Filipi, princi i Tarentit i siguron 13 fiseve
shqiptare privilegjet e vjetra.
5 shtator 1304 4.
"Filip, princ e despot i Tarentit… Albëve (Albos), Shpatëve (Spatos), Katarukëve (Catarucos), Biskesinëve (Bischesini), Aranitëve (Aranitos), Lecenëve (Lecenis), Turbacejve (Turbaceos), Markazejve (Marchaseos), Skurajve (Scuras), Zenevisëve (Zeneuios), Buzëzajve (Bucceseos), Logoreskëve (Logorescos) dhe Matesejve (Mateseos), besnikëve të vet, (i uron) shëndet e dashuri të sinqertë. Mbasi doli në shesh dashuria e vullnetit tuaj të mirë ndaj nesh, me anën e përfaqësuesve të derguar këtu tek ne, dashuri kjo, nëpërmjet të cilës ju, me bindje të sinqertë, mendoni të ktheni dhe me këmbëngulje, të qëndroni në besnikërinë dhe në urdhërat e të permendurit princ, zotit prindit tonë, mbretit të ndritshëm të Jeruzalemit e të Sicilisë, për ne është e pëlqyeshme dhe e prenueshme një kthesë e tillë e juaja, dhe me gjithë zemër…"
5 Nuk dimë për këtë derë të fisnikërisë arbërore për shekullin e XI e më parë a ishin një fis me një shtrirje të gjërë në territoret e mësipërme apo një derë fisnike, që kishte privilegjet tradicionale mbi këtë territor.
Titulli sevast,6 i praktikuar nga Bizanti, që në shekullin XI, tregon, që ky fis dhe kryetari i tij, janë faktor i rëndësishëm politik, që përpara shekullit XI, kur dhe e njohim të afirmuar në rradhën e aristokracisë feudale shqiptare këtë derë. Ky fis i madh, që shtrihej në një territor, ku banorët kanë prioritet bujqësinë e ndihmëse blegëtorinë, nga shekulli XI deri në shek. XV, e njohim të ndarë në tre degëzime 1) Bushati (Buza, Bus-sati), 2) Ziu (Zezaj, Kryeziu) dhe Renësi-Buzuku. Disa pjestarë të kësaj dere i gjejmë, po me emrin Buzëzezët e shek. XIII, dhe në fillim të viteve 1400. Këta e ruajnë këtë emër të vjetër të derës nga trashëgohen, për arsyen, se ata janë vendosur larg truallit të vendbanimit dhe sipas zakonit, ata quhen me emrin e familjes prej të cilës kanë origjinën.
Në këtë periudhë, shek. XV, njohim Bushatët, të shpërndarë nëpër fshatrat e Zadrimës dhe ndonjë pinjoll i kësaj dere, sipas zakonit të aristokracisë feudale shqiptare, janë të vendosur në Shkodër.7
Në vitet e lavdishme të luftës kundra pushtuesit otoman (gjysma e parë e shek. XV), derën e Buzëzezajve, nuk e hasim aktive në jetën politike e luftarake, por njohim bëmat e një dege të saj, që u emigrua në Mbretërinë e Napolit, me porosi të Kapedanit të Pergjithshëm të Shqiptarëve, për të ndihmuar aleatin e Skënderbeut.
Vështrimi kronollogjik i kësaj dere, nga shekulli XI deri në shek XV, duhet parë në kontekstin e ngjarjeve të kësaj treve. Forcimi dhe dalja në skenë e dyerve fisnike, si Dukagjinët, Zahariajt, Spanët, si shikohet nga pronat e tyre, ato u zhvilluan në dëm të Buzëzezve. Por më shumë, këtë fis të fuqishëm, e dobësoi pushtimi i despotëve serbë. Në vitin 1348 Car Stefan Dushani, pikërisht fshatrat, ku ne kemi njohje, që kjo derë kishte selinë e saj, ja dhuroi manastirit të Prizrenit.
Car Stefan Dushani themelon manastirin e shënjëtorëve Mihal e Gabriel në Prizrend dhe i dhuron me këtë krisobulë prona dhe të drejta feudale.
