti zv/Rektori i Universitetit "Luigj Gurakuqi", Prof.Doc.Fatmir Vadahi.

 Fillimi i mësimit në shkollën e Iballës e mbjti Bardh Doda, zv/Prefekt. Për rritjen e cilësisë mësimore referoi zoti Fran Suta, inspektor arsimi në Pukë. Diskutuan mësuesja Zamira Matashi dhe ish-mësuesi Gjovalin Alia. Në mbyllje foli edhe deputeti i zonës, zoti Viktor Doda.Shtojmë se nga Komuna e Iballës kanë dalë shumë kuadro dhe figura të shquara në lëmin e arsimit, kulturës dhe drejtimin e institucioneve shtetërore. Mund të përmendim:

Deputetët: Kolë Bibë Miraka, Mark Ndoja, Kolë Mhilli, Ukë Rexhepi, Shuke Gjoka, Tonin Ujka, Marash Ibraj e Fran Pjetri;
Drejtues të aftë: Lekë Marashi, Gjon Vata, Sokol Vata, Beqir Arifi, Qazim Arifi, Dashamir Sokoli etj.;Me tituj nderi: Tomë Nikolla, Ndue Jakë Pjetri, Enver Gjylbegu, Ndue Dedë Zefi etj.;Autorë librash: Jak Uka, Prend Uka, Fran Vuka, Zef Miraka, Xhemal Meçi, Viktor Maluta, Gjovalin Alia, Tone Smajli, Ndrecë Mustafa, Tone Prendi, Mark Ndoja, Riza Tafilaku e Zefo Koliqi.Në mbyllje shtoj se kjo shkollë ishte vatra e parë që ndezi shkëndinë për arsim e dije në zonat e thella malore të trevës së Pukës.