Avni Rustemi ne Kryezi

Nga Osman Sh. Brahaj
Shkrimi është botuar në librin: Revolucioni i Qershorit 1924 në kujtimet e bashkëkohësve", Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1974.

Më 1921 Bajram Curri me shumë vullnetarë hyri në Mirditë nga Gomsiqja(1). Kur doli në Fushë-Arëz, duke kaluar nëpër Kashnjet, nga Shënpali, Gjegjani, Gojani e Shkoza erdhi e na la amanet Avni Rustemin. Avniun e la në Kryezi te shtëpia e Ahmet Beqirit. Ahmeti ishte burrë fort i vjetër. E ruante Avni Rustemin edhe natën. Me pushkë në dorë i sillej shtëpisë rreth e qark. Kisha shumë dëshirë ta shihja Avniun. Si mos ta shihja atë Avni që kishte vrarë Esad Pashën në Paris! S\’e merrnim dot me mend! Njerëzit pyesnin të çuditur:  A ky e vrau Esat Pashën? Bre, Sa trim qënka ky!

Avniu, për çudinë tonë, as burrë i pashëm, as burrë asgan nuk qe! Ishte i shkurtër, po punën e kish bërë aq të madhe! S\’na rrihej pa e parë në krye 3-4 ditësh. Ai kish vrarë Esat Pashën që i shiti Shkodrën Malit të Zi. Mjerim pau Shqipëria prej Esat Toptanit.
Avniun e ruante Ahmeti, po e ruanin të gjithë, e ruante krejt katundi. Çdo ditë ne s\’mendonim për vehte, por veç për Avni Rustemin. Po të dyshonim sadopak, çoheshim të gjithë me pushkë e pa pushkë për të mbrojtur atë burrë që kishte qitë pushkë shqiptari në Paris duke habitur botën. Avnia ndenji tek ne nja dhjetë ditë a dy javë, derisa erdhi Bajram Curri dhe e mori.
Bajram Curri në Pukë gjeti bukë e zemër e burra, që qenë gati të shkonin pas tij. Sa herë na thirri, ne i shkuam prapa ku na priu ai. Lidhjet me të i kemi pasur të hershme. Qysh më 1911 ai u lidh fort me Pukën. Drejtonte komitët me Bajram Daklanin në krye.
Bajram Begu na mbante të bashkuar, muslimanë e katolikë. «Jemi shqiptarë, bre burra»! – na thoshte. Ai hinte e dilte edhe tek fukarenjtë. S\’bënte dallim.
Një herë po vinte nga Iballa. Qëndroi te stanet tona.
Një plak e ndali për drekë. Bajram Curri nuk deshi ta rëndojë mikun dhe mori të ikë, porse plaku i tha: "A pse s\’jam oxhak e derë e madhe, po m\’hik kshtu-a?!» Burrit të maleve i erdhi rëndë: «Mos bre burrë, mos ma thuej atë fjalë, ja ktheu. Këtu n\’bjeshkë e ke vështirë për veti". Mirpo plaku nuk ju nda: -Konak s\’mund të baj, po pak bukë ta kthej, ashtu si çobanët. A s\’je ti çobani jonë?» Bajram Curri u ul. Plaku shpejt e shpejt preu, ropi e poqi nji kec. Mysafiri mbeti i kënaqur. Nga shkonte e thoshte: «As në zotni, as në pashallarë s\’kam hangër bukë ma të mirë e ma të ambël!».
Populli e priste Bajram Currin me zemër të hapët e me ç\’i ndodhej përpara. E pritnin si njeriun e tyre. Po edhe Bajram Curri ishte i dashur.
Ndrelkë Llesh Gega, nga Qafë e Lumit t\’Bardhë, ish fu¬kara e i këputur por Bajram Currin e strehoi për 3 javë resht. Ndërsa po e gjurmonin nga të katër anët, Ndreka nuk trëmbej aq nga Qeveria sa e brengoste halli që s\’i gjendej bukë t\’i jepte mikut të zemrës. Bajrami që ia ndjente dhëmbjen i tha një ditë: «Mos u likshto, o Ndrek Llesh Gega, se nji ditë kanë me marue hallet tona! Besaji Currit!». Ndrek Lleshi kish një gjel të mirë. E theri tinëz mikut. Kur ja shtroi në sofër, i tha: «Je kanë me t\’pre kanë, po burri kthen bukë me atë që mundet, hej burrë! Hasmi e fukarallëku na kanë njekë kudo e gjithmonë, ne malsorëve. Bajram Curri e donte popullin, e populli e donte atë.
Kur Bajram Curri shkoi në Fushë-Arëz, më 1921 thirri Ndreken e i tha: «Ndrek Llesh Gega, do ta mundim shpejt fukarallëkun! Merri këto pare, qi kur të vij ndonji herë t\’mujsh me m\’ba konak e me m\’pre kanë!». Pastaj thirri Kolë Varfin. Kola ishte trim i zoti. Nuk binte kurrë për dhe. Bajrami e dërgoi te Hasan Beg Vuçiterni, po e diktuan hasmët. Po Kola u shpëtoi duke u futur në nië kanal deri sa ra nata. Hoqi shumë keq Kola, po porosinë e kreu si burrat. Kola s\’ju nda Bajramit deri në vdekje. Sa na rëndoi vrasja e tij! Edhe pse Zogu ishte në fuqi Prendush Gega i Kabashit nxori këtë këngë që e mësoi dhe e këndoi populli:
«I kam mush prot 80 vjet
Pa m\’lidh krajl e pa m\’lidh Mbret,
Per pa m\’lidh kurrfar mileti;
Sod me m\’lidh Kadri Mehmeti,
Ku me kanë ma i madh gazepi!
 Nxjerr patllaken e i ka ra veli.
Ahmet Begi ka rreh telin,
T\’shtat Krajlave jau dha haberin …
 

 
1) Është fjala për forcat vullnetare me në krye Bajram Currin që në vitin 1921 vajtën për të shtypur rebelizmin antikombëtar të Marka Gjonit në Mirditë, që nxitej e përkrahej nga shovinistët jugosllavë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*