PUKA- Vështrim gjeografiko-Turistik

Autor: Mahir Hoti & Gjovalin Alia

Parathënie

Rrethi i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore me sipërfaqe të eroduara, lëndina e livadhe, që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar, ushqyer edhe nga dëbora e shumtë, që shpesh zbardh deri në verë. Një tjetër element i rëndësishëm mjedisor janë edhe pasuritë e shumta minerale. Këtu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat, si edhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në këngët e vallet popullore, aq të bukura të kësaj treve.

 Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor i Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera çlodhëse e argëtuese. Nga ky sektor sigurohen të ardhura, të cilat, deri tani, Puka i ka patur fare të pakta. Por, duhet bërë kujdes që të hiqet dorë nga dëmtimi dhe keqtrajtimi i mëtejshëm i mjedisit që, këto vitet e fundit, ka qenë i shprehur më shumë në simbolin e Pukës: pyjet e pishes, bredhit e ahut.
 
Potenciali turistik dhe larmia mjedisore, me siguri kanë ngacmuar autorët për botimin e kësaj broshure, e ci la përfaqëson materialin e parë të shkruar në këtë rrafsh për Pukën. Ky botim i karakterit njohës e shkencor gjeografiko-turistik, i vihet në dorë masës së gjerë të lexuesve, e në radhë të parë rinisë, për ta njohur më nga afër trevën e Pukës dhe për ta publikuar atë brenda dhe jashtë vendit. 

Materiali percjell vlera natyrore të Pukës, bukuritë e peizazhit, duke dhënë mesazhe të ruajtjes e të mbrojtjes së tij. Një vend me rëndësi edhe në funksionin turistik, zë trajtimi i problemeve demografike, sociale, të prodhimeve e zejeve dhe të veçantave të tjera që ofron Puka.

Ribotimi i këtij libri u bë si rezultat i kërkesave të shumta nga turistë vendas e të huaj, mësues e nxënës shkollash, si dhe për pasqyrimin e disa ndryshimeve që kanë ndodhur në nënprefekturën Pukë, që nga botimi i parë në vitin 1998. Autorët e saj, mësuesi i apasionuar i gjeografisë, Gjovalin Alia, autor librash dhe studiues i njohur nga Fushë-Arrëzi, dhe Prof. Dr. Mahir Hoti, rektor i Universitetit të Shkodrës \”Luigj Gurakuqi\”, dhe pedagog në departamentin e gjeografisë, kanë bërë një punë serioze e me pasion, brenda caqeve, që lejon një botim i tillë i rangut shkencor-popullor. Ky botim do të ndihmojë, sadopak, në ngritjen e opinionit të lexuesve të sferave të ndryshme. Natyrisht, këtu nuk ezaurohet gjithçka, por mbetet e hapur mundësia e botimeve të tjera të kësaj natyre, në përputhje me vetë dinamizmin e jetës.

Nga: Nevila Dibra, Gjeografe e turizmit

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*