Mark Frrok Bajraktari: "Coptimi i Shqipnisë dhe Kryengritja e Pukës 1911-12".

Mark Frrok Bajraktari: "Coptimi i Shqipnisë dhe Kryengritja e Pukës 1911-12".

Një botim në Kanada për historinë shqiptare para 40 vitesh nga bugjonasi Mark Frrok Bajraktari.

Libri "Coptimi i Shqipnisë dhe Kryengritja e Pukës 1911-12" i autorit Mark Frrok Bajraktarit është botuar 40 vite më parë, në vitin 1967 në Kanada, në një mjedis të pafavorshëm për ndermarrje të tilla studimi e botimi, prandaj fiton një rëndësi të veçantë dhe përbën një ngjarje për t’u lavdëruar e shënuar në bibliografinë dhe në historinë e botimeve të historiografisë shqiptare.

Libri në tërësi është një punë hulumtuese e studimore me literaturën e mundëshme për t’u siguruar në Kanadanë e largët nga atdheu, por kjo duhet parë edhe në kushtet konkrete, kohë kur edhe në Shqipëri deri në ato vite botohej shumë pak literaturë studimore e dokumentare për ngjarjet e kohëve, që janë të perfshira në tematikën e librit në fjalë. Autori megjithë vështersitë ka bërë përpjekje dhe ja ka arritur, që të siguroj dhe konsultojë edhe revistën Studime Historike të Tiranës, por duhet realishtë të pranojmë, se pikë mbështetje e reference kanë qenë botimet e viteve në mes të dy luftërave Botërore në Shqipëri dhe disa botime në gjuhë të huaj jasht atdheut.

Libër i munguar në bibliografinë e botimeve të historiografisë shqiptare.

I parë në këtë kontekst autori, duhet vlerësuar për kontributin që shpalos, për shumë ngjarje, që vetë ka qenë dëshmitar me armë në dorë, si e tregon në parathënie: "Ishem i ri, por megjithkte më kujtohet si sot çdo ngjarje qi më takojke me pa në popull e me e perjetue vetë personalisht mbrenda kater viteve: 1908-1912".

Titulli i librit: "Coptimi i Shqipnisë dhe Kryengritja e Pukës 1911-12" për kohën kur u botua justifikohet dhe analizohet i mbështetur në literaturë. Vlera të jashtëzakonshme dhe me burime shumë të besueshme (nganjëherë dhe burim i vetëm) është tema e organizimit dhe kryengritjes të viteve 1911-12 në Pukë e më gjërë, duke përfshirë Mirditën, Fandin, Malësin e Lezhës, Zadrimën etj.

Ngjarje me rëndësi është krijimi i "Qeverisë Provizore Shqiptare" të formuar me  27 prill 1911 në  fshatin Kimëz të Pukës, datë historike, që ishte lënë në harresë për dekada nga historiografia zyrtare shqiptare, megjithse ruhen e njihen dokumente arkivore mbi të cilat shpaloset kjo datë e shënuar. Materialet e këtij libri të butuara 55 vite më vonë në Kanada (1967), janë me interes për historinë ndërkrahinore për krijimin e kësaj Qeverie ose Beslidhje. Autori është pjesmarrës dhe dëshmitar okular i shumë ngjarjeve në vitet e luftës për Pavarsi, ku ndër to do veçuar Kuvendi i Fandit dhe Mbledhja e Kimzës më 27 prill 1911, ku u krijua dhe "Qeveria Provizore Shqiptare".

