100 vjetori I Pavarsisë Kombëtare

Kryeministri premton organizimin e një feste të veçantë për evenimentin e vitit 2012
Qeveria nisi zyrtarisht përgatitjet e saj për kremtimin pas dy viteve të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit. Kryeministri Sali Berisha në hapje të mbledhjes së djeshme të qeverisë theksoi se Shqipëria po shkon drejt këtij 100-vjetori me realizimin e të gjithë projektimeve që 98 vjet më parë i bënë për të ardhmen e saj, ata që shpallën pavarësinë. “Vendi po shkon në këtë 100-vjetor, siç e parashikuan dhe e projektuan ata që 98 vjet më parë e shpallën shtet të pavarur, anëtare e NATO-s, kandidate e Bashkimit Europian, shqiptarët të lirë pa viza, por edhe një vend me progres të madh në dy infrastrukturat, tokësore dhe atë dixhitale”, deklaroi kreu i qeverisë. 
                        Shqiponja e Flamurit Kombetar te 28 nëntorit 1912..

Kremtimi i kësaj feste është kryengjarja e Shqipërisë dhe shqiptarëve pas liberalizimit të vizave. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha theksoi se së shpejti do të ngrihet një komision për të kryer edhe përgatitjet me këtë rast. Ky komision duhet të jetë shumëpërfshirës, me faktorët më të rëndësishëm të kombit, në Shqipëri dhe jashtë saj, të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, të botës akademike dhe shoqërisë civile.
100 vjetori I Pavarsisë Kombëtare, pllakat nga piktorja Juliette Elezi, 2011.
Sipas Berishës, grupi i punës për nderimin e këtij komisioni do të drejtohet nga zëvendëskryeministri Genc Pollo. Si një ndër detyrat e këtij grupi, kreu i qeverisë caktoi edhe hartimin e një buxheti për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen. “Duhet të bëjmë një përpjekje të gjithanshme, të gjitha objektivat duhet të përfshihen në buxhetet e viteve që vijnë dhe buxheti ekzistues, në funksion të takimit të Shqipërisë me 100-vjetorin e saj, mund të pësojë modifikimet e nevojshme”, vuri në dukje Kryeministri Berisha. 
Sipas kreut të qeverisë, 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë duhet të jetë më i bukuri, më festivi, më dinjitozi që vendi ka njohur ndonjëherë. 
Në fjalimet e tij, kreu i qeverisë “Berisha” e ka cilësuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë si ngjarjen më të madhe historike të kombit tonë. 
Po kështu, si një ngjarje të madhe dhe të dytë për nga rëndësia deri tani, kreu i qeverisë ka përcaktuar futjen e Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Sipas Berishës, kjo ngjarje ka një vlerë tepër të madhe historike, sepse u jep shqiptarëve sigurinë e munguar për shumë shekuj dhe e bën Shqipërinë pjesë të vendeve me të fuqishme botërore, si në sferën e sigurisë dhe atë politike.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*