Simon Miraka në 36 shkronja

Shkruar nga Anisa Pëllumbi 

24 janar 2008
 
Vuajtjet e tyre nuk kanë pasur fund. Vetë kreu i Institutit të të Përndjekurve kësaj herë do të na flasë për jetën e tij të gërmëzuar në 36 shkronjat e alfabetit. Është internuar që ditën që ka lindur, dhe ka parë për kryeqytetin pas 45 vjetësh, në vitin ’90. Për shkak të vuajtjeve të tij dhe familjes së tij, nuk e ka parë asnjëherë të atin, por e ka vizituar varrin e tij pas 62 vjetësh në Amerikë. Jeta e tij ka qenë tepër e vështirë, por ama mes telave dhe gjembave të kampit të Tepelenës ëndrrat e tij ishin futbolli, muzika dhe letërsia.

E mes këtyre vuajtjeve dhurata më e bukur për të është djali i tij 12-vjeçar, Pali. Mes gjithë atyre dhimbjeve, dhimbja më e madhe për të është humbja e nënës, Kune, në internim, për të cilën Simoni thotë se vdiq pa asnjë ditë të mirë.

Interviste me 36 shkronja.

A- AGJITACION DHE PROPAGANDË. Këto fjalë kreut të Institutit të të Përndjekurve Politikë i kujtonin nenin e famshëm që për 45 vjet bënte internime, burgime dhe pushkatime.

B-BURRELI, është burgu famëkeq, që Simon Mirakës i kujton burgosjen dhe vuajtjen e familjarëve të tij në burgun e Burrelit.
C- "C", për kreun e Institutit është grupi i të internuarve, ku ai bën pjesë edhe vetë, pasi ka jetuar për 45 vjet në internim në Tepelenë.

Ç- ÇLIRIMI i vendit për të nuk do të thotë liri, por shkatërrim i jetës. "Njerëzit kur çlirohen presin lirinë, ndërsa ne na u dha burgu dhe internimi", thotë Miraka

D- DATËLINDJA e tij korrespondon edhe me internimin e tij. Simon Miraka ka lindur më 1 qershor të vitit 1945 dhe po atë ditë që ka lindur familja e tij është internuar në Tepelenë.

DH- DHËRMIU, është një vend tepër impresionues për të. I ka ngelur në mendje ende vizita e parë e tij në këtë vend bregdetar, në vitin 2006.

E- ENVER HOXHA, për Mirakën është një emër tronditës, pasi për shtresën e të përndjekurve solli vuajtje dhe mjerim. Është emri  që i shkaktoi shumë plagë të këtij vendi.

Ë- ËNDRRAT e Simonit kanë qenë të bëhej një futbollist i madh. "Janë ëndrrat e mia që u vranë e u mbyllën", tregon me keqardhje kreu i Institutit.

F- FITORJA.I kujtohet viti ’90 dhe marsi i vitit 1992, kur fitoi demokracia. Ai e quan "fitorja e demokracisë".

G- GOLI që ka dashur të shënojë gjithnjë. Futbolli ka qenë ëndrra e tij, një talent që u mbyll për shkak të internimit. "Ndërsa sot e ndjek me ëndje futbollin", thotë Miraka.

GJ- GJEMBAT e kampit të Tepelenës janë një kujtim i hidhur për Simon Mirakën. Ai ka jetuar rininë e tij brenda këtyre gjembave dhe telave, duke ndryshuar edhe ëndrrat e tij, siç shprehet edhe vetë.

H- HOBI i tij është futbolli, muzika dhe letërsia.

I- INTERNIMI i Simon Mirakës zgjati nga qershori i ’45-ës deri në 4 korrik të vitit 1989.

J- Juxhin Uito, është personazhi i librit "Gjeniu" i Teodor Drajzerit. Mirakës i pëlqen shumë ky libër. "Në atë kohë e kam lexuar dhe njeriu dashurohet me gjithçka", thotë vetë Miraka.

K- KASTADIVA e Berlinit, është opera e famshme e muzikore. Miraka është shumë i pasionuar pas muzikës dhe dëgjon me ëndje muzikë klasike.

L- LIRIA është ëndrra e atyre që e humbën në vitet e komunizmit. Një prej tyre ka qenë edhe vetë Miraka.

