Dera e 1800 e kishës së Arst-Miliskaut

Në gusht të vitit 2008 u evidentua, se pranë kishës së Arst-Miliskaut në Rrethin e Pukës, ruhet një derë druri e gdhendur e viteve 1800. Dera u gjet e përmbusur në baltë e rrezikuar që nga kalbja të shkatërrohej plotësishtë. Dera ka qenë e kishës që në fillimet e viteve 1800, dhe është rivendosur edhe pas riparimeve që i janë bërë ngrehinës disa herë gjatë shekujve të fundit. Ajo paraqet mjaft interes për traditën e dekoracionit arkitektonik të faltoreve të lashta dhe të kishave
në Shqipërinë e Veriut. 

Në vendin tonë ruhen vetëm dy dyer të objekteve fetare të kësaj periudhe. Në pjesën e sipërme, dera ka një diell me rreze, i cili haset shpesh në gdhendje me gur, qëndisje, në veshjet me endje tradicionale popullore shqiptare. Ky është një motiv shumë i vjetër në Ballkan. Ai është shumë i ngjashëm me atë të Mbretit të Maqedonisë, Filipi II.

\"\"  \"\"

Dera e kishës së Arst Miliskaut ruan edhe gdhendje të lehta me motive gjeometrike, të cilat janë modele të punuara tradicionalisht në gdhendjet e furkave, djepave dhe orendive të tjera në vendin tonë. \”Rikonstruksioni grafik i këtyre tre elementeve, të derës, dy shenjtorëte gdhendur në gur, si dhe të simboleve të tjera të gdhendura gjithashtu në gurë na rezulton si një \’ikonostas\’ me shumë interes, në të cilin paraqiten objekte përfaqësuese pagane dhe të krishterimit katolik.

Nga: J.Brahaj.

-Po japim një shkrim të albanologut F. Nopca, për një derë analoge, që e bleu në Velë, rrethi Lezhë, në vitin 1906-.

Porta e kishës
Gjatë udhëtimit tim të parë nëpër Shqipëri, në mars 1906 më ngacmoi pasioni im për drurin e gdhendur, një veprim që për mua mund të kishte pasur pasoja të këqija. Kur mbërrita në famullinë e Velas, në banesën e famullitarit, pashë një portë prej druri të gdhendur bukur, vjetërsinë e madhe të së cilës e dallova menjëherë. Kur famullitari më tha se disa e kishin këshilluar ta shiste këtë derë, unë nuk u mendova gjatë dhe e pyeta shkoqur se sa mendonte ta shiste derën.

Famullitari më tha \”tri napolona\”. Gërmova gjithë gëzim në xhep dhe pa e zgjatur i vendosa paratë para famullitarit. Ky veprim i shpejtë pati një reagim të papritur, meqenëse unë në Orient po shmangia një pazarllëk të zakonshëm, famullitari filloi të dyshojë se çmimi ishte shumë i ulët dhe për të bërë një tërheqje të pranueshme e që të mund ta prishte blerjen, sqaroi se ai do ta shiste derën me çmimin e dhënë, në rast se kjo i përkiste atij, por meqë ajo ishte pronë e kishës duhej që në këtë rast të veçantë ta përcaktonte çmimin peshkopi i Kallmetit, Imzot Malczynski. Nga kjo bisedë kuptova që famullitari don Marko Negri, si rrjedhojë e gatishmërisë sime të pamenduar thellë për të paguar portën kërkonte që peshkopi ta vlerësonte më shumë se tri napolona dhe tashmë më erdhi radha mua që t‘ia hidhja me dinakëri.

\”Më falni hirësi\”, i thashë, \”kur propozova paratë mendova se nuk ishte fjala për mall të kishës. Tashmë që e mora vesh dhe m‘u bë e ditur se malli i kishës nuk mund të shitet nga famullitari, po e mbyllim këtë çështje për këtë mall kishe. Negri nuk dyshoi për çfarë unë synoja dhe me këto fjalë atij iu duk se çështja u mbyll sërish. Me planet e mia synoja diçka tjetër. Pa arritur Negri të dyshonte për ndonjë gjë i shkrova imzot Malczynskit, të cilin e njihja personalisht dhe i njoftova se famullitari i Velas ishte gati që të më shiste një derë të gdhendur për tri napolona, por që nuk mund ta bënte pa lejen e peshkopit. Prandaj e lusja peshkopin që t‘i jepte leje famullitarit për ta shitur.

Meqë më kishin bërë të ditur që peshkopi Malczynski, të cilin Selia e Shenjtë për dënim e kishte përzënë në Kallmet në Shqipëri, e urrente gjithçka që ishte shqiptare dhe për të treguar se për çfarë objekti bëhej fjalë, njëkohësisht shtova në letër se porta ishte e bukur, sepse ishte me motive shqiptare. Pa i dhënë rëndësi paragrafit të fundit të letrës sime, imzot Malczynski e urdhëroi famullitarin e Velas ta shiste portën e kishës dhe meqë unë ndërkaq i kisha dhënë paratë, munda ta dërgoja atë për në Szcsal, nëpërmjet konsullatës, natyrisht pas disa vështirësive. Kështu u bë dhe porta ende edhe sot është në banesën time. Ajo që doli në pah ishin pasojat e këtij sakrilegji. Famullitari, peshkopi, konsullata dhe unë duhej ta pësonim për këtë. Shitja e portës së Velas u mor vesh menjëherë. Për shkak të çështjeve të tjera, pala kundërshtare e famullitarit të famullisë Vela e përdori edhe këtë çështje.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*