1348.
"Unë Stefani…(i fal manastirit të Prizrendit…) fshatin Zheravina (Ranas, J.B.) me vreshta dhe me pemishte dhe me të gjitha të drejtat dhe kufiri është nën Perje, prej Drini drejt në Kryqin e Koziçinit dhe prej Kryqit në shtëpinë e Varshinit dhe prej shtëpisë së Varshinit në rrugën e Jubanit dhe prej rrugës te Fiku në Preshigjetë dhe prej Preshigjete drejt në plepin në Glinë, prej Gline drejt në Pistull, prej Pistulli në lumin Gjadër dhe gjatë Gjadrit në shtëpinë e Çreljenit, buzë shtëpisë tek qarrishta në Dorbarishkë drejt në Bogotir, prej Bogotiri në Kuçë, prej Kuçe drejt në Drin…"
Edhe zhvillimi i vrullshëm, që pati dera shqiptare e Balshajve, që i përkuli në vasalë dyertë fisnike shqiptare, në prag e pas rënies së despotëve serbë, ka ndikuar në dobësimin e kësaj dere. Kjo është rruga, që nuk i la kohë të forcohej kësaj dere fisnike dhe u bë faktor i ndarjes dhe zhvillimit të tre degëve të veçanta të saj.
———————-
1). Në dokumentin e vitit 1304, kemi emrin e kryetarit të fisit me të njëjtin emër; Bucceseos, ky emër është lexuar Buzëzezët. Dokumenti është botuar në; Acta et Diplomata res Albaniae media aetatis…, vol. I. Vindbonae, 1913, dok. 563, f. 166.
2). Milan Shuflai thotë, për këtë: "sevast Tanush Bezëzezia (1274), duhet krahasuar me Buzëzezi, që rrjedh prej fisit Buzëzezi, që përmendet në kadastrën e Shkodrës të vitit 1416". M. Shuflai, Serbët dhe Shqiptarët, Tiranë 2002, f. 18-19. Tanush Bezëzezi del në dokumentet e vitit 1274, shih; Acta et diplomata…, dok. 333, f. 97.
3). Eqrem Çabej, Studime Gjuhësore, vëllimi V, Prishtinë 1975, f. 110. Kjo thënie e Çabejt duhet kuptuar drejt, sepse nuk ka dyshim që në kohën e errët të dokumenteve, kur Ballkani pësoi dyndjet e popujve në tokat ilire, popullsia mbizotëruese vendase vazhdon vijimësinë etno-kulturore shqiptare, por për këto njohim pak të dhëna të shkruara deri në fillim të shek. IX.
4). Tanush Buzëzezi në Marrveshjen e Karlit I Anzhu përmendet përkrah dyerve të njohura shqiptare: Skura, Jonima, Topia, Araniti etj. Shih; dok. 333, faqe 97 në; Acta et Diplomata … Vindobonae, 1913.
5). Dokumenti i përmendur më lart mban datën 5 shtator 1304. Titulli i dokumentit thekson që: "…ju siguron shqiptarëve privilegjet e vjetra…". Pra këta familje, këto tituj dhe privilegje i kanë patur, që më parë, që tregon vjetërsinë e këtyre familjeve, që trashëgojnë privilegje e tituj. Si fillim mendohet që selinë ta kenë patur në malet, që shtrihen në prapatokën e fushës së Zadrimes, ku vazhdoi të ruhej e trashëgohej dera e Zezëve (Zezajve), në Pukën e sotme.
6). Për titullin sevast, që e kanë Buzëzezët, mundet të flitet, që ata e gëzonin prej shekullit XI, kohë kur u blatua ky titull, prej Perandorisë Bizantine.
7). Kadastra Veneciane e Shkodrës, ka dy familje me këtë mbiemër në qytetin e Shkodrës.