 E veçojmë këtë moment nga libri, sepse për këtë ngjarje kemi të ruajtura dokument-aktet e themelimit, kujtimet e Terenc Toçit etj, dhe disa shkrime të viteve ‘30, por për karakterin dhe qëndrimin klasor të personaliteteve pjesmarrës në këtë ngjarje historike, në vitet e pasluftës së Dytë Botërore, është mbajtur kjo ngjarje në heshtje, ose edhe kur janë detyruar ta përmendin, e kanë quajtur "me tendenca kantoniste". Qëllimi i këtij shkrimi nuk është për ta analizuar historikisht këtë ngjarje, por të njihemi me dëshmi nga një personazh-autor i librit (M. Bajraktari), që ishte aktiv e prezent në këto ditë, e që deri tani dëshmi janë të panjohura. Le të ja lëmë fjalën kujtimeve të autorit në fjalë: "

...Kur malsorët quan peshë boten me trimnit e tyne kundra pushtuesit turk, Torenc Toçi nga Italia del në mal të Zi. Këtu bisedon me shqiptar të arratisun prej Shqipnije, porosit të përgatitet një flamur i madh shqiptar si dhe kater flamuj më të vegjël". Pasi shpjegohet që ky erdhi në Malësin e Pukës për bashkimin e krerëve dhe parësisë dhe shfrytëzohet festa e Sh’Markut në Fand, ku: "Mbahet një mbledhje, në të cilën morën pjesë përfaqësues të Mirditës, të Kthellës, Bajrakët e Pukës e të Dukagjinit, për ma tepër ishin edhe shkodranët... Flamuri i madh shqiptar i prumun prej Malit të Zi, valavitet i lirshëm tu kisha e Fandit, i mbrojtur prej burrave të lidhur besa-besë rreth tij". Këtu autori jonë, nuk na saktëson, se kur e ku u formulua shkresa zyrtarisht, që është data e krijimit të Lidhjes, ose si është pasqyruar në aktin e themelimit: "Qeveria e Perkohshme Shqiptare".

Kjo ë dhënë në librin e tij, na bind dhe e bën shumë të besueshëm këtë fakt, sepse rezulton, që këto kujtime të tij, si pjesmarrës në aktivitet, nuk i bazon nga ato që janë shkruar deri në këtë datë (1967) për këtë ngjarje, por janë dëshmi të tija: "Formulohet një shkresë zyrtare që nënshkruhet prej të gjithëve me datë 27 prill 1911, dhe shpallet Qeverija e Përkohshme e Shqipnisë me kryetar Torenc Toçin ... Qeveria shkoi e zuri vend në Kimëz". Akti i Beslidhjes mban datën 27, si na e kumton autori, por është hartuar në Kimëz, si e tregon ky dokument autentik i ruajtur deri më sot.

Autori dëshmon se: "Prej këtej T. Toçi organizoj një sulm kundra Lezhës, i ndihmuar prej Kol  Tomës së Velës, qyteti u muar (ra në dorë të kryengritësve), e për pak kohë valaviti flamurin kombëtar në kalan e vjetër të Lezhës. Por ushtarëve tonë të lirisë u kishte mbarue municioni dhe nuk mundem ta mbajmë në dorë Lezhën". Kjo ngjarje që ka lidhje me Lezhën, megjithse e dëshmuar edhe nga një fotografi e Kel Marubit, ka ngjallur interes dhe është bërë objekt i studimeve për Lezhën, dhe ja ku autori na sjell dëshmi konkrete e reale.

Në gjitha faqet e librit dëshmohet se qëndresa, organizimi dhe lufta për lirimin e trojeve nga pushtuesi në ato vite, ishte në vazhdën tradicionale ku ishin të bashkuar shqiptarët muhamedanë e katolikë. Në faqet librit sillen edhe lista pjesmarrësish në ngjarje lokale, ku kjo shihet qartë, se nuk kishte asnjë dallim fetar.
Një aspekt i këtij libri të vlefshëm është, se këtu janë përfshirë edhe disa rapsodi kushtuar ngjarjeve e vendeve për të cilat flitet në libër. Rapsoditë dallohen për fantazinë krijuese të mbështetur mbi traditën folklorike të Veriut dhe e veçojnë autorin si bartës e trashëgues i kësaj pasurije shpirtërore  shqiptare.