LL- LLOGARAJA është një vend piktoresk që gjithashtu e ka vizituar për herë të parë në vitin 2006, duke shkuar për në Dhërmi.

M- MAMA, është një fjalë e dashur për të. Kune, është nëna e tij "që vdiq në internim, pa pasur asnjë të mirë, e sot e kujtoj me dhimbje, me lot, me dashuri dhe me respekt"

N- NDERSHMËRI, është fjala, që, pavarësisht backgroundit të saj, për Mirakën njeriu plotëson të metat e tjera. Ai të kujton një thënie të Tolstoit në librin "Lufta dhe Paqja": Ndershmëria nuk ka sukses.

NJ- NJERIU, është fjala më e madhe dhe më e kuptimshme që mund të ekzistojë. Shumë njerëz humbën jetën e tyre në kohën e komunizmit si pasojë e kërkesës së tyre për lirinë e njeriut.

O- OPERAT janë pika e dobët e kreut të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë. Ai kujton se pëlqen shumë të dëgjojë "Kavaleria rusikana" etj., dhe është i dashuruar pas tyre.

P- PAL, është emri i djalit të Simon Mirakës, por edhe i babait të tij. "Djali im është dhurata më e bukur, sepse rritet me një frymë të re dhe me një edukatë tjetër, ndryshe nga e jona. Është emri i babait, që nuk e kam parë asnjëherë, dhe pas 62 vjetësh kam shkuar te varri i tij në Amerikë". Pali, djali i tij, është vetëm 12 vjeç.

Q- QEMALI, është mbiemri i të madhit Ismail Qemali. Për Simon Mirakën, festa kombëtare më e madhe që edhe pse kanë jetuar në kushte çnjerëzore e kanë festuar me ato që kanë pasur mundësi.

R- REGAN, është presidenti amerikan, i cili bashkë me Papa Gjon Palin ishin faktorët kryesorë që ndikuan në shembjen e komunizmit në vend.

RR- RROFTË LIRIA! Kjo i sjell në mendje Simon Mirakës njerëzit kur bërtisnin në vitet ’90, ato ditë që nuk kthehen më. Brohoritja e tyre ishte "Rroftë liria!".

S- SIMON është emri i tij, të cilën ia kanë vënë prindërit e vetë. "Është emër shenjti dhe besoj se e kam mbajt me nder", thotë vetë ai.

SH- SHQIPËRIA, është vendi me të cilin Miraka është i dashuruar. "Ka qenë dhe është për mua dhimbja ime, dashuria ime, krenaria ime".

T- TIRANA, kryeqyteti ynë, që Simon Miraka e ka parë pas 45 vjetësh, në vitin ’90. Ai kujton që atë ditë ka shëtitur si somnambul rrugëve të Tiranës, pa e ditur se ku shkonte.

TH- THOMA GJONI, është shoku i tij i internimit. Por fati i tij ishte edhe më i keq, pasi në moshën 16-vjeçare u burgos sepse tentoi të arratisej nga internimi.

U- "URA ME TRI HARQE", është një nga librat e shumtë që Miraka ka lexuar në kohën e regjimit të atëhershëm. Simoni thotë se njeriu në atë moshë që lexon sheh aspektin që ecën paralel me karakterin e të riut.
V- "V" për Mirakën është simboli i dy gishtave të demokracisë, simboli i fitores.

X- "X"-i i kujton të panjohurën në trigonometri, lëndë në të cilën të tregon se ka qenë shumë i mirë.

XH- XHENIFER LOPEZ. Për Mirakën është aktorja, modelistja e famshme dhe si ajo ka edhe Shqipëria shumë vajza të bukura, pavarësisht fateve të ndryshme.

Y- "Y" është e dyta e panjohur në trigonometri. "Trigonometria dhe historiometria kanë qenë dy lëndët që kam qenë shumë mirë në shkollë", thotë Miraka.

Z- ZOTI, Miraka thotë që është lutur dhe vazhdon të lutet që në momentin që ka kuptuar se ekziston një forcë e mbinatyrshme. "Jam lutur dhe vazhdojë të lutem për veten, familjen, të afërmit, miqtë dhe vendin".

ZH- ZHDUKJA e shumë njerëzve. Kreu i Institutit shprehet se përulet me respekt para njerëzve që jetën ua ka marrë Zoti apo diktatura.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*