Buza-Buzati
Këto tre degë, të një trung-fisi të përbashkët, në shekullin XVI u tulatën, por si do e shohim në vazhdim, lastarët e lëshuar bënë trungje të mëdha në historinë shqiptare të Veriut. Nga një anë, Bushatët arritën të krijojnë një shtet, rëndësinë e të cilit nuk do e analizojmë këtu, por vetëm do theksojmë, që Bushatët ditën dhe arritën të krijojnë një unitet të popullsisë islame e katolike shqiptare, e cila ruajti dhe forcoi harmoninë fetare në të mirë të unitetit kombëtar.
Emrin Bushat e hasim së pari si mbiemër në vitin 1335; Paulus et Busat dhe po këtë vit Gon Busat, që lexohet Buzat. Në fillim të shekullit XV, nga Kadastra e Venedikut, shohim, që mbiemri Buza-Bushati, ende nuk është stabilizuar. Kjo shihet shumë qartë nga regjistrimi i kryefamiljarëve të fshatit \”Villa Sancto Auracio\”. Megjithëse regjistrimi është bërë nga i njëjti nëpunës, njëhërë është shkruar ky mbiemër; Bencho Bussati dhe një herë, po i njëjti mbiemër; Giergi Busati. Tek \”Busati\”, jemi të sigurtë për leximin; Buzati, kurse tek rasti i parë mundet ta lexojmë; Bushati.
Kjo pasiguri, shihet rëndom në këtë regjister, p.sh. në fshatin Grizhë (Grisa) kemi përsëri një banor; Giergi Busati1 (Buzati), krahas rasteve të tjera të shumta me Bussati, që po ashtu, mundet t’i lexojmë Bushat. Ende në vitin 1416-17, nuk njohim një fshat, me emrin Buzati ose Bushati, ashtu si do shfaqet në shekujt e mëvonshëm, Bushati me lagjen, ku banonin krerët e kësaj dere, Kryebushat.
Në këtë periudhë, shek. XV, njohim Bushatët, të shpërndarë nëpër fshatrat e Zadrimës dhe ndonjë pinjoll i kësaj dere, sipas zakonit të aristokracisë feudale shqiptare, janë të vendosura në Shkodër2.
Nga një anë, Bushatët arritën të krijojnë një shtet, rëndësinë e të cilit nuk do e analizojmë këtu, por duhet theksuar Bushatët ditën dhe arritën të krijojnë një unitet të popullsisë islame e katolike shqiptare, e cila ruajti dhe forcoi harmoninë fetare në të mirë të unitetit kombëtar.
—————–
1). Autorë të ndryshëm na njohin se emri i fshatit arbëresh Mbuzati i Kalabrisë vjen nga emri Buza i një familje shqiptare, që u vendos këtu. Dominiko Zangari, Le colonie Italo Albanesi di Calabria, Editore Casello, Napoli 1941, f. 11.
2). Po, në Kadastrën e Shkodrës, kemi banorë të qytetit; Zorzi Bussati. Regjistri i Kadastrës dhe konçensioneve për rrethin e Shkodrës 1416-17, Tiranë, 1977, f. 25.
Familja tjetër pinjolle e këtij fisi të lashtë, me emrin Ziu (Zezaj), na shfaqet me seli në fshatin Zezaj, me shtrirje në vendbanimin e qytetit të sotëm të Pukës, por banorë me këtë emër e nga kjo familje ka dhe në fushën e Zadrimës, në dy krahët e Drinit.1
Shekulli XV, kur i njohim këto degë të fisit amë, janë dy shekuj vazhdimësi, me shumimin e ndarjen në degëzime, ku nga një kryetar fisi, me titullin e lartë të fisnikërisë sevast, tashmë edhe për degëzimet ruhen e faktohet titulli krye, (krerë) dhe zotni, për dyert e ndara, që u trashëguan, nga kjo derë e Mesjetës. Për Bushatët kemi "Kryebushatët", që i kanë dhënë edhe emrin një lagjie të fshatit dhe për Ziun (Zezajt) kemi Kryezezët, që i njohim në këtë shekull (XV) e në vazhdim, si zotër e pronarë të viseve malore, që ishin pjesë e pronave të derës së Buzëzezëve, të shekujve XI, deri në shkapërderdhjen e kësaj bashkësije. Zezajt u trashëguan si zotër të Dheut (krahinës) të Pukës së sotme, me pronë dhe kullotat e Malit të Terbunit.