Këto materiale folklorike, si duket janë përfshirë në vëllimin, të krijuara posaqërisht për t’i kënduar me zemër vendlindjes dhe atdheut në mërgimin e mallit, që të gërryen shpirtin. Kjo gjetje për t’i dhënë udhë të lirë shpirtit, është në kontrast me materialin e gjërë faktik e historik, i cili jepet me vertetësi e besueshmëri.

Ngjarjet që përfshihen në këtë vëllim janë të ndryshme, por sot pas 40 vitesh të ballafaquara me faktet e dokumentet  publikuara, ruajnë vertetësinë e janë dëshmi me vlera dokumentare dhe plotësojnë boshlleqe, që ka materiali i trashëguar arkivor. Historia e trevës plotësohet duke përfillur dhe mbështetur në këtë botim histriografik. Mirpo ky libër është shumë i rrallë dhe i munguar në të gjitha bibliotekat institucionale e shtetërore në vend, prandaj e kerkon koha një ribotim, qoftë edhe me disa shkurtime, por duke ruajtur materialin faktik e dokumentar shumë të vlefshëm, që percjell në ditët tona.
Autori, M. F. Bajraktari, bir i një familje me tradita dhe emër për trimëri në luftërat çlirimtare, nuk i permend këto fakte në faqet e librit dhe asnjëherë vendlindjen e tij, Bugjonin e Pukës, nuk e veçon dhe dallon prej të tjerëve. Ky është një tregues, që libri nuk ka qëllim ndriçime figurash dhe ngjarjesh që lidhen me fisin e tij, por në gjithë tematikën e faktet e librit pasqyrohet historia ndërkrahinore e gjithë kombtare. Nuk ankohet, që komunistët e lanë pa atdhe, por punoi dhe na solli një vepër histriografike, për të na njohur, që trojet shqiptare janë ndarë e coptuar dhe lartëson heroizmin dhe vetmohimin e luftëtarëve të lirisë.

***

Në disa shkrime nëpër gazeta vitet e fundit, mundohen të hedhin mjegullnajë, se a njihej dhe praktikohej flamuri kombëtar shqiptar para 28 nëntorit 1912. Autori është dëshmitar i manifestimit të bërë me 26 prill 1911 tek kisha e Shën Markut në Fand.

Siç ishte tradita për këtë festë, që "lutej me miq", në kishën e Sh’Markut atë ditë janë mbledhur më shumë se 700 veta nga krahina të ndryshne; miq, nipa, dajollarë, bija etj, kjo ishte e zakonshme në këtë festë për mikpritjen e këtyre 5 fshatrave, dhe ky kallaballek me 26 prill 1911, nuk ishte mbledhur për manifestim politik, krerët dhe parësia po. Sipas traditës në festa të tilla, pas meshës organizoheshin tubime për çeshtje të ndryshme. Janë dokumentet që e faktojnë dhe e pasqyrojnë, se këtu me këtë datë u ngrit dhe u valavit flamuri kombëtar shqiptar, dhe po e përsërisim edhe një hërë faktin, që na sjell autori i librit (krahas atij të dokumentit arkivor): "Flamuri i madh shqiptar i prumun prej Malit të Zi, valavitet i lirshëm  tu kisha e Fandit, i mbrojtur prej burrave të lidhur besa-besë rreth tij".

Në libër shpalosen edhe kujtimet për mbledhjen e Shëngjinit (Lezhë), po në vitin 1911, ku përfshihen edhe krahina të tjera në vazhdën e Mbledhjes e Beslidhjes së Kimzës e njohur me emërtimin; "Qeveria e perkohshme e Shqipnisë".
Të dhëna të tjera vijuese në kronologjinë e atyre viteve jepen me vertetësi, por këtu po i mbyllim këto pak rrjeshta për këtë libër me vlera, të botuar në dheun e largët, para 40 vitesh.

Nga: Jaho Brahaj.