Por, në ndarjen e pronës, shekuj më parë, ju është lënë edhe një pjesë e luginës së Drinit, që shtrihej nga Karma në Danjë2, ku ka kullota të mira për stinën dimërore. Si dëshmi e kësaj prone është ruajtur dhe toponimi; Mali i Kryezezët, në Laç të Vadejës së sotme. Ky toponim flet në të mirë të ndriçimit të titullit krerë (krenë), që kishin Zezajt, që në shekujt XIII-XIV3, kur u ndanë si vëllazëri nga dera amë Buzëzezët. Nga këto kullota, disa ju shitën malësorëve të rrethinave të Terbunit në vitet e para të reformave turke, të shek.
XIX4, e disa u trashëguan nga një degëzim i hershëm i Zezajve, që sot mbajnë mbiemrin Laçaj. Në Pukë, në Mesjetë, kemi qendërbanimin (selinë) e Zezajve, ku edhe sot, shihen edhe themelet e kishës së fisnikut Pal Ziut (Zezës)5. Zezajt i njohim si pjesmarrës aktiv në Kuvendet Shqiptare e në hierarkinë kishtare6. Këtë, Pal Zezën, dokumentacioni, por edhe tradita gojore, e njeh si rival e kundërshtar të derës princërore Dukagjini7.
Dera e Zezajve mban emrin tipik autokton mesjetar; Zezaj, Kreu i Zezajve-Kryeziu. Një pinjoll i kësaj dere, që në fillim të viteve 1600, u shkëput dhe u vendos në Gjakovë, duke patur rol parësor në qeverisjen vendore dhe në themel të organizimit politik e shoqëror të zonës, ruajti traditën e trashëguar, që para pushtimit turk.
Një degë tjetër e Kryezëzve e njohur tradicionalisht, u pranua me të drejtat dhe termin e fisnikërisë mesjetare shqiptare; zotëri8 edhe nga pushteti turk, në fillim të viteve 1700, u zhvendos nga Puka (fshati Zezaj) në Iballe (rrethi Pukë) dhe shumë shpejt lëvizi drejt fshatit me emrin mesjetar Bardhet (Pukë), fshat të cilit i dha emrin e vet, Kryezi. Gjatë dy shekujve XVIII-XIX, kjo derë kishte atributet institucionale të qeverisjes, sipas traditave kanunore të Tre Maleve të Pukës (Pukë, Iballe, Malzi). Gjatë këtyre shekujve detyrimi i vetëm i banorëve të kësaj treve ndaj pushtuesit turk ishte të ruante dhe mirëmbante rrugen Vadejs-Ura e Vezirit (Kukës). Banorët e njohën dhe e pranuan titullin dhe institucionin e zotërisë, sipas traditës paraturke dhe e respektuan dhe ju përgjigjën thirrjes së tij vazhdimisht, në të mirë të unitetit e ruajtjes së traditave vetëqeverisëse.
***
Folëm shkurt për degën Buza-Bussati dhe toponimet; Kryebushat (Shkodër) dhe Zezaj-Kryezezët, të trashëguar nga Buzezët. Një degë tjetër nga ky fis i lashtë, është dera zamadhe Renësi-Buzuku. Ruajtën në mbiemrin e tyre Buz(a)-uku për tu dalluar nga degëzimi tjetër Buza-Bussati, ato mbajtën dhe mbiemrin Renësi, nga emri i fshatit ku e kishin selinë në vendbanimin e tyre të lashtë.
——————-
1). Në fshatin Sancto Auricio; Giergi Cruesio (f. 70), Në Copenico, Pal Exi (Ziu), (f.76), në Barbarossi, Zorzi Yzi (f. 123), në Valmi, Giergi Sesa (f. 141), në Reci, Marin Ysi (f. 141), etj. Shih: Catasto veneto di Scutari e registrum concessionum 1416-17, Scutari, 1940.
2). Edhe sot trashëgohet nga ish banorët e fshatit Pukë.
3). Në kujtim të ish pronarëve të dikurshëm, Zezajve, deri në shekullin XIX, ruhej në Laç të Mjedës toponimi; "Mali i Kryezezët". Fuvlio Kordinjano (Cordignano, F). L’Albania traverso opera e gli scriti di un grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi (1847-1914), Romë 1934, f. 396. Që i kemi Kryezezët me këtë mbiemër na e dëshmon edhe një dokument i mesit të shekullit XV. Me datë 18.03.1445 kemi: "…Të bijt e Medon Kryeziut marrin konqensionin e Kazenës…", A.Q.Sh, Fondi "Urdhëri Jezuit", Zef Valentini, dosja 73, viti 1929. Shih dhe; Shaban Sinani, Njëqindëmijë referenca për kulturën shqiptare, në librin; Kështjella e Virtutit, Tiranë 2001, f. 196.
4). Nikoll Lleshi, Gomsiçja në Histori e Etnologji, "Geer", Tiranë 2001, f. 7v.
5). Xhamia e Pukës është e ndertuar, sipas traditës gojore dhe gjurmëve arkeologjike, mbi themelet e kishës së Pal e Boç Ziut. Shih shenimet e mëposhtëme.
6). Në kuvendin e Dukagjinit të vitit 1601-2, Shtjefën (Teta) Zezaj është ndër krerët kryesorë të krahinës së Zadrimë-Lezhë. Po citojmë dokumentin: "…I perndrituri imzot peshkopi i Sapës, Gjon Bardhi, Teta i Zi (Tetta Issi), Leka Kola, pleq e krerë të parë të krahinës së Zadrimës me gjithë Lezhën, dhe krerë të tjerë". L. Ugolini, Studime e tekste, Dega Juridike, Vëllimi I, Firenze 1944, dok. nr. 227. Po në këto vite kemi Dom Pjetër Zezajn (Pietro Isio abate di S. Paolo) shkrues (sekretar) i Letrës së Krerëve Shqiptarë drejtuar Mbretit Filip të Spanjës, po aty, dok 377. Lista e pjestarëve të derës Zezaj është shumë e gjatë gjatë shekujve XVI-XIX, permendëm vetëm këto.
7). Konsulli austro-hungarez Teodor Ippen, na thotë: "Një rrenojë kishe, që ndodhet në Pukë, është e periudhës paraturke, pra mesjetare…", Shqipëria e Vjetër, Tiranë, 2002, f. 58. Kurse autori Gopçeviç, në librin e botuar në Leipsig, në vitin 1881, mbi historinë e Shqipërisë, në faqen 228, thotë: "…Në Dukagjin, afër Pukës gjenden rrënojat e një kështjelle, e cila ka qenë banuar nga princi shqiptar Paolo Zenta (Pal Ziu)…". Një tjetër albanolog, H. Hecquard, në veprën e botuar në Paris, në vitin 1858, Histoire et description de la Haute Albanie ou Guegarie, në faqen 218, shkruan: "…Në afersi të Pukës, është kështjella e banuar nga Pal Zenta. Disa familje, që banojnë pranë këtyre rrenojave gëzojnë një respekt e konsideratë të madhe dhe pretendojnë të jenë pasardhësit e këtij princi, duke ju shtuar emrave të tyre, emrin e tij, tani janë muhamedanë".
8). "Fjala zot, zotni, nuk ka kuptimin e perendisë, por permbajtjen "zotëri". Kjo duhet të veçohet si ruajtje e kujdesshme e një politese klasike, dhe e pranojmë se apelativi "zot" është trashëgim i hershem gojor". Sh. Sinani, Kënga e Gjorg Golemit dhe cikli i Skenderbeut, botuar në përmbledhjen "Çermenika", Tiranë 2004, f. 90-97.
së Gjon Buzukut" i autorit
Jaho Brahaj
Leave a